![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/01/327166767_582953556982554_623161987275034987_n.jpg)
Dr. Dorian Sevo/
Rënia e komunizmit dhe hyrja në demokraci u prit me entuziazëm të madh nga populli shqiptar, me idenë dhe besimin se pas komunizmit do printe e vërteta, drejtësia dhe meritokracia, kaq shumë të etur ishin shqiptarët për demokracinë e tyre që e kishin pritur kaq gjatë. Por çfarë ndodhi se: asgjë nuk shkoi ashtu siç ata e kishin menduar dhe parashikuar por shkoi si mos më keq. Meritokracia në këto 33 vite nuk ka qenë aspak prezente, pse, sepse ndërhyrjet mes miqsh bën kërdinë duke zënë vendet e punës më të mira dhe me këtë hov malinj u zhvillu pa masë klientelizmi. Kjo gjë e shkatërroi jetesën e shëndetshme sociale.
Në 33 vjet ne nuk arritëm dot të ndërtonim shtet sepse i hypëm kalit së prapthi.
Po si mund të zhvillohet një vend. Ai mund të zhvillohet veçse me meritokraci dhe me asgjë tjetër.
E para: Nëse nuk ka meritokraci harrojeni prosperitetin sepse prosperiteti nuk ekziston si koncept pa meritokracinë.
E dyta: Njerëzit nuk e dinin se për të pasur prosperitet duhej edhe një sistem gjyqësor i drejtë, moral dhe i pakorruptueshëm, i cili duke dhënë drejtësi do ta vendoste vendin në shina. Çfarë dua të them me këtë.
Është ngulitur në mendjen e njerëzve sikur ekziston vetëm ekzekutivi por kjo ka qenë në fakt një mendësi e ngulitur prej kohës së komunizmit dhe në këtë aspekt janë të pafaj sepse në atë kohë pushtetet ishin të pandara. Por çfarë duhet të kemi parasysh? Në demokraci sistemet janë të ndara, pra e rëndësishëm nuk është vetëm ekzekutivi por edhe sistemi i drejtësisë duke përfshirë prokurorinë dhe gjykatat.
Gjithashtu edhe sistemi legjislativ duhet të jetë i kopsitur me njerëz dijetarë të cilët dinë të bëjnë ligjin. Nëse brenda në paralament kemi 140 deputetë të zotë të cilët janë me grada shkencore, ata i njohin mirë ligjet e vendit dhe traditat dhe natyrën njerëzore dhe dijnë të bëjnë edhe vetë ligje shumë të mira dhe të përshtatshme për popullin e tyre që i ka zgjedhur falë intelektit që kanë dhe vullnetit.
Ata dinë të qeverisin. Dhe janë në gjendje të ushtrojnë autoritet të drejtë ndaj institucioneve te tjera duke i vënë përpara përgjegjësisë për të qenë të shëndetshëm në funksionimin e tyre.
Duhet të dimë që në demokraci parlamenti është shumë i rëndësishëm këtë e thotë edhe filozofi i famshëm Tomas Hobs i cili pavarësisht se ishte kundër ndarjes së pushteteve ai e cilësonte legjislativin si pushtetin që kishte më tepër prioritet në një shtet sepse nxjerr ligje.
Por kur ka edhe integritet në njerëz brenda tij ai bëhet edhe mjaft më efikas madje shumë.
Problemi është se në shqipëri përgjatë 33 viteve demokraci e rëndësishme ishte që deputetët të ishin të paktën 18 vjeç e lart pastaj pjesa tjetër nuk ishte problem sepse në fakt Kushtetuta kështu thotë: Çdo person 18 vjeç e lart ka të drejtë të zgjedh dhe të zgjidhet.
Duke u përqëndruar vetëm në këtë fakt dhe duke mos i dhënë rëndësi aspekteve të tjera që personat që duhet të futen në parlament nuk mjafton thjesht që të jenë në moshë madhore por duhet të jenë edhe të ditur dhe me kontribut intelektual në shoqëri dhe me integritet moral.
Pra gjërat janë të lidhura. Në çfarë aspekti? Kur themi se pushtetet janë të ndara nuk duhet kuptuar sikur ato nuk kanë lidhje aspak me njëra tjetrën, sepse në fakt ato janë në funksion të njëra tjetrës dhë të një parimi të vetëm që është drejtësia.
Ato nuk duhen kuptuar si të ndara pastërtisht dhe që skanë fare lidhje me njëra tjerën. Sepse ështëe drejtë të kuptohet se ato nuk duhet të ndërhyjnë në punën e njëra tjetrës por ato duhet të bashkë punojnë duke qenë se ato janë pjesë e së njëjtës Kushtetutë. Fjala apo konceptimi më i saktë është “Balancimi i Pushteteve” pra që pushtetet kontrollojnë njëra tjerën për të ruajtur balancat e drejtësisë term që ne e kemi dëgjuar shpesh si “check and balance”.
Nëse të treja pushtetet janë të mbuluara me njerëz me integritet dhe të pergatitur, gjërat do të shkojnë më së miri dhe qyteti fiton frymëmarrjen e lirë dhe të freskët në vazhdimësinë e tij të jetës poltiko-ekonomiko-sociale.
Qytetari nuk e mendon të largohet nga vendi i tij në asnjë moment nëse gjërat janë në vektorin e duhur social të drejtësisë dhe ku meritokracia është rrefren i jetës në qytet.
Mund të duket utopike por në fakt nuk është aspak, sepse po të duam ne kjo arrihet.
Mjaft që gjithsecili prej nesh mos të kërkojë atë që nuk i takon dhe me kaq mbaron zgjidhja e problemit.