
Nga Fatjona R. Lubonja Ed.D./
Përse mësojmë dhe mbajmë mend disa gjëra dhe jo disa të tjera? Kujtesa për trurin është çelësi për të mësuar dhe kryer veprimet bazë për të jetuar. Të “harrosh” dhe të “kujtosh” është proces dhe, “ashtu si harresa, të mësuarit është një rrugëtim dinamik që kërkon një multiplikim të shkallës kohore” (Abbot, L. F., & Kandel E. R., 2012, p. 178). Nga momenti i lindjes së fëmijës përgjatë zhvillimit të trurit rrugëtimi i të mësuarit është fondamental për rritjen e shëndetshme si mendore. Zhvillimi i kujtesës është i komplikuar (Zhang, 2012) por elementë të rëndësishëm në strukturën e trurit për procesin e “kujtesës” janë plasticiteti i qelizave nervore dhe komunikimi synaptik (elektrik dhe kimik) midis këtyre qelizave (Kandel E. R., 2014).
Aftësia për ruajtjen e kujtesës varet nga arkitektura e rrjetit të qelizave nervore dhe nga aftësia e elasticitetit synaptik (aftësia për të ndryshuar strukturën qelizore), (Kandel E. R., 2014). Kujtesa afat-shkurtër varet nga zhvillimi synaptik që zgjat sekonda/minuta/orë ndërsa kujtesa afat-gjatë varet nga forcimin synaptik që zgjat prej disa ditë/javë/muaj (Castellucciet al, 1978; Carew et al, 1979).
Në mënyre më të thjeshtë mund të diskutohet se nëse nuk mbani mënd ku i keni vendosur çelsat e shtëpisë apo të makinës, mundësitë janë që qelizat nervore janë kufizuar në procesin e zhvillimit të tyre për atë veprim dhe mund të jenë eliminuar apo ndryshuar në një kohë të shkurtër. Në shpjegimin e mënyrës së sjelljes (behavior) është e rëndësishme të theksohet që këto veprime mund të ¨harrohen¨ apo ¨mësohen¨ duke u bazuar gjithashtu edhe në ambjentin/mjedisin ku zhvillohet aktiviteti (Maren, S. 2004).
Duke u bazuar në principin e ABA (Aplikmi i Sjelljes Analitike) ç´do veprim ka një fillim (antecedent), sjellje (behavior) dhe një konseguence që vepron si riforcim për tu “humbur” apo “mësuar”, (Greer, 2003; Rescorla, & Wagner, 1972). Si rrjedhojë, është thelbësore të kuptojmë që procesi i të mësuarit, varet nga elasticiteti i trurit, aftësia për të integruar informacione (Kandel E. R., 2014), mjedisi dhe vet-rregullimi i veprimtarisë së qelizave nervore në përputhje me rrethanat (Kandel E. R., 2014), ambjenti/mjedisi ku zhvilloni aktivitet, personat/individë që rrethoheni, kultura sociale, dhe sjellja (behavior), etj…(Greer, 2002). Gjithsesi, për të patur një process të shëndetshëm të zhillimit të processit të mesuarit duhet patur shumë kujdes që në ditët e para të lindjes së foshnjes. Përballimi me stresin e fillimit te jetës dhe mjedisi që e rrethon mund të influencoj në ndryshimet epigjenetike (ADN), (Kandel E. R., 2014).