Nga PAOLO LEPRI- Përktheu Eugjen Merlika/
Një ent i kotë? Përgjigja është jo. Dhe as një organizatë pranë “vdekjes cerebrale”, siç kishte parashikuar presidenti francez Emmanuel Macron. NATO shërben ende e do të shërbejë në t’ardhmen. As më shumë dhe as më pak se sa ka ndodhur në një të shkuar të afërt që nuk ka kaluar krejtësisht. Në kufijtë e saj, në fakt, është “kërcënimi” i Rusisë. Të “Tridhjetët” (që dje në tryezën e Brukselit është edhe Maqedonia e Veriut) dënojnë “politikat aggresive” të Vladimir Putinit, dinë shumë mirë se çfarë mendohet në Kremlin për marrëdhëniet Lindje – Perëndim e për përballimin ndërmjet liberalizmit dhe autoritarizmit në lidhjet ndërkombëtare. Rreziqet janë të shumta e roja duhet të jetë e lartë.
Por do t’ishte e gabuar të ndalohemi në Moskë. Një aleancë strategjike ka për detyrë të shohë larg, edhe shumë më përtej kufijve të saj, në një botë ku lëviz me shumë vendosmëri një Vend si Kina që “i bën beleg sigurisë, mirëqënies dhe vlerave perëndimore”. Në 2010, vit i të fundmes formë të atij “koncepti strategjik” që do të përditësohet në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm, Rusia ishte përmendur si “partner i mundshëm” dhe Republika popullore sapo ishte prekur. Tashmë është gjithshka ndryshe.
Të ndryshohet gjuha është shenjë gjallësie, të duam të mbrojmë lirinë tonë është diçka më tepër. Me të njëjtën frymë, ndoshta, që ka nxitur vitet më të lavdishme të një organizate që ka dhënë ndihmesën e saj për të ndryshuar rrjedhën e historisë. Një frymë e pranishme tani edhe në fjalët e kryeministrit Draghi, në përfundim të takimit të nivelit të lartë dje: “Duhet të jemi gati për të përballuar të gjithë ata që nuk bashkëndajnë lidhjen tonë me rendin ndërkombëtar të bazuar mbi rregulla e që janë një rrezik për demokracitë tona”.
Sigurisht, u desh i gjithë zotimi i presidentit amerikan, që ka vënë menjëherë në dukje në Bruksel ”rëndësinë themelore” të NATO-s për interesat amerikane. Joe Biden ka bërë çmos, në këto javë, për të rivënë së bashku copërinat e shkaktuara nga papërkoritë veçimtare të para-ardhësit të tij e të antipatisë së tij përbrendësore në drejtim t’Evropës. Raporti transatllantik ishte dëmtuar nga tensione kaq të fuqishme sa që vetëm ndiesija e përgjegjësisë dhe përkatësisë politiko – kulturore të një bashkësie kanë shmangur katastrofën. Paditë e Trump-it (kush nuk e kujton udhëtimin e tij në Bruksel më 2017, kur “The Donald”mëtoi paratë e partnerëve? Rrezikonin për të nxitur kundërveprimin zinxhir për kohë të gjata, pikërisht përceptimit të vetë dobisë së Aleancës. N’atë epokë ishte normale të mendohej se Evropa duhej “të vepronte vetëm”, ose që të mund të shkonte edhe më shumë në rend të shpërbërë, në të kundërt, në marrëdhëniet me protagonistët e sfidave që përfundonin të ishin të nënvlerësuara.
Tani, siç po thonim, rreziku i dorëzimit tepër shpejt, ndërsa Rusia dhe Kina priren të imponojnë përparësitë e tyre, është pakësuar mjaft. Neni 5 mbi mbrojtjen e përbashkët (që Trump-i nuk pranoi as t’a mbështesë e që pasardhësi i tij e ka përcaktuar “një detyrim të shenjtë”) mund të zgjerohet në drejtim të sulmeve kibernetike. Në 45 faqet e komunikatës përfundimtare, numërohen kërcënime të reja për t’u përballuar të gjithë së bashku për t’i u ruajtur rrezikut: inteligjenca artificiale, dizinformacioni, teknologjitë e reja të raketave. Por me gjithë respektin për këto fusha të rëndësishme të veprimit, në të cilat është mirë të tregohet efektëshmëri e përbashkët, NATO-ja duket se don të thotë, ndërmjet rradhëve të 79 paragrafeve të miratuara dje nga kryetarët e Shteteve e të qeverive, se nuk ka asnjë synim të bëhet e parëndësishme.
Nëse e gjithë kjo është e vërtetë, debati i vjetër mbi “përmasën politike” të Aleancës merr një vështrim të ndryshëm. T’i jepet përparësi vështrimeve ”jo ushtarake” për të mos biseduar mbi kundërshtinë e mundëshme të përforcimit të mbrojtjes së përbashkët evropiane nën flamujtë e Bashkimit, nga disa anë është një çështje e tejkaluar. Ajo e themeluar më 1949 në Washington, objektivisht është bërë një organizatë politike e krijuar për t’u matur me problemet e globalizimit, veçanërisht duke mbajtur parasysh lidhjen që paraqitet ndërmjet kërcënimeve të luftërave teknologjike dhe ideologjive autoritare. Tashmë që “kundërshtarët” e saj – t’i quajmë kështu – janë Putini dhe Xi Jingpingu (duke ruajtur gjithmonë dëshirën për të inkurajuar vullnetin për bisedime e bashkëpunim në zona qenësore) shtysa ideale nuk mund të mos jetë mbështetja me mjete të reja, i aftësisë më të përgjithëshme për të mbrojtur Vendet antare nga kërcënimet.
Si përputhet ky ndryshim i dëshiruar i vijueshëm i lëkurës me praninë në brendësi të Aleancës, të “zonave të hirta”? Mendojmë natyrisht tek Turqia e Rexhep Taip Erdoganit. Nuk do t’ishte absolutisht e çuditëshme të mendohej për “rregulla sjelljeje”të detyruara – në rrafshin e mbrojtjes së Shtetit të së drejtës e mbi një rol jo agresiv në marrëdhëniet ndërkombëtare – që mund të shartojnë një mekanizëm virtuoz. Edhe në këtë mund të jetë vendimtar roli stimulues i një presidenti si Biden-i që e ka të qartë qënien e një përballimi, të shtrirë në të gjithë nivelet në botë, ndërmjet demokracive dhe regjimeve autokratikë. U pa ditët e shkuara në G7 të Carbis Bay.
Një përmasë e re e aleancës do të thotë edhe një rishikim i organizimit të brëndshëm, në nevojën për të nxitur bashkërendimin politik ndërmjet Vendeve antare. Jo i fundit është edhe problemi i drejtimit, me që sekretari i përgjithshëm i tanishëm, norvegjezi Jens Stoltenberg, arrin në mbarimin e mandatit të tij në shtatorin e vitit t’ardhshëm. Bashkimi i rigjetur ndërmjet dy brigjeve t’Atllantikut, në një kuadër mbrojtjeje të vlerave, mund të përforcohej nga një kandidaturë të shprehur nga një Vend historikisht evropeist, makar mesdhetar. Si për shembull Italia.
“Corriere della Sera”, 15 qershor 2021 Përktheu Eugjen Merlika