Nga Frank Shkreli

17 Shkurti, 2026 shënoi 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në një shkrim të ditëve të fundit Frank Shkreli: 17 shkurti – Pavarësia e Kosovës dhe shqiptarët e Amerikës | Gazeta Telegraf jam shprehur se 17 Shkurti, si Dita e Pavarësisë së Kosovës, është gjithashtu edhe dita kur, të gjithë si shqiptarë pa dallim dhe kudo që jemi, kujtojmë në këtë ditë. Se liria dhe pavarësia kanë emër, sakrificë, por edhe përgjegjësi politike historike dhe kombëtare, sidomos, për klasën aktuale politike shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri, pasi të gjithë shqiptarët kudo e ndjejnë Kosovën si atdhe shpirtëror dhe histori të përbashkët. Argumentova se kjo është një datë që festohet si simbol i krenarisë dhe shpresës për të gjithë shqiptarët, ashtu siç është edhe 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë. E kam thënë shpesh në të kaluarën se normaliteti dhe stabiliteti i marrëdhënieve në tërësi midis Shqipërisë dhe Kosovës është jetik për të ardhmen kombëtare dhe për integrimin euro-atlantik të shqiptarëve, para se të jetë vonë. Në dyzina artikuj gjatë viteve jam munduar të theksoj – që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më sot –nevojën urgjente për një normalitet të marrëdhënieve Tiranë-Prishtinë që duhet të bazohet, ndër të tjera, në disa shtylla kryesore.
Jam shprehur se elita politike në Tiranë dhe Prishtinë shpesh e përdor retorikën e të ashtuquajturit “partneritet strategjik”, midis dy shteteve shqiptare si një instrument mashtrimi politik për konsum të brendshëm, ndërkohë që në realitet këto marrëdhënie kanë pësuar gjatë viteve mungesa serioze, për të mos thenë fatale, siç është mungesa e një bashkrendimi të mirëfilltë të politikave të brendëshme dhe të jashtme midis Shqipërisë dhe Kosovës. Modestësisht, kam bërë thirrje nga hera në herë, për kundërshtimin nga të dy palët e nismave përçarëse, Frank Shkreli: Pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe Ballkani i Hapur | Gazeta Telegraf, ndërkohë që kam vlerësuar qëndrimin e udhëheqësve të Kosovës kundër nismave si “Ballkani i Hapur”, duke i cilësuar ato nisma përçarëse si projekte që mund të dëmtojnë pavarësinë dhe interesat e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithsi, në favor të ndikimeve rajonale jo-shqiptare, serbo-ruse, e të tjera. Kam nënvijuar gjatë viteve nevojën për basshkrendim — midis Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare — të politikës së jashtme. Kam bërë thirrje për një normalitet në marrëdhënie, që kërkon nga dy shtetet shqiptare të kenë një zë të unifikuar në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në raport me miqtë strategjikë si SHBA-ja, për të shmangur dështimet diplomatike dhe “turizmin politik”, historikisht, pa rezultate konkrete për asnjërën palë.
Kam folur shpesh mbi nevojën për politika të përbashkëta për tu mbrojtur nga ndikimet e huaja, historikisht, të dëmshme për interesat dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. Në mënyrë të veçant kam paralajmëruar se “flirtimi” i udhëheqësve shqiptarë, në dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, me influencë të jashtme politike, ekonomike dhe fetare turko-ruse, paraqet një rrezik serioz për stabilitetin e të dy shteteve shqiptare dhe për vetë procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, por edhe me shtetet mike perëndimore, siç ka provuar historia e viteve të fundit.
Shkak për këtë shkrim modest u bënë vizitat e Presidentit të Shqipërisë, Z. Bajram Begaj dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe takimet e tyre në Prishtinë — me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës – dhe takimet e tyre me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrin e Kosovës, Z. Albin Kurti. Mediat vendase njoftuan se në takimet e tyre liderët më të lartë të Shqipërisë dhe të Kosovës, “riafirmuan edhe njëherë partneritetin strategjik dhe vëllazëror”. Fjalë që, fatkeqsisht, nuk është hera e parë që i dëgjojmë nga liderë shqiptarë në takime të tilla të përbashkëta në Tiranë ose në Prishtinë. Fjalimet e zjarrta, mbledhjet e përbashkëta ceremoniale midis dy qeverive dhe deklaratat e përvitshme për “vëllazëri të përjetshme”, nuk prodhojnë politika publike funksionale në asnjë fushë të marrëdhënieve të ndërsjellta. Sipas ekspertëve, shembëll i këtij dështimi janë marrveshjet e shumta të arrijtura gjatë viteve, por që shumica e tyre ende nuk zbatohen.
Duke marrë para sysh marrëdhëniet midis dy shteteve shqiptare gjatë viteve të fundit, të gjithë kemi qenë dëshmitarë se këto shprehje “vëllazërimi” kanë qenë dhe mbeten fjalë boshe të rastit dhe se realiteti i marrëdhënieve midis Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare, ka qenë dhe mbetet diçka krejt tjetër. Këto takime në Prishtinë, ditët e fundit, dhe fjalët që u shkëmbyen midis liderve më të lartë të dy shteteve shqiptare më bindën edhe njëherë se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë vazhdojnë të vuajnë nga mungesat e vjetra në marrëdhëniet dy-palëshe dhe se ato nevojitin një ndryshim rrënjësor, seriozitet kombëtar me vizion afatgjatë dhe jo fjalë simbolike boshe diplomatike, sa për sy-e faqe.
Gatishmëria për “Riafirmimin edhe njëherë të partneritetit strategjik dhe vëllazëror”, siç u shprehen këto ditë udhëheqsit e të dy palëve në Prishtinë, nuk mjafton. Fjalët nuk mjaftojnë më. Rëndësi kanë veprat! Prej vitesh, raportet midis Shqipërisë dhe Kosovës shpesh janë shoqëruar me retorikë të zjarrtë patriotike, me mbledhje të përbashkëta qeverish, deklarata “vëllazërore” dhe fotografi ceremoniale. Por përtej simbolikës, realiteti kërkon diçka më shumë. Kërkon seriozitet kombëtar, vizion strategjik politik dhe ekonomik si dhe përgjegjsi institucionale. Nuk mjafton të flitet për ri-afirmim të “partneritetit vëllazëror”, në mënyrë emocionale, ndërsa në praktikë pengesat burokratike politike dhe ekonomike midis dy shteteve shqiptare vazhdojnë edhe kur bashkëpunimi ekonomik mbetet dukshëm nën potencialin e duhur dhe të nevojshëm për të dy palët. Ndërkaq, politikat e jashtme nuk janë të harmonizuara dhe jo në shërbim të interesave madhore kombëtare të gjithë shqiptarëve, falë politikave dështuese të klasës aktuale politike që vepron më shumë në shërbim të interesave personale dhe partiake, se sa në interesin madhor kombëtar.
Shqipëria dhe Kosova ndodhen në një rajon ende të brishtë politikisht dhe ekonomikisht, të rrethuar nga armiq historikë të shqiptarëve, ku çdo mungesë bashkrendimi politik, ekonomik dhe në politikën e jashtme midis Tiranës dhe Prishtinës, është shfrytëzuar dhe po shfrytëzohet me mjaft mjeshtri politike e diplomatike nga Beogradi e Moska dhe nga nga faktorë të tjerë në Evropë dhe në Ballkan që nuk ua duan të mirën shqiptarëve, as nuk duan stabilitetin shqiptar as paqë të rajonit. Në këtë kontekst, përgjegjsia për këto mungesa të dëmshme bie këmbëkryq mbi klasën politike në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Që Shqipëria dhe Kosova të kalojnë, më në fund, nga folklori politik i të ashtuajturit, “partneritet vëllazëror” dhe përtej fjalëve që dëgjuam në Prishtinë, ditët e fundit, me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, atyre u duhet një bashkpunim dhe bashkrendim më i ngusht, për të çuar përpara zbatimin e politikave serioze mbarë-kombëtare, bashkrenduese dhe shtet-formuese, Tiranë-Prishtinë, për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.
Koha e fjalëve të mëdha boshe që nuk pasohen me vepra konkrete në marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë, ka kaluar. Qytetarët shqiptarë presin rezultate të prekshme e të dukshme. Ata kërkojnë treg të përbashkët ekonomik funksional, projekte infrastrukturore të realizuara, bashkëpunim arsimor e kulturor të institucionalizuar (abetarja e përbashkët nuk mjafton) dhe sidomos, shqiptarët kërkojnë një zë të forte dhe të unifikuar në çështjet politiko-strategjike në fushën e politikës së jashtme. Tirana dhe Prishtina duhet të sillen si dy shtete sovrane që e kuptojnë se forca e tyre rritet vetëm përmes bashkërendimit, jo përmes retorikës e përçarjeve. Një marrëdhënie normale shtet me shtet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk e dobëson aspak idenë kombëtare — përkundrazi, e forcon atë mbi baza moderne, euroatlantike dhe institucionale.
Normaliteti në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë nuk është retorikë, por nevojitë seriozitet kombëtar! Është detyrim historik kombëtar e moral i liderve aktualë të dy shteteve shqiptare. Një mundësi që historia dhe miqët historikë të Kombit shqiptar ua ka dhënë shqiptarëve në shekullin XXI, nuk duhet të abuzohet as të mos përfillet, por të përdoret në maksimum për të mirën e të gjithë shqiptarëve pa dallim, në Ballkanin Perëndimor. Kjo mundësi e shqiptarëve nuk mund të mbetet kurrsesi një eksperiment politik i pa realizuar. Koha e simbolikës boshe ka mbaruar. Serioziteti kombëtar dhe normaliteti i marrëdhënieve Tiranë-Prishtinë nuk është dhe nuk mund të jetë një slogan por është një përgjegjësi historike, kombëtare dhe morale, për këtë brez të politikanëve shqiptarë sot. Trajtojeni si të tillë!
Frank Shkreli

Gjergj Kastrioti – Skenderbe në Prishtinë