
Dr. Nikollë Loka/
Edhe pas triumfit të revolucionit xhonturk të vitit 1908 dhe dhënies së së drejtës për shkollimin në gjuhën shqipe, autoritetet osmane u përpoqën ta pengonin zhvillimin e arsimit shqip. Përmes burokracisë, mungesës së mësuesve të kualifikuar, buxheteve të kufizuara dhe presionit mbi komunitetet konservatore, shteti osman ishte angazhuar të kufizonte ndikimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare shqiptare. Përpjekjet e xhonturqve për të imponuar alfabetin arab dhe për të nxitur përçarje fetare dhe krahinore ishin pjesë e strategjisë së tyre për të kontrolluar zhvillimin arsimor dhe për të frenuar afirmimin e identitetit kombëtar shqiptar.
Zhvillimi i lëvizjes kombëtare dhe i kulturës shqiptare pas revolucionit xhonturk përbënte një sfidë të drejtpërdrejtë për Portën e Lartë. Për ta frenuar këtë proces, autoritetet osmane u përpoqën të shfrytëzonin qarqet konservatore dhe reaksionare shqiptare, duke ndikuar mbi perceptimet fetare dhe shoqërore për të penguar konsolidimin e arsimit në gjuhën shqipe. Autoritetet osmane u përpoqën ta ruanin sistemin e mileteve, duke i mbajtur shqiptarët të ndarë sipas përkatësisë së tyre fetare, në mënyrë që kombësia e tyre të mbetej në plan të dytë. Qeveria xhonturke ishte e interesuar që shqiptarët myslimanë të mos merrnin tjetër arsim, përveç atij të ofruar në shkollat turke dhe në gjuhën turke, ndërsa shqiptarëve të krishterë u lejohej të mësonin në gjuhët e tjera, por jo në shqip. Nga aan tjetër, mungesa e mësuesve të kualifikuar, buxhetet e kufizuara, burokracia, vonesat administrative, prioritetet politike dhe ndjeshmëria ndaj ndjenjës kombëtare shqiptare penguan seriozisht angazhimin e shtetit për zhvillimin e arsimit shqip në shkollat shtetërore.
Ashtu si më parë, xhonturqit përpiqeshin të nxisnin përçarje fetare dhe krahinore mes shqiptarëve, duke promovuar përdorimin e shkronjave arabe për gjuhën shqipe. Përdorimi i alfabetit turko-arab, i nxitur nga ata, është konsideruar si pjesë e politikës së njohur “përçaj e sundo” dhe e ideologjisë panislamiste, dhe shpesh përshkruhet si një “mollë sherri” e hedhur qëllimisht midis shqiptarëve. Strategjia e Turqve të Rinj kundër arsimit dhe alfabetit kombëtar shqiptar, dhe më gjerë kundër kulturës shqiptare, mbështetej në tezën se vendimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për të përdorur alfabetin latin shprehte qëllime të fshehta për pavarësi të plotë të Shqipërisë, dhe se kjo nismë ishte rezultat i agjitacionit të diasporës shqiptare dhe intrigave të shteteve të krishtera, veçanërisht Austro-Hungarisë.
Në fillim të vitit 1909, Klubi Shqiptar për Arsimin i dërgoi një telegram Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar përfshirjen e gjuhës shqipe në programet shkollore bashkë me turqishten, si mjet për luftimin e analfabetizmit. Qeveria osmane pranoi se ndalimet e mëparshme për mësimin dhe botimet në gjuhën shqipe ishin të padrejta, sidomos duke marrë parasysh që komunitete të tjera brenda perandorisë mësonin në gjuhët e tyre amtare. Ndërsa shqiptarët synonin të krijonin një alfabet të përbashkët, për të parandaluar këtë rrezik, ata u përballën me pengesa të ndryshme nga ana e qeverisë osmane, e cila po përpiqej t’i mbështeste shqiptarët konservatorë dhe t’i mbante ata në anën e alfabetit arab, të osmanizmit dhe të islamizmit.
Patriotët shqiptarë, duke vënë re vështirësitë në hapjen e shkollave shqipe, bënë përpjekje për të përfshirë mësimin e gjuhës shqipe në sistemin shkollor shtetëror, si në shkollat turke ashtu edhe në ato greke, duke shënuar hapin e parë drejt kthimit të shkollave fillore në kombëtare. Përpjekjet e para i bënë Refik Toptani në Tiranë, Aqif Pashë Elbasani në Elbasan, Jani Minga në Vlorë, Nexhip Draga në Shkup, si dhe mësuesit dhe klerikët atdhetarë si Mulla Syla, Mulla Hamiti, Mulla Zeka dhe Mulla Dema në Kosovë. Konsulli Austriak në Manastir raportonte se “populli dëshiron që shqipja të mësohej në shkollat fillore turke”. Me këmbënguljen e atdhetarëve u arrit që gjuha shqipe të mësohej si lëndë e detyrueshme në të katër shkollat fillore dhe në shkollën gjysmë të mesme turke të Elbasanit, si edhe në shkollat greke të komunitetit ortodoks të këtij qyteti, ku u çel edhe një kurs nate për mësimin e gjuhës shqipe. Klubi i Elbasanit gjithashtu u dërgoi klubeve shqiptare mësues shëtitës.
Në fund të 1908-s dhe në fillim të 1909-s mësimi i gjuhës shqipe u fut edhe në gjimnazin turk të Manastirit, në shkollat shtetërore të Gjirokastrës, ndërsa në Korçë e në Kolonjë, meqenëse Qeveria e ndaloi futjen e gjuhës shqipe, shkollat turke dhe greke të qytetit u bojkotuan nga nxënësit shqiptarë dhe u mbyllën. Një arritje e rëndësishme e shqiptarëve të Kosovës ishte futja, në fund të vitit 1909, e gjuhës shqipe në gjimnazin turk të Shkupit, ku, sikurse theksohet në dokumentet e kohës, një meritë të veçantë pati edhe “prijësi i njohur i lëvizjes kombëtare, Bajo Topulli, i cili ndodhej në atë kohë në Shkup”.
Në muajt e fundit të vitit 1909 dhe në fillim të vitit 1910, çështja e alfabetit dhe e gjuhës shqipe mori përmasat e një lëvizje të përgjithshme popullore të të gjithë shqiptarëve. Përcaktimi për alfabetin e gjuhës shqipe kishte të bënte edhe me orientimin e Shqipërisë, nëse do të vazhdonte të mbante mendësi anadollake, apo do të hynte me guxim në rrugën e qytetërimit perëndimor.
Kongresi i Manastirit, Kongresi i Elbasanit, hapja e shkollave shqipe e kthyen vitin 1909 në vit të kthesës së madhe kombëtare. Shqiptarizma do të fitonte mbi pikëpamjet otomane të xhonturqve, ndjenja kombëtare do të ishte më e fuqishme se çështja fetare. Përballë këtyre arritjeve, përkrahësit e xhonturqve organizuan demonstrata në qytete të ndryshme të Shqipërisë në favor të alfabetit turk, duke bërë përpjekjen e fundit për të ushqyer përçarjen në mes të shqiptarëve”. Valiu i Kosovës, bashkë me deputetin Said Efendia kishte mbajtur mitingje në Sjenicë, Ferizaj, Gjakovë, Prishtinë, Shkup, Pejë, Gostivar, Dibër, Tetovë, Preshevë e gjetiu me qëllim bindje dhe heqje dorë nga shkrimi latin. Ndërkohë simpatizuesit e shkronjave turko-arabe nga klubi i Aksarajit “Mahfel” dërguan njëfarë Arif Hiqmeti, kinse gazetar, nga fshati Llojan i Kumanovës ta studiojë gjendjen dhe të kontaktojë me parinë myslimane për të krijuar besimin se “shkronjat turko- arabe361 janë shkronjat e Zotit dhe ai di vetëm ato t’i lexojë, kurse shkronjat gjahure Zoti nuk i pranon dhe i dërgon të gjithë në xhehenem”. Edhe një pakicë e myslimanëve shkodranë ishin të pakënaqur me krijimin e klubit shqiptar dhe përpjekjet për hapjen e shkollave shqipe që do të përdornin alfabetin latin.
Të shtyrë nga reaksioni xhonturk një grup deputetësh shqiptarë në Parlamentin e Stambolli, nga të cilët asnjëri nuk dinte të shkruante e të lexonte shqip dhe disa prej tyre nuk ishin as të kombësisë shqiptare, i drejtuan një mesazh Kryeministrit Turk me anën e të cilit kërkonin gjoja “në emër të shqiptarëve” që të përdorej alfabeti arab për shkrimin e gjuhës shqipe dhe të ndalohej ai kombëtar”.
Lëvizja Kombëtare Shqiptare reagoi kundër kësaj fryme dhe kundër këtij veprimi të Qeverisë Osmane. Kundërshtimi ndaj alfabetit arab arriti fazën kulmore në muajt shkurt-mars 1910, me mitingjet popullore për mbrojtjen e alfabetit shqiptar, sidomos me ato që u mbajtën në Elbasan, në Korçë dhe në Berat. Mitingu i parë u mbajt në Elbasan më18 shkurt 1910, vetëm dy ditë pas mitingut në mbështetje të alfabetit arab. Në atë miting u mblodhën rreth 7.000 veta nga qyteti dhe nga fshatrat e Shpatit, të Kërrabës, të Verçës, të Dumresë, të Martaneshit, të Sulovës dhe të Gramshit. Pjesëmarrësit e mitingut dhanë besën për të mbrojtur shkronjat shqipe dhe kundërshtuan urdhrin e Ministrisë së Arsimit për përdorimin e alfabetit arab për gjuhën shqipe.
Miting madhështor u mbajt në Korçë, më 27 shkurt 1910. Në të morën pjesë rreth 12.000 veta nga Korça dhe nga gjithë qarku i saj, si nga Kolonja, Devolli dhe Pogradeci. Në fund të mitingut u dërgua një protestë në Stamboll, e nënshkruar nga të gjithë pjesëmarrësit. Mitingu tjetër ishte ai që u mbajt në Berat më 13 mars 1910, në të cilin morën pjesë rreth 15.000 veta, nga qytetet dhe fshatrat përreth. Në mitingun e Beratit abetaret me shkronja arabisht u dogjën publikisht përpara ndërtesave qeveritare.413 Mitingje në përmasa më të vogla u mbajtën edhe në Përmet, Tepelenë, Skrapar, etj. Përveç këtyre telegrameve e letrave, protesta kundër alfabetit arab iu dërguan Stambollit dhe autoriteteve qeveritare lokale, nga shumë qytete e krahina të tjera si: nga Shkodra, Durrësi, Tirana, Shkupi, Prishtina, Mitrovica, Struga, Ohri, Gramshi, Vlora, Gjirokastra, Leskoviku, Filati, etj. Protesta dhe mbledhje solidariteti në mbrojtje të alfabetit kombëtar u organizuan edhe nga diaspora shqiptare414, si në Rumani, në Bullgari, në SHBA, etj. Konsulli Francez në Shkodër, duke përgjithësuar situatën e krijuar në pranverë të vitit 1910, shkruante “Mund të thuhet se e gjithë Shqipëria kishte ngritur krye kundër pretendimit të Qeverisë Xhonturke për t’i imponuar asaj alfabetin arab.
Në mbrojtjen e alfabetit latinë u përfshinë edhe klerikë myslimanë. Si rezultat i kundërshtimit të pandërprerë të osmanëve ndaj arsimit në gjuhën shqipe dhe i përpjekjeve të nacionalistëve shqiptarë, kleri mysliman u përfshi në punën e klubeve kulturore, duke u bërë thirrje patriotëve që të fillonin mësimin në gjuhën shqipe, të tjerë duke futur mësimin shqip në shkollat fetare. Përhapja e arsimit në gjuhën shqipe do të ndikonte edhe mbi të krishterët ortodoksë që të largoheshin prej ndikimit grek.
Përpjekjet e xhonturqve për të kontrolluar arsimin shqip treguan qartë frikën e tyre nga afirmimi i identitetit kombëtar shqiptar. Megjithatë, vendosmëria e patriotëve dhe përfshirja e popullit, klerit dhe diasporës garantuan suksesin e nismave arsimore. Hapja e shkollave shqipe dhe futja e alfabetit latin ishin hapa vendimtarë drejt konsolidimit të identitetit kombëtar. Këto përpjekje dëshmuan se arsimi dhe kultura janë instrumente kyçe për ruajtjen e autonomisë dhe dinjitetit kombëtar. Historia e kësaj periudhe mbetet një shembull frymëzues i luftës për gjuhën dhe arsimimin si themel të lirisë dhe të vetëdijes kombëtare.