Nga Prof. Murat Gecaj/
1. I lindur në Rosujën ilire të Bujanit, aq të njohur për lashtësinë dhe vlerat e saj të çmuara historike e kulturore, jo vetëm në 12 vitet e para të jetës sime atje, por dhe në 8 vitet e shërbimit tim (1966-1973), me rininë e kulturën në rrethin e Tropojës, si dhe nga leximet e ndryshme, me autorë të kësaj krahine ose jo dhe tani përmes librit të ri studimor të Skënder Haklajt, jam njëri nga dëshmitarët e shumtë të traditave të mrekullueshme, që mbart krahina jonë e dashur, Malësia e Gjakovës. Ky është një studim i veçantë në llojin e vet dhe i botuar në një libër, i cili e ka titullin domethënës, ”Tropoja e mrekullive shpirtërore”(Tiranë, 2014). Akademiku Vasil R. Tole është konsulent shkencor i tij dhe ka shkruar hyrjen, ndërsa redaktore letrare e teknike Suela Kolpepaj dhe me ballinë të punuar Agim H.Doçi.
Përurimi i këtij libri u organizua nga Bashkia e qytetit ”Bajram Curri”, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, Qarkun e Kukësit, deputetin e Tropojës, Unionin Artistik të Kombit Shqiptar dhe Shoqatën ”Tropoja”. Bashkëkraninas të autorit, shkrimtarë e poetë, punonjës të fushave të ndryshme të jetës dhe të kërkimeve e botimeve, të artit e kulturës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, e kishin mbushur sallën ”Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, gjë që sigurisht e kishte dhe simbolikën e vet.
Përshëndetjen e rastit për pjesëmarrësit në këtë tubim mbresëlënës e bëri kryetari i Bashkisë së qytetit ”B.Curri”, Agron Demushi. Pastaj pata kënaqësinë që unë të flisja, shkurtimisht, si për traditat e mrekullueshme artistike, kulturore e shpirtërore të popullit të Malësisië së Gjakovës (Tropoja) dhe për vlerat e përgjithshme të studimit të Skënder Haklajt.
Pra, autor i këtij libri është ky mik i imi i kahershëm dhe djalosh tropopjan me zemër atdhetare. Në gjithësej 340 faqe e në 8 kapitujt e tij dhe përmes disa fotografive domethënëse, aty flitet bukur për tradita, doke e zakone; gojëdhëna, mitologji dhe vende historike e legjendare; për kullat karakteristike dhe gatimet tradicionale të krahinës; për veshjet e instrumentët popullorë dhe për lojërat me elemente kërcimi, për moshat e vogla etj. Sigurisht, për këto tema Skënderi ka shkruar e folur bukur e me pasion edhe për faktin, sepse që në fëmijëri, ka jetuar, është rritur dhe mëkuar në mjedise me tradita të tilla të rralla e frymëzuese. Posaçërisht, vetë ai, gjatë jetës iu përkushtua me pasion të veçantë, valleve popullore të krahinës, duke u bërë kërcimtar e koreograf i talentuar dhe, tanimë, studiues i zellshëm i pasurive shpirtërore, me burimin nga gurra e pashterrshme e popullit artist të Malësisë së Gjakovës.
Janë domethënëse fjalët, që ai i ka shkruar në hyrjen e librit të tij dhe me kaq sinqeritet: “Padyshim, që shkolla rreth oxhakut ka qenë udhërrëfyesi i parë në jetën time. “Leksionet” dhe pleqësitë e zgjuara të saj u bënë ëmbëlsira e dashurisë sime për traditat, doket dhe zakonet tropojane. Oda e burrave është shtytsa themelore e shpirtit tim, e cila më nxiti dhe më ndihmoi të kërkoj, të studioj e të shkruaj, për vlerat tradicionale, shpirtërore e kulturore të popullit, në shtrirjen dardanmalase-Tropoja e sotme”.
2.
Të pranishmit në përurim dëgjuan me vëmendje përshëndetjet e bëra nga deputeti i Kuvendit të Shqipërisë për atë krahinë, Besnik Dushaj; kryetari i Qarkut të Kukësit, Ipsen Elezi dhe Akademiku Vasil Tole. Ndërsa nga Ramiz Lushaj u lexua tema, që kishte përgatitur prof.dr.Shefqet Hoxha, ”Mësues i Popullit”. Aty paraqiteshin vlerat e shumanshme të librit të autorit Skënder Haklaj, i cili është bazuar fort dhe me aftësi profesioinale, në traditat e mrekullueshme popullore të vendlindjes së tij.
Aktori Llesh Nikolla lexoi pjesë nga ky libër, ndërsa në ekran u dhanë pamje për atë dhe jetën e autorit. Pjesëmarrësit dëgjuan edhe disa vargje, që kishin thurur për autorin e këtij libri të ri, kushtuar traditave popullore në krahinën e tyre, Nuredin Lushaj e Xhevdet Malaj.
Pjesë e bukur e tërë këtij tubimi, në qendër të të cilit ishin traditat shpirtërore dhe kulturore në Malësinë e Gjakovës, ishin edhe vallet e shkathëta të një grupi me vajza e djem nga ajo krahinë. Me ata u bashkua edhe valltarja e njohur, qysh shumë vite të shkuara, Hajrie Haklaj. Gjithashtu, u duartrokit nxehtësisht edhe kënga me lahutë e rapsodit Gjovalin Prroni.
Në emër të UAKSH, Azgan Haklaj e Xhevdet Malaj i dorëzuan autorit të këtij libri, Çmimin ”Jeronim de Rada”. Ndërsa e reja Jerinda Goçi i dhuroi atij një buqetë me lule të freskëta.
Në mbyllje të gjithë kësaj veprimtarie përuruese, Skënder Haklaj i falënderoi përzemërsisht folësit dhe pjesëmarrësit, si dhe gjithë ata, që e mbështetën atë në realizimin e saj.
Pasi secili i ftuar mori me nënshkrim një libër dhuratë, nga djali i autorit të tij, bisedat e përbashkëta ata i vazhduan në koktejin e shtruar, me këtë rast.
Tiranë, 30 janar 2015