U përcoll me nderime në banesën e fundit akademiku Gudar Beqiraj (1948-2020), njoftoi Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
“Në ceremoninë e nderimit mori pjesë Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe akademikët Apollon Baçe, Jorgo Kaçani, Ilirjan Malollari; përfaqësues të botës universitare, sportit etj. Për jetën dhe veprën e akademikut Beqiraj foli akademiku Anastas Angjeli. U prehsh në paqe kolegu ynë i paharruar!” përfundon njoftimi .
Akademiku Gudar Beqiraj u nda nga jeta në ditën e Lindjes
Akademiku i shquar Gudar Beqiraj është ndarë sot nga jeta në moshën 72-vjeçare dhe si për ironi të fatit, pikërisht në ditën që ka lindur. Lajmi u dha nga N/kryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, i cili e njoftoi në Fb:
“Sot u nda nga ne miku dhe akademiku Gudar Beqiraj! Zgjodhi të ikte në ditën që lindi, si për ta kujtuar vetëm 1 herë në gëzim, e jo ndryshe! I paharruar do të jesh miku ynë, që e filloje ditën me fjalët: “Çfarë të mire do të bëjmë sot?!”
Familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, Akademia e Shkencave kolegun dhe akademikun e përkushtuar, bota e sportit shqiptar një sportist dhe dashamirës të madh të saj, dhe ne mikun tonë zemërgjerë, si ai.”
Lajmin po ashtu e përcolli edhe gazetari i njohur Defrim Methasani: “E pabesueshme por e vërtetë. Mëngjesi i 11 majit, rezervoi një lajm të trishtë dhe të dhimbshëm. U nda nga jeta Prof Gudar Beqiraj, akademiku i njohur dhe njeriu me shumë detyra dhe kontribute në shkencën informatike dhe në sportin e peshëngritjes. Në moshën 72, ai iku nxitimthi nga kjo jetë, duke pikëlluar familjen dhe të gjithë miqtë e shumtë të tij. U prehsh në paqë babaxhan. Ike vërtet fizikisht, por mbetesh shpirtërisht dhe përjetësisht…!” përfundon Methasani.
JETESHKRIM I Z. GUDAR BEQIRAJ
Akademik Prof. Dr. Gudar Beqiraj, ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Departamenti i Matematikës. Është specializuar në Gjeostatistikë pranë Qendrës së Gjeostatistikës në Fontainbleau, Francë si dhe në metodat e informatikës së aplikuar në Gjeofizikë në Universitetin Paris VI, Francë.
Në 1992 ka kryer punë shkencore pranë Universitetit “La Sapienza”, Romë, Itali.
Në vitin 1994 merr titullin “Profesor”, dhënë nga Këshilli i Lartë i Atestimit të Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë.
Në vitin 2003 i akoedohet titulli “Akademik”, dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Në 2012 është bërë anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve.
Kontributi i tij shkencor përfshin: Pjesëmarrjen në Kongresin e III Botëror të Gjeostatistikës, Avignon, Francë (1987). Anëtar i Komisionit të Vlerësimit për mbrojtje doktorature në Fontainebleau, Francë (1988). Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeologji-Miniera, Pribram, Çekosllovaki (1989). Pjesëmarrës në Simpoziumin CODATA, Leeds, UK (1990). Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeologji-Miniera. Prezantimi i vlerësuar me medalje argjendi. Pribram, Çekoslovaki (1991). Anëtar i Këshillit të Fakultetit të Ekonomisë – Universiteti i Tiranës. (2002-2007). Anëtar i Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë Ministrisë së Arsimit (2007).
Është realizues i algoritmeve dhe programeve të ndryshme në gjuhët e programimit: Algol, Paskal, Fortran, të aplikuara në fusha të ndryshme si gjeofizika, gjeologjia, bujqësia, nafta, mjekësia, etj.
Përvoja e tij profesionale është shumë e gjatë dhe e pasur. Në vitet 1971-2003 ka qënë matematikan në INIMA dhe në 1993 Drejtor i INIMA. Në vitet 2007-2009 Dekan i Fakultetit të Teknoligjisë së Informacionit në UPT dhe në 2009-2013 Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. 2017-2018 Drejtor i Shkollës së Doktoratës, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe në 2018 e në vazhdim Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.
Ka një përvojë 45 vjeçare si pedagog i matematikës dhe i informatikës në Universitetet e Shqipërisë si dhe pedagog për sportin e peshëngritjes në Akademinë e Sporteve në vitet 80-të.
Përveç kontributeve në fushën shkencore, ka kontribute edhe në aktivitete e fusha shoqërore.
Në 1982 Arbitër i kategorisë së parë ndërkombëtare në peshëngritje. 1992-2000 President i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. 1996-2000 Zëvendës President i Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. 1993-vazhdim Presidenti i Fondacionit Humanitar “Sue Ryder Care” Albania. 2004-vazhdim Anëtar i Bordit të Fondacionit Ndërkombëtar “Sue Ryder Care”.
2003-vazhdim President i Hospisit të parë në Shqipëri për të sëmurët terminal të diagnostikuar me kancer. 2008 Çmimi Personalitet i Vitit, akorduar nga Bashkia e Tiranës,
2016 Medalje e Artë për kontributin 50 vjeçar në sportin botëror të peshëngritjes, nga Federata Botërore e Peshëngritjes.
NE PRILL 2019, I JEPET TITULLI NGA PRESIDENTI ILIR META, “KALORES I URDHRIT TE SKENDERBEUT
Më 19 prill 2019, Beqiraj u dekorua nga Presidenti Ilir Meta me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, në 10-vjetorin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.
***
Fjalët ngushëlluese të kolegëve për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj
Kolegët akademikë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj, i cili vdiq dje në moshën 72-vjeçare. Ata u shprehën në librin e hapur nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë për këtë qëllim: Dhimbje për humbjen e njeriut që aq shumë e deshi Akademinë, që bashkoi tri përmasa të mëdha: shkencore, drejtuese dhe njerëzore. Njeri i interesave të mëdha shkencore, i ftuar për ekspertizë e oponencë në dhjetëra universitete të Francës, Italisë dhe Belgjikës; vlerësues i jashtëm i shumë projekteve konkurrente të BE-së në fushën e matematikës së zbatuar; pasionant në zgjedhje dhe model i modestisë akademike; njeriu që mori përgjegjësi kur duhej dhe lejoi shtigje të lira për të tjerët në momentin e duhur, iku papritur në ditën kur ishim përgatitur për ta uruar!
Akademik emeritus Petraq Petro: Gudari i dashur u nda befas nga ne, por ai gjithmonë do të ketë një strehëz të ngroht? në zemrat dhe mendjet tona.
Akademik emeritus Gjovalin Shkurtaj:
Lajm i hidhur dhe i papritur. Humbje e parakohshme e një akademiku me merita dhe i një miku të mirë e të dashur. Qoftë i paharrueshëm. Ngushellime familjarëve dhe i qoftë e lehtë lëndina e Atdheut.
Akademik Arben Merkoçi: Lajm shumë i hidhur për të gjithë. Ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e profesorit dhe mikut tonë të dashur!
Akademik i asociuar Ilirjan Malollari:
E papritura, e befta është tinzare për fatin e mikut, shokut dhe kolegut tonë të nderuar akademik Gudar Beqirajt! Ende e pabesueshme dhe e pashpirt është ndarja e Tij nga kjo jetë qe ai e donte aq shumë. Priste dhe përcillte me zell ditët e mbushura me entusiazëm edhe në kohë të vështira të shëndetit të tij të trazuar vitet e fundit. Ai diti ti përballë të gjitha me shumë shokë e miq! Asgjë nuk e shluen kujtimin e tij njerezor mbi të gjitha. Ishte dashamirëss dhe mirëkuptues me të gjithë për gjithcka! Ju përcjell familjarëve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen fizike të tij sepse Ai dhe shpirti i tij do të mbeten midis nesh të gjallë dhe frymëzues! U prehte ne paqe dhe Zoti e bekoftë trashëgiminë e tij!
Akademik Nazim Gruda, Gjermani: Lajm tepër i hidhur dhe për mua që jam larg, i pabesueshëm. Prof. Gudari u prehsh në paqe! Uroj që brezat të kujtojnë qenien dhe shpirtin tënd bujar! Ngushëllimet e mia me të thella familjes dhe gjithë të njohurve.
Akademik Jani Vangjeli:
Lamtumirë njeriu i urtë Gudar! Do të kujtoj gjithmonë si miku ynë i dashur.
Ngushëlloj nga zemra familjen.
I përjetshëm kujtimi iTij.
Akademik Beqir Meta: Lamtumire miku ynë i dashur dhe gazmor. Do të ruajmë gjithmonë kujtimin më të bukur për ty, së bashku me vlerësimin e lartë për kontributin si akademik e drejtues i palodhur. U prehsh në paqe. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së mikut tonë të respektuar dhe të shtrenjtë.
Akademik emeritus Bahri Beci:
Ngushëllimet e mia familjes, të afërmve dhe miqve të akademikut Beqiraj.
I përjetshëm kujtimi i Tij.
Akademik emeritus Mark Tirta: Ngushëllimet e mia familjes të akademik Gudarit. Do ta kujtojmë me respekt si njeriu i dijes, njeriu që i dha shumë shkemcës shqiptare.
Akademik Kosta Barjaba:
Ike shumë shpejt! I miri, i dashuri dhe i dhimbsuri për të gjithë! Na dhembi shumë ikja jote! Do të jesh i paharruar, i dashur Gudar!
Akademike Efigjeni Kongjika: Lajm i papritur dhe shumë i dhimbshëm. Do ta kujtojmë gjithmonë mikun tonë të dashur, të komunikueshëm, që ofronte ndihmë të gjithëve dhe që i ka dhënë kaq shumë Akademisë si drejtor i suksesshëm i INIMA-s dhe si kryetar i ASH Ngushëllime të sinqerta familjes. Ju prehte shpirti në paqe!
Akademik Vasil S. Tole:
Sot u nda nga ne miku dhe akademiku Gudar Beqiraj!
Zgjodhi të ikte në ditën që lindi, si për ta kujtuar vetëm 1 herë në gëzim, e jo ndryshe!
I paharruar do të jesh miku ynë, që e filloje ditën me fjalët: “Ç’farë të mire do të bëjmë sot”?
Familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, Akademia e Shkencave kolegun dhe akademikun e përkushtuar, bota e sportit shqiptar një sportist dhe dashamirës të madh të saj, dhe ne mikun tonë zemërgjerë, si AI!
Akademik Albert Doja: Një lajm shumë i kobshëm. Një humbje shumë e dhimbshme për të gjithë ne! Do të na mungojë shumë! Ngushëllime për familjen dhe te gjithëve!