Opinion nga ARTUR AJAZI/
Në të kaluarën, dhe para diktaturës komuniste, ekzistonte një histori që nuk është futur zyrtarisht në analet e arkivës shtetëtore por që mund të tregojë edhe sot një shënjë të një emancipimi dhe respekti për personalitetet si të njërit krah, të atëhershëm të politikës ashtu dhe të anës tjetër nga e cila mund të merret eksperiencë edhe sot pas më shumë se 78 vitesh.Në kohën kur Ahmet Zogu u bë Mbret me anë të Asamblesë Parlamentare, pavarësisht nga pakënaqësitë e ngritura nga pala tjetër dhe nga politikanë të veçantë shqiptarë për moszbatim dhe thyerje të ligjeve, një nga rilindasit që sot po përmëndet më pak megjithë kontributin e tij të rëndësishëm në pavarësinë e Shqipësë Mihal Grameno kreu një akt qytetarie prej njeriu të civilizuar. Ky rilindas ishte nga të rrallët që nuk ngriti zërin për të ashtuquajtën ‘state capture’ të atëhershëm të Ahmet Zogut. Kjo pasi Zogu grumbulloi në duart e tij të gjithë pushtetet e mundëshme për 15 vite rresht. Por kur e pyetën Mihal Grameno se “përse nuk e kundërshtoi këtë veprim të Zogut” ai u përgjegj kështu “unë luftova të bëhet Shqipëria e pavarur, dhe Shqipëria është e pavarur tashmë, mua nuk më intereson kush nga shqiptarët është në krye të shtetit, më intereson që Shqipërinë ta qeverisin shqiptarët”. Dhe Mbreti Zog u tregua shumë tolerant me Mihal Gramenon, duke lidhur një pension të përjetshëm, madje Grameno vdiq i nderuar në atë kohë. Sa për sot, një nga anët më negative të karakterit të shqiptarëve “harresa” po vepron akoma pa mëshirë njëlloj si një kompjuter të cilin të rinjtë që e përdorin këtë mrekulli të hi-tech-ut lehtësisht, po aq lehtësisht përdorin edhe siglën “delete” për të hequr tepricat nga programi, pra duke dëmtuar historinë e djeshme dhe të sotme duke patur një efekt të rrezikshëm për të ardhmen. Por çfarë po ndodh sot me përplasjet mes pushteteve për kompetencat ? Personalisht mendoj se është një skandal i madh debati mes ekzekutivit dhe pushtetit gjyqësor për zotërim, apo anashkalim e kompetencave. Edhe sot pas 24 vitesh tranzicion, akoma mbizotëron paragjykimi i së kaluarës që “po humbe pushtetin humbet gjithçka”. Të dy kampet harrojnë se si i vendosin shtabet e pushteteve të tjera kur fitojnë zgjedhjet ? Ka një gjë të rëndësishme që nuk duhet harruar, që është respekti ndaj Kushtetutës dhe garant i saj nuk është vetëm Presidenti, por të gjitha pushtetet janë në një farë mënyre edhe garantë edhe zbatues të saj. Përplasjet e forta midis ekzekutivit dhe pushteteve të tjera si atij gjyqësor dhe atij të prokurorisë janë në fakt të ngjashmë me përplasjet e “prindërve me bijtë” e tyre kur këta të fundit janë në adoleshencë. Maturimi vjen nëpërmjet zgjidhjes së konfliktit ligjor duke zbatuar Kushtetutën. Nuk mundet të zgjidhet një problem duke e paragjykuar atë apo duke bërë zhurmë me qëllim që të mbulohet diçka tjetër më e keqe si korrupsioni, dhe që prej asaj diçkaje të keqe, të mbuluar me kujdes, njëri krah politik që humb pushtetin, të mundohet të rifitojë pushtetin në zgjedhjet e ardhshme duke bërtitur për drejtësi etj. Problematikja që ekziston në këtë konflikt juridio-ligjor midis ekzekutivit dhe pushteteve të tjera është mungesa e besimit dhe mungesa e dëshirës për bashkëpunim mes kaheve të politikës , duke paragjykuar që në fillim marrjen e pushtetit nga ana e koalicionit kundërshtar. Përplasjet mes pushteteve i shoh si një ekuacion matematikor në të cilin janë vendosur gjithashtu me kujdes të gjitha të panjohurat, kurse përfundimi është diçka e paqartë sepse, duke e ditur që lufta për çmontimin e korrupsionit është një nga luftrat që s’mbaron me mbarimin e një mandati elektoral. Çdo koalicionit qeverisës do ti duhet të përballet me një “armik” që pëson mutacione aq të çuditëshme sa edhe vetë pushteti ekzekutiv. Eliminimi i efekteve anësore në pushtetin ekzekutiv po ashtu si dhe në pushtetet e tjera i ngjan thënies se dikurshme të Leninit se “korrupsioni (ose kapitali|) formohet çdo ore, çdo ditë, çdo jave, çdo muaj, çdo vit”. Ndaj si i tillë nuk mund të shmanget duke hequr një prokuror apo dy-tre anëtarë të KLD, por vetëm me bashkëpunim, transparencë, dhe respekt i dyanshëm midis dy krahëve kryesorë të politikës. Rrugë tjetër s’ka sepse këtë kërkon dhe BE. Maturimi i politikës nëpërmjet zgjidhjes së konflikteve juridiko-ligjore me anë të kompromiseve politike, është e qartë që kërkon durim dhe zgjuarsi. Realisht megjithëse e dyta është me tepri në të dy anët e spektrit të politikës shqiptare, ajo e para është një difekt që e ka origjinën në reminishencat e së kaluarës të disa politikanëve. Disa politikanë të partive të mëdha e kanë mundësinë e bashkëpunimit dhe të hedhin ura paqtimi që Shqipëria të ketë mundësinë të hedhë një hap drejt integrimit të vërtete duke e kaluar hendekun e pabesisë, bizantinizmave, intrigave politike. Ky hendek vazhdon të pengojë të mënçurit, dhe të grumbullojë mediokrit, të cilët në fushata elektorale bërtasin e i ankohen elektoratit derisa dalin nga hendeku, duke krijuar fenomenin e marrëzisë, poshtërsisë dhe miopisë, por që fatkeqësisht po jetojnë gjatë si aktorë politikë.