Artan Nati/
Autoktatët ndalojnë vetëm kur ndalohen dhe çmimi vazhdon të rritet. Dëshira e botës së lirë për të injoruar dhe harruar këtë të vërtete vazhdon të shkaktojë vuajtje të patregueshme. Diktatorët dhe autoritarizmi janë në gjendje të ekzistojnë dhe të vazhdojnë të ushtrojnë pushtet derisa njerëzit nuk bëjnë asgjë për t’i ndaluar. Deri tani në Shqipëri ka funksionuar formula: diktatura ose autokracia është e mirë – përderisa unë jam diktatori. Por nëse unë nuk jam diktatori ose autokrati, jo edhe aq e mirë. Kjo është loja që kanë luajtur në Shqipëri drejtuesit e qeverive, bashkive, partive gjithashtu drejtuesit e opozitës dhe më tej. Dhe ne të gjithë çfarë kemi bërë? Thjesht kemi harruar se përballë tiranisë, zgjedhja për të rezistuar nuk është thjesht një opsion,por është imperativi që mbron liritë dhe ëndrrat tona. A nuk ndodhi kështu kur drejtuesit kryesorë të partive politike pas vitit 90 lëshonin vetëtima mbi ish diktatorin, për tu shndërruar vetë në autokrat duke kontrolluar të gjitha pushtetet kur vinin në krye të vendit ose kontrollonin me dorë të hekurt partitë respektive. Ndërkohë ne nuk bëmë asgjë edhe intelektualët dhe demokratët e ndershëm përfshirë këtu edhe ish të pëndjekurit mendonin dhe shpresonin se ata do të bënin gabime dhe do të binin nga pushteti dhe ata do të merrnin drejtimin e vendit dhe të partive politike së shpejti. Ata harruan se të njëjtin gabim bënë gjermanët me Hitlerin duke e konsideruar atë si një provincial të vrazhdë dhe të paedukuar, ashtu edhe italianët me Musolinin, por koha tregoi se ata jo vetëm u bënë diktatorë të vendeve të tyre, por edhe shkaktuan tragjedinë më të madhe botërore, pasi rreziku i tyre u injorua edhe nga liderët e botës demokratike. Po kështu ndodhi në kampin socialist ku Edi Rama pasi morri PS në dorë, eleminoi gjithë kundështarët e tij dhe emëroi gjthë servilët në postet drejtuese. Kështu u bë vjedhja masive me inceneratorët, duke eleminuar ministrin Shkëlqim Cani dhe vuri në vend të tij Arben Ahmetaj i cili shkaktoi skandalin më të madh të korrupsionit në vend dhe si për çudi Rama nuk dinte asgjë. Në kushtet e mungesës së eksperiencës demokratike dhe izolimit total nga europa si pasojë e pushtimit otoman dhe më vonë nga murtaja e komunizmit shoqëria jonë tenton të mitizojë figurat politike. Mitet politike lindin nga etja jonë e përbashkët për shpresë, me liderët që shfaqen si simbole që na drejtojnë drejt një të ardhmeje të mbushur me premtime dhe optimizëm. Dhe ne harruam se të gjithë njerëzit janë të barabartë, por jo të gjithë kanë aftësinë mendore për të vendosur se çfarë është më e mira për harmoninë dhe përparimin e një populli dhe siç thotë politologu amerikan Frank Herbert :”Pushteti absolut nuk korrupton absolutisht, pushteti absolut tërheq të korruptuarit”. Dhe pikërisht kjo ndodhi në vitet në vazhdim pamë se siç thuhet shpesh “Kujdes kujt i beson, djalli dikur ishte një engjëll.”
Sipas teorisë së kompensimit të psikoanalistit Austriak Alfred Adler, individët mund të përpiqen për pushtet dhe dominim për të kompensuar ndjenjat e inferioritetit ose paplotësueshmërisë së tyre. Duke ushtruar kontroll mbi të tjerët, ata përpiqen të kapërcejnë ose fshehin të metat e tyre të perceptuara. Këta individë kërkojnë pushtetin si një mënyrë për të përballuar pasiguritë dhe frikën e tyre. Të kesh kontroll mbi të tjerët mund të perceptohet si një mjet mbrojtjeje dhe një mënyrë për të menaxhuar ankthet personale. Dhe pikërisht në momentet pas viteve 90, por edhe më vonë, individët që u vunë në krye të lëvizjes demokratike, nuk ishin njerëzit dhe intelektualët e ndershëm, por uzurpatorët dhe spiunët e regjimit komunist të veshur me kostumin e demokratit dhe i përdorën studentët dhe të persekutuarit e regjimit si fasadë. Dhe pikërisht këta individë kur morrën pushtetin u korruptuan sepse siç thotë nobelisti Amerikan John Steinbeck :”Pushteti nuk korrupton. Frika korrupton… ndoshta frika e humbjes së pushtetit.” Kjo ishte arësyeja që këta lider ose uzurpatorë nuk do të ndaleshin para asnjë krimi ordiner apo korruptiv si dhe sulmi ndaj demokracisë në vend, në mënyrë që të kishin një pushtet të përjetshëm. Ata nuk u ndalën ndaj edhe çdo kompromisi midis tyre në dëm të demokracisë, vetëm që pushteti të mbetej medis tyre. Kështu ndodhi me marrëveshjen famëkeqe të 2008, ku PD në bashkëpunim me PS , ose më saktë krerët e tyre, miratuan ndryshimet në Kushtetutë, duke aprovuar një sistem të ri zgjedhor, proporcional rajonal me lista të mbyllura. Kjo marrëveshje i dha pushtet të padiskutueshëm kryetarëve të partive. Këta lider, që krijojnë marrëveshje mbi kurrizin e popullit për interesat e tyre, hedhin hije dhe varfëri mbi mirëqenien e atyre që pretendojnë se u shërbejnë, por tregon edhe frikën e madhe që kanë për humbjen e pushtetit. Në këto kushte duket se Shqipëa ndodhet në një ngërç dhe nuk duket ndonjë zgjidhje në horizont, por siç thotë Albert Einstein:”Problemet e rëndësishme me të cilat përballemi nuk mund të zgjidhen në të njëjtin nivel të të menduarit në të cilin ishim kur i krijuam ato.” Atëhere e vetmja zgjidhje që kemi fatin e madh të na ofrohet është investimi Amerikan në SPAK, si e vetmja mundësi, por edhe më e mira që i ofrohet vendit tonë. Kjo formulë ka funksionuar edhe në vende si Italia si dhe në vendet e tjera të Ballkanit, gjë që na bën optimist për suksesin e saj. Shumë analistë politikë si edhe politikanë ankohen dhe e gjylojnë SPAK-un si të njëanshëm apo jo të aftë profesionalisht duke mos dhën asnjë opsion real për daljen nga situata. Ajo që mund tu themi atyre është se: Nëse nuk ju pëlqen diçka zotërinj, ndryshojeni atë. Nëse nuk mund ta ndryshoni, atëherë ndryshoni qëndrimin tuaj për të, por çfarëdo që zgjidhni të bëni, mos u ankoni nëse nuk jeni të gatshëm të bëni diçka për të bërë një ndryshim për mirë. Sfida kundër diktatorëve dhe autokratëveë nuk është çështje preference, por është thelbi i ruajtjes së vetë strukturës së lirive dhe ambicieve tona. Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se: Erërat e ndryshimit që vijnë nga jashtë mund të ndezin flakët e revolucionit, por jemi ne ata që duhet ta mbajnë zjarrin të ndezur.