Gjon Frani Ivezaj/
“Na nën dhé e ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!” – At Pjetër Meshkalla S.J.
“Nga të gjithë ata që diktatura gjeti gjallë, rezulton se: janë pushkatuar 29 klerikë (13%), mbytur ndër tortura 29 klerikë (13%), burgosur dhe internuar 93 klerikë (41%), kanë kaluar ndër kriza mendore deri në çmendi 6 klerikë (3%), janë detyruar të arratisën ose s’jane lejuar të kthehen në atdhe 35 klerikë (15%), janë përjashtuar nga shërbimi 19 klerikë (8%) dhe kanë vdekur në ankth e dhimbje pjesa e mbetur 15 klerikë (7%).” – Dr. Pjetër Pepa, studiues ish Ambasador i Shqipërisë në Vatikan
Ish i përndjekuri e i burgosuri politik Ipeshkëvi Ndihmës i Arqipeshkvisë Metropolitane të Shkodrës Imzot Zef Simoni, në librin e tij me kujtime: “Ngjarje në Tokë”, shkruan për luftën e pamëshirshme dhe shume brutale, që ndërmori Partia Komuniste dhe diktatori Enver Hoxha në bashkëpunim me Mehmet Shehun, ndër të tjera shkruan:
“Me 16 gusht të vjetit 1944, me rastin e festës së Shën Rrokut që kremtohet posaçërisht në Shirokë, një fshat buzë liqenit të Shkodrës, në proçesionin e kësaj dite, Dom Ndre Zadeja, meshtari i detyrës, gojëtari në za dhe shkrimtari i zgjedhun, i flaktë në zemër, e nder vepra për “Fe e Atdhe”, binom që kishte karakterizuar klerin katolik historikisht e sidomos në kohët e luftave të Gjergj Kastriotit-Skanderbeut, këto fjalë i tha popullit e rinisë: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqiat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin.” Këto fjalë i tha tre muej e pak, para se të hynte komunizmi në Shqipni e gati shtatë muej para se të pushkatohej meshtari i zjarrtë, i vlershëm Dom Ndre Zadeja, i pari meshtar i pushkatuem në Shkodër, mbas murit të vorrezave katolike, me datën 25 mars 1945, ditë e dielle, ngjarje kjo që tronditi Shkodrën, rrethet, malësitë dhe mbarë Shqipninë. Komunistët e morën vesh vonë, se Mesha e mesnatës për Krishtlindje, me 24 të dhetorit 1944 në Kishën Katedrale nuk do të thuhej, se mos ngjante ndonjë turbullim. Por regjimi i ri nuk e duronte këte veprim. Prandaj disa nacionalë-çlirimtarë të krishtenë edhe ndonjë komunist i krishtenë, ndonëse vonë, rreth orës dy të mbasdrekes iu drejtuen Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit me lutje të thuhej Mesha e Mesnatës. Mbasi Imzoti u tha se tashti asht tepër vonë me lajmue popullin, këta i premtuen se merrshin përsipër ta lajmojshin. Shkojshin derë në derë tue thanë: “Sonte thuhet mesha e mos kini frikë, pse besimi asht i lirë.” Për ma tepër, po të thonte kush se besimi nuk do të ishte i lirë, kjo do të quhej prej regjimit të ri një shpifje, një parullë e fortë e reaksionit e do të kishte ndeshkime. Shej i sigurtë se nuk do të kishte dredhi u ba të ramët e kumbonëve në mbarë qytetin e një popull i madh mori pjesë qetësisht e me shumë gëzim në Meshen e Mesnatës.”
Në qytetin e Shkodrës, franceskanët e devotshëm (të ardhur në Shqipëri në shekullit XII), hapën një streh për të varfërit në vitin 1861 dhe më vonë Liceun “Illyricum” të “një niveli të naltë, me nxanës nga mbarë Shqipnia e për të krishtenë e muslimanë. Një urdhën që dha figura të shqueme të dijës në të gjitha fushat si gjuhëtarë, shkrimtarë, profesorë të shquem të kulturës klasike greko-romake, historianë si: Mons. Vinçenc Prennushi, Atë Anton Harapi, Atë Gjergj Fishta, Atë Justin Rrota, Atë Marin Sirdani, Atë Pashko Bardhi, Atë Bernardin Pali, Atë Donat Kurti, Atë Gjon Shllaku, me të nipin e vet françeskan, Atë Aleks Baqlin, Atë Frano Kiri, Atë Benedikt Dema, Atë Viktor Volaj, Atë Daniel Gjeçaj e të tjerë, të gjithë të pregatitun në Universitetet e Europës, tue shtî kulturën pozitive të Europës e tue i dhanë një zhvillim të madh kulturës shqiptare.”
Po kështu shkruan shkrimtari i përsekutuar Mons. Simoni, se: “Shoqnia “Jezus”, me fillesën e vet në Shkodër, në vjetin 1841, bante një mision të përmendun për të rranjosë fenë me devocione e lutje që do të mbesin të paharrueshme edhe gjatë përsekutimit në zemrat e buzët e popullit. Një mision, që zbuste zakonet e ashpra e pajtonte gjaqet e shumta që arrijshin në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, deri në numrin 4000 pajtime. Një shoqni që sjell e zhvillon një kulturë të mirë europiane e kulturë kombëtare në Seminarin Papnuer dhe në liceun e Kolegjes Saveriane, tue pasë njerëz të shquem, si: Atë Jak Jungun, Atë Genovizzi-n, Atë Anton Xanonin, Dom Ndré Mjedën, Atë Mark Harapin, Atë Gjon Karmën, Atë Jak Gardin-in, Atë Daniel Dajanin, Atë Giovanni Fausti-n, Atë F. Cordignano-n, Atë Zef Valentini-n, Atë Pjetër Meshkallën, Atë Ndoc Saraçin, Atë Zef Saraçin, etj. Salezianët e salezianet, të përhapun në disa qendra në Shqipni, të cilët simbas drejtuesit e pedagogut të madh Dom Gjon Bosko, merreshin kryesisht me rini tue shtie nder ata shpirtin e uratës e të punës. Orionitët, edhe këta në gjasim të Salezianëve. Kuvendi i motrave Stigmatine, Servite, Vinçenciane, të cilat punojshin aq shumë për edukimin e vajzave në shoqni fetare, në shkolla femnore e Vinçencianët nder spitale. Ishte dhe një numër i madh meshtarësh që shërbejshin në famullitë, o gjindeshin në qytete për të mbajtë shkollat, licetë.“
At Anton Luli S.J., dëshmitar e mbijetues i torturave çnjerëzore. Të gjithë jashtë burgut ferr komunist të Shqipërisë e dinin të vdekur. Për më tepër revista “Albanian Bulletin Catholic”, në një nga numërat e saj botoi foton e meshtarit, duke vendosur shënimin “Martir për fe”, ndërsa një gazetë tjetër italiane “Avvenire” më 2 nëntor 1983, boton një shkrim me titull “Historitë e At Lulit”.
10 vjet më vonë At Çesar Gjiraudo (Cesare Giraundo), në Tiranë për herë të parë mundi të zhvillonte një intervistë të gjatë mbi historitë e At Anton Lulit S.J., i mbijetuari i rregjimit komunist. Thjeshtësia në komunikim dhe zotërimi shkëlqyeshëm i gjuhës italiane, bënë që intervistuesi At Gjiraundo ti botoj kujtimet në librin: “Gia dato Per Martire… I Fioretti di un gesuita albanese” (“Atë Anton Luli S.J. Ne e dinim martir…”), shtypur në Shtëpinë Botuese “At Gjergj Fishta” në Lezhë.
Situata në Shqipëri, në kohën e barbarëve komunistë ishte tepër e nderë. Komunistët, me fjalë të bukura, kishin mundur të mashtronin pjesën e mirë të popullit, që ishte analfabet dhe nuk e dinte se çfarë ishte komunizmi dhe kështu u bënë viktimë e tij.
Kleri katolik, gjithnjë ishte përpjekur ti hapte sytë popullit shqiptar, që të mos gënjehet nga ideologjia mashtruese e komunizmit. Për ketë në shumë revista dhe gazeta të kohës ishin sjellë shembuj negativ, të dhunës së tërbuar që komunizmi kishte ushtruar e vijonte me tërbim ndaj vendeve ku kjo ideologji e hurit dhe litarit ishte berë forcë shkatërruese. Ish-Bashkimi Sovjetik, që drejtohet nga tiranët Lenin-Stalin, ishte shembulli më i mirë i rrezikut që e kërcënonte botën demokratike dhe në veçanti Shqipërinë, që shumë shpejt u bë viktimë e demagogëve marksist të grupeve komuniste, që fillojnë të mbijnë si kërpudhat mbas shiut.
Mbas pushtimit të Shqipërisë nga ideologjia dhe rendi komunist, filluan arrestimet në popull të kundërshtarëve politik të rregjimit. Rradha u erdhi tregtarëve të ndershëm, që me mund e sakrifica kishin arritur në bisnesin e tyre të vogël. Mbi bazën e orientimeve ruse, filloi sulmi frontal kundër institucioneve fetare, ku, në epiqendër të goditjeve staliniste u vu Kisha Katolike dhe hierarkia e lartë në Veri Perëndim të Shqipërisë.
Por nga ana e tjetër edhe rezistenca antikomuniste ishte e fuqishme. Kjo u duk në institucionet fetare dhe prelatët e Kishës. Qëndrimi burrëror i seminaristit Mark Çuni, gjatë gjyqit të zhvilluar kundër eprorëve të tij etërit jezuit At Gjon Fausti S.J. dhe At Daniel Dajani S.J.. Seminaristi i ri student Çuni, mbrojti me dinjitet profesorët e vet…
E njëjta panoramë e zymtë po zhvilloheje dhe tek Kuvendi Francekan, ku etërit At Gjon Shllaku e At Çiprian Nikaj, pushkatohen nga toga e zezë partizane. Këtë fat tragjik e patën pjesa dërmuese e zëvendësrektorëve, rektor e famullitar të thjeshtë në shkollat klerikale dhe famulli ose dioçeza si në qytet e katund.
Gjatë kohës që komunistët kishin fillluar raplezarjet në institucionet klerikale katolike dhe qendrat fetare e kulturore të tyre, At Anton Luli S.J. askohe ishte me detyrën mësimdhënës dhe zv/rektor i Kolegjës Saveriane në Shkodër.
Ai kujton: “Në janar të vitit 1946 i nisën për në atdhe të tyre të gjithë italianët, etër e fratela. Në Shkodër mbeta vetëm unë bashkë më Imzot Frano Gjinin, që ishte delegat Apostolik për Shqipërinë, në mungesë të Imzot Gjon Batista Nigris, të cilit, ia kishin ndaluar të hynte përsëri. Atëherë Imzot Gjini më emëroi rektor të Kolegjit Saverian e të Seminarit Papnor të Shkodrës, detyrë kjo që nuk m’u hoq deri në vitin 1991. Ndoshta kurrkush nuk ka pasur e grumbulluar detyra kaq të rëndësishme gati për 50 vjet rresht!… Kur u pushkatuan At Fausti e At Dajani, më 4 mars 1946, u mbyll seminari e kolegji. Në atë çast ndërhyri një ushtri e vërtetë, e përbërë prej plot 8000 partizanësh komunist. Këta, pasi na kishin ndyrë në sallën e ngrënies së seminarit, bënë një kontroll të imët qoftë në seminar, qoftë në kolegj. Pastaj, pa na lejuar të ngjiteshim në dhomat tona na nxorën jashtë, ne e seminaristët vetëm me tesha, që kishim veshur e kurrgjë tjetër. U sekuestruan gjithçka, duke përfshirë bibliotekën e seminarit me 40.000 vellimet e saja, më e madhja e më e pasura e të gjithë Shqipërisë. Ne pak shqiptarëve që kishim mbetur, na thanë: “Shkoni në shtëpitë tuaja, ose shkoni kah të doni” Ipeshkëvi atëherë më emëroi famullitar në famullinë e Shkrelit, tridhjetë kilometra në veri të Shkodrës”.
Arrestimi dhe burgimi i parë (1947-1954). Gjithnjë At Luli jetonte me ankthin se një ditë ai do të burgosej. Këtij fati të keq i ishin nënshtruar pjesa dërmuese e klerikëve në të gjithë Shqipërinë, por epiqendra e goditjeve antikatolike e antishqiptare ishte përqendruar në Shkodër e malësinë e saj. Për 18 muaj At Anton Luli S.J., ishte famullitar mes malësorëve besimtar dhe bujar, trima dhe përbuzës të rregjimit komunist ateist. Një javë para Krishtlindjeve të vitit 1947, meshtari i katundit arrestohet nga forcat partizane, me arsyen se ka zhvilluar “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Atë e dërguan në komunën e Koplikut dhe e ndrydhen për 8 muaj në një banjo, që kishte shumë kohë që nuk ishte pastruar. Asnjëherë nuk e pa dritën e diellit. Pastaj erdhi procesi gjyqësor. Në gjyq të Shkodrës u dënua me 7 vjet punë të detyrueshme, duke u larguar nga burgu i sigurimit në Koplik, që ishte qendër paraburgimit, për malësorët dhe klerikët katolik të atyre krahinave. Filluan torturat çnjerëzore mbi trupin e tij të brishtë.
Zv/rektori kujton: “Tashti po flasim për tortura. Nga nevojtorja ku isha, më thirrën, një ditë lart në katin e dytë, në zyrën e Sigurimit ose të Shërbimit të Fshehtë. Kishin hyrë katër e pesë policë të Sigurimit, të cilët filluan të luanin me trupin tim si me një top futbolli, dhe më lodhën e dërmuan, saqë u rrëzova për tokë. Atëherë një alamet burri me çizme të mëdha nisi të kërcejë mbi trupin tim deri sa ndjeva se m’u thye një brinjë. Pastaj shefi i policisë u vërsul mbi mua e më shtrengon aq fort në fyt saqë gati më mori frymën. Mbeta ashtu shakull, pa mundë të lëviz. Pastaj, me shqelma e me sharje, me mori një polic e më çoi përsëri në qelinë time plot erë të keqe. Kur më merrnin në pyetje, më duhej nganjëherë të rrija në zyrë me shefin e policisë nga mbrëmja e deri në mëngjez, vazhdimisht me këmbë e duar lidhur mbas shpine.”
Dom Ndre Zadeja (1891-1945), klerik, dramaturg, poet e prozator. Ai studioi pranë Kolegjës Saveriane, drejtuar nga Jezuitët. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë më 1916, ku bashkë me Sirdanin e Gazullin etjerë u dhanë shumë mbas gjuhësisë. U kthye menjëherë në atdhe e pikërisht në vendlindje. Ai çoi meshën e parë më 26 prill 1916, në kishën e Zojës së Shkodrës, bri kështjellës Rozafa, ku nderohej e nderohet edhe sot, Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve. Falë aftësive e kulturës së tij të gjërë, nisi shërbimin si sekretar i Imzot Jak Serreqit dhe si zëvendës-famullitar, deri në vitin 1922. Në këtë vit u emërua famullitar i Malit të Jushit, prej nga vijoi shërbimin meshtarak në Bojë, për të kaluar më pas në Shkrel e Sheldî.
U arrestua në sa shërbente në këtë fshat më 4 shkurt 1945. U pushkatua pa gjyq më 25 mars 1945 njëherësh me disa seminaristë e laikë katolikë, me akuzën se kishte fshehur bashkëvëllaun, një nga figurat më të ndritura të Shkollës letrare të jezuitëve, Dom Lazër Shantojën , edhe ai në fazën dioqezane të lumnimit. Qe martiri i parë i furisë komuniste mbi Kishën katolike në Shqipëri; urojmë të jetë ndër të parët të Lum, që do të ngjiten në nderimet e elterit.
Më 25 mars 1945, qyteti i lashtë i Shkodrës e tmerruar asistonte pushkatimin e parë të një kleriku katolik, të cilin e kishte njohur e dashur me gjithë shpirt për shërbimin e tij meshtarak, për atdhetarinë e tij e për talentin e shquar që gjeti shprehjen e vet në melodramat e para të letërsisë shqipe “Ora e Shqypnisë”, “Hijet e zeza”; “Rrethimi i Shkodrës”, “Rozafa” etj, të cilat u vunë në skenën e teatrit të jezuitëve në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës e vijuan të lexoheshin, edhe kur nuk mund të viheshin më në skenë, sepse të ndaluara nga regjimi komunist.
Tragjedia e Poetit të Ambëlsisë, kishte fillue ndoshta qysh me 16 gusht 1944 gjatë meshës në Kishën e Shirokës, ditën e Shën Rrokut, kur iu drejtue besimtarëve: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin.”
Në rrugët e rrugicat e shtrembëra të Shkodrës, njëkohësiht me breshërinë e mitrolozave të diktaturës, që këputnin një nga lulet më të bukura të letrave tona, për ta lënë vetëm në kërcej të thatë traditën katolike, u ndje zëri i lebetitur: “Kanë grí Dom Ndrenë!”.
Kur u vu në skenë për herë të parë në Sallonin e shfaqjeve të Kolegjes Saveriane, e protagonistët kndônin: Adrijes m’thuej krenare/Vlona asht tokë Shqiptare!”
Spektatorët shpërthyen në duertrokitje të stuhishme: “Rrnoftë Vlona Shqiptare! Rrnoftë Vlona jonë!”. Në shtypin e kohës boton shpesh pjesë publicistike në lamin e pedagogjisë, psikologjisë, folklorit e traditave, sidomos të zonave pak të prekuna nga orientalizmi, – siç edhe ishin Alpet tona, në të cilat shërbeu.
At Donat Kurti O.F.M. (1902- 1983), ishte frat, mësues,etnolog, folkorist, përkthyes shqiptar. Shquhet për mbledhjen e Ciklit të Kreshnikëve e Lojët Kombëtare bashkë me P. Bernardin Palajin dhe rendimin e Prrallave Kombëtare. Ai mbaroi shkëlqyeshëm mësimet e para dhe të mesme në qytetin e Shkodrës, vazhdoi studimet e larta në Romë. Në vitin 1937 nga Universiteti “San’Antonio” i Romës , ku i jepet titulli “Doktor i Shkencave”. Më 1927 u bë prift françeskan dhe po atë vit kthen në qytetin e tij, ku emërohet profesor në “ gjimnazin “Illyricum “ të fretërve. Dha gjuhë shqipe, latinisht dhe histori të natyrës. Nga 1930-1938 qe n/drejtor i shkollës, gjatë kohës kur P. Harapi O.F.M. qe drejtor. Nga viti 1939 e gjer në mbylljen e saj më 1946 qe drejtor. Gjimnaz ku gëlonte një trupë mësimore e përbërë nga P., Gjergji ,Marini , Justini etj.
Më 11 nëntor 1946, kur merr fund shkolla, kuvendi, muzeu, fretnit dhe Kisha, vendi ku Sigurimi komunist futi armët dhe akuzon Fretërit për këtë akt të ulët që u krye në Kishën Katolike Shqiptare, në të gdhirë të datës 17 nëntor 1946, nga vetë ata. Pas 2 vjetësh hetuesi të tmerrshme nga prokurorët komunistë Nesti Kopali, Zoi Shkurti, Qako Prokopi, Hysni Ndoja etj., doli në gjyq, ku mbajti qëndrim burrëror. Në fjalën e fundit lapidar, përpara dhënies së dënimit, iu drejtua kështu prokurorit më 15 janar 1948: “Prej jush unë nuk pres kurrnji të mirë, edhe pse deri më sot nuk i kam bâ kurrkuj keq. Mue nuk më bân përshtypj as vdekja as burgu, por më vjen keq se më mbeti puna pergjysë. Të gjithë jetën teme, të gjithë talentin tem e kam shkrî vetëm për me i sherbye popullit shqiptar, pa marrë parasyshë sakrificat e privacjonet.”
Trupi gjykues mbeti i shtangur e heshti. Kryetari e ndërpreu: “Kur ke luftue ti, çka ke bâ për popullin që po i mburrë ato vepra të cilat na nuk i dijmë?” “Asht e kjartë se ju nuk dini kurrgjâ. Ato armë për të cilat ju mendoni, un nuk i njof as nuk i dij. Arma ime âsht penda me të cilën kam mbledhë e botue kângët mâ të bukura të trimnisë së popullit: Visaret e Kombit. Kam mbledhë e botue dy vllime me Prralla Kombtare. Ato nuk janë thjeshtë përralla, por aty paraqitet tanë urtia, filozofia e zgjuetësia e popullit tonë që t’u mësojë fëmijve mâ lehtë ushtrimin e virtuteve dhe luftimin e veseve. Po të më jepni vdekjen të gjitha punët mbeten përgjysë, ndersa po të më dënoni me burg, un u kërkoj të lejoni vazhdimin e punës sime të deritashme vetëm për të miren e popullit shqiptar.”
Dënimi qe me vdekje, e i kthehet me burgim të përjetshëm; që shkoi në 25 vjet. Ai edhe pse ishte në burg vazhdoi punën shkencore, nga e cila e ndau vetëm vdekja. Atje ai njihej me të burgosun të krahinave të ndryshme të Shqipnisë, dhe mblidhte fraza gjuhësore që përdornin ndër ato krahina. I shkruante ndër fletore dhe pregatiste “Fjalorin Frazeologjik të Gjuhës Shqipe”. Ky fjalor kishte 45,000 fraza. Është i shkruar në dy kopje me dorë, një për Universitetin, dhe një do ta merrte me vedi kur të lirohej. Kjo punë nuk ishte ilegale mbasi dihej edhe nga komanda e burgut të Burrelit. Ditën që është liruar, komandanti i burgut ia ka mbajtë në zyrën e tij edhe kopjen që kishte të veten At Donati, duke i thënë: “Meqë janë shumë fletore dhe nuk i lexojmë dot tani, këto do ti merrni pasi të kontrollohën nga ana e jonë. Do të ua dërgojmë në Degën e Punëve të Mbrendshme të Shkodrës, nuk ua humbim, por, është një formalitet që do të bëhet, mbasi kështu kemi urdhër nga lart.” Zgjeroi vëllimin e tretë të “Përrallave popullore”, përfundoi veprën “Thaça ose mënyra të thanunit në gjuhën shqipe”, ku janë përfshirë rreth 12,000 njësi frazeologjike dhe proverba nga e folmja e Shkodrës, shkroi pjesë “Nga kanuni i Skënderbeut”, vëllimet me tregime “Mësimet e nanës”, “Në rrugën e plepave”, “Kah gurrat e jetës”, përmbledhjen me poezi “Lule më lule” etj.
At Donat Kurti, një ditë u gjet në një barakë me llamarina pa kurrgja mbas shpirtit, vetëm me pak libra, mbasi pjesën më të madhe i kishte të mëshefun si shumë shokë të tij, me një dyshek për vedi e një për motrën, murgeshën e nderuar të spitalit të Tiranës ,e cila nuk e la vetëm deri atë ditë, më 10 nandor 1983, që u bashkua me shokët e vet, eshtrat e të cilëve i kishte nën brinjë. At Donat Kurti O.F.M. ruajti me dinjitet deri në vdekje të gjitha cilësitë që i përkisnin Urdhnit të tij duke jetuar fukara, duke vuajtë me fukara, duke punuar të edukujë fukaratë dhe duke vdekë si fukara, i nderuar prej fukarave të mbarë Shqipërisë, të cilëve, në këtë jetë të mjeruar, u la trashigim një thesar shumë të çmueshëm nga mendja e Tij e ndritun: “Visarët e Kombit”.
Si e eliminoi regjimi i Hoxhës klerin katolik
… Më 24 maj (1945), në Shkodër komunistët i vunë zjarrin ndërtesës së delegacionit apostolik. Ishte e pamundur të shpëtohej edhe Sakramenti i Shenjtë. Selia e delegacionit u pushtua nga harbutëria e gërdhaja, të udhëhequra nga një numër i madh punonjësish të policisë.
Agresorët hapën tabernakullin e kapelës, hapërdanë nëpër tokë gjithçka gjetën, shkelën me këmbë kurbanet e shenjta. Delegati apostolik, monsinjor Leone G. Batista Nigris, përfaqësuesi i Selisë Apostolike pranë ipeshkvisë vendore, u shtrëngua të shikojë zjarrin nga dritarja e një shtëpie afër, ku qe ndryrë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje monsinjori Nigris, i cilësuar nga shtypi vendor si një “agjent imperialist i fshehur në gjirin e Kishës”, u dëbua nga Shqipëria, por jo pa pësuar më parë një agresion çetimi komunist gjatë udhëtimit nga Shkodra për në Tiranë.
Mbyllja e çerdheve të fëmijëve të mbajtura nën kujdesin e motrave katolike, zëvendësimi i mësuesve të shkollave private me mësues shtetërorë, rishikimi i programeve shkollore për t’i përshkuar nga boshti i materializmit marksist, sulmet kundër priftërinjve të seminarit në Shkodër shënuan etapat e reja të ndrydhjes së Kishës Katolike Shqiptare.
Në qershor 1945, nxënësit e shkollës fillore katolike u detyruan të kalonin në shkollat shtetërore, në zbatim të një vendimi qeveritar që e kthente administrimin e shkollave fillore në kompetencë të shtetit. Në shkollat e mesme katolike pastaj, të cilat nuk mund të nacionalizoheshin shpejt për mungesë mësuesish, nisën të bëheshin të detyrueshme kurse e konferenca të mbajtura nga funksionarë të partisë komuniste. Një fushatë e kujdesshme e doktrinimit marksist përçohej në tërë vendin, si në qytete, ashtu edhe në fshatra, me një angazhim këmbëngulës për të rrënjosur në trurin e njerëzve parimet marksiste-leniniste.
Po atë muaj të qershorit 1945 u arrestua një prift italian, ati Xhakomo Gardin, për shkakun e vetëm se gjatë një debati politik – të deklaruar të lirë – i kishte lejuar vetes të shprehte mendime të kundërta me konferencierin. U ndërtua kundër tij një proces gjyqësor me akuzën e “propagandës antidemokratike”, në përfundim të të cilit ai u dënua me gjashtë vjet burgim, që ai i kreu pastaj në burgjet e Shkodrës. Në dhjetor, drejtuesja e motrave të Karitasit të Korçës, u godit nga komunistët me një breshëri mitralozi të lehtë, ndërsa ishte duke udhëtuar me një autokorierë të drejtuar për Tiranë: vdiq në spitalin e Korçës, në duart e një motre të kongregacionit të saj që shërbente në këtë spital.
Sulmi komunist shkoi përpara kundër institucioneve katolike që “mbaheshin me parà të huaja”. Në muajt janar e shkurt 1946 u inskenua një proces i madh kundër rektorit të seminarit papnor të Shkodrës, atit Daniele Dajani, kundër nënkrahinorit të jezuitëve, atit Xhovani Fausti dhe kundër priftërinjve shqiptarë të seminarit. Këta të fundit qenë inkurajuar nga popullsia për të shpërndarë disa fletushka në të cilat mbështetej ideja e nxitjes së krijimit të një “partie kristiane”. Në vijim të një perkuizimi disa nga këto fletushka ranë në duart e policisë, e cila procedoi me arrestimin e priftërinjve. Edhe pse përmes torturave ata kishin vazhduar të pohonin se superiorët e tyre qëndronin jashtë këtyre fakteve, edhe superiorët u arrestuan. Seminari u shkatërrua tërësisht.
Procesi u zhvillua në mes të një fushate të dhunshme shtypi dhe demonstrimesh popullore, me frymëzim të dukshëm zyrtar dhe përfundoi me 11 dënime me vdekje e me shumë dënime të tjera me burgim të gjatë. Rektori, nënkrahinori i etërve jezuitë dhe nëntë anëtarët e seminarit, të akuzuar pavarësisht nga gjithë provat e kundërta, për terrorizëm dhe atentat ndaj sigurisë së shtetit, u pushkatuan më 4 mars 1946. Kufomat e tyre metën për një ditë të tërë midis plehrave në buzë të një përroi në periferi të Shkodrës. Dënimet për anëtarët e tjerë të seminarit shkonin nga 15 deri në 30 vjet.
At Xhovani Fausti, figurë e ndershme e priftit dhe e misionarit, kishte shpenzuar vite e vite të gjatë të jetës së tij në shërbim të Shqipërisë. Pak më shumë se një vit më parë, gjatë betejës për çlirimin e Tiranës, kishte vënë në rrezik jetën për të shpëtuar nga reprezalja gjermane një grup civilësh italianë e shqiptarë.
Duhet kujtuar se midis të dënuarve me vite të gjata burgimi ishte edhe ati Jovan Pantalja, shqiptar, vdekur në burg nga keqtrajtimet e torturat e pësuara. I shkreti Pantalja qe akuzuar, mes të tjerash, se kishte ndihmuar aty nga muajt e parë të vitit 1943 atin prof. Xhuzepe Valentini, mësues dhe lëvrues i gjuhës shqiptare, ende drejtues i Kolegjit Saverian të Shkodrës, në punën e tij të “monopolizimit të kulturës shqiptare dhe të spiunazhit në favor të Gestapos dhe të Vatikanit”.
Procesin e Shkodrës e ndoqi më pas rekuizimi i ndërtesave të kultit katolik, me pretekstin e zakonshëm të “nevojave publike”. Ndërkohë që procedohej me zhveshjen e përfaqësuesve të fesë, organet e propagandës së partisë orkestronin një fushatë antikatolike në gazetat dhe në radio. Veçanërisht të urryera ishin shpifjet e lëshuara kundër motrave të kongregacioneve, të akuzuara për akte imorale, me qëllim që të diskreditoheshin misionin e mëshirës kristiane.
Më 18 janar 1946, tetëdhjetë e dy priftërinj e motra të Karitasit u dëbuan nga Shqipëria. Policia u mori atyre gjithçka. I trajtonte përfaqësuesit fetarë njëlloj si kriminelët ordinerë
U ngarkuan në disa automjete dhe u transportuan me një grup njerëzish të armatosur për në Durrës, ku u strehuan në pallatin ipeshkvnor, të braktisur dhe të zhveshur nga çdo orendi, ndërkohë që arqipeshkvi, at Vinçenco Prenushi, ishte i burgosur. Në ndërtesën ku ata ishin të internuar nuk kishin me se të ushqeheshin. Prifti i kishës së krishterë, papa Kristoja, sepse u kishte sjellë atyre fshehurazi ushqime, u zbulua e për këtë u masakrua nën gurin e një mulliri. Edhe kryekirurgu i spitalit të Tiranës, prof. Venancio Loci, i cili shkonte çdo ditë t’i vizitonte, u arrestua. Policia i trajtonte përfaqësuesit fetarë njëlloj si kriminelët ordinerë. Disa prej tyre, si ati Ernesto Kasinari, u transferua madje në burgjet e gjykatës dhe u mbajt aty për një kohë pa një akuzë të saktë. Imbarkimi të dëbuarve për Itali nuk u bë i mundur, veçse pas 37 ditësh të një pritjeje të dhembshme. Në çastin e nisjes të dëbuarit iu nënshtruan një perkuizimi të ri, pa as më të voglin kujdes për dinjitetin e gjendjes së tyre. Gjatë operacionit të imbarkimit në një anije tregtare italiane, në çastin më të fundit, mundi të ngjitej mbi anije edhe ati jezuit Andreini, i cili, i dënuar tashmë me pushkatim, ishte arratisur nga Shkodra, duke marrë me vete ikonën e Madonës së Pompeit.
Persekutimi kundër klerit shqiptar
Pas dëbimit të fetarëve italianë persekutimi vijoi kundër klerit shqiptar. Në dhjetë muaj u vranë 4 peshkopë e 15 priftërinj, ndërkohë që 32 të tjerë u burgosën. Në prill u inskenua një proces i ri kundër disa eksponentëve të klerit katolik shqiptar. Qëllimi i debatit gjyqësor ishte të përligjte, përballë opinionit publik kombëtar e ndërkombëtar, serinë e gjatë të arrestimeve e të shpërdorimeve, të cilave u nënshtroheshin priftërinjtë e kultit katolik. Qe i fundmi i proceseve të ujdisur mbi akuza të kota e të orkestruara me propagandë të shkathët. Nga këtej e në vazhdim akuza e përgjithshme “agjent i Vatikanit” do të mjaftonte për të përligjur vrasjet, arrestimet apo syrgjynosjet në kampet e punës së detyrueshme, pa asnjë lloj procesi.
Me të tilla metoda qeveria e Hoxhës procedoi për eliminimin e peshkopatës katolike vendore. Arqipeshkvi i Durrësit, monsinjor Vinçenc Prenushi, u burgos dhe u dënua me 30 vjet punë të detyrueshme. Egërsirat komuniste u shfrynë barbarisht mbi të pafajshmin, duke e penguar atë të flinte, duke e zhveshur, duke e varur në një ganxhë me një litar të kaluar në unazat e prangave, duke e rrahur deri sa të humbte ndjenjat. Vdiq në burg pas shumë vjet torturash mizore, që xhelatët e tij i ushtronin egërsisht, në mënyrë që ta bënin të vuante sa më gjatë që të ishte e mundur.
Midis viktimave të egërsisë komuniste lipset të numërohen tre ipeshkëv të tjerë: ipeshkvi i Oroshit dhe i Lezhës, monsinjor Françesk Gjini; ipeshkvi Sapës, monsinjor Gjergj Volaj dhe peshkopi ortodoks, monsinjor Kishi, i kthyer në katolik në vitin 1943. Ipeshkvi Gjini, që zëvendësonte delegatin apostolik, monsinjor Nigris, pas dëbimit të tij nga Shqipëria, iu nënshtrua periudhave të stërzgjatura të agjërimit dhe torturave të tilla, sa s’i mbeti vend në trup pa iu bërë plagë. Pas shumë vuajtjeve të përballuara me mundim fjalët e tij të fundit, para se të pushkatohej, ishin fjalë lavdërimi për Zotin dhe për Kishën Katolike.
Nga martirizimi i ipeshkvit Volaj u bë i njohur një episod dramatik që ngjau midis tij dhe së ëmës, kur kjo e fundit, përmes hekurave të burgut, ia doli mbanë ta shohë të birin për herë të fundit para se të pushkatohej. Nëna e gjeti të birin të katandisur aq keq sa nuk e njohu dhe e dëshpëruar dëgjoi fjalët e fundit të tij: “Lutu shumë dhe, nëse do të duash të qash për tët bir, mos e bëj këtë për vdekjen e tij, por për atë çka Kisha ka vuajtur”.
I njëjtë qe edhe fati i peshkopit ortodoks, monsinjor Kishit, i cilësuar si “tradhtar i atdheut dhe spiun i Vatikanit”, nga që kishte kaluar nën urdhrin e kishës katolike. Menjëherë pas pushkatimit të tij, shtypi zyrtar shqiptar botoi një seri artikujsh, në të cilat pohohej se ai “kishte rrëfyer krimet e tij kundër popullit”. Vijonte teksti i “rrëfimit”, të marrë nga policia dhe të firmosur siç duhej nga viktima. Monsinjor Kishi akuzohej se kishte patur kontakte para vitit 1943 me delegatin apostolik italian, të cilin e kishte furnizuar me të dhëna për veprimtarinë e partizanëve; se më pas kishte kaluar në Kishën Katolike Romane me qëllimin e qartë për të ushtruar spiunazhin në dobi të Vatikanit; se kishte synuar të mbillte përçarjen në raportet midis popullit dhe qeverisë, duke përhapur ide reaksionare dhe shpifje ndaj PKSH-së.
Mizoritë e komunistëve shqiptarë i kanë kaluar shpesh tmerret e torturave të martirëve të parë kristianë. Famullitari i katedrales së Tiranës, dom Shtjefën Kurti dhe ai i katedrales së Durrësit, dom Anton Bicaj, u pushkatuan pa proces gjyqësor. Monsinjori Xhuzepe Bonati u vra në burg, ku ishte prej kohësh i dënuar. Ashtu siç pati referuar një prift shqiptar që për një farë kohe jetoi me të në të njëjtën qeli, monsinjor Bonatit i qe ndaluar të lëvizte buzët për t’u lutur dhe çdo thyerje e një ndalimi të tillë dënohej me një numër të caktuar goditjesh me kamzhik në shpinë dhe në këmbë.
Prifti ortodoks, papa Pando nga Fieri, u pushkatua si tradhtar e spiun, duke pas kaluar edhe ky në vitin 1943 në besimin katolik. Papa Petro Isaku i Misionit Katolik të Korçës, që e kishte marrë urdhrin e priftit në kolegjin grek të Romës, u dënua me burgim të përjetshëm. Frati Agustin Spanu u mbajt për shumë muaj në burg, pa ndonjë fajësi tjetër veç pjesëmarrjes në Misionin Katolik të Korçës. Ipeshkvi tetëdhjetë vjeçar i Pulajt, monsinjori Benardino Shllaku, u kufizua të mbyllet në banesën e tij. Monsinjori Laka, vikari kapitullar i Shllakut dhe monsinjori Gurakuqi, vikari kapitullar i Sapës, u arrestuan nën akuzën e krimeve të pakryera ndonjëherë, me qëllim që këto dioqeza të mbeteshin pa një drejtim pastoral. Papa Josifi nga Elbasani u varros për së gjalli, sepse u quajt fajtor për “propagandë fetare të kundërt me partinë”. Papa Pandelejmoni i Misionit Katolik të Pogradecit u vra në një pritë. I thirrur në Fier me një telegram të rremë, u sulmua gjatë udhëtimit dhe u bë copë-copë me një sopatë. Copat e trupit të tij, të mbledhura e të futura në një thes, komunistët i dërguan në Mision. Copa më e madhe ishte koka: në gojë komunistët i vunë një letër ku qe shkruar: “Sepse ishe partizan i Papës”. Shumë priftërinj të tjerë shqiptarë e paguan me jetë besimin e tyre te Kisha Katolike; një pjesë e tyre u zhduk në mënyrë misterioze, sepse regjimi i Tiranës kishte frikë të krijonte martirë.