Marjana Bulku : Zonja Pertefe, nëse do t’ju kërkohej një biografi e jetës tuaj si do ta përmblidhnit në fare pak rrjeshta atë?
:Jam prej Shqypnijet,
Shqyptare e bijë shqyptarit.
Kam le n’at mollë Shkodre n’krye t’Gegnis’
Prej kah s’parit Shqyptarisë
Zu me i shndritë hylli I lirisë.
Atë Gjergj Fishta “Shqyptarja e Qytetnueme”
Jam lindur, rritur e shkolluar në Shkodër. Jam emëruar mësuese më 1960, në moshën 18 vjeçare, 7 km larg qytetit, në Vrakë, në shkollën ku ka dhënë mësim Migjeni. Im atë, më uroi që ndoqa profesionin e tij, por më tha: “Tani fillon puna jote si nxanse.” Në të vërtetë ashtu ndodhi, krahas punës vazhdova Institutin 2 -vjeçar në Shkodër dhe në vazhdimësi Universitetin në Tiranë, për Gjuhë -Letërsi, diplomuar me 1965. Jam përpjekur të ndjek këshillat e mësuesit tim të parë në familje, edhe sot që po shkruaj në moshën 80-vjeçare, ndihem se jam nxënëse, paçka se disa rrethana specifike më detyruan të shkruaj nga përvoja ime si mësuese duke e ruajtur këte status deri në fund të jetës.
2.Artikulli juaj i parë përcillte një diapazon dijesh edhe pse bota letrare e kohës ishte e kufizuar dhe plot kushtëzime ideologjike e politike , si e kujtoni ju atë?
Kam filluar të shkruaj, kur bota u lëkund nga tërmeti i i shembjes së komunizmit, kur filloi të hapet sipari i Demokracisë.
Artikulli I parë që kam shkruar ishte në prag të prishjes së shtetit totalitar “Mbi disa kufizime ideore në letërsi” Gazeta Drita 1 korrik 1990. Ishte një mllef i akumuluar ndër vite, sepse për fat të keq letërsisë i mungonin mendjendriturit si ;Fishta, Koliqi, Prenushi, Camaj, Pipa, Ali Asllani,… dhe interpretimit në prozë e poezi i mungonte logjika letrare ,kuptimi estetik, të cilat ishin zëvendësuar me nocionin Partishmëria e cila gjykonte deri edhe kategoritë estetike.
Ishte një “shfajsim” përpara nxënësve, sepse kur unë përgatitesha për të dhënë mësimin me autorë të aprovur nga M.A, duhet të kisha përpara një kodeks të imponuar, nga një ideologji e gabuar. Jo vetem kaq por edhe lënda në programet mësimore ishte e cunguar dhe pa kollosët e Artit të huaj apo vendas dhe ata që kishin kaluar nëpër filter do t’i gjykonim me frymën e kritikës M-L(marksiste -leniniste)
Me këtë komunikim modest dua të paraqes momente nga përvoja ime në me shumë se katër dekada si nxënëse dhe mësuese. Mendoj se mund të kontribuoj sado pak me njoftë vështirësitë që kishim në mësimdhënie në interpretimin e një komenti letrar, në sensin estetik dhe historik kur kufizoheshim nga ligje të rrepta të metodës së realizmit socialist . Nuk kam marrë përsipër që të çliroj tekstet shkollore nga këto ndikime, nuk e kam ate fuqi, pasi ka forca politike e kulturore me ndikime nga më të ndryshmet, që vazhdojnë të imponojnë qëndrimin partiak në shkolla por përvoja ime mund të ndikojë se si mund të çlirohet letërsia dhe arti nga këto qëndrime.
3.Si e lexoni ju sot dhe atëherë ndikimin e propagandës politike të partisë shtet përmes letërsisë ?
Dua të specifikoj në këtë kontekst të pyetjes suaj se vetëm Letërsia e Rilindjes ishte në shërbim të çështjes kombëtare, në funksion të një zgjimi kombëtar, në lëvrimin e gjuhës shqipe, por sipas ideologjisë së imponuar unë duhet të mbaja qëndrim kritik edhe ndaj Naimit, Apostullit të Shqiptarizmit.
Po të referohemi te poezia “Shkendijë e Diellit ndaj Manushaqes” që simbolizon Shqipërinë, poeti i bën thirrje” Pse s’ ngre kryet përpjetë”…
“Pa shiko lulet ‘e tjera,/ Q’u çel’e u lulëzuan”… sipas kritikës të imponuar unë duhet të shtrembëroja anën historike se “lulet e tjera” që përfaqësojnë qytetërimin evropian, nuk duhet t’i marrim si shembull, Evropa duhet të kthejë sytë nga Shqipëria sepse – lulëzon dhe qëndron si shkëmb graniti.. Vargjet e Naimit “Po mos u tremb, bëhu trime//Edhe ki Durim e shpresë// E pa silli Zotit besë /Dhe kësaj fjalës sime” // duhet të shndërroheshin në propagandë politike se vetëm mësimet e partisë dhe të diktatorit duhet të dëgjoheshin duke na imponuar një qëndrim jo të lirë ndaj veprës dhe rrjedhimisht duke na e kufizuar të lexuarit dhe të menduarit kritik ndaj veprave letrare çka sipas meje e ka dëmtuar shumë formimin e një mendimi intelektual të pavarur.
4.A mendoni se Disidenca dhe letërsia e ndaluar do të kishin pasur rol të rëndësishēm në zhvillimin e mendimit kritik, të lexuarit kritik në letërsi dhe përtej letërsisë.
Është e vërtetë që ajo kohë deformoi disa liri që në kuadrin e letërsisë përfshijnë lirinë e autorit po ashtu edhe atë të konsumatorit pra lexuesit Më kujtohet historia e një mësuesi akademik, Pal Doçi, i cili jepte mësimin e historisë në një shkollë teknike që për mungesë lokali ( mjedisi fizik ) i zhvillonin mësimet në klasat tona kur ne kishim mbaruar mësimin .Një ditë prej ditësh e arrestuan përpara nxënësve, sepse ai ishte i dhënë pas Fishtës dhe recitonte vargje nga” Lahuta e Malcisë.”
Ne revoltoheshim dhe e përjetonim shumë keq padrejtësinë, por nuk guxonim të bënim asgjë, zgjidhnim heshtjen, dhe e vuanim pazotësinë tonë për të reaguar.
Desidentët e parë i kisha përballë në klasë.
Kisha nxënës kritikë, të cilët më bënin pyetje të cilat e kisha të vështirë t’ju përgjigjesha. Nxënësi, I.Demalia, (natyrë impulsive) sot shkrimtar, gazetar opinionist, nuk më ndaheshte me pyetjen:
-Pse nuk e mësojmë Fishtën?!..
Nuk i përgjigjesha, edhe pse unë isha rritur me librat e Fishtës …..pyetja e tij më ndrydhte në burgun e heshtjes.
Më janë drejtuar disa nxënës, në klasa të ndryshme me pyetje nga më të ndryshmet për fabulën e D.Agollit. “Kali e Gomari “.
Fshatari i binte kalit për të ecur sa më shpejt për në destinacion, por përpara kishte gomarin që ecte ngadalë, kali i revoltuar i thotë :
“Hej mbaj dorën se pastaj ta hedh përdhe samarin //Ti para meje pse ma nxjerr gomarin ?// Përpara nxirrmë mua të mos vuash // dhe rrih pastaj gomarin sa të duash// Kështu e ka kjo botë e mjerë e marrë// Përpara nxjerrin veç gomarë//…..
Pyetja e nxënësit ishte: Për ke e ka fjalën Driteroi? Ata e dinin përgjigjen sepse në instancat më të larta shtetërore viheshin njerëz të pashkolluar, kur vendi kishte nevojë për ekonomistë të zotë, organizatorë të aftë dhe jo kuadri nga “Shkolla e Partisë”
Nxënësit e Gjimnazit “K.Kristoforidhi” ndiqnin mësimet pa shkëputje nga puna, e njihnin mirë realitetin. Një pjesë vinin nga familje të persekutuara por të fisme e të kulturuara, por që i kishte gjemb në sy Diktatori. Ngjarja më e trishtë që më ka ndodhur në ushtrimin e profesionit ishte kur arrestuan jashtë shkollës, një nga nxënësit më të qetë, më të interesuar për mësimin, por që qëndronte gjithmonë në fund të bankave… .
Për një sqarim ishim thirrur në hetuesi bashkë me kolegen time, për t’iu përgjigjur disa pyetjeve. Aty morëm vesh që nxënësi ynë,i kishte dhënë një shoku, ku punonte një libër të vjetër, me përmbajtje fetare.
-I shikon ato libra – më tha hetuesi: -janë marrë në shtëpinë e nxënësit tuaj. Shpërndante literaturë për historinë e Papëve të Romës. Përgjigjja ime ishte: -Mbaj mend që nxënësi ynë në shkollë ka sjellë librin” Lulet e Verës” të N. Frashërit dhe po çuditëm për këto libra që keni këtu….
Djalit të pafajshëm i bënë gjyqin në lagje, ku e mbrojtën të gjithë dhe pastaj e falen.
Nxënësi ynë nuk u kthye më në shkollë. “Faji” i tij ishte, se kishte përhapur “opium” sepse kështu konsiderohej feja “opium për popullin” e sidomos religjioni katolik i djalit i tmerronte kriminelët antikulturë. Unë nuk e mora vesh fatin e tij edhe pas 90-tës, nuk e dija se ku ishte Ai djalë me shpirt të pastër, të shihte pritjen madhështore të Papa Vojtilës dhe të Nënë Terezës në Shkodër; Që sollën dritë dhe shpresë në zemrat e shqiptarëve, puthën dhe e bekuan tokën e martirëve. Apo të dëgjonte fjalët shpirtërore të Papa Françeskut, që zëvëndësoi shprehjen tolerancë fetare duke thënë se këtu në Shqipëri ka —Vëllazërim Fetar—
5 .Cili është gjykimi juaj për letërsinë shqiptare brenda kornizave të kohës?
Në komentet e mia të veprave të Naim Frashërit, Ndre Mjedês apo shumë autorëve të programeve shkollore nuk mund ta evitoja emocionet letrare nga ato fetare ku shkrihet njerzorja në harmoni me natyrën, familjen besimin që kishin në Zotin natyral si krijuesin e gjithçkaje, i qenieve të gjalla, i qumshtit, i bukës,i zjarrit…Si mund të mos trajtoja varfërinë e tyre kur nxënësit e mi e shprehnin hapur “kemi harrue ngjyrën e qumshtit”, dhe të produkteve blektorale që jepeshin me listë. Si mund t’i deformoja ato vargje perla,plot bukuri, harmoni, punë që i jepnin gaz njeriut për të shijuar frutin e punës, ku nepërmjet tyre duhet të transmetoja mesazhe paqeje e dashurie njerëzore.
Po këto vështirësi i kam hasur edhe me dukuritë estetike si koncepte, që duheshin trajtuar në përputhje me ideologjinë klasore.
Pyetja e një nxënësi – Si duhet ta kuptojmë karakterin klasor të së Bukurës? …. Një lule është e bukur në tryezën e punëtorit dhe e shëmtuar në tavolinën luksoze të borgjezit ?! U mundova të sqaroja këte nocion estetik, pasi kisha lexuar një përkthim nga rusishtja të A.Uçit, por, që as vetë nuk e kuptoja, sepse jepeshin shpjegime të kundërta.
Edhe pse ishte një zgjidhje artificiale për konceptin e të Bukurës, që kisha në diskutim me nxënësit, më ndihmoi shumë, të kuptoja se në raste të tilla, duhej gjetur një artific për të dalë nga situata, sepse të përligjësh të bukurën me konceptin e partishmërisë ishte antiart.
6.Si e lexon , kupton dhe përcjell një letrare si ju realitetin përtej letërsisë më sakt sa aktive është një sy letrar ndaj realitetit jashtletrar .
Letërsia të mëson ta shohësh jetën me mendje të hapur por veçanërisht është liria ajo që të nxit pareshtur edhe kujtesën por edhe mendimin.
Viti 1990 erdhi me ngjarje që po evoluonin drejt rrëzimit të shtyllave të regjimit më të egër komunist. Marrja zvarrë e shtatorës së Diktatorit, nga rinia studentore në shkurt të 1991 më bëri të kujtoj tim At me të cilin më kishte ndodhur një keqkuptim, me rastin e pritjes së Hrushovit në Shkodër 1959. Shkollës pedagogjike i ishte caktuar vendi i pritjes në hyrje të Shkodrës. Para se të mbërrinin makinat shoqëruese erdhi një urdhër, që 4 vajza pasi të udhëzoheshin, t’i dilnim përpara makinës,me buqeta lulesh, për të pritur Udhëheqësin rus dhe udhëheqësit shqiptarë që shoqërornin.
Kur ai erdhi në Shkodër kishte një mobilizim të jashtzakonshëm e të përgjithshëm për pritjen. Shkollën tonë e kishin caktuar në hyrje të qytetit. Pak përpara se të vinte eskorta, na ndajnë nga radha, na japin nga një tufë lule në dorë për të përshëndetur udhëheqësin e një shteti të madh dhe dy krerët më të lartë të shtetit shqiptar që e shoqëronin. Gjithçka u realizue shumë shpejt, ne dhamë lulet, kur ata ishin brenda në makinë dhe u larguam, nuk i ndoqëm nga pas, por devijuam në rrugën tjetër sipas urdhërit. Pa mbërrijtur në shtëpi im atë më kishte dalë përpara, diçka e pakuptueshme për mua. Im Atë kishte një pamje të pazakontë, deri sa mbërritëm në shtëpi ecëm pa folë. Ishte gati të më thoshte diçka, por unë asgjë s’po kuptoja. Filloi të më pyeste nëse ishim piketuar një ditë përpara për të bërë përshendetjen me lule Hrushovit. Im Atë më bësoi kur i a shpjegova , por nuk u ndal, duke më thënë: Kur u bë pritja për Konti Çianon në Shkodër, kishin piketuar nënën tënde t’i dilte përpara e veshur me kostum kombëtar dhe t’i dhuronte lule pushtuesit, unë nuk e pranova, si denim më transferuan…..
Kjo përsëritet edhe me vajzën time e cila i uron mirëseardhjen një njeriu që të ka PUSHTUE TRUNIN .
Kjo bisedë me tim Atë mbeti sekret edhe nga pjesa tjetër e familjes. Që nga ky moment fillova të mendoj ndryshe, sigurisht në heshtje.
Kjo kujtesë më shtyri të shkruaj artikullin “Pse nuk jam marksist”, sipas titullit të një shkrimi analizë të B.Merxhanit.
Në prill 1991 e dergova shkrimin te “Gazeta Republika” ku në redaksi takova me Z. Petro Marko, i cili më falenderoi duke më thënë ..Oh ç’ma kujtove këte emër!
Siç duket pas vitit 1990 erdhi koha të pohoheshin me mendje të kthjelltë, këshillat e urta të Brankos.
Ja disa prej tyre ;
“………Një popull që heq dorë prej së drejtës të njësisë kombëtare të tij për të mos sakrifikuar gjë është popull pa vlerë etike ….
Vetëm po ta kemi Kosovën ne mund të ngremë një shtet të lirë dhe të vetëmjaftueshëm me kuptimin e zakonshëm të kësaj fjale …
Me Kosovë mund të sigurojmë dalëngadalë një farë pavarësie ekonomike që i lidh kombet ndërmjet tyre kontinentalë dhe ndërkontinentalë..
Kosova duhet të jetë e jona sepse është shqiptare …Zotëron gjithmonë zëri i gjakut i gjuhës dhe i që i mbajnë kombet në këmbë dhe i shpëtojnë nga rrebeshet e kohës….. B.M.( Tomorri 4 korrik 1943).
Ka patur mjaft problematika që më kanë nxitur të shkruaj një numër artikujsh për çështjen e Kosovës dhe të Çamërisë, që kur fillova udhëtimet e para jashtë Shqipërisë.”
Me rastin e festës së Republikës së Kosovës me 2 korrik 1992, ishim të ftuar në Gjenevë
të Zvicrës nga Fondacioni Scolarship, themeluar nga Dr. A. Gjinovci..me një grup artistik .Ngjarja e 2 Korrikut për shqiptarët kudo ndodheshin, ishte moment bashkimi, shprese, lirie, ku i kushtoheshin këngë trimave të Kosovës dhe strategut e themeluesit të Republikës në mërgim Dr. Rugovës. Entuziazmi i Shqiptarëve të Zvicrës në harmoni me grupin artistik, krijoi një atmosferë festive mbresëlënëse, që e përshkrova në artikullin “Kënga na bashkoi zemrat”, publikuar te Gazeta ‘Rilindja’ e Gjenevës.
Pas këtyre ngjarjeve në verën e vitit 1992 Prof. Repishti, vjen në Atdhe, pas largimit të gjatë i ndëshkuar padrejtësisht nga diktatatura komuniste.
Prof. Repishti erdhi me një ngarkesë malli e dashurie për të gjithë dhe urrejtje për askënd , siç përsëriste vetë:“Atdheu nuk më ka faj”.
Dhe ashtu u prit, pa protokoll ceremonial, por krahëhapur nga familjarët, nga miqtë nga bashkëvuajtësit nga gjithë shqiptarët. Ishte një pritje e ngrohtë, ku dashamirët e rrethuan si një prijës, si simbol i urtësisë, si udhërrëfyes, për të sjellë eksperiencën e demokracisë amerikane, si qytetarë i lirë në Sh.B.A. dhe shpresë për të ardhmen. Këte vizitë të thjeshtë familjare, shkodranët e kthyen në një festë të përbashkët, ku oborri i lulëzuar i Repishtëve u kthye në nje kuvend miqësor,
Në vizitën që bëri Prof.Repishti në shtëpinë tonë, ne ftuam bashkëvuajtësin e tij, Z. Osman Kazazin, ku u bënë biseda të këndshme, të sinqerta pa u përmendur e kaluara. Peripecitë e familjes Kazazi i kam evidentue në shkrimin “Pesë Motrat” te gazeta “Liria” ndërsa për vizitën e Prof .Repishtit “Një mesazh nga Diaspora”
Me 1992 u krjijua Fondacioni shqiptaro Amerikan “Harry Fultz” në SH.B.A. me kryetare Zonjën Johan Fultz Khontos. Qellimi i këtij Fondacioni ishte mbështetja e shkollës teknike në Tiranë, në të njejtën rrugë që ndoqi Harry Fultz.
Qellimi ishte, formimi i plotë i të rinjve dhe kontributi i tyre në zhvillimin e shoqërisë moderne. Ishte inisiativa e Kryqit Kuq i të rinjve amerikanë 1921, të cilët ndertuan një program model për asistencë teknike, duke synuar të ngrinin një institut si “Robert College” edhe në Shqipëri. Drejtori Harry Fultz 34 vjeçar, profesor i arteve mekanike,talent si pedagog teorik e praktik, përveç të tjerave themeloi edhe gazetën e shkollës “Laboremo”.
Nga Zonja Johana Fultz Khontos mora një ftesë, kur ajo erdhi në Tiranë për të marrë pjesë në tubimin me anëtarët e laboremos, ku u vlerësua vazhdimësia e shkollës me të njëjtat motive si babai i saj H.Fultz. Ajo më ftoi edhe në Ambasadën Amerikane, për një drekë së bashku me Zonjën Andromaqi Adam ( e cila me rastin e rihapjes së Ambasadës Amerikane ngriti flamurin e SH.B.A.-ve ), ku këmbyem mendime për problemet e shkollës teknike.
Kjo lidhje më ngjalli interesimin të shkruaja për këte shkollë, që nxori kuadro të kualifikuar, por shumica e tyre u persekutuan, u burgosën, u ekzekutuan, nga rregjimi famëkeq. Është e rastit të përmend Mustafa Gjinishin, i cili që kur ishte nxënës i shkollës teknike, shkruante shqip edhe anglisht, në gazetën e shkollës. Më ka pëlqyer që kishte zgjedhur për të përkthyer në anglisht poezinë brilante të Fishtës ”Gjuha Shqipe” po shënoj vetëm një varg(….porsi ushtima e një termeti, ngjashtu a gjuha e jonë shqiptare”…..As the power of the earth quake//So is the Albanian tongue//)
Miqësia me familjen e Prof. Beqir Haçit, nga lidhjet me familjen Leka, më kishin zgjuar me kohë interesin të studioja veprat e tij, si student dhe mësues i shkollës teknike “Harry Fultz” që rezoltuan me artikujt. ”Prof.Beqir Haçi, student dhe mësues i shkollës amerikane, viktimë e komunizmit”, “ Mesuesi vizionar për të ardhmen e kombit”.
Udhëtimi me avionin e parë amerikan ‘Arbëria Airlane’, nga Tirana në New York, janar 1993, që zbriti në tokën shqiptare pas gjysmë shekulli të mbylljes nga diktatura, hapi rrugën për shumë takime e aktivitete.
Ishte një mrekulli që hapësira e Avionit Ishte vetëm me shqiptarë. Udhëtimi prej 10 orësh, u kthye në një kuvend në lartësi, ku secili tregonte arsyet e udhëtimit, i pari bashkshorti im, Luani, do të takonte vëllanë pas 50 vjetësh, Dr. Lekën, të tjerët do të vendosnin lule në varret e atyre, që nuk arritën t’i shihnin kurrë. Takimi në avion më Z. Adem Haxhaj ishte një minierë tregimesh për fisin Haxhaj, me luftëtarë shumë të përmendur në luftën e Malcisë për liri, të dokumentuara te “Lahuta e Malcisë”….
Kur arritëm në Aeroportin Kenedi jemi pritur me flamuj, sikur vinim nga kozmosi. Patëm fat që ky udhëtim koinçidoi me vizitën e Dr. Rugovës në N.Y, ku e ndoqëm në dy takime, në Columbia University dhe në Boston. Atje na bëri krenarë një takim i përzemërt i Dr.Rugovës me Prof.Repishti, Atë Artur Liolini, Imam Rifat Dalipi, Antoni Athanas …. të cilët së bashku na u paraqitën si fortesë e një solidaritet mbarë kombëtar, shpirtëror dhe mendor si shpresë për një të ardhme pa konflikte.
Më ka mbetur në kujtesë, takimi në këte darkë me Zotin Sejfi Protopapa. (1923-2014, veprimtar i rezistencës shqiptare i lidhur me Ballin, person shumë i njohur nga familja Leka.
kishte mbaruar për fizikë bërthamore, kishte arritur deri inxhinier i NASA-s .
Ishte shumë gazmor, me një shpirt rinor, shumë i këndshëm në bisedë, nuk përmendi të kaluemen, megjithëse kishte mbetur shqiptar i madh, antikomunist.
Nuk iu shfaqa menjëherë se e njihja emrin e tij, nepërmjet filmit “I teti në Bronx” dhe romanit “Komisari Memo”. Kur mori vesh se Isha mësuese letërsie e përmendi vetë personazhin e romanit “Sali Protopapën”. Atëhere i tregova një batutë nga nxënësit.( Ishte rast i veçantë që filmi me skenar të D.Agollit “I teti në Bronx” u shfaq para se të botohej romani. Kur romani hyri në programin mësimor dhe filluan analizat dhe komentet letrare, nxënësit kishin njohuri më shumë se unë, pasi e kishin parë filmin disa herë.) Sa paraqita tekstin për komentin e radhës, një nxënës u ngrit dhe më tha: Mësuese thuaj çfarë të duash për Sali Protopapapën, por dashin në sofër mos na e përmend se na shkon goja lëng….
Zoti Sejfi qeshi, por edhe u lëndue: “ky emër që nuk kishte lidhje fare me mua u bëri shumë
dëm njerëzve të mi në Shqipëri”….
Këte udhëtim të paharruar e publikova me shkrimin “Nga Tirana në New York “ 1993, vepër e pilotit nga Tuzi, Tomë Gjokaj, vëllai i piktorit të famshëm Gjelosh Gjokaj dhe veprimtarit të mirënjohur që hapi emisionin shqip në Radion e Malit të Z,Gjergj Gjokaj. ( Gjergji student i gjimnazit Jezuit në Shkodër, i Normales në Gjakovë, i diplomuar në filologji, Beograd, mësues, publicist, themelues i revistës në gjuhën shqipe “Koha”, shkrimtarë, përkthyes, politikan, humanist i njohur në pajtimin e gjaqeve…)
Vëllezërit vinin nga një fis, ku ishin përjetësuar në gurrën popullore, ndaj i paraqita në shkrimin: “Dy fe në një fis të gjithë bashkë për Shqipërinë”.
Edhe pse ishte udhëtimi i parë përtej oqeanit, nuk e shijova si turiste, por me takime që më hapen një horizont të gjërë për të shkruar, për njerëz dhe ngjarje, që nuk i kisha dëgjuar e njohur më parë. Të parin shkrim që botova në N.Y në gazetën Illyria ishte ”Trimëresha Bade Alushi”,e ngjashme me Tringën e Norën e Malcisë, ishte bija e Alush Smajlit nga Hoti I Kujit, ”Sot mbi shkja m’asht çu lugat” i gdhendur në vargjet e Fishtës dhe të njohur nga urtësia popullore “Pushka e Hotit dhe ndihma e Zotit”.
Historiografia shqiptare as që i kishte përmendur bëmat e paraardhësve të tyre. Këto i mësova në familjen e Shpend Haxhajt e vllazni fisnore, të cilët u benë edhe kontribuesit kryesor për ringalljen e Gazetës” Kosova. Trimat e këtij fisi, pas shembjes së diktaturës në Shqipëri, u dekoruan, u ngritën në vendin e nderit, ku i takonte kontributit të tyre, Atdhetarë.
Para se të udhëtoja për N.Y. mora pjesë në një konferencë në Gjimnazit 28 Nëntori Shkodër, me rastin e 70-Vjetorit të krijimit të Gjimnazit 1922-1992. Një tubim ku do të shpërndaheshin dekoratat për nxënës e mësues martirë të kësaj shkolle, të vrarë nga kriminelët komunistë.
Familjarët, pas dhimbjeve gjysmë shekullore, do të merrnin dekoratën “Martir i Demokracisë” për ata që kishin qenë elita intelektuale e kësaj shkolle .
Kur u thirr disa herë emri i ish drejtorit të Gjimnazit, M.Ivanaj, i vdekur në burg, nuk u paraqit asnjëri, për të marrë dekoratën. Unë e kisha shumë të njohur figurën e Zotni Mirashit, siç e thërriste im Atë mësuesin e vetë. Im Atë e përmendte si shembull të punës, të disiplinës, të dijeve, të karakterit të pamposhtur. Ndërkohë mbaja mend emrin e mbesës tij, Drita, nga një intervistë të saj dhënë Zërit të Amerikës .
Ndaj kur mbërrita në N.Y. e ngarkuar me këte emocion, u vura në kërkim të mbesës tij, që t’ia transmetoja, nderimin që po i bëhej Axhës saj, nga institucioni. ( ku Ai kishte qenë organizatori kryesor që vuri themele të forta në ate shkollë për edukimin e brezave.)
Nga takimi në shtëpinë e Dr. Agim Lekës, i cili na bëri lidhjen, e ftova Dritën të vinte në Shqipëri, në shtëpinë time. Ajo e pranoi ftesën me kënaqësi dhe që atë ditë, si në takimin e parë e deri tani kam vazhduar të kontriboj pa rezerva për të evidentuar vlerat e vëllezërve Ivanaj, pasi çdo aktivitet i tyre ishte i dokumentuar në dosjet e sekuestruara që ndodheshin në Arkivin e Shtetit.
Drita erdhi në Shqipëri pak muaj pas takimit tonë. Organizimet e para të njohjes së Dritës me personalitete në institucionet përkatëse u realizuan nga angazhimi i Luanit, i cili me vullnet dhe këmbënguljen që e karakterizonte mundi të realizonte shumë takime të rëndësishme që i duheshin Dritës për të realizuar projektet e saj në vendin e origjinës.
Vizita e parë në Shkodër me ish studentë të M.Ivanaj dhe me drejtorin e Gjimnazit A.Beli për të marrë dekoratën, ishte surprizuese, se si me një lajmërim nga familjarët e mi dhe miqtë përreth, u mblodhën aqë shumë shkodranë të vjetër e të rinj, që e ruanin të gjallë kujtimin, për Zotni Mirashin. Pas dy muajve Drita erdhi përsëri për të përkujtuar 40-vjetorin e vdekjes të Prof.Dr. M.Ivanajt. Për organizimin e konferencës, Luani u lidh me shoqatën e të përndjekurve, ku së bashku me to vunë në lëvizje shumë organizma, ku u ftuan personalitete si Z.Osman Kazazi,
Z. Pjetër Arbërori ( Kryetar i Parlamentit), Dr. Jakov Milaj, Ministri i Arsimit, Xh Teliti, Z.Uran Butka, Z.Kolec Topalli, Z.Vili Minarolli, Z. Iljaz Gogaj, ( biografi i M.Ivanajt)
Jam angazhuar me një punë intensive, sidomos, kur u krijuan “Fondacionet M.M.Ivanaj Foundation, Institut” në Tiranë e New York 1995-1996 me adresën e telefonin e shtëpisë tonë, ku për kohën ishte mirë që dispononim makinë shkrimi, fax, kompjutër edhe printër të siguruara nga familjarët tanë jashtë Shqipërisë.
Drita qëkur vuri këmbën në Shqipëri, mendoi për të themeluar një Institut për Rininë, duke vënë në dispozicion gjithë pasurinë e sekuestruar, rikthimin e së cilës e mori përsipër Luani, i cili e realizoi pa asnjë shpenzim nën dorë, kur korrupsioni filloi të merrte përmasa nga bijtë e atyre që lanë pushtetin pasi sipas porosisë, që u la i pari i tyre në ikje, zunë kyçet kryesore të ekonomisë.
( Ne, u përfshimë familjarisht për mbarëvajtjen e Fondacionit, Arenci formuloi bukur logon e Fondacionit, Altin kontribon financiarisht dhe mban lidhjet e Fondacionit të NY me të Tiranës.)
Organizimi i konferencave në emër të Fondacionit, Tiranë, N.Y, Tuz, në Media, ku kam referuar Ishin burim i shumë kumtesave dhe artikujve studimorë që e pasuruan publicistikën e shkruar.
Në N.Y. dy personalitetet, më të rëndësishëm për mua ishin Dr.Leka, kunati, dhe Prof. Repishti që kisha njohje të hershme në Shkodër. Ata ishin të lidhur mes tyre pasi Zonjat e tyre Elizabeth dhe Diana ishin motra. ( Zonjat vinin nga prindër emigrantë, familje të vjetra Gjirokastrite babai, Kadri Çipi dhe nëna Tefta Bejko Çipi nga Gjirokastra. Pasuria e vetme e tyre ishte shkollimi i vajzave të cilat u diplomuan me “Cum laude”B.A. Dy motrat, Elizabeth Leka dhe Diana Repishti shërbyen si mësuese edhe në shkollën shqipe të cilën e hapën në Queens në vitin 1967-69 me ndihmën e bashkëshortëve ).
Familjet, Leka e Repishti në N.Y. ishin krijuar sipas traditave shqiptare dhe sipas pavarësisë dhe lirisë individuale që garantonte demokracia amerikane. Shtëpitë e tyre ishin qendra kulture me bibliteka shumë të pasura dhe ata personalisht ishin secili një institucion më vete, prej të cilëve kam marrë shumë informacione për shumë personalitete të diasporës si takimet e tyre me Fan Nolin, me Vatranët e parë….
Studime për publicistikën e Dr. Lekës, që është aktuale edhe për sot, e kam paraqitur në shumë artikuj.
Publicistika e Prof.Repishtit sot 97- vjeçar është surprizuese.
Profesori vazhdon të shkruajë duke dhënë mendime të vlefshme për situatën kombëtare dhe ndërkombëtare si Shqiptaro-Amerikan. Me një mendim të kthjellët e progresiv, për probleme kardinale, është bërë sot një Orakull i vërtetë i botës shqiptare. Deri më sot është i paarritshëm, për numrin dhe cilësinë,e artikujve të shumtë e të përditshëm.
Vetëm një qendër studimore – shkencore shqiptaro- amerikane e veçantë për Prof. Repishtin mund të realizojë studimin e veprës tij.
Kam qenë pjesëmarrëse në një konferencë që organizoi Prof.Repishti në “Debal Garden” ( një vatër e ngrohtë shqiptarësh, një qendër kulture, ku promovoheshin, libra, ku bëheshin takime me personalitete shqiptar dhe amerikan, ku beheshin mbrëmje artistike, vepër e një atdhetari të përkushtuar Demë Bali Dema). Tubimi u bë me rastin e 50-Vjetorit të Konferencës së Bujanit, ku u angazhova edhe unë. Referova për ngarjen, pasi i kisha marrë të dhënat nga një pjesëmarrës aktiv gjatë luftës, Z.Jerina, i cili kishte qenë present, gjatë zhvillimit të bisedimeve, në Kullën e Sali Manit, i ngarkuar me sherbim si roje. Kjo ishte vetëm një që asistova unë, por konferenca të tjera të nivelit të lartë që organizonte Prof.Repishti as që numëroheshin.
Më kanë tërhequr vëmendjen edhe personalitete amerikane që kanë pasqyruar histori shqiptare si shkrimtarja amerikane, Rose Wilder Lane në veprën e saj “The Peaks of Shala”,”Majat e Shalës”.
Ajo erdhi në Shqipëri si misionare e Kryqit Kuq Amerikan me 1920, në një qendër humanitare në Shkodër, në qytetin tim të dashur.
Kur mësova për veprën e saj, mendova të shkruaj. Duke gërmuar, gjeta lidhjet e saj me familjen e Rexhë Metës, me të cilët kishim shtëpitë përballë. Ishin histori interesante të cilat i publikova.
Gjithashtu edhe për shkrimtarin amerikan Henry W. Longfellow, i cili shkroi poemën Scanderbeg (Turkey in Europe, and Principalities Albania) përkthyer nga F.Noli, e kam cituar në një shkrim për Dora D’istrian, pritjen në mënyrë ceremoniale, që i bëri në Rezidencën e vet Shkrimtari Longfellow, Princeshës Romune me origjinë shqiptare, Elena Gjika.
Njohja me Kompozitoren amerikane Lou Green (Lucille J.Greenfield, datëlindja 1929) ish- studente e Columbia University e cila bashkpunonte me poeten Mary F. Langford, dhe me Poetin Indian D.Kabadi, i cili kishte qenë në krye të luftës për Indipendencë me Mahatma Gandhi.
Unë kam komunikuar me shumë me Lucille, atëhere kur filloi të ndërkombëtarizohesh çështja e Kosovës.
Ajo bashkpunoi me Arencin, djalin tim, kur Ai luante në violinë kompozimet e saj, dhe së bashku nxoren C.D. me titull “In soul in Spirit”
Ajo kompozoi një seri këngësh për Kosovën: “Free Kosova in children name”,” Widow of war” “The Eagl’s Song”, këngë kushtuar “ Flora Brovinës” etj…….me vargje të poetës C.O’Nail Shkrimin e publikova me titullin “Kompozitorja Amerikane që i këndoi ngjarjeve të Kosovës”
Kengën “Free Kosova in children name “ e mora me vete kur u ktheva në Shqipëri, pasi ishin vite kur shqiptarët e Kosovës, të përndjekur nga gjenocidi serb, po priteshin ngrohtësisht në Shqipëri.
Në atë kohë unë bashkëpunoja me misionaren Angleze Sherley Ward e cila hapi shkollën Anglo-shqiptare “Fenix” në Tiranë me fëmijë parashkollorë. Unë u angazhova dhe mora përsipër
të filloja një punë të re paçka se nuk kisha përvojën e duhur për metodikën e punës me moshat 5-6 vjeçare.
Për të bërë përgatitjen për mësim, më duhej të njihja metodat bashkëkohore, që drejtoresha Sherley m’i solli mjaftueshëm, jo vetëm metoda angleze por edhe franceze.
Por lidhja me Dr.Jose PH Villa Maria nga Town House International School, N.Y. i cili më solli pa hezitim, metodikën e Maria Montesori më plotësoi shumë njohuritë për të vazhduar . Për më tepër më ftoi në një Konferencë “Symposium for International Montessori Teachers” May 1988 në (1209 Park Avenue, 94.St. N.Y.)
Zgjedhja e kësaj literature më bënë më të sigurtë për edukimin e vogëlushëve, pas të cilëve u afeksionova dhe iu vura punës me pasion. Duke siguruar këte bazë të mjaftueshme, më duhej t’i vihesha një studimi intensiv që as në përgatitjet për shkollën e mesme nuk i kisha bërë me këte preokupim, sepse gjithçka ishte e re për mua. (Aty më lindi ideja që të eksperimentoja, që fëmijët ta fillonin klasën e parë që në moshën 5 vjeç. Me ata fëmijë që kisha, puna ishte e suksesshme, por nuk kisha mundësi të zgjerohesha në masë, nga të gjitha shtresat shoqërore, kështu puna më mbeti në letër. Studimi është me vlerë sepse kam trajtuar tema nga eksperienca ime me fëmijë parashkollorë në atë shkollë, publikimi i këtij studimi mendoj se mund të vlejë )
Ajo që më ndihmoi shumë në harmonizimin e mësimit me fëmijët, ishte mësuesja e muzikës kompozitore e pianiste, Violeta Filaj, me origjinë kosovare, (vajza e Luigj Filajt.) Çdo topik të ri që zhvillonim në çdo dy javë e shoqëronim me këngë. Unë krijoja vargjet me fjalët e reja, që do të mësonin fëmijët në anglisht, ndërsa Violeta kompozonte melodinë. Në këte mënyrë fëmijët e përvetësonin mësimin shumë shpejt. Zonja Filaj drejtonte edhe grupin e vajzave “ Dorela” e cila shkonte te çadrat e liqenit, ku grumbullonte fëmijë nga Kosova të strehuar aty dhe së bashku këndonin këngë patriotike.
Këngën “ Free Kosova in the children name” ( Në emër të Fëmijëve Kosova e Lirë) ia dorëzova mësuese Violetës, fëmijët e përvetësuan shumë shpejt edhe pse ishte në anglisht.Kënga u këndua jo vetëm nga fëmijët e shkollës sonë, por u përhap edhe te fëmijët e tjerë, nepërmjet grupit “Dorela”. Këte aktivitet e kam pasqyruar në shkrimin:
“Talenti,Shkolla,Familja në shkollën Anglo-Shqiptare Fenix” dhe një kushtim për mësuesen Violeta Filaj, te Gazeta Panorama
Një temë për të cilën kam bërë kërkime, pas viteve 90-të ishte shpëtimi i hebrejve në Shqipëri. Kisha dëgjuar nga Z.Hasi dhe Prof.Repishti që familja e Jakup Sokolit ( burri i hallës time) kishte strehuar Izraelit.
Ishin familje me emër, një fis me luftëtarin Hodo Sokolin, isuf Sokolin… Ai vetë ishte mik i Bajram Currit dhe i Kolë Bibë Mirakës,( pas vitit 1944 familjen e K.B.Mirakës, Zonjën Mirakaj me dy djemtë, Moisin dhe Lekën i strehoi, Jakup e Havzije Sokoli.) Si luftëtar Ishte i lidhur shumë me Bajraktarët e Malësisë Madhe, në kohën e luftimeve për pavarësi. Ishte koleksionisht armësh të vjetra dhe qeramikash, të cilat ia sekuestruan,komunistët. ( Im vëlla, Kujtim Domnori,i ka kushtuar një shkrim të gjatë,njeriut të besës,J.Sokolit )
Për të vazhduar kërkimet, për çfarë dëgjova u lidha me kryetarin e shoqatës “Shqipëri-Izrael”, me Fotografin Refik Veseli, i cili më tregoi historinë e familjes tij në Krujë se si kishin strehuar dy familje izraelite, mirënjohjen e familjes izraelite për shpëtimin e jetës tyre, ftesën që kishte marrë nga Gavra Mandil për të marrë vlerësimet e rastit,me 1990.”……
Si mësova për G.Mandil, i cili drejtonte shoqatën Izrael-Shqipëri, iu drejtova me letër ,duke e informuar për çfarë isha e interesuar, për ta evidentuar këte familje bamirëse të Jakup Sokolit
Duke parë ngulmimin tim u vu në lëvizje Z.V.Hoti, në Shkodër, babai i të cilit kishte strehuar izraelitë.
Për të dy familjet e mësipërme Veseli e Hoti mora të dhëna të dokumentuara me fotografi
dhe i publikova për vlerat e Besës, Mikpritjes e Bujarisë, virtyte të popullit shqiptar.
Nuk u tërhoqa nga kërkimet, për bamirësitë e familjes të hallës time. Vëllai im Irfan Domnori duke parë këmbënguljen time se të dhënat i kisha marrë nga personalitete të dëgjuar, vazhdoi deri sa ra në gjurmë nga një miku i tij i cili i tregoi historinë e “Ali Çifutit “ në shtëpinë e Jakup Sokolit e vllazën…. Një kënaqësi për nipërit, të njohin mirësitë e gjyshit tyre.
Gjithë këto përpjekje për të vertetuar veprën humanitare të popullit shqiptar u kurorëzua në një takim me ftesë të Mirjam Abramoviç në rezidencën e Konsullës Belge në N.Y.,( Consulates of Belgium in N.Y. të U.S.) ku do të shfaqesh një film, xhiruar në Shqipëri prej saj, me muzikë të Arenc Lekës. Për mua ishte shumë interesante të shihja se çfarë e kishte shtyrë këte vajzë polake të xhironte 200 orë film të cilin e kishte reduktuar në dy orë, për ta shfaqur. Mirjam Abramoviç ishte rritur nga bashkëshortët polakë, të cilët e kishin adaptuar, kur prindërit e saj e nxorën vajzën nga ditarja në momentin kur po niseshin me trenat e vdekjes. Kur ajo mësoi të vërtetën, të cilën ia tha nëna që e rriti, gjithashtu mori vesh se Izraelitët janë shpëtuar në Shqipëri, shpejtoi të vinte në vendin e shpëtimtarëve, ku qëndroi në Gjirokastër, në hotelin e djalit të gazetarit Xhevat Kallajxhiut ( publicist, shkrimtar i njohur në N.Y. që e mbylli jetën në emigracion, si kundërshtar i E.Hoxhës.)
Filmi shfaqi pamje dhe ambjente të varfëra nga Shqipëria fill pas viteve 90-të. Ajo mendonte se me këte film, do t’i bënte thirrje botës: ”Të ndihmojmë këte vend, ta nxjerrim nga varfëria këte popull bujar, ashtu siç treguan ata guxim gjatë periudhës së Hollokaustit për Izraelitët.”
Në ate tubim u takuam me Dr.Ana Kohen, izraelitja që jetoi në Vlorë dhe që është gjithmonë në krah të shqiptarëve. Aty, së bashku me Arencin takuam edhe Diplomatin e mirënjohur William Walker, me të cilin biseduam, e respektuam dhe e falenderuam për kontributin në Kosovë, jo vetëm nga ana diplomatike, por edhe nga ana njerëzore, që denoncoi masakren serbe në Reçak….
Keto ngjarje i kam psqyruar në disa shkrime “Shqiptari i parë që vendosi flamurin shqiptar në Jad- Washen” Bamirësia e Shkodranit, Hasan Hoti për shpetimin e Ebrejve”….Ku ruaj edhe korrespondencën me Izraelitin Gavra Mandil i cili ndërroi jetë shpejt pas komunikimit tonë.
Më kanë mbetur të pashlyera në kujtesë, dy studentet, Naime dhe Zyme, që ishin arratisur nga Kosova. Në rrethin familjar, kunatat e mija dhe të tjerë.. i njihnin vajzat dhe i përmendnin si vajza fisnike, krenare dhe ndonjë shtonte, se e dinin përmendsh “Poemin Kosovar” të Mitrush Kutelit. Vajzat në të vërtetë, kur erdhën e dinin se shkrimtari Dh.Pasko kishte dalë nga burgu, por nuk dinin se “Poemi Kosovar” nuk e kishte fituar lirinë.
Unë arrita t’i njoh në Universitet Naimen e Zymën, ku merrja leksionet, në Fakultetin Gjuhë -Letërsi dhe jam diplomuar në një ditë me to më 1965. Nuk e harroj kurrë një rast, pasi isha prezent në një konflikti, që ndodhi në çast. Një nga studentet, kur ishim në koridor tha :”Te dhoma atje janë dy jugosllavët”.Vajzat Pejane si e dëgjuan, u ndien shumë të ofenduara, dhe vrapuan të ballafaqohen me shoqën në fjalë, ku dëgjohesh zëri i tyre “Ne jemi shqiptare”…Fjalët e fuqishme që dilnin nga thellësia e shpirtit tyre, më tingëllojnë edhe sot,më ushqejnë me krenari të ligjshme. (vajzat kishin lënë familjet në Pejë, kishin kaluar në shumë barriera të rrezikshme, duke luftuar me vdekjen, vetëm për të ruajtur identitetin e për të marrë mësime në Shqipëri, larg UDB. Por…ranë nga shiu në breshër.)
Isha e tërhequr shumë pas tregimeve të Mitrush Kutelit (Dhimitër Pasko ), që pata fatin ta njihja personalisht pasi dy vajzat e tij Polikseni e Atalanta i kisha nxënëse në shkollën “4 Dëshmorët”
në vitet 1962-63.
Kur u hap sipari i fjalës lirë , iu vura studimit të krijimtarisë së shkrimtarit dhe u surprizova nga origjina Çame, prej nga kishte vënë mbiemrin, Kuteli, për pseudonimin e tij. Në shkrimin e gjatë për autorin e “Poemit Kosovar “ bashkova edhe dy shoqet e guximshme, Naimen dhe Zymen, studente të shkëlqyera, në të gjitha drejtimet, që e adhuronin Dhimitër Paskon për shkrimet e tij e sidomos për Poemin që ia kushtonte Kosovës, shqiptarëve autoktonë në truallin e lashtë të Ilirëve.
Dy heroinat që fluturuan mbi Alpet me Kosovën në gjoks, për të shkelur në tokën e përbashkët, Shqipëri, tani janë engjëj, prehen në parajsën e Dardanisë, ku bëlbëzuan shqip dhe hodhën hapat e para të jetës tyre.
Kështu kam vazhduar studimin edhe me Poetin e lirikës shqiptare, Lasgush Poradecin, me një analizë të poemit “Mbi Ta “ kushtuar shkrimtarit luftëtarë Risto Siliqit dhe kryengritjes së Malësisë Madhe në prag të Pavarësisë. Kisha një detyrim ndaj këtij Profeti të poezisë sonë, që s’u përkul dhe derdhi lot për Kosovën dhe Shqipërinë e copëtuar. Kurrë s’kam mundur të komentoj si duhet me nxënësit vargun që bart një histori shekullore “Dyke nisur udhëtimin mes- për-mes nër Shqipëri / Drini plak dhe i përmallshëm që mburon prej Shëndaumi” ku do ta gjeja unë hartën e Prof. Gashit, që t’ja spjegoja nxënësve ashtu siç dëshironte Poeti historinë dhe gjeografinë e vërtetë…. Se Drini plak kalon mes për mes në Shqipëri…. Sepse do të dilte pyetja , ku është gjysma tjetër…?!
Në shkrimin me temë “Edhe Unë jam Çam” ndoqa publicistin e mirënjohur Zotin F. Shkreli shkrimi i të cilit ishte një apel për bashkim mbarëkombëtar. Megjithëse kisha publikuar më parë “Gjurmë Çamërie në Shkodër”, përpara kësaj thirrje nuk mund të qëndroja indiferent sepse përligjte autoktoninë dhe mbijetesën shqiptare.
Shkrime të tjera për personalitete të njohura me shumicën prej tyre kam kontaktuar direkt.
Shkrimin për Zija Shkodra, ekonomist dhe autor i disa monografive, me vlerë shkencat ballkanologjike e kam pasqyruar në shkrimin ” Një historian i madh shqiptar pa tituj dhe grada shkencore”
Shkencëtari akademik i përmasave Evropiane, mbeti pa marrë titujt shkencor, në kohën e monizmit, sepse ngriti zërin në emër të vërtetës historike, për diskutim të lirë, për mendimin e pavarur sipas traditës shkencore evropiane….botuar gazeta Illyria 1995.
Ymer Dishnica, student i Lionit në Francë për mjekësi, minister i shëndetësisë, u dënue nga Diktatori sepse në Konferencën e Mukjes kërkoi të unifikohen kërkesat me Ballin Kombëtar, në luftë kundër okupatorit .E kam pasqyruar në shkrimin “Dr. Ymer Dishnica, mbështetës i platformës për Shqipërinë Etnike, në Konferencën e Mukjes, 1996 gazeta” Rilindja” “Rd”” Balli i Kombit” ( dorëshkrimin e tij prej 17 faqesh që ma ka dorëzuar me dorën e tij, e ruaj si relike )
Është interesante shkrimi “Prof. Safet Butka, luftëtarë për Shqipërinë Etnike”( politikan, luftëtar i paepur për çështjen kombëtare si i jati patrioti Sali Butka). Artikulli ishte publikuar te Gazeta Illyria e N.Y. në Prill 1995: ditën kur delegacioni shqiptar kishte ardhur nga Tirana, për të çuar në vend amanetin e Faik Konicës, që të prehej në Atdhe.
Në krye të artikullit kisha vënë fjalët e M.Frashërit:
“Sa here kujtoj djalin trim të Butkës, aq herë ngashërehem e derdh lot” (Mit-hat Frashëri)
Njeri nga grupi i delegatëve kishte ndaluar të blinte gazetën “Illyria” të cilit i ra në sy shkrimi për Prof.S.Butën. I surprizuar iu drejtua Uran Butkës me të cilin ishin në grup së bashku — Po të pret babai në New York—…..
Një tjetër përsonalitet, Humanisti Shkodran që mbante pseudonimin “Atdhetari i Kosovës” ishte një shkrim shumë i dashur për mua, për Mati Logorecin, i cili së bashku me të vëllanë hapen shkollat shqipe në Prizren dhe në Gjakovë….( botuar te Gazeta RD shkurt 1991 dhe Illyria NY.1994 )
Poezia e poetës amerikane C.O’Neill kushtuar Kosovës “ Errësira është shpirti i luftës” e kam përshtatur për botim në gazetën, Rilindja, 1999
Një personalitet i shquar shqiptar, shkencëtari, Prof.Mustafa Demiri “ Botanisti që përshkoi në këmbë tërë Shqipërinë” ( botuar te Gazeta Illyria 1995)
Studimet e Profesorit më shumë në terren ngjasojnë me punën e një misionari të palodhur. “Doktori i famshëm i Sanatoriumit, që i kushtoi jetën e tij pacientëve” është një shkrim për
Dr. Shefqet Ndroqi, ‘Gazeta Shqiptare’, 1998. Është historia e studentit Sh.Nd. që braktisi Parisin, për t’ju përkushtuar Shqipërisë. Bindjet e tij nacionaliste dhe konflikti i heshtur me komunistët.
‘Albania e New Yorkut, në shërbim të Atdheut’, kushtuar Andrea Naçes, Diplomuar në “Robert College”, Stamboll.
Në atë shkollë, fitoi edhe kursin e muzikës në Violinë,
Ishte editor i “Albania”, organ zyrtar i Partisë Kombëtare dhe politike. (numri i parë doli 28 shkurt 1918).
Botuar Gazeta Illyria 4 Janar 1995
“Z. Balidema për herë të parë në shqipëri” Pronari i Debal Garden në N.Y. Qendër kulture ku promovoheshin libra, ku bëheshin takime nga shumë personalitete të Shqipërisë dhe nga republika e Kosovës publikuar, Nëntor 1993 ,Gazeta Kosova
Shkrimin “Kjo dekoratë më takon mua ta ruaj “ është shkruar me rastin e 70-vjetorit të Gjimnazit Shkodër, kur po ndaheshin dekoratat “Martir i Demokracise” .
Gani Goxhi mes nesh”, historia e një djali trim, i rritur jetim, tregonte se si Ministri i Arsimit M.Ivanaj i kishte lidhur bursë studimi për meritat e tij. Xhaxhai i tij Lano Goxhi, nga Borshi bashkëpunuan me Omer Nishanin dhe Halim Xhelon në luftë për çështjen kombëtare. Në këte trashigimi vazhdoi edhe Ai…. Botuar Gazeta Borshi. 1999.
Letër e hapur drejtuar Luljeta Pulaj Beqiri, e cila u bë një zë i fuqishëm për të mbrojtur minatorët e ngujuar në galeritë e minierës Gazeta RD…1991
“Brez pas brezi në luftë për Trojet Tona” i dedikohet Islam Haxhajt, nip i Alush Smajlit, i njohur në vargjet e Fishtës . Në moshën 7 vjeçare kishte përjetuar një ngjarje të tmerrshme kur malazezët i vranë të jatin në prezencën e tij. Botuar në revistën “Trojet Tona” Dhjetor 1996.
Jam përpjekur të përshkruaj aktivitetin tim pas daljes në pension, në 30 vitet e tranzicionit për te njohur sadopak, imponimin që kishim në mësimdhënie nga një ideologji e gabuar dhe të privuar nga njohja e personaliteteve më të shquara në shqiptari : shkrimtarë, shkencëtarë, inxhinierë, diplomatë, Albanologë, historianë,… të cilëve u mori jetën diktatura famëkeqe dhe emri i tyre ishte i destinuar të fshihej nga historia. Por jo, emri dhe veprat e tyre janë transmetuar ndër breza, në heshtje dhe po evidentohen çdo ditë nga njerëz që kanë përgjegjësi ndaj Kombit.
Është krenari dhe kënaqësi të kujtosh e të shkruash për figura të shquara, që gjithë jetën punuan me vetëmohim, menduan dhe jetuan shpirtërisht për Shqipërinë.
7.Cili është mesazhi juaj për historianët , studjuesit e letërsisë,lexuesit:
Lum kush ka mundësi me marrë përsipër me nxjerrë në dritë vlerat e pamohueshme të atyre që ideologjia e diktaturës u përpoq t’i zhdukte nga kujtesa historike. Vetëm pasurimi i teksteve me ringjalljen morale të tyre dhe vlerave të patjetërsueshme të veprave cilësore të mohuara ndër vite na kthen nga humanizmi dhe jeta kulturore pasurohet me të drejtën, të bukurën realen me historinë e vërtetë.
Intervistoi Marjana Bulku