Shkruan: Prof.dr. Eshref Ymeri/
Në ditët e para të Vitit të Ri 2014, në faqet e internetit qe botuar një deklaratë e shkrimtarit amerikan Glen Donovan(Glenn Donovan), lindur në Nju Jork në vitin 1962. Me sa duket, deklarata e tij lidhet me zhvillimin e ngjarjeve në Ukrainë, të cilat gjatë janarit dhe shkurtit patën zhvillime shumë dramatike. Deklarata e tij titullohet “I hate the Russian people” (Unë e urrej popullin rus).Para përsiatjeve të mia për deklaratën në fjalë, lexuesve të nderuar po iu përcjell fillimisht përkthimin e plotë të saj:Ju ende nuk e keni takuar kurrë një njeri si puna ime që e urren kaq shumë popullin rus, për faktin që ai e ka braktisur lirinë, të cilën ne, gjatë shumë dhjetëvjeçarëve, patëm synuar aq shumë për t’ia dhënë.
Që ta merrni vesh, në vitin 1973, kur isha 11 vjeç, unë pata lexuar “Arkipelagun Gulag” të Aleksandër Solzhenjicinit. Unë u rrita, duke vëzhguar baraspeshën e forcave në botë, e cila po kolovitej mbi tehun e thikës dhe e dija se sa i tmerrshëm ishte Bashkimi Sovjetik, si për vetveten, ashtu edhe për gjithë të tjerët në botë.
Unë ndihesha krenar për faktin që ndodhem në anën e duhur, përballë sovjetëve, dhe herë-herë mendoja se populli rus do t’u jetë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lirinë e vet. Mua nuk më pati shkuar kurrë ndër mend që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i nënshtrohen (si tani gjatë qeverisjes së BO – kështu e quajnë amerikanët Barak Obamën – KC) vetëkënaqësisë së pamoralshme të një batakçiu të KGB-së, i cili, çdo ditë, na fyen dhe na provokon dhe qeveris popullin rus. Ky batakçi që ka një pushtet total, drejton një popullsi analfabete, raciste, inatçore dhe antiliberale. Unë rri e vras mendjen herë-herë: mos ndoshta rusët e kanë pas merituar Stalinin? Ka mundësi që, si në rastin e Sadamit në Irak, ky popull, brenda sekondës, kur t’ia heqin çizmen nga qafa, do të fillojë nga vrasjet me njëri-tjetrin për shkaqe nga më të papërfillshmet. Kjo për mua është diçka vërtet e parëndësishme. E qartë është një gjë: që Rusia dhe populli i saj nuk janë të denjë të ulen në një tryezë si të barabartë me vende, shoqëri dhe njerëz të qytetëruar dhe të lirë. Unë e urrej popullin rus për faktin që ai e ka lejuar një gjë të tillë. Ne duhej t’i kishim atomizuar ata me bomba dhe Rusinë ta kishim degdisur drejt mosqenies dhe natyra atje të riniste nga fillimi
Ajo që për dikë tingëllon si propagandë, për dikë tjetër është e vërtetë. Qeveria jonë duhet të jetë plotësisht jashtë lojës, përderisa ne nuk jemi në gjendje lufte me vendin përkatës, siç kemi qenë në kuptimin më konkret me Bashkimin Sovjetik gjatë dyzet vjetëve.
Për mua nuk ka rëndësi se çfarë po bën Rusia tani dhe nëse janë të lira ose jo masat e saj të çmenduara. Kjo nuk është punë për mua. Mua më shqetëson vetëm fakti se çfarë po bën Putini kur një gjë e tillë ndikon mbi interesat tona kombëtare. Për ne nuk është e nevojshme të mundohemi “të përhapim kulturën tonë”, duke ndikuar përmes mjeteve të informimit masiv. Kultura jonë tashmë njihet mirë. Unë kam ardhur në përfundimin se rusët janë të mangët në aspektin filozofik, ata vetë nuk janë të aftë për të qeverisur dhe ata këtë e dinë: këtu e ka zanafillën dashuria e tyre për tiranët. Ata kanë qejf të kenë gjithçka, të shtypin dhe të shfrytëzojnë njëri-tjetrin, deri sa t’u mbushen zemrat me kënaqësi. Unë nuk dua të harxhoj as edhe një santimë në përpjekjen për ta ndryshuar një gjë të tillë. Ne kemi harxhuar miliarda dollarë për shembjen e Bashkimit Sovjetik, kurse rusët na kthyen krahët shpejt e shpejt dhe vendin e tyre, me vullnetin e vet, e lanë në dorën ish-kreut të KGB-së. “Boll më!”, si i thonë një fjale. Nuk duhen harxhuar paratë për gjëra të liga. Populli rus e meriton gjithçka që mund t’i ndodhë” (Citohet sipas: Glenn Donovan. “I hate the Russian people”. Marrë nga faqja e internetit “KAVKAZCENTER.com”. 03 janar 2014).
Që ta duash apo ta urresh një popull të caktuar, në këndvështrimin tim, duhen ndjekur rrugët e zhvillimit historik, nëpër të cilat ai ka kaluar në rrjedhën e shekujve. Sepse në këtë mënyrë mund të krijohet një ide më e plotë për formimin psikologjik të tij. Sepse kështu do të kuptohen dhe do të interpretohen drejt raportet e popullit me pushtetin, me elitat drejtuese, me mbretërit apo me diktatorët.
Në këtë aspekt, dëshiroj të theksoj se duhen parë etapat historike të formimit psikologjik të popullit rus, i cili ka ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në ndërtimin e raporteve të tij me pushtetin.
Kjo për faktin se populli rus asnjëherë nuk ka qenë i lirë: në fillim ka qenë nën shtypjen e bujarëve dhe të oborrtarëve, nën zgjedhën tataromongole që vazhdoi 250 vjet, nën vargonjtë e çifligarëve në kuadrin e të drejtës së bujkrobërisë që zgjati disa qindra vjet dhe nën diktaturën komuniste, e cila rusët i shndërroi në bujkrobër të shtetit.
Pikërisht në kushtet e një shtypjeje të tillë, në psikologjinë e popullit rus ka ardhur e është formuar këndvështrimi i tij rreth mitit të pushtetit.
Për pasojë, krejt historia e Rusisë përfaqëson në vetvete historinë e autokracisë në njërën ose tjetrën formë. Njerëzit e kanë shtyrë dhe vazhdojnë ta shtyjnë jetën me shpresën tek agai “zemërmirë”, te cari, te sekretari i përgjithshëm i partisë apo te presidenti. Shumicës dërrmuese as që i bie ndër mend fare se në këtë jetë punët mund të ecin ndryshe. Se fati i tyre nuk mund të varej dhe nuk mund të varet as nga Jelcini dhe as nga Putini, por nga vetë ata.
Një dukuri e tillë sot vihet re sheshit. Opinioni i njerëzve duket në pëllëmbë të dorës, prirja e tyre e jashtëzakonshme për autoritarizmin e pushtetit bie menjëherë në sy. Pra, sipas mendësisë së rusëve, problemi qenka më i thjeshtë kur dikush tjetër përkujdeset për ta. Nën peshën e një mendësie të tillë, njerëzit nuk janë në gjendje të vetëdijësohen se ndokush do të kujdeset më shumë për vetveten sesa për të tjerët.
Sipas Nina Shçerbinës, profesore e politologjisë në Universitetin e Tomskut (qytet në Siberi), “në traditën politike të Rusisë “modeli i pushtetit” ka ardhur e është formuar nga tiparet e mëposhtme: nga fryma hyjnore (fetare, qiellore, përtejtokësore, irracionale, mistike që ndryshon nga gjërat, nga nocionet, nga dukuritë e zakonshme), nga fryma personifikuese, nga fryma e barazimtarisë dhe nga etatizmi apo nga ideologjia absolutizuese e rolit të shtetit në shoqëri… Në “Rregulloren Klerikale” të Pjetrit I (1672-1725), cari emërtohej drejtpërsëdrejti si “Krishti Perëndi”. Më vonë, në fjalët e lutjeve me rastin e kurorëzimit të shenjtë, çdo car i ri që hipte në fron, quhej, gjithashtu, “Krisht”. Madje qe ndaluar zyrtarisht “që t’i kushtohej vëmendje seksit dhe moshës të sovranit dhe të sovranes”, se, demek, cari, si njeri-perëndi, nuk mund të kishte tipare “tokësore”! Jo më kot portretet e perandorëve zakonisht vendoseshin në ikonostasin e qoshes së shenjtë të shtëpive fshatare, kurse pas Luftës Patriotike kundër Napoleonit, në radhët e fshatarëve patën një përhapje të gjerë ikonat që pasqyronin Krishtin me fytyrën e sovranit-perandor” (Citohet sipas: Anton Çablin.“Rezervati i liberalizmit. Aktiviteti përmes protestave në Rusi ka arritur një minimum historik. Cila është arsyeja që shoqëria “ka rënë në gjumë”?”. Marrë nga faqja e internetit “kavpolit.com”. 26 janar 2014).
Me sa duket, kjo duhet të jetë edhe arsyeja që në gjuhën ruse haset një shprehje kuptimplote: “Zoti është lart, cari është larg”, që do të thotë: njeriu i thjeshtë e ka të vështirë ta gjejë të vërtetën (drejtësinë). Sipas mendësisë popullore, njeriu i thjeshtë, për të zgjidhur një hall, Zotit nuk i qahej dot se ky ndodhet lart, në qiell, dhe ishte e pamundur ta takoje. Por edhe për të takuar carin (mbretin), ai, po ashtu, e kishte të pamundur, meqenëse cari ndodhej shumë larg. Kësisoj, sipas kësaj mendësie, cari nuk na qenkej fajtor për padrejtësitë që njeriu i thjeshtë provonte mbi kurriz, meqenëse shërbëtorët e tij e quanin si zëdhënësin e Zotit mbi dhé.
Nga sa më sipër, rezulton se rusët heqin dorë me vetëdije nga vetvetësia (individualiteti) në të mirë të një të tillë pushteti “të hyjnizuar”, i cili, në historinë ruse quhet “pushtetbesnikëri” ose besnikëri ndaj pushtetit. Prandaj edhe populli është i gatshëm t’i durojë të gjitha fatkeqësitë që i bien përsipër për faj të pushtetit.
Duke pasur parasysh këndvështrimin mitik të popullit rus ndaj pushtetit, vjen e krijohet një situatë e tillë, në të cilën etatizmi merr sipërinë, domethënë interesat e shtetit janë gjithmonë mbizotëruese në raport me interesat e individit. Por një gjë e tillë është e pamundur të arrihet pa shfaqje të qëndrimeve të egra ndaj individit. Sepse pushteti gjithmonë është autoritar.
Nga një sondazh që është bërë para disa vjetësh, rezultoi se “njerëzit që e konsideronin veten klasë të mesme në vitin 2008, përbënin 20% të popullsisë, kurse në vitin 2011 kjo shifër zbriti në 12%. Megjithatë, nuk ndodhi asgjë për t’u shënuar sepse kur njerëzit u pyetën nëse do të dilnin në rrugë për të protestuar, 73% e tyre dhanë përgjigje negative” (Citohet sipas: Sean Guillory. “Pse nuk e prekën Rusinë protestat e vitit 2011” (“Al Jazeera”, Katar). Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru”. 22 nëntor 2011).
Prandaj me shumë të drejtë mund të arrihet në përfundimin se prirja instinktive e rusëve për të pasur një “dorë të fortë”, mund ta shpjegojë dështimin e Jelcinit, i cili, mbi mbeturinat e mitit komunist, u mundua të ngrinte një “botë” liberale. Dhe, në heshtjen e tij dëshpëruese, jo rastësisht një ditë para Vitit të Ri 2000, ai iu drejtua rusëve nën zë:
“Ju nuk më deshët mua, atëherë e gëzofshi dorën e fortë të pushtetit të Putinit”.
Për studimin e psikologjisë së popullit rus janë marrë sociologë rusë dhe të huaj. Ndër më kryesorët mund të përmendet Nikollaj Berdjajev (1874-1948), Ksenia Kasjanova (1034-2010) etj. Në njërin nga studimet e veta, Kasjanova shkruan:
“Para nesh shfaqet një kulturë shumë e hershme dhe e rreptë, e cila kërkon nga njeriu një vetëkufizim të fuqishëm, një represion të impulseve të brendshme dhe të qëllimeve të veta të drejtpërdrejta, në të mirë të vlerave kulturore globale” (Citohet sipas: Prof. Ludmilla Poçebut (1949). “Psikologjia e popullit rus”. Marrë nga faqja e internetit “rosbalt.ru”. 05.03. 2014).
Mes studiuesve të huaj që janë marrë me këtë temë, mund të përmendet antropologu social amerikan Klajd Klakhon (Clyde Kluckhohn – 1905-1960). Në veprën e vet me titull “Pasqyra për njeriun. Hyrje në antropologji”, ai thekson se për rusët është karakteristike “nevoja për t’iu nënshtruar pushtetit” (Citohet sipas burimit të lartpërmendur).
Një psikolog rus në moshë të re nga qytetit i Novosibirskut, shkruan:
“Populli rus, psikologjikisht, është gati t’i nënshtrohet nje pushteti të fortë dhe madje diku thellë, në nivelin e nënvetëdijes së vet, ai e kërkon një gjë të tillë. Si provë e këtij fakti mund të sillet dështimi i plotë i reformave demokratike perëndimore të njëzet vjetëve të fundit. Dhe po të sjellim ndër mend historinë, atëherë mund të thuhet se periudhat më të mira, kur Rusia ka qenë “në ngritjen” e vet, janë pikërisht ato periudha, kur pushteti ka qenë i përqendruar në një mënyrë monarkiste” (Citohet sipas: Pjetër Zarubin. “Psikologjia karakteristike e popullit rus”. Marrë nga faqja e internetit “peter-zarubin.ru”. 06.03. 2013).
Në fjalët e këtij psikologu të ri bie në sy një e vërtetë e pamohueshme, të cilën e pati pohuar edhe politikani i shquar britanik Çurçilli (Sir Winston Leonard Spencer-Churchill – 1874-1965) që dikur pati deklaruar:
“Stalini ishte diktatori më i madh që nuk mund të krahasohej me askënd në botë, por që Rusinë e gjeti me parmendë dhe e la me armatim atomik”.
Popullit rus, gjatë shekujve, i kanë futur në gjak “shenjtërinë” e pushtetit, para të cilit duhet të jesh i bindur dhe i nënshtruar, sepse, sipas politikës zyrtare, cari na qenkej “vetë Jezu Krishti” dhe prandaj, “kur pushteti të shuplak njërën faqe, populli duhet të kthejë faqen tjetër për të pritur shuplakën e radhës”.
Duke pasur parasysh qëndrimin nënshtrues të rusëve ndaj pushtetit, kreu i bashkësisë moskovite të tatarëve të Krimesë Ernest Kudusovi, deklaroi publikisht se rusët janë skllevër brez pas brezi. Këtë deklaratë ai e lëshoi në studion e televizionit publik rus. Duke iu përgjigjur pyetjes së drejtuesit të emisionit se në ç’masë Krimeja, sipas mendimit të tij, është e ndarë mes pjesëve të popullsisë rusishtfolëse dhe të tatarëve të Krimesë, ai deklaroi:
“Ne duhet t’i kthehemi një çikë historisë. Së pari, populli tatar i Krimesë është popull rrënjës. Së dyti, ai është popull i përndjekur. Domethënë, në vitin 1944 atje nuk mbeti asnjë tatar për be. Stalini vendosi t’i zhdukte tatarët e Krimesë sepse ai nuk është popull që përulet si skllav, ai asnjëherë nuk e ka njohur skllavërinë. Kurse Stalini ishte mësuar të qeveriste skllevër. Prandaj ai i donte aq shumë rusët, ish-skllevërit, skllevër brez pas brezi. Është një skllavëri mijëshekullore, nuk ke ç’i bën” (Citohet sipas: “Kreu i bashkësisë së tatarëve të Moskës: “Rusët janë skllevër brez pas brezi”. Marrë nga faqja e internetit “smi2.ru”. 21 janar 2014).
Por dikush mund të pyes se ku ka qenë dhe çfarë ka bërë inteligjencia, e cila duhej të kishte marrë përsipër me kohë rolin e vet historik për emancipimin e njeriut rus, në mënyrë që ky të ndërtonte të tjera raporte me elitat qeverisëse, jashtë bindjes dhe nënshtrimit kristian para autoritarizmit të pushtetit? Pyetja është me vend, por halli është se edhe inteligjencia ruse, e dalë nga gjiri i popullit rus, ka qenë dhe vazhdon të jetë viktimë e po të njëjtit mentalitet që mbizotëron në formimin psikologjik të popullit rus në apektin e marrëdhënieve me pushtetin. Prandaj edhe ajo ka rënë në gjunjë para pushtetit.
Politologu, analisti, gazetari dhe publicisti ukrainas Viktor Kaspruk, duke u ndalur në qëndrimet e fundit të Putinit ndaj Ukrainës, shkruan:
“Gjithë vitet e qeverisjes së tij, janë vitet e turpit të popullit, janë vitet e heshtjes së turpshme, janë turpi i inteligjencies, e cila, në shumicën e vet dërrmuese, është tërhequr zvarrë para këtij njeriu pa kurrfarë vlere” (Citohet sipas: Viktor Kaspruk. “Putini gaboi rëndë me Ukrainën”. Marrë nga faqja e internetit “argumentua.com”. 07 mars 2014).
Qëndrimi i inteligjencies ruse të ditëve të sotme ndaj pushtetit, zbulon po të njëjtin qëndrim që ajo ka mbajtur tradicionalisht ndaj tij edhe në kohën e carit. Prandaj edhe Anton Çehovi (1860-1904) e stigmatizon me rreptësi një qëndrim të tillë:
“Unë nuk i besoj inteligjencies sonë, një inteligjencie kjo hipokrite, e paqenë, histerike, e paedukuar, mashtruese, nuk i besoj madje edhe kur ajo vuan dhe ankohet, sepse përndjekësit e saj dalin po nga radhët e saj”. (Citohet sipas: “Letër N.I. Orllovit”. 22 shkurt 1899. Marrë nga faqja e internetit “livejournal”. 22 mars 2009).
Nga sa vërehet, mund të thuhet pa mëdyshje se fatkeqësia e popullit rus qëndron në faktin se ai është i prirur për t’i besuar shumë më tepër propagandës së pushtetit, sesa bëmave të tij. Një dukuri e tillë nuk mund të mos i binte në sy fiziologut të shquar rus, akademikut I.P. Pavllov (1849-1936), i cili, katër vjet para se të kalonte në pasjetë, ka shkruar:
“Më duhet të shpreh pikëpamjen time të trishtuar për njeriun rus: ai ka një sistem trunor kaq të dobët, saqë nuk është i aftë ta rrokë realitetin si të tillë. Sipas këndvështrimit të tij, ekzistojnë vetëm fjalët. Reflekset e tij të kushtëzuara janë të bashkërenduara jo me veprimet, por me fjalët” (Citohet sipas faqes së internetit “censor.net.ua”. 15 shkurt 2010).
Santa Barbara, Kaliforni
25 mars 2014