
Alfons Grishaj/
Jemi kombi me ADN-në më të veçantë në botë. Me një reliev mahnitës, pothuajse përrallor. Rivierë, ku mali puthet me detin, duke të surprizuar me gjire mahnitëse; peizazh bregdetar dhe reliev të ulët që pak kush i gëzon në botë. Kemi kështjella 2400–2600-vjeçare, si ajo e Gajtanit, Rozafës, Antipatres, Krujës etj., të cilat mund t’i krahasoja me kështjellën e Alepos apo me Mikenën, por jo me privilegjin e Rozafës, e cila është e rrethuar nga dy lumenj që rrjedhin natyrshëm, si jeta dhe humori klasik shkodran.
Kemi gjuhën tonë shqipe, një nga gjuhët më të vjetra në botë, pas armenishtes dhe greqishtes. Kohë më parë, qytetërimi ynë ishte në pararojë në krahasim me pjesën tjetër të fiseve europiane që jetonin në pyje, kasolle dhe shpella, ndërsa shqiptarët jetonin në shtëpi guri dhe kështjella. Tani Europa e ka pranuar qytetërimin e vjetër shqiptar, por jo qytetërimin e shartuar me hibride barbare, i cili reflektoi dhunshëm në psikologjinë e jetës sonë. Me dhjetëra fise barbare pushtuan, plaçkitën, dogjën e përdhunuan. Fisi osman ishte më i gjati, duke u ndjekur nga fisi sllavo-serb, i cili njihet si më i dhunshmi dhe më i padinjitetshmi. Sepse edhe kur e ke armikun përballë, duhet ta vlerësosh si kundërshtar, në bazë të specifikave dhe rrethanave. Për shembull, Sulejmani i Madh ishte një kundërshtar që do të ishte për nder ta kishe përballë.
Duke mos harruar asnjëherë Saladin Ejubin (Salahuddin Ayyubi), i cili, kur mundi kryqëzatat, u kujdes për popullin kristian, duke i ushqyer dhe shoqëruar deri te portat kristiane. Dhe kur portat kristiane u mbyllën për popullin e vet, Saladini u siguroi tokë e strehë, duke treguar një gjest të lartë humanizmi.Ai nuk i dhunoi, por tregoi moralin e një burri shteti. Shpirtmadhësia e tij mbeti në histori si legjendë.Popujt kristianë që u akomoduan në tokat arabe e pranuan realitetin dhe, me kohë, u asimiluan në kulturën e vendit.
Po si ndodhi me serbët që u pranuan në tokat shqiptare, që u ngulën dhe u përhapën si grami? Sapo u rritën pak, jo vetëm që nuk e pranuan kulturën tonë, por u kthyen në lukuni çakajsh, duke gjuajtur hapësirat e minibanuara, duke vrarë e shkatërruar, duke u rritur dhe fuqizuar. Në këto rrethana, populli autokton, në tokat e trashëguara, kaloi në plan të dytë, ndërsa ardhacakët krijuan emrin e tyre në Europë, duke rrezikuar seriozisht identitetin shqiptar.
Përse ?
Sipas subkoshiencës sime dhe ndërgjegjes historike: Shqiptarët janë populli më tolerant në botë, me një mikpritje enigmatike, që nuk dihet nga u erdhi kjo dhuratë mistike. Mikpritje që shpeshherë ua humbi busullën, duke ngatërruar armikun me mikun dhe mikun me armikun…Gjithashtu, në momente dramatike, mbeten armiqtë më të pathyeshëm ndaj atyre që guxuan të nëpërkëmbin atdheun, dinjitetin, kulturën dhe flamurin. Por kjo nuk ishte konsistente dhe permanente për të konsoliduar mjaftueshëm rrugën e së ardhmes. Qëllimi turk, duke ndërtuar bajraqe dhe vilajete, eliminoi fiset dhe principatat, të cilat e kishin mbajtur gjallë identitetin shqiptar. Prandaj, koha më e artë e shqiptarizmës ishte dhe mbeti nën udhëheqjen e principatës Kastriote. Sipas subkoshiencës sime, ne shqiptarët vuajmë nga ksenomania (e kam përsëritur disa herë), gjë që u krijoi hapësirë kundërshtarëve të shfrytëzonin këtë dobësi…
Një minus është edhe diplomacia jonë, e cila nuk ka qenë asnjëherë në gjendje t’u paraprijë ngjarjeve historike dhe të jetë bindëse në takimet diplomatike.Marrim, si shembull, rastin e Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit në takimin me Bismarkun, i cili, pasi dëgjoi ankesat dhe kërkesat e tyre, i pyeti: “Ku i keni veprat e shkruara për historinë tuaj, historinë për Epirin?”
Delegatët, jo diplomatët, mbetën… duke u justifikuar se, nën thundrën osmane, gjuha shqipe ishte e ndaluar (ndër të tjera… gjëja më e shëmtuar që bënë turqit me shqiptarët) dhe se kjo i kishte penguar të shkruanin historinë shqiptare, historinë e popullit të tyre. Atëherë Bismarku iu kthye me cinizëm, jo me këshillë, siç shkruajnë disa:“Shkoni dhe blini disa kilogramë bojë dhe shkruani historinë e popullit tuaj, pastaj trokisni në portat e Europës!” Dokument i cituar nga prof. Kristo Frashëri. Mbetet një çudi se si njerëz të mençur si Abdyl Frashëri nuk e paraqitën “Historinë e Skënderbeut”, shkruar nga Marin Barleti dhe e përkthyer gjatë shekujve XVI–XVIII në disa gjuhë të Europës, përfshirë gjermanishten, italishten, frëngjishten, spanjishten, portugalishten etj.
Dhe pikërisht sot, veprat e Barletit, si “Historia e Skënderbeut” dhe “Rrethimi i Shkodrës”, mbeten pesha kryesore e fillimit të historiografisë shqiptare, pa harruar Segonin e Biçikenin. Sigurisht, në atë kohë nuk e kishin luksin e dijeve të sotme, por asokohe fama e Barletit kishte pushtuar Europën…Mendoj se mungesa e aftësisë diplomatike krijon boshllëqe të pariparueshme. Dëshira është krejt një kahje tjetër nga përgatitja për realizimin e një objektivi, e cila, përveç vullnetit e përshpirtmërisë, kërkon plotësimin e një sërë detyrash praktiko-didaktiko-politike.
Kështu, “delegatët” tanë të brishtë shkonin në takime si vjelës pa krrabë e shportë, se për kosh nuk bëhej fjalë. Ndërsa diplomatët e Serbisë dhe Greqisë shkonin me çanta bosh dhe dilnin prej takimeve me çanta të mbushura me gjakun e tokave tona. Ata shkonin si aktorë diplomatë, ndërsa ne shkonim si luftëtarë…Si në rastin e Isa Boletinit në takimin me Eduard Grey-n, i cili, pas takimit, i pat thënë me të qeshur: “Gjeneral, nesër gazetat do të shkruajnë se ju u çarmatosët në Londër”. Sapo mbaroi fjalën ministri Grey, Isa nxori koburen tjetër, duke iu përgjigjur: “Jo besa, as në Londër jo!” Për mendimin tim, diplomacia është “art farkëtarësh”, ku diplomatët mbeten gjithnjë në garë se kush e farkëton shpatën më të fortë dhe më të mprehtë… fiton. Sepse fjala është si shpata: kur e përdor, ose të vret, ose të plagos, ose të kurorëzon! Po si ka mundësi që një popull kaq i zgjuar dhe trim, i cili nxori 34 perandorë në kohën e Romës, 24 kryeministra dhe 36 ministra (vezirë) në Turqi, themeluesin e Egjiptit modern, Muhamed Ali Pashën, dhe figura të tjera që erdhën më pas… nuk u përpoq asnjëherë për të bërë shtet shqiptar?
Vetëm atëherë, kur Perandoria Otomane po jepte shpirt, u shkëput një plak i urtë (pa hyrë në historinë e dyshimtë, kundra dhe pro) nga balta, për të ringritur kombin më të vjetër të Europës, që ishte bitisur prej asaj perandorie, ku vetë Ismail Qemali dhe 24 kryeministra e 36 vezirë kishin punuar bindshëm për ta mbajtur gjallë? Këtu më ngacmon një anekdotë shkodrane, të cilën do ta ilustroj më pas me histori. Dy burra i kishin shpëtuar djalin pashait. Pashai i ftoi për t’i falënderuar për aktin burrëror. Ata shkuan te pashai, i cili i priti me buzë në gaz, duke u treguar me dorë minderët ku të akomodoheshin. Pasi i falënderoi për aktin e kryer, i pyeti se çfarë dhuratash donin prej tij. Njëri nga burrat i kërkoi dy lopë prej race, ngaqë kishte bahçen e madhe. Ndërsa tjetri i tha pashait se kërkesën do t’ia thoshte në vesh…Pashai e pranoi dhe i afroi veshin për ta dëgjuar”. Trimi” i tha: “Kërkesa ime është: mos ia jep lopët këtij!” Kjo anekdotë i paraprin psikologjisë së dyshimtë ksenomane të popullit tim.
Historia e Ballaban Pashës, të cilin e përmend për keq edhe autori James M. Ludllow në romanin e tij historik “Konstandini dhe Morsinia”, si dhe historia vetë, na sjellin elemente të dhimbshme të kësaj psikologjie. Thjesht po e ilustroj kalimthi historinë e tre vëllezërve, Kostandini, Jonima dhe Mehilli, me babain e tyre, Milloshin. Babai i tyre ishte një burrë që i shërbeu me besnikëri Gjon Kastriotit, pastaj Skënderbeut, i cili u mundua t’i rriste fëmijët me një edukatë luftarake dhe burrërore. Kjo familje, pas represionit turk, u nda. Milloshi dhe Kostandini u fshehën në pyll… Mehilli u zu rob dhe u edukua nën shkollën turke. Ai i ngjiti shkallët një nga një, derisa u bë Ballaban Pasha. Mehill Ballabani u bë udhëheqësi i ekspeditave më të ndyra ndëshkuese kundër shqiptarëve, madje duke helmuar puset e ujit të popullit të cilit i përkiste. Kurse vëllai tjetër, Konstandini, dhe babai i tij, Milloshi, luftonin në krah të Skënderbeut.
Ballaban Pasha u vra gjatë rrethimit të dytë të Krujës.Pas vdekjes së Kastriotit, shqiptarët, me një kujtesë të vakët, i ngritën Ballaban Pashës një tyrbe në Petrelë…
Përse?
Për kombet e qytetëruara, ky akt nuk do të kishte asnjë lloj kuptimi, përveçse një akti politiko-fetar që i shërbente pushtuesit.Sepse turqit, shërbëtorët e vrarë që i shërbenin perandorisë i quanin, “Sultanin kahramani” = Hero i Sulltanit, apo “shahit”!
Ka mjerim më të madh se ky? Përse shqiptarët, me memorien e dobët, e nderuan tyrben e këtij tradhtari dhe e mbajten deri në vitin 1967, kur ai ishte një renegat i panderë, sepse turqit ia patën përdhunuar dhe nënën (Elena) para se ta vrisnin… ndërsa ai asnjëherë nuk mendoi t’ua kthente reston atyre, por u shërbeu si qen besnik. Këto lloj rastesh të kohës së shkuar nuk kanë asnjë ndryshim nga tradhtarët e sotëm shqiptarë, që i shërbyen me besnikëri Serbisë, para dhe gjatë luftës së popullit tonë kundër makinës naziste serbe. Serbët janë mjeshtra të manipulimit dhe prostitucionit politik. Ata gënjyen Europën për shekuj, por nuk mundën të gënjenin pragmatizmin amerikan, i cili i mësoi Serbisë se si i shkurtohen këmbët gënjeshtarit ardhacak që mundohet të bëhet padron në vend të huaj. Propaganda fetare nuk shkon te amerikanët, edhe pse religjioni islam është 1% në Amerikë. Prandaj Amerika përkrahu diplomacinë e Ibrahim Rugovës dhe, nëpërmjet tij, edhe UÇK-në…Përkrahja reflektoi në Angli dhe Europë.
Falë diplomacisë së Rugovës, i cili kishte kuptuar se Europa donte prova qytetërimi, donte vizion; donte të dinte se Dardania s’kishte lidhje me xhihadin dhe xhihadistët, s’kishte lidhje me ekstremizmin fetar dhe se shqiptarët nuk ishin njerëz me bisht, siç i propagandonin serbët, të cilët u binin këmbanave prej vitesh. Bash Karl Marksi propagandonte popullin arnaut si të paqytetëruar dhe grabitqar. Ai, more ai… që komunizmi shqiptar nuk hante bukë e nuk pinte ujë pa e përmendur! Bash Marksi këshillonte që qeveritë fqinje duhej t’i mbanin shqiptarët nën kontroll të rreptë ushtarak, pra nën thundrën e pushtimit. Rugova e fshiu mjegullën që kishte molepsur Europën, duke i hapur rrugë UÇK-së për “rehabilitim”, e cila u pranua nga bashkësia perëndimore si grupim luftëtarësh për liri. Richard Holbrooke u takua me presidentin Millosheviq në Beograd, më 22–23 mars 1999, për t’i dhënë ultimatum Serbisë. Millosheviqi nuk pranoi.
Më 24 mars, NATO filloi bombardimet. Rruga e luftimeve qe e ashpër. UÇK-ja u afirmua, ndërsa Aleanca Atlantike bëri detyrën. Gjatë kësaj periudhe, thonë se udhëheqësit e UÇK-së bënë shumë “gabime”, duke dhënë urdhra për të vrarë të pafajshëm, përfshirë këtu edhe mbi 150 shqiptarë, ku Gjykata Ndërkombëtare arrestoi disa nga udhëheqësit e UÇK-së dhe i dënoi për krime lufte: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Përse?
Krimet e luftës serbe duhet të kenë një shkak, një “zanafillë” …prandaj armiqtë e kombit tonë tjerren një web mercenarësh ballabanistë, gjoja për të balancuar arsyen e paarsyseshme iliegjitime të gjenocidit ndaj poppullit shqiptar. Ka turp më të madh se ky? Sot në shekullin XXI , nuk turp më të madh për drejtësinë e degraduar e cila shkermoqet në prehrin serb! Por heronjtë e lirisë kur ngrihen në luftë është shumë e vështirë të rrëzohen në paqe! Pandaj populli shqiptar e ka te nevojshme të mbush sheshet e Europes dhe botës për të kerkuar lirimin e heronjëve të vet! Loja nuk vlen zjarrin…e sidomos me një popull që ka vujtur në shekuj për ta fituar lirinë e vet! Serbia është në festë, fërkon duart dhe thotë: “Shikoni sa gjakprishur janë shqiptarët! Ata vrasin njëri-tjetrin… jo më neve që jemi në ‘atdheun tonë, që mbrojmë familjet tona?”
Ndërsa Vuçiqi thotë: “Prisni! Akoma nuk ka vend për kënaqësi!”Se çfarë pret Vuçiqi, vetëm Ballabanët dhe dëshmitarët e dinë, të cilët harrojnë mijëra gra të përdhunuara, mijëra të vrarë, gra e fëmijë…Unë e di që shqiptarët kanë kushtetutën më të vjetër në Europë: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Kanuni thotë: “Gjaku shlyhet vetëm me gjak!” Krye për krye. Megjithëse unë mendoj ndryshe: kur momenti nuk të kurthëron, marrja e gjakut në ftohtësi është krim. Pra, gjakmarrja mbetet një kapitull i hapur, me nenet e veta.Nëse dikush të ka vrarë pa faj, qoftë kryeministër, udhëheqës lufte apo kushdo tjetër, gjaku duhet kërkuar atij dhe jo familjes. Në këtë rast, familja e madhe është Dardania dhe e dëmtuara mbetet ajo.Atëherë, nëse familjet akuzuese janë të pastra, pa damkën e tradhtisë… përse bëjnë pis gjithë gjakun e derdhur për liri?
Dikush nga ata do të më thotë mua: “Mos fol përçart e mos na bëj leksione, se nuk të vrau kush njerëzit e familjes?” Këtë sentencë e kuptoj pothuajse si ata, mbase edhe më mirë se ata. Sepse komunistët nuk ishin në luftë me të huajt që të bënin gabime, por ishin të udhëhequr nga paranoja e instinkteve imagjinare…Prandaj u vranë dhe u përsekutuan me mijëra vetë në Shqipëri. Familja ime ishte një ndër ato familje që pësoi dhunën dhe përndjekjen e regjimit barbar komunist.Pra, ishte gjak shqiptari që na dhunoi.Komunistët na plaçkitën, burgosën, na shanë, na u shpifën. Pas rënies së tyre, edhe mund të isha hakmarrë egërsisht, por gjithnjë kam menduar se falja është hyjnore në krahasim me vulgun e ndëshkimit; pra, falja shëron përsëritjen negative.
Në luftën për liri nuk shikohet gjaku i familjes tënde, por vuajtjet e popullit tënd që përpëlitet, sikur edhe ato të një populli tjetër që lufton për ekzistencë. Kur fushëbeteja bëhet e rreptë, nuk flitet më për logjikë, sepse lufta nuk ka ndërgjegje. Rregullat dhe konventat shkelen me të dyja këmbët. Lufta për mbijetesë, nderi dhe turpi, nënshtrimi dhe fitorja mbeten armiq për vdekje! Nuk ka asnjë ekuacion tjetër! Definicione filozofike dhe diplomatike, po! Por opsione të tilla zënë vend gjithnjë pas luftërave të përgjakshme, kur dëmi është bërë. Aktualisht, mendoj se ne shqiptarët kemi nxjerrë mësime nga historia, por ende kemi hapësira për t’i riparë dhe mbushur.
Në shekullin XXI nuk është më faji i dikujt atje tutje… por i yni: Nëse ne ende pranojmë pushtuesin si çlirimtar, çnderimin si rregull loje, nënshtrimin si penelatë telajoje, dhunën psikologjike si terapi shoku, shkeljen e historisë si krunde të pasitshme, lajmin e dhimbshëm si zbavitje ordinere, dramën si lojë humori, jetën personale si lajm mendjelehtë, politikën si zemrek ore, dashurinë si sfilatë mode, gazetarinë si kënetë mushkonjash, heroizmin si koncept idiotërish etj., atëherë, nëse këto nuk korrigjohen, kjo tregon se kemi mbetur në kalldrëmin e shekujve të shkuar.
Në këtë kontekst, mendoj se ADN-ja jonë e mistershme, e cila është krejt e veçantë nga ajo e popujve të tjerë të botës, duhet korrigjuar nga Zoti. Dikush mund të pyesë: PËRSE? Mendoj se Zoti lodhet me falsitetin e programuar nga “përsetë” e pasinqerta, të cilat ngjajnë me luksin e një tragjedie të paralajmëruar, kur epilogu shpirtëror ka humbur rrugën dhe qëllimin për në destinacion.