
Artan Nati/
Pushteti tërheq ata që kanë më shumë gjasa ta abuzojnë me të dhe më pas i bën ata më të keq. Pra, si të ndalojmë së votuari për psikopatët narcisistë?
Autori Douglas Adams dikur shkroi për një planet në të cilin njerëzit sundohen nga të fortët e hardhucave. Ka një paradoks: planeti është një demokraci, njerëzit urrejnë hardhucat dhe janë më të shumtë në numër se ato dhe megjithatë hardhucat gjithmonë zgjidhen në krye. Rezulton se njerëzit votojnë për hardhucat për një arsye të thjeshtë: “Nëse nuk do ta bënin … hardhuca e gabuar mund të marrë pushtetin.”
Duket sikur ai planet është më afër Tokës dhe shumë më afër Shqipërisë në situatën në të cilën ndodhemi. Ne na pëlqen të urrejmë udhëheqësit tanë dhe ata shpesh e meritojnë urrejtjen tonë. Liderët tanë kryesorë të tranzicionit 30 vjeçar nuk bëjnë përjashtim dhe në rastin tonë ne zgjjedhim liderin e një partie(hardhucën më pak të rrezikshme) sepse kemi frikë se hardhuca tjetër (lideri i partisë tjetër) mund të marrë pushtetin. Ndërsa ne të tjerët ndiqnim rregullat që ata vendosën, ata vetë i thyen me paturpësi këto rregulla. Në fakt, në Shqipërinë e sotshme, sistemi ynë i qeverisjes i shpërblen ata që gënjejnë, mashtrojnë dhe përfshihen në zullume, përderisa ata përdorin fjalor demokratik dhe duke na i servirur me buzëqeshje mashtruese.
Përse ndodhemi në këtë situatë?: Ne mund të kemi alternativa më të mira dhe udhëheqës më të mirë. Por për të kuptuar se si, duhet të gjejmë përgjigjen e pyetjes: pse përfundojmë me këta njerëz në pushtet që nuk janë të aftë për të menaxhuar pa vjjedhur e mashtruar?
Së pari, pushteti është magnetik për njerëzit e korruptuar. Pothuajse kudo që shikonjmë, lloji më i keq i njerëzve tërhiqen nga fitimi i autoritetit mbi të tjerët. Kjo është veçanërisht e vërtetë për njerëzit me një koktej psikologjik veçanërisht shkatërrues siç janë makiavelizmi, narcisizmi dhe psikopatia.
Nuk besoj se është fare e vështirë të kuptosh se këta janë liderët tanë të pozitës, opozitës si edhe drejtuesit e bizneseve të korruptuara,, të cilët janë narcisistë makiavelianë, ndoshta me një dozë psikopatie. Në ekstremet, këta individë janë në mënyrë të paimagjinueshme shkatërrues.
Së dyti, pushteti tenton të korruptojë. Ka shumë studime që tregojnë se njerëzit e mirë dhe me qëllime të mira shpesh i nënshtrohen efekteve gërryese të pushtetit.
Së treti, ne u japim pushtet njerëzve të gabuar për arsye të gabuara. Pushteti është relacional dhe nuk mund të jesh lider pa ndjekës. Ne mund të dëshirojmë ta harrojmë, por shumë nga liderët që ne urrejmë më shumë, u zgjodhën me votë të lirë, të tillë janë Hitleri dhe Hugo Chavez, Rodrigo Duterte dhe Vladimir Putin duke mbërritur tek liderët tanë kryesorë si edhe drejtuesit e institucioneve të tjeraj. Ka arsye të ndërlikuara pse ne joshemi nga sharlatanët dhe njerëzit e fortë, me rrënjë në të kaluarën e lashtë të specieve tona. Psikologët evolucionarë argumentojnë se truri ynë nuk ka evoluar shumë që nga Epoka e Gurit, kur ndjekja e një gjuetari të fortë me shumë vetëbesim mund të ketë qenë një ide e mirë. Shoqëritë tona kanë ndryshuar rrënjësisht dhe kjo nuk është më një strategji e zgjuar, ndërkohë që truri i qënieve njerëzore nuk ka ndryshuar shumë.
Ajo që i bën këto tre tendenca toksike më interesante është se ato janë të njohura në të gjithë globin dhe përgjatë mijëvjeçarëve. Më e keqja është se, secila nga këto tendenca përforcon tjetrën, duke e komplikuar problemin. Njerëzit e korruptuar tërhiqen në mënyrë disproporcionale në pushtet, janë disproporcionalisht të aftë për të hapur rrugën e tyre drejt pushtetit dhe në mënyrë disproporcionale ka të ngjarë të kapen pas pushtetit pasi ta kenë marrë atë.
Si mund ta zëvendësojmë klasën tonë të korruptuar në pushtet me njerëz që nuk e duan pushtetin, por do ta përdorin atë me drejtësi?
Përgjigja qëndron në ndryshimin e sistemeve që qeverisin shoqëritë tona. Sistemet ose përshpejtojnë mundësinë e angazhimit të njerëzve të korruptuar në pushtet ose i ngadalësojnë ata. Ne nuk mund të ndalojmë disa prirje të lindura, por mund të bllokojmë më të këqijtë mes nesh që të marrin pushtetin, ose të paktën të kufizojmë dëmin që ata bëjnë pasi të arrijnë atje.
Sistemet e mira tërheqin njerëz të mirë dhe sistemet e kalbura tërheqin njerëz të kalbur. Njerëzit mund të kenë disa prirje shkatërruese kur bëhet fjalë për përdorimin e pushtetit, por ne mund t’i kundërshtojmë ato me reformat e duhura. Për shembull Danimarka dhe Shqipëria. Danimarka si një nga vendet më demokratike në botë ka ndërtuar një sistem të tillë që thith në qeveri dhe administratë publike njerëz të pakorruptuar dhe niveli i korrupsionit pothuajse është zero,ndërsa në Shqipëri sistemi egsistues dhe i manipuluar qëllimisht nga liderët tanë të korruptuar thith njerëzit e korruptuar dhe ka shance të ulëta që njerëit e ndershëm të mbijetojnë në këtë sistem.
Si fillim, ne nuk duhet të pranojmë të votojmë për kandidatë që zgjidhen nga kryetarët e partive pa asnjë meritë dhe pa kaluar në primare. Ne duhet të zgjedhim vetë përfaqësuesit tanë përndryshe do të udhëhiqemi nga njerëz inferior apo hajdutë ordinerë siç ndodh rëndom tek ne dhe lista vazhdon. A duhet të habitemi që megalomanët e etur për pushtet janë ata që janë më të etur për ta vënë veten përpara për të kërkuar pushtet?
Më mirë është të zgjedhim ata që do ta shihnin pushtetin si një barrë dhe jo si një thirrje.Thelbi jetësor i një demokracie është pjesëmarrja aktive e njerëzve. Nuk ka asgjë më demokratike sesa t’i ofrosh secilit qytetar një mundësi të barabartë për të udhëhequr. Nëse presim të shohim se kush ecën përpara, siç bëjmë shpesh në shoqërinë tonë, ne kemi vetëm veten për të fajësuar kur përfundojmë me një narcisist të etur për pushtet në krye.
Shkrimtari dhe komentatori politik amerikan William F. Buckley Jr thotë:”Unë do të pranoja më mirë të qeveriseshim nga 535 personat e parë në librin e telefonit se sa nga kongresi amerikan”. Kjo për shkak se njerëzit më të tërhequr nga pushteti janë zakonisht më pak të përshtatshëm për ta përdorur atë.
Nëse do të ketë një sfidë lidershipi, mbase ne duhet të krijojmë sisteme që prodhojnë lider jo të sigurtë, por të aftë sepse ne shpesh ngatërrojmë sigurinë me aftsinë. Përndryshe ne do të vazhdojmë të ngecim në planetin tonë absurd të Douglas Adams, të dënuar të jetojmë me vlerësimin e tij të mprehtë, por fatkeq: “Është një fakt i njohur që ata njerëz që duan më shumë të sundojnë njerëzit janë ata. më së paku të përshtatshëm për ta bërë këtë … kushdo që është në gjendje të bëhet president apo drejtues kryesor nuk duhet të lejohet në asnjë rast të bëjë këtë punë.”