
MIRSEDA DACI
Unë kam një ëndërr…dhe ajo është që ta shoh Shqipërinë të lirë. Të lirë nga vargonjtë e shoqërisë paragjykuese, korrupsionit, luftës për pushtet, protestave të njëpasnjëshme…Disa prej jush mund të më shohin me habi, të tjerë mund të komentojnë e të thonë se Shqipëria e lirë është, por unë dua të jap argumentin tim. Më thoni pak a mund të quhet i lirë vendi ynë, kur bijtë e bijat e tij vazhdojnë e marrin udhët e kurbetit? A mund të quhet i lirë ai, kur ato që nuk largohen vetëm vuajnë? Po shikoja edicionet informative dhe derdha lotë kur njerëz të thjeshtë kërkonin ulje të çmimeve për produktet më jetike. E nga ana tjetër dëgjova krerë të shtetit, të cilët dalin “të larë” nga ky mëkat e ia pasojnë njëri-tjetrit gabimet e njëpasnjëshme. Eshtë e dhimshme të shohësh njerëz që kërkojnë për të ngrënë, e të tjerë që mjaftohen me xhepat e tyre të mbushura. Ka nga ato që kërkojnë të punojnë, por pasioni i shuhet kur korrupsioni ulet këmbëkryq e mbulohet nga manteli i padijes. Unë jam një më mësuese që kam pasion letërsinë. Kam kaluar shumë peripeci në jetë dhe vazhdoj “të goditem” çdo ditë nga predhat e të korruptuarve. Endrra ime më e madhe është të përhap dije tek nxënësit e mi, që janë filizat që rriten çdo ditë drejt së ardhmes. Si unë ka shumë të tjerë që përpiqen të kontribuojnë për vendin e tyre, por nuk i hedhin dot themelet jetësore sepse ato që “dridhin zinxhirët” janë më “të aftë”. Pavarësisht përmirësimeve që janë bërë dhe po bëhen në vendin tonë, ka akoma shumë gjëra që duhen ndryshuar. Pyesim e shajmë ndër dhëmbëmbë se përse kemi nxënës që nuk dinë të lexojnë, mjekë që eksperimentojnë me trupin tonë, gjykatës që lirojnë kriminelë e gazetarë që mbushin programet me lajme boshe. Hej njerëz, hapini sytë! Mos pretendoni se mund të këndoni pa zë e të fluturoni pa krahë. Mos e kërkoni ndryshimin tek të tjerët pa ndryshuar më parë veten tuaj. Ka shumë prej jush që kërkojnë me ngulmim që fëmija juaj të jetë mbi të tjerët. Por harroni se nuk mund të kaloni tek Zh-ja pa mësuar më parë A-në. Ju vërtetë mendoni se fëmija juaj mund të drejtojë një shtet, por ai nuk mund të jetë kurrë një lider. Ai mund të fitojë një betejë, por jo një luftë. A e dini përse? Sepse ai do të jetë i korruptuari i javës. Dëgjojmë çdo ditë termin meritokraci, por unë mendoj se ajo nuk ekziston plotësisht, është akoma në hapat e parë të krijimit. Duhet shumë kohë dhe punë që të ekzistojë. Për sytë e mi Shqipëria nuk është e lirë. Rregullat dhe ligjet zbatohen vetëm kur njerëzit janë “pa krahë”. Dhe kur dikush e merr guximin të kërkojë të drejtën e tij, nëpërkëmbet e paragjykohet nga e gjithë shoqëria. Ndoshta ekziston akoma frika se të thuash hapur atë që mendon të çon drejt humnerës. Bëjmë zgjedhje të gabuara e më pas vërshojmë në protesta duke protestuar për gabimet tona. Nuk ka faj shteti kur ju heshtni përballë diçkaje të padrejtë. Nuk ka faj as populli që nuk ia del dot të jetojë. Po kush ka faj? Të gjithë jemi fajtorë pa faj. Shqipëria është një shtet i pavarur, por jo i lirë. Nuk fitohet liria me luftë, por me punë. Dhe puna jonë më e madhe është të ndryshojmë veten. Mos kërkoni drejtësi nëse ju jeni të padrejtë në radhë të parë me veten, e më pas me të tjerët. Një ndërgjegjie e pastër sjell një shpirt të lirë. E një shpirt i lirë i sjell lirinë një populli të tërë, një shteti. Unë kam një ëndërr…dua ta shoh Shqipërinë të lirë. Të lirë nga vargonjtë e shoqërisë paragjykuese, korrupsionit, luftës për pushtet, protestave të njëpasnjëshme…E vetme nuk mund ta bëj realitet këtë ëndërr, por me ju po. Së bashku ne mundemi sepse bashkimi sjell fuqinë!
MIRSEDA DACI