Gezim Zilja
– Hajde të të qeras se sot jam në formë! Kam sebep.
– Ka ngordhur ndonjë ujk andej nga lagjja apo si? Ti s’të jep gur të vrasësh kokën?! Bjond, syshplarë, faqekuq, veshllapush, me kokën asimetrike, hundën e shtypur, gojën e vogël, ku djathtas-posht mungojnë dhëmbi i qenit dhe dhëmballa ngjitur, (i ka kaluar me kohë të 60-at) duke hequr zvarrë sandalet, që nuk i mbërthen kurrë, me kapi miqësisht nga krahu. Koprac deri në thua, sigurisht, që do të më kërkonte diçka.
– Ajde, tani, lëri këto! Do vinë dhe dy të tjerë.- Petrefi është pronar i shkollës private “Pegaso.” Rritur jetim, me një babaqafor pijanec, që e ngordhte në dru, e poshtëronte, duke e sharë dobiç e hajdut, largohej me ditë nga shëpia, nuk shkonte në shkollë dhe vidhte gjithçka mundte për të shuar urinë. Për herë të parë në jetë mbushi barkun 16 vjeç, kur zuri punë në ofiçinë si nxënës-xhenerik. Rrogën e parë bleu 20 byrekë, doli tinëz në një cep të ofiçinës dhe i përlau në pushimin e drekës. Me ardhjen e demokracisë, punonjësit privatizuan kapanonin e ofiçinës dhe magazinën. Petrefi i dëboi të gjithë: ca me mashtrime se do iu jepte paratë më vonë, ca me gjyqe false, ca me kërcënime dhe i kaloi objektet në pronësi të vet. Dikush ia shtiu në vesh, që t’i përshtaste për shkollë private dhe hopa! Nxorri licencën dhe siguroi diku, diplomën e shkollës së lartë.
-Kam gjetur nja dhjetë kokosha sivjet pa filluar shkolla. Paratë në dorë nga 2 milionë për kokë: 20 milionë sa për bismilah. Pres dhe nja dhjetë të tjerë, që do të më vinë më vonë… Ndrinte e ngazëllente presidenti i Pegaso-s.
– Po kokosha sikur u thonë atyrë që transportojnë skafistët matanë…?
-Jo, jo! Janë dhe këta kokosha, nuk vijnë në shkollë dhe bëjnë pagesën e plotë për gjithë vitin.
– Po kush firmos dëftesat e tyre, rregjistrat, amzën?
– Mësuesit ore. Kot i mbaj 30 copë, me bukë unë? Me rastin e kovidit ua përgjysmova pagën,- shtoi me mburrje.
– Nuk kundërshtuan, nuk u ndjenë fare ? Më pikoi në shpirt.
– Ku do shkojnë? Një vend pune ka vajtur 7.000 euro. Donin të bënin dhe grevë legenat. Bëni, u thashë, po do ngordhni për bukë. Naaaaa. Si pula të lagura u bënë. Pastaj më afroi fytyrën, duke u mbllaçitur, nga shpërtheu një duhmë këllire, që më përzjeu stomakun. – Ka dhe që nuk pranojnë. Kam një mësuese të re të pa diplomuar, që i plotëson sipas ligjeve, – më shkeli syrin. Në tavolinë ishte ulur një djal trupmadh, rreth të tridhjetave, që nuk fliste fare dhe as që ndiqte bisedën. Kthente me eks gotën, kapte me gishtat si kthetra copat e mishit, që pasi i gëlltiste, bënte një pa-pa-pa të zgjatur dhe fërkonte mollën e Adamit gjithë kënaqësi.
-Po ky? pyeta Petrefin. – Është im bir. Aaaaa, e kam pikë të dobët. Ka dëshirë të bëhet kryetar bashkie. Do më ndihmosh një çikë me miqtë e tu. Lekë duan këta të partive. Pse ça janë ata që janë bërë…shpërvoli buzët gjithë yndyrë. – Unë jam biznesmen, kam prona, para’. Mbaj 100 frymë me bukë. Jam dhe familje patriotike. Pse të mos bëhet djali im?
– Çfarë po thua o njeri? Ky nuk ka as diplomë ? fola i bezdisur.
– E ndihmoj unë me eksperiencën time. Diplomën e rregullojmë. Do merrni gjë tjetër? Për djalin nuk kursehem unë.
– Si nuk i theve këmbët po erdhe u ule me këtë sojsëz !? Iu hakërrova gjithë mllef vetes. Ndërkohë Petrefi, po i thoshte kamerierit, duke zgjatur gishtin tregues: Hidhi dhe ato të koshit në qese! Më arriti pas pak, duke u tundur si patokët e Libofshës. Në dorë mbante qesen e mbushur me mbeturina. – Pse të venë dëm? Ua hedh qenve e pulave, që mbaj në tokën e marrë me qera, andej nga pylli…