Nga Astrit Lulushi/
Kur flitet për historinë e lashtë, njeriu zakonisht mendon Egjiptin, Mesopotaminë, Greqinë e Romën – të cilësuara si 4 superfuqitë e antikitetit – sepse kulturat e tjera duket se kanë një rëndësi dytësore dhe kryesisht përbëhen nga civilizimet me të cilat një ose më shumë anëtarë të grupit të katërshes ishin në kontakt.
Nuk mund të flitet për Nubian pa folur për Egjiptin, nuk mund të flitet për Persianët pa përmendur Greqinë, nuk mund të flitet për Keltët pa folur për Romën.
Por ka patur edhe qytetërime të tjera që përmenden me disa fjali ose në fusnotat e rastit. Për këto kultura antike periferike nuk flitet kurrë në tekste shkollorë mbi historinë antike. Një arsye është se informacioni në lidhje me këto kultura të harruara është jashtëzakonisht i kufizuar: ju mund ta dini emrin e tyre, kur dhe ku ata kanë ekzistuar, por përveç kësaj, shoqëria e tyre, historia e tyre dhe mënyra se si ata ndërvepruan me botën përreth tyre është ose një enigmë totale ose kurrë nuk është studiuar seriozisht. Një arsye tjetër pse këta njerëz nuk diskutohen kurrë në detaje është sepse ata thjesht konsiderohen jo aq të rëndësishëm sa ia vlen të studiohen.
Me të vërtetë, cili nxënës i shkollës së mesme që studion historinë e përgjithshme të botës apo edhe një student i diplomuar ka dëgjuar për Ilirët, edhe pse këta janë të rëndësishëm në mënyrën e vet; më të fuqishëm mes fiseve të lashta dhe ndoshta armiku më i madh i Romës, sepse ka të ngjarë që ata penguan civilizimin romak të zgjerohej në lindje. Rhaetians ishin një grup fisesh ilire që banonin në veri të Italisë dhe Austrisë, por Romakët duhej t’i pushtonin sepse tokat e tyre bllokonin shtrirjen e Romës në lindje të saj, atje ku bëhej vera më e mirë; kjo mund të ishte arsyeja e vërtetë pse Romakët donin t’i pushtonin.
Ilirët ishin njerëzit që, me shekuj, i bënë grekët dhe romakët të shkundeshin. Me ilirët në mes, Roma nuk mund të binte në kontakt me qytetërimin e Greqisë së lashtë. Flotat ilire të anijeve luftarake me kokë gjarpri terrorizuan detet, luftëtarët të cilët thyen ushtritë më të forta që mund të ofronte ‘civilizimi’, kishin qytete të fortifikuara me kështjella të banueshme deri në mesjetë. Ata ishin të pasur, ishin të fuqishëm, ishin dinamikë, ishin në rritje dhe nuk është ekzagjerim të thuash që ata mund të ishin bërë anëtari i pestë në grupin e të mëdhenjve të historisë antike. Shumica në botë sot nuk kanë dëgjuar për ilirët, dhe ata që dinë për ekzistencën e tyre ka të ngjarë se kanë lexuar biografitë e Aleksandrit të Madh që luftoi me ‘ta dhe kundër tyre, ose duke lexuar historitë e Romakëve të lashtë që i pushtuan pas 3 kryengritjeve të përgjakshme.
Ilirët zinin tokën që shtrihej nga brigjet e Adriatikut deri në mbarë “Jugosllavinë”, edhe pse ky emër nuk është përdorur që nga fillimi i viteve 1990. Ilirët kontrolluan këtë shteg të madh të territorit për thuajse 5 shekuj, dhe ishin një forcë e madhe ekonomike dhe ushtarake në botën antike. Megjithatë, ata janë pothuajse plotësisht të panjohur. Deri para viteve ‘90, shumë historianë druheshim edhe t’i përmendin nga frika se mund të dëmtonin reputacionin. Historia antike e Ballkanit perëndimor është një temë studimore, për fat të keq e lënë pas dore, kryesisht për shkak të tërheqjes së perandorive dhe civilizimeve të tjera më të famshme antike. Pjesa që ky rajon luajti në sagën e historisë antike, në pjesën më të madhe ka qenë e kufizuar në referenca anësore në lidhje me episodet në historitë e kulturave të tjera më tërheqëse. Pak është bërë shumë pak për sa i përket studimit të drejtpërdrejtë në të cilin banorët autoktonë të Ballkanit perëndimor janë fokusi kryesor, dhe jo diçka për të cilën aludohet ndonjëherë kur flitet për historinë e Grekëve, Maqedonasve apo Romakëve. Eshtë turp që historia antike e kësaj toke dhe njerëzit që dikur jetonin aty mbeten “terra incognita” akademike. Vetëm një pjesë e vogël e librave janë shkruar për këtë temë në çdo detaj, në krahasim me dhjetëra mijëra tekste që janë shkruar në lidhje me civilizimet klasike të Evropës dhe Azisë. Duke marrë parasysh sa territor fizik përfshin Ballkani Perëndimor, dhe duke marrë parasysh sa kultura të ndryshme duhet të kenë jetuar atje, historia e këtij rajoni me siguri duhet të jetë në një paralel me studimet e kulturave të tjera fisnore evropiane, siç janë Keltët ose Gjermanët e lashtë, rreth të cilëve, sot, Evropa bashkohet.