![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476611963_1042592234575965_3342425867766745504_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476161505_1042592251242630_4060538056047587592_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476312598_1042592134575975_4030647380911410065_n.jpg)
Nga Ramazan Çeka/
NJË JETË DEDIKUAR KOMBIT DHE KULTURËS SHQIPTARE
Malësia e Madhe – një krahinë madhështore që përcjell histori, krenari dhe qëndresë. Në këtë vend, që ngjan si një kështjellë e rrethuar me male dhe histori të lavdishme, lindi dhe u formua një figurë unike që ruan të gjitha vlerat e Malësisë: Peti Camaj, shembulli i njeriut që kurrë nuk harron rrënjët e tij.
Malësia është vendi ku rrënjet e identitetit shqiptar janë shumë të forta, sepse në ata troje historia shkruan të kaluarën e lavdishme dhe takon të ardhmen e ndritur, duke trashëguar brez pas brezi atë që quhet patriotizëm, dashurinë për vendlindjen dhe Atdheun.
Ky është tregimi për Peti Camajn, djalin e shquar të trojeve të Malësisë.
Peti Camaj, i biri i Gjeto Kolës nga vllazëría Vuksanlekaj, u rrit në një familje që mishëronte të gjitha karakteristikat e traditës malësore, vlerat e punës, atdhetarizmit dhe besës.
Kulla Vuksanlekaj, një simbol i historisë së tyre, qëndron si kujtesë e heroizmit dhe krenarisë malësore, duke luajtur një rol kyç në formimin e identitetit të familjes Camaj, po edhe të pinjollëve të saj. Kjo kullë mbetet një monument që lidh të kaluarën me të ardhmen edhe në shtigjet e lavdishme të historisë kombëtare
Prindërit e Petit, ashtu si të parët e tij, prehen në Malësi, por vlerat e tyre jetojnë e trashëgohen përmes veprave dhe kujtimeve të Petit.
I tillë është edhe vetë Peti, një baba i përkushtuar dhe një model për pasardhësit e tij.
Si shumë shqiptarë të tjerë, në vitin 2001, Peti Camaj emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por asnjëherë nuk i harroi rrënjët e tij, pasi vazhdoi të mbante gjallë frymën dhe amanetet e Atdheut. Edhe pse larg vendlindjes, Peti u bë një zë i fuqishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor. Ai ka qenë dhe është pjesëmarrës aktiv në organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike, duke u bërë një urë lidhëse mes brezave të rinj dhe traditave të Malësisë.
Në këtë shkrim do të përpiqemi të përshkruajmë disa nga kontributet e tij në shërbim të kulturës dhe traditës malësore në veçanti dhe asaj kombëtare në përgjithësi.
Si anëtar i Shoqatës “Jehona e Malësisë” në Michigan, Peti ka dhënë ndihmesë të vyer për ruajtjen e kulturës dhe traditave shqiptare. Në edicionin e 33-të të Festivalit Shqiptar në Kishen e Shën Palit në Michigan, Peti Camaj ka qenë sponsor dhe producent mediatik, cili bëri të mundur që tre netët e këtij Festivali të transmetohen në Televizionin Shqiptar dhe në Televizionin “Kultura Shqiptare” në Nju Jork.
Peti Camaj nuk është vetëm një biznesmen i suksesshëm, por edhe një njeri i përkushtuar për promovimin e kulturës shqiptare. Ai ka mbështetur organizatat lokale dhe ka qenë një figurë e shquar në promovimin e vlerave të Malësisë në Diasporë.
Peti është një shembull i gjallë i asaj që do të thotë të jesh patriot. Ai është gjithmonë aty, duke ndihmuar komunitetin shqiptar .
Me kontributin dhe përkushtimin e tij, ai ka qenë një shtyllë mbështetëse për vëllanë e tij të ndjerë, Lindon Camaj, i cili me muzikën dhe këngën e tij mbajti gjallë shpirtin shqiptar në Diasporë. Peti e kujtoi dhe e përjetësoi trashëgiminë e tij si pasqyrë e shpirtit të Malësisë me një Dokumentar Televiziv në bashkëpunim me Televizionin Shqiptar, duke e promovuar atë edhe në vendlindjen e tyre.
Siç thotë një fjalë e urtë, dardha bie nën dardhë. Fëmijët e Peti Camajt: Iliriani dhe Shpresa, janë shembuj të një trashëgimie të pasur që vazhdon të lulëzojë si lulet e pranverës dhe që me frymën e tyre valëvisin flamurin. Përmes tyre, kujtimet dhe vlerat e familjes Camaj do të mbijetojnë dhe nuk do të shuhen kurrë për brezat e ardhshëm.
Sot Iliriani, djali i Petit, po e përcjellë dhe përjetëson këtë trashëgimi me talentin e tij të shkëlqyer. Iliriani është krenar për familjen e tij dhe gjithçka që ata kanë bërë për kombin tonë, si dhe ata që janë krenar për birin e tyre.
Iliriani pati një start të suksesshëm që në fillimet e tij si një këngëtar i vogël, por me një talent të madh. Ai ka realizuar me shumë sukses dy këngë të fuqishme patriotike: “K’tu si nip më pret Malsia” dhe “Kam ardh sot si pllumb i bardhë”, që farkëtojnë dashurinë për Atdheun dhe tregojnë se kjo dashuri e ka çerdhen në zemrat e këtyre djemve e vajzave malësore.
Para pak kohësh u bë inagurimi i rikonstruksionit të Kullës Historike të Bajraktarëve të Hotit, e cila është një dëshmi e gjallë e qendresës së malësorëve ndaj pushtuesëve turq dhe synimeve serbo-malazeze ndaj trojeve shqiptare, ku bën pjesë edhe një nga të parët e Petit, Dëshmori i Atdheut, Dedë Gjon Ujka.
Sot kjo Kullë e përtërirë jo vetëm si godinë, por dhe si një Muzeum Historik dhe etno-kulturor, do të shërbejë si dëshmi e historisë qindra e mijëra vjeçare për gjithë brezat të lindur e rritur në trojet shqiptare, si dhe në Diasporë.
Përurimi i Kullës së Bajraktarit, Çun Mulës e Mul Delisë mblodhi shqiptarët nga ana e anës, sepse Kulla e Bajraktarit në momentet e vështira historike u bë Kulla e Flamurtarit, duke u kthyer në një Kala të pamposhtur.
Në këtë datë të shënuar, shkallët e Kullës i ngjitën me qindra vizitorë, por këto shkallë i ktheu në një tribunë përshëndetjeje me zërin e tij këngëtari i vogël i ardhur nga Amerika, malësori Ilirjan Camaj, duke bërë që muret e Kullës ta përcillnin këngën e tij në të gjithë Malësinë.
Zëri i Ilirianit ishte më i veçanti, sepse ai përfaqësonte brezat që do të kujdesen për Kullën e Bajraktarëve të Hotit dhe të gjitha Kullave Historike të Shqipërisë.
Iliriani, si përfaqësues i denjë i emrit që mban, nipi i këngëtarit të paharruar Lindon Camaj, ishte i pari këngëtar që e përshëndeti me një këngë të re pas ringritjen dhe ringjalljen e Kullës së Bajraktarit, gjithmonë si një trashëgimtar i denjë i Malësisë së Madhe dhe gjithë Shqiptarisë.
Por Iliriani nuk ndalet me talentin, pasionin e performancat e tij. Ai përsëri bëhet pjesë e ngjarjes historike për të nderuar Prijësin Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotin – Skenderbeun në sheshin e Tuzit, duke përshëndetur nga Amerika, për të përshëndetur treven e Malësisë së Madhe pertej kufirit shtetëror, për pritjen madhështore që i rezervuan Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit, në praninë e qytetarëve të Malësisë, nga hapësira mbarëshqiptare dhe të mërgimtarëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo këngë u performua në prani të njëmijë fëmijëve dhe prindërve të tyre në koncertin Festiv të Fëmijëve, organizuar në Kishën e Shën Palit në Michigan nga Shoqata “Jehona e Malësisë.
Në koncertin festiv mori pjesë në korin e fëmijëve “Lulet e Diasporës” edhe vajza e Petit, e cila dëshmon se tradita muzikore në familjen e Petit vazhdon me shumë përkushtim dhe sukses.
Peti Camaj na mëson se dashuria për kombin dhe rrënjët është një detyrim moral dhe një privilegj për të punuar për komunitetin dhe për të mbajtur gjallë shpirtin e kombit shqiptar kudo që ndodhemi. Ai është shembulli i atdhedashurisë dhe i frymëzimit, duke lënë një trashëgimi të gjallë për komunitetin dhe familjen e tij, jo vetëm me fjalë e këshilla, por edhe me veprimtari konkrete, të cilat ne herë pas here i kemi publikuar në shkrimet dhe dokumentarët tanë.
Historia e Peti Camaj nuk është vetëm një rrëfim për suksesin, por një thirrje që na fton të kujtojmë rrënjët tona, të punojmë për komunitetin dhe të mbajmë gjallë shpirtin e kombit shqiptar kudo që ndodhemi.
Historia e Peti Camaj është pasqyra e vlerave që na lidhin me të kaluarën dhe na udhëheqin drejt së ardhmes. Një histori që ruhet, të vlerësohet se ajo frymëzon brezat që vijnë vetëm nëpërmjet përkushtimit të patriotëve si Peti Camaj.
Peti Camaj është shembull frymëzues i këtij përkushtimi, i motivimit se çdo të thotë të jesh patriot në kohë moderne. Me veprat e tij ai ka treguar që, pavarësisht se ku ndodhemi, zemra jonë rreh gjithmonë për Atdheun.
Michigan, Shkurt 2025