In Memoriam/
Nga Thanas L. Gjika/
Akademiku Mojkom Zeqo u nda nga jeta pas një lufte disavjecare me semundjen e keqe. Ai ka qenë një njeri me energji të mëdha krijuese. Ishte poet i talentuar, dinte shumë mirë italishten dhe kishte lexuar shumë autorë të huaj të përkthyer në këtë gjuhë. Në shkrimet e tij poetikë të para vitit 1973 ra në sy guximi i tij krijues, përdorimi i një figuracioni jo konformist. Pas qarkullimit në Rogozhinë si mësues Mojkomi pësoi në ndrydhje, partia shtet e ktheu në një krijues të nënshtruar ndaj propagandës së saj. Megjithatë ai u përpoq që këtë nënshtrim ta shfaqte me një farë dinjiteti përmes kulturës së tij dhe energjive të brendshme. Vijoi të krijonte figura origjinale, të sillte prej mendimit përparimtar botëror vlera universale, për aq sa mundëte dhe i lejohej.
Aktivizimi i tij si njeri i politikës socialiste në vitet 1991-1996 e dëmtoi ecurinë e tij shoqërore dhe letrare. Mojkomi nuk kishte nevojë të vijonte anëtarësinë partiake dhe të lidhej me Partinë Socialiste. Shoqëria shqiptare do të kishte përfituar shumë prej tij dhe prej Dritëro Agollit po të mos ishin bërë deputetë të kësaj partie, por të ishin bërë deputetë të pavarur. Ky hap do t’i kishte ndihmuar këta krijues të shpëtonin prej pëlhurës së merimagës, me të cilën PS-ja, si dikur PPSh-ja, pengonte evoluimin e mendësisë së anëtarëve të saj.
Një dobësi tjetër e Mojkomit ka qenë shpërndarja e tij në disa fusha si arkeologjia, sociologjia, etj, gjë që pengoi arritjen maksimale në krijimtarinë e tij letrare, publicistike dhe kritikën letrare.
Nuk ka dyshim se pjesa më e mirë e veprës së tij do të ribotohet, studiohet dhe vlerësohet prej specialistësh të kualifikuar, gjë që do të ndikojë në procesin e ngritjes së kulturës, letësisë dhe shkencës shqiptare në nivele të rinj.