Opinion nga Raimonda MOISIU/ Hartford-SHBA/
Ngjarja e fundit që ka tronditur dhe alarmuar ndërgjegjen kombëtare, ka qenë prania për disa ditë me rradhë, në median e shkruar dhe asaj vizive, -e Skandalit të Sarandës, -ku një aktivist partiak është akuzuar për dëshirën e abuzimit seksual, ndaj një adoleshenteje,- e thënë ndryshe favore seksuale. Deri më tani në përjetësimin e kësaj historie të dhimbëshme ,- përtej meskinitetit të opinioneve,- që të gjithë jemi bashkëfajtorë, deri në çoroditjen e një fenomeni të komplikuar, që të gjithë jemi të viktimizuar, sepse po dëmtojmë aftësinë e vetë shoqërisë, për të kuptuar dinamikën
e rritjes së ndërgjegjësimit për këto fenomene të dhunës seksuale maskiliste, me bashkëjetesë politike e sociale. Me pak fjalë, ne u morrëm duke ushqyer opinionin publik dhe duke raportuar versionin e fakteve me personalizimin e fenomenit dhe të viktimave të vërteta të gjendjes sociale, qytetare dhe ekononmike, në formën e saj psikollogjike, jo vetëm si incident i veçantë por edhe kolektiv familjar. Duke bërë biografinë personale të tipit “luftë klasash” deri në detajin më intim të zonjës dhe familjes së saj. Nuk ka rëndësi se zonja e ka emrin Elvira apo Raimonda, nuk ka rëndësi se abuzuesi është i majtë apo i djathtë, por di vetëm atë, se duhet vlerësur në maksimum, Guximi & Kurajoja e saj femërore, -që denoncoi dhe vuri në pokerin e makutërisë, etjes së ankthshme, frikës drithëronjëse të hegjemonisë mashkullore, në pokerin e mureve sociale të korrupsionit dhe metastazave në rritje të realitetit, mllefeve të shfrenuara e impotencës së jetës social- ekonomike, dhe atë të elitës së të kamurëve dhe me pushtet, të zengjinëve pedofilë dhe perversë në moshë madhore, diskriminimin gjinor,- pasigurinë për jetën dhe pasigurinë e së nesërmes, – të vetes, vajzës dhe të krejt familjes së saj. Të jesh femër, është dhurata më e ndjeshme e njerëzores; gruaja është e bukur në shpirt, e brishtë, e dashur, e dhëmbshur, e fortë, këmbëngulse, me një shpirt sakrifice, gruaja di vetëm të marrë dhe të japë dashuri edhe atje ku s’merr, di të qajë, të gëzohet, të durojë dhimbje nga më të mëdhatë, e për më tepër është ajo, që sjell në jetë ardhmërinë, i jep jetë nga jeta e saj. Është për tu admiruar dhe vlerësuar, që institucionet shtetërore raportuan arrestimin e të dyshuarit, duke na dhënë kështu, shpresën e një sinjali të qartë, që u dërgua në të gjitha mendjet perverse, se incidente të tilla kurrë nuk do të falen, qoftë në vëndin e punës, në familje e shoqëri, por ata do të përgjigjen para ligjit, duke aplikuar standardet e aplikueshme ligjore, dhe jo vetëm kaq- por është edhe sinjali i mirë i shpresës për drejtësi, në sytë e ndërgjegjes së lënduar kombëtare. Ajo çka me të vërtetë tërhoqi vëmendjen time, në këtë shqetësim publik, është fytyra e dhunëshme e skandalit dhe e shoqërisë, çorganizimi i komunitetit, privimit ekonomik, pabarazia
sociale, imoraliteti dhe ndikimi i tendosjes së favorit seksual ndaj kontrollit social në nivel individual e shoqëror, -por që ka “gërvishtur” ndjeshëm deri në plagë therrëse , superstrukturën e vlerave njerëzore, etikën e komunikimit dhe moralit të shoqërisë.
Sot për sot, është shumë e vështirë dhe e komplikuar, por tejet e domosdoshme dhe sfiduese, për të negociuar me rishikimin e rrënjëve të abuzimit e dhunës seksuale e sociale, që vjen nga implikimet e mëdha të militantizmit patriotik në parti, perfitimit material dhe urisë mashkullore në emër të korrupsonit të këtij koncepti, duke e bërë ekzistencën e epidemisë së joshjeve dhe favoreve seksuale një realitet të vërtetë mjeran e të trishtë për qindra prindër, familje, vajza e gra të moshave të ndryshme. Ky realitet i këtij koncepti pervers ndikon pafundësisht në rritjen e fushëveprimit të
dhunës seksuale, fizike, sociale e ekonomike, nxit heshtjen në përkufizimin e këtij krimi të dhimbshëm njerëzor , i përdorur gjithashtu për të shënuar liri të plotë sociale e politike, të individëve burracakë, në dëm të fëmijëve, prindërve e familjeve në nevojë, por edhe të perspektivave kritike të rolit në marrëdhëniet e politikës e të shtetit me shoqërinë, dhe vazhdimin e kësaj dhune në të përditshmen njerëzore.
Rrethana të tilla si varfëria, mungesa e përkrahjes familjare dhe e shoqërisë që i rrethon, faktorët e tjerë të rrezikut të dhunës, sikundër; mungesa e shpresës dhe ndjeshmërisë, vetëvlerësim i ulët, mungesa e dukshme e mjeteve për të jetuar, impulsiviteti, pabarazitë e padrejtësitë sociale, kanë detyruar femrën e shkretë të shtrihen në krevatin e saj meshkuj të kategorive të ndryshme nga më ordineri deri te ai i ashtuquajtur VIP-i Politikës e Shoqërisë,-kundrejt parave, të shfryjnë epshet e pjesës së tyre shtazore, qoftë edhe vetëm për t’ju vënë bukë në tavolinë kërthijëve të tyre.
Abuzimi seksual vjen në forma të ndryshme verbale, duke ju shkelur syrin, gjeste, shaka dhe komente banalë jashtë etikës morale të komunikimit , sjelljet perverse në mjedisin përreth, që shihen si një mënyrë “normale” e komunikimit me seksin femër, dhe kur aktiviteti seksual kërkohet në këmbim të diçkaje, duke ofruar një vend të mirë pune, ngacmime dhe kontakte të padëshiruara fizike, etj. Nuk ka asnjë përkufizim universal të abuzimit seksual të fëmijëve. Karakteristika qendrore e çdo lloj abuzimi është prevelenca e pozicionit dominues të një të rrituri që e lejon dhe detyron një adoleshente në aktivitetin seksual, është prevelenca e vazhdueshme e dhunës, pedofilisë dhe perversitetit me ta/to. Një vajzë e re, adoleshente nuk mund të ndihet e mbrojtur apo e sigurtë, e cila është e pamundur, në rast se ajo ka përjetuar ndonjë lloj të traumave në formën e abuzimit seksual, perversitetit e manjakllëkut në jetën e saj, para ose ende vazhdon ta përjetojë. Traumat mendore zgjatin përgjithmonë dhe janë më të fuqishme se traumat fizike, si rezultat i përbashkët i abuzimit seksual. Që të gjitha këto konsiderohen jo vetëm forma të diskriminimit gjinor, por akte të tilla janë mëse të
dënueshme, të konsideruara të urryera dhe shkatërruese për shoqërinë tonë, ku viktima e para janë fëmijët-seksi femër-, duke i vënë në vështirësi familjen apo traditat sociale, që pa kompromis bëhen pre e pafajsisë dhe koshiencës së brishtë të tyre, për t’iu nënshtruar vuajtjeve verbale, emocionale dhe fizike. Ajo që ne duam sot për fëmijët tanë , është që ata të kenë aftësi këmbëngulëse, të nevojëshme e të domsdoshme për tu ndjerë të sigurtë dhe të jenë në gjendje të jenë vetvetja, dhe po aq e rëndësishme, për të arritur standartet e jetës në një shoqëri thellësisht demokratike.
Hartford CT USA
Gusht 2014