
Rafaela Prifti/
Autoritetet në Kanzas duhet t’i kthejnë pajisjet, kompjurat e redaksisë dhe celularët e gazetarëve, të konfiskuara gjatë bastisjes nga forcat e rendit javën e kaluar. Ndërsa hetimet e çështjes vazhdojnë, shumë shoqata civile dhe gazetarë në mbarë botën shikojnë këtu ngjashmëri dhe jehonë me atë që po ndodh me mediat në vende të tjera.
Një gazetë lokale dhe rajoni i policisë së një qyteze të vogël në Kanzas janë në mesin e debatit për çështjen e lirisë së fjalës. Bastisja e gazetës amerikane The Marion County Record (Fletorja e Qarkut Marion) në Kanzas u dënua me forcë nga mbrojtësit e shprehjes së lirë. Dy ditë pas veprimeve policore në Kanzas, shoqatat e të drejtave civile si edhe agjencitë më të mëdha të lajmeve përfshirë Associated Press, CNN, New York Times e shumë të tjera po ndjekin zhvillimet e këtij incidenti të vetëdijshëm për domethënien e tij për gazetarët, mediat dhe shoqërinë në përgjithësi.
E drejta e shprehjes dhe liria e fjalës janë të garantuara në Kushtetutën amerikane. Kur vjen fjala në raste të caktuara detajet krijojnë tablo ku shfaqen shumë nuanca me rëndësi. Kontrollet dhe konfiskimet e forcave të rendit në redaksitë e lajmeve janë akte shumë të rralla në Shtetet e Bashkuara. Bastisja e zyrave të redaksisë, shtëpisë së pronarit, dhe redaktorit përgjegjës së The Marion County Record javën e kaluar në Kanzas janë dënuar me forcë nga shoqatat e mbrojtjes së fjalës së lirë. Autoritet njoftuan se konfiskimi ishte pjesë e hetimeve lidhur me metodën sesi gazeta arriti ta merrte dhe si do e përdorte një dokument me të dhëna personale për pronaren e një restoranti vendor dhe nëse këtu janë shkelur të drejtat e saj si person privat.
Sipas deklaratës së avokatit Joel Ensey që përfaqëson gazetën, policia nuk kishte të dhëna të mjaftueshme për të arsyetuar bastisjen e zyrave të gazetës dhe konfiskimin e pajisjeve elektronike nga autoritetet e rendit. “Si rrjedhojë, i kam paraqitur një kërkesë gjykatës për kthimin e evidencave materiale të mbledhura prej tyre. Po ashtu kam kërkuar nga forcat e rendit t’i kthejnë të gjitha pajisjet te pronarët përkatës,” njoftoi avokati.
Policia në bashkëpunim me zëvendës-shefin e ruajtjes së rendit për qarkun bastisën zyrat e redaksisë, shtëpinë e pronarit dhe redaktorit përgjegjës si edhe banesën e anëtares së Këshillit Bashkiak duke marrë në posedim kompjuterët, telefonat celularë dhe pajisje të tjera. Ndërkohë zyra e hetimeve në Kanzas që bashkëpunon me njësitë e ruajtjes së rendit në nivel shtetëror ka njoftuar se hetimet vazhdojnë. Ekspertët për legjislacionin dhe Amendamentin e parë të Kushtetutës e quajtën kthimin e kompjuterave dhe celularëve të gazetarëve “një hap premtues” që megjithatë “nuk mund të kompensojë shkeljen e lirisë së garantuar të fjalës.”
Incidenti i ka sikletosur qeveritarët që nga njëra anë deklarojne se respektimi i lirisë së fjalës është një nga shtyllat e shoqërisë dhe nga ana tjetër thonë se mbështesin veprimet e forcave të rendit. Fletorja ka publikuar shkrime që kanë pasur në qendër të vëmendjes zyrtarë dhe pronarë biznesi duke zbuluar fakte nga jeta private që kanë çuar në falimentime të bizneseve prandaj banorët mbajnë qëndrim jo fort përkrahës ndaj gazetës.
Mllefi ndaj medias në Shtetet e Bashkuara, shpesh i ushqyer nga politikanët, ka shkuar në rritje deri në mundësinë e ndërprerjes së kronikave apo mbulimit të ngjarjeve. Në muajin prill, shefi i policisë në Oklahoma u inçizua gjatë një diskutimi me zyrtarët e qarkut në lidhje me vrasjen e gazetarëve. Në qershor dy gazetarë të Karolinës Veriore u dënuan për shkelje dhe sipas Fondacionit për Lirinë e Shtypit kjo ndodhi ngaqë ata kishin raportuar për spastrimet policore në një kamp të të pastrehëve ku u arrestuan për shkak se kishin qenë aty pas orës 10 kur parku mbyllet.
“Na takon ta ngremë zërin për gazetën në Kanzas duke qenë të vetëdijshëm për bjerrjen e demokracisë në shumë vende anë e mbanë botës,” tha Kathy Kiely, Drejtuese e Studimeve për Shtypin e Lirë në Shkollën e Gazetarisë së Universitetit të Mizurit.