Nga Aristotel Mici/
Së pari dua t’i bëj të ditur z. P. Luarasi se ndodhem në emigracion prej 17 vjetësh dhe nuk më kujtohet se gati një gjysëm shekulli më parë Prof. S. Luarasi ka botuar një artikull të tij për figurën e Skensderbeut në revistën “Studime Filologjike”.
Së dyti, për shkrimin tim “Skënderbeu në Botën Anglofone” jam mbeshtetur në materiale burimore angleze të gjellitura në mjedise tepër akademike në Massachusetts.
Së treti, duke qënë i rrethuar nga një bibliografi shumë e pasur rreth kryeheroit tonë, kam dashur të transmentoj për gjithë bashkëatdhetarët, me aq sa mundem, shtegëtimin legjendar të emrit të madhërishëm të Skenderbeut në hapësirën Anglofone dhe nuk më ka pas shkuar në mendje të bëja garë apo paralele, siç thoni ju, zotëri..
Së katërti, për një personalitet mund të shkruajnë shumë autorë, siç ka ndodhur me figurën e Naim Frashërit, Migjenit, Jeronim de Radës e me radhë; po në këto raste nuk themi se i dyti i ka bërë paralele të parit.
Së pesti, kështu edhe për Madhështinë e emrit të Skenderbeut në letërsinë botërore, Ju nuk keni të drejtë morale, t’u thoni të tjerëve “mos prekni këtë temë se e ka trajtuar Babai im”, se, ndryshe, bëni paralele.
Së gjashti, lidhur me sonetin e Edmund Spenserit, dua t’ju bëj të qartë, zoti Petro, se nuk është marrë nga artikulli i Skender Luarasit, siç e permendni ju, po nga burimi i parë, nga ai i vitit 1596, i botuar për herë të parë në Londër “Historia e Skenderbeut” në anglisht, e shkruar nga Zahry J. Gentleman dhe e publikuar nga botues William Ponsonby, pra nga libri origjinal, që ma siguroi me shumë etiketë “American Aniquarian Society”. Ky sonnet u përmend vetëm për të rrëfyer se si Z. Gentleman ka imituar Lavardinin, ndërsa ky i fundit kish vënë si parathënie një sonnet nga poeti i Plejadës Ronsari; Zachary Gentleman parapëlqeu si parathënie një sonnet nga poeti angles Ed. Spenser.
Dhe tani disa fjalë për të sqaruare lexuesin lidhur me idenë se si mora shkas për të shkruar artikullin e mësipërm:
Pak kohë më parë pata rastin të bëja një prezantim verbal po edhe figurative rreth kreyeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut në auditoret e WSU (Universiteti Shtetëror i Worchesterit. ). Informacioni historik u dëgjua me interes, po në mënyrë të veçantë, u tërhoqi vemendjen dy pedagogëve të universitetit, Prof. Steven Korvi dhe Prof. Donald Hockstetler, të cilët më rekomanduan, për ta pasuruar dhe më mirë studimin; ata më thanë të shkoja edhe në “American Antiquarian Society”, që është një bibliotekë e vaçant për librat antikë dhe burimorë, e themeluar më 1812.
Kjo bibliotekë , që ka pamjen e një tempulli, më la përshtypje për rregullin, shërbimin ekselent dhe qetësinë. Me një herë më vunë në dispozicion çfarë porosita lidhur me emrin e Skënderbeut. Pastaj, në mënyrëm më të shpejtë, u lidhën me bibliotekën e Universitetit të“Harvardit” si edhe “Oregon Univesity” dhe më sollën për çudinë time gjithë literaturën bibliografike për Skenderbejadën, një fashikull rreth njëzet faqe, me shkronja të imta kmompiuteri, ku ishin gjithë autorët e botës dhe librat e tyre për Heroin tonë.
Duke filluar nga Marin Barleti, kjo bibliografi do të vazhdonte me përkthyesit e veprës së tij në gjuhë të ndryshme europiane si Johann Pinicianus, J. Lavardin, F. Dandrade, J. de la Salade, Zachary J. Gentleman. Po kjo bibliografi radhit referencat e saj lidhur me shtrirjen e emerit të Skenderbeut nga më i herëshmi anglofon, që përshkruan Skenderbeun në anglisht siç është “Comentaries of Paulus Jovius” e kthyer në anglisht prej Peter Ashton, më 1546, pra 50 vjet para përkthimit të Z. Gentleman-it e deri te autorët e më vonshëm të shekujve pasardhës si Edwrd Gibbon, Sir W. Temple, John Hobhouse, Lord Bajron, Clement C. Moore (Mur), H. W. Longfellow, James Ludlow, midis tyre janë edhe autorë gjermanë, francezë, italianë e të tjerë. Për këtë bibliografi kaq të pasur, të siguruar nga biblioteka e specializuar “American antiquarian Society”, Prof. D. Hockstetler, specialist i shekullit të XVI do të shprej në shenimet e tij si editor i studimit: se “it is the only significant work on Skanderbeg as a literary theme in European and American literature from the XVI to the XIX century”. Kështu, i ndodhur midis kësaj literature, pata dëshirën të shkruaja një material të thjeshtë dhe përmbledhës lidhur me emrin e Skenderbeut në botën anglofone në kuadrin e datës së 17 Janarit, dita e vdekjes së Heroit, pa pasur paragjykimet e paraleleve, nga të cilat me sa duket vuan zoti Petro Luarasi i sotëm.
Petro Luarasi says
Në gazetën e nderuar “Dielli”, datë 28 Janar 2014,
lexova artikullin e z. Aristotel Mici: “Përgjigje për zotin Petro Luarasi lidhur me shkrimin “Skenderbeu në Botën Anglofone”, ku ai i bishton së vërtetës.
Shkrimi i Petro Luarasit, në fakt një shënim-koment, mbi artikullin e z.Micit. Atje shkruhet : “Me keqardhje bëj me dije se ky material është një kopje e zbehtë, në tematikë, lëndë e shtjellim, e studimit të Skënder Luarasit “Skënderbeu në letërsinë angleze” i botuar me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (S.Luarasi, Skënderbeu në letërsinë angleze, Studime filologjike, Nr.4, 1967, f.121-128)
Kushdo mund ta lexojë në internet http://www.dardania.biz/vb/upload/showthread.php?t=32729&page=2
Po përmend vetëm një fragment
Poeti i madh i Rilindjes angleze, Edmund Spencer, për të cilin folëm më sipër, shkruan një sonet mbi Skënderbenë, me të cilin përcolli botimin e veprës së Lavardenit në gjuhën angleze.
Pse mburret kot e Lashta kaqë fort
Me monumentet e moçëm burrash trima,
Heronj që përmes veprave pa mort
Mahnitën botën, dhe në prallë e rima
Çdo foshnjë i nxën? Njerzim’ i admiron
Statujat e tyre, kolose të larta
E beret triumfore q’i përshkon
E bukura me madhështit’ e narta.
Ja Një, që koha von’e nxor në dritë,
Ndër të mëdhenjtë krah më të madhit shkon:
I madh në zë, pushtet e në vetitë,
Triumfe të vërtetë meriton.
Kamzhik për turqit, për armiqtë rrufe-
Ky libër flet për Ty, o Skënderbe!
Në se mundet, redaksia e Diellit le ta botojë këtë studim të vyer të Skënder Luarasit.
Ndryshe e tjerr thashethemnajën z. Mici, me sajesat: “Po në këto raste nuk themi se i dyti i ka bërë paralele të parit”, “nuk keni të drejtë morale, t’u thoni të tjerëve “mos prekni këtë temë se e ka trajtuar Babai im”, se, ndryshe, bëni paralele”, “pa pasur paragjykimet e paraleleve, nga të cilat me sa duket vuan zoti Petro Luarasi i sotëm”.
I bëj me dije opinionit publik:
Në shënimin për artikullin e z.Mici është vetëm fjalia: “Me keqardhje bëj me dije se ky material është një kopje e zbehtë, në tematikë, lëndë e shtjellim, e studimit të Skënder Luarasit “Skënderbeu në letërsinë angleze”.
Në rast se zoti Mici nuk është në dijeni të disa materialeve të botuar më parë (bëhet fjalë edhe për studimet mbi Skënderbeun në literaturën franceze e vendeve të tjera, të botuar në “Studime filologjike, Nr.4, 1967”) por ia përsërit tematikën e konkluzionet, shkencërisht nuk quhet krijues, por kopjues. Po të krahasohen të dy shkrimet e S.Luarasit e A.Micit shihet qartë se ku e si përputhen në tematikë, lëndë e shtjellim. Sa për nivelin shkencor e intelektual po i a lë të tjerëve ta gjykojnë e krahasojnë pasi nuk dua të gajas gjindjen me mundin e tjetrit.
Me respekt ndaj lexuesve e redaksisë së “Diellit” i uroj z.Mici shëndet.
Petro Luarasi says
Fakt interesant:
Z. Aristotel Mici gjatë viteve 1980-90 punoi në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” me detyrën e shefit të redaksisë në sektorin për Botimet Letrare të Traditës. Por “nuk i paska ditur” referencat e studimeve mbi Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të përmbledhura me rastin e 500-vjetorin të vdekjes së tij!!!
Thanas L. Gjika says
I nderuar z. Petro S. Luarasi ju përgëzoj për mbrojtjen që i bëtë së vërtetës duke vënë në dukje plagjaturën e z. A. Mici.
Mbas shkërmoqjes së diktaturës shumë njerëz menduan se u bë deti kos dhe rëmbyen nga një lugë për të mbushur barkun e tyre të pangopur…
Ky zotëri nuk do t’ia dijë për vërejtjet e kritikat që i kanë bërë e i bëjnë dashamirët, por vijon të vërë shpesh herë para emrit titullin profesor edhe pse nuk ka dhënë asnjë provim në Shqipëri për të marrë gradën Kandidat i Shkencave. Kurse këtu në Amerikë pa dhënë provimin e anglishtes në nivel Toefel, kusht i domosdoshëm për t’u regjistruar në cdo kolegj, pretendon se ka mbrojtur Master në Histori.
Përpiqet të mbushë mendjen e dikujt se meriton të marrë titullin Profesor me disa artikuj të dobët që i quan “Esse” dhe i boton posht e lart dhe si libra më vete. Me një këmbëngulje të vecantë harton shkrime me vlera shumë të kufizuara ku bie në sy herë plagjatura e herë mungesa e formimit. Mjafton të shihen shkrimet e tij për prejardhjen e emrit Shqipëtar, për historinë e Flamurit dhe të Hymnit të Flamurit, etj etj deri tek novela e fundit “Karvani i Pavarësisë”, ku ritregon pa art udhëtimin e Ismail Qemalit nga Durrësi në Vlorë, trajtuar me nivel të lartë artistik prej skenarisëve K. Blushi e Dh. Shuteriqi dhe realizuar në film prej regjisorit Viktor Gjika.
Z. Mici do të kishte bërë mirë që (në rast se e zotëron anglishten) të kishte përkthyer në anglisht trajtesën shkencore të të paharrueshmit Skënder Luarasi, babait tuaj dhe t’ua paraqiste profesorëve amerikanë e ta botonte në shtypin amerikan.
Me respekt, Thanas L. Gjika