“Sa zor është t’i futesh tjetrit në zemër, në kokë! Po t’u shkruhej njerëzve në sy e në fytyrë mendimi, shpirti, rruga, puna, qëllimi atehere bota do të kishte marr tjetër drejtim….Po shumë fytyra jane si nata…dhe hajde kupto të lutem,se ç’mbulon dhe ç’fsheh nata!” P. Marko. Qyteti i Fundit.
Shkruan:GEZIM ZILJA/
Petro Marko, shkrimtari legjendë i Bregdetit
Historia e Petro Markos (25.11.1913-27.12.1991) është ajo e një luftëtari të madh të lirisë me përmasa ndërkombëtare, e një shkrimtari të pashembullt, e një idealisti të rrallë. Diktatura e qëlloi me të gjitha mjetet dhe format e saj për ta mposhtur, për ta kthyer në një shkrimtar oborri, ose ta detyronte të heshte si shumë të tjerë. Por ky shpirt i lirë i Bregut të Detit, nuk mund të bënte dot kompromise të tilla. As burgu, as varfëria, as izolimi nuk e thyen këtë burrë të shquar të Dhërmiut. Ai shkroi sa dhe si deshi, për luftën, për paqen, për dashurinë, për lirinë, atdheun dhe asnjëherë nuk i thurri lavde rregjimit komunist. Në librin “Intervistë me vetveten” që e shkroi në vitin 1977 dhe e plotësoi deri në ditët e fundit të jetës, ai bën një rrëfim të sinqertë, pa shtesa, pa zbukurime. Libri u botua i plotë në vitin 2000. Aty përshkruan fëmininë e hershme në fshatin e tij të lindjes Dhërmi, shkollimin, jetën në Tiranën e viteve tridhjetë, fillimin e shkrimeve të para në revistat e kohës, vajtjen në Greqi për studime të larta, pastaj vullnetar në luftën e Spanjës, jetën dhe burgun në Francë e Itali, dhe tmerrin e jetës në Shqipëri pas vitit 1944. Dy vjet pas çlirimit të Shqipërisë më 1947, arrestohet dhe bën tre vjet burg deri më 1950. Ëndrrat e shkrimtarit të ardhshëm, e idealistit të madh, u thërrmuan para realitetit vrasës në Shqipërinë e komunistëve. Ai pa sesi u shndrruan shumë nga miqte e tij të kohës së luftës në shërbëtorë të rregjimit të ri, në vrasës e kriminelë. Jeta e tij, e gruas dhe e fëmijëve, me talentin e veçantë që i kishte dhuruar natyra, atë të vëzhguesit të hollë dhe shkrimtarit, mund të kishte qenë shumë herë më e mirë dhe më e lehtë, pa atë kalvar vështirësish që kaloi, por si thotë edhe vet pak kohë para se të vdiste: “ … Kam shkruar dhe përsëri sa të kem frymë do të shkruaj, po me atë entuziazëm të Petros idealist, të pathyeshëm, të viteve të rinisë e të luftës, dhe qëndrimi im do të jetë gjthmonë kundër çdo lloj padrejtësie, kundër shkeljes së çdo lloj të drejte njerëzore, kundër çdo pushteti diktatorial, që të pengon frymëmarrjen, që vret ëndrrat e fëmijëve dhe idealin e idealistëve, që u vë kufij me tela me gjëmba horizonteve të lira….” (Intervistë me vetveten f.534.) I martuar me një piktore të talentuar si Safo Marko, ata e gjetën të dy gjuhën e përbashkët, duke mos bërë për asnjë çast servilin, shkrimtarin apo piktorin e realizmit socialist. Por liria dhe qëndresa ndaj diktaturës kishte një kosto që shpesh e kalonte njerëzoren. Kostua që pagoi çifti, Marko, ishte e pashëmbullt. Derisa ai burrë i jashtëzakonshëm mbylli sytë, nuk u qa, nuk u ankua, nuk u jargavit, nuk bëri asnjë lutje në komitetin e partisë për “t’i falur gabimet”, siç bënë shumë shokë të tij dhe që pastaj ia hodhën të keqes. Me një qëndrueshmëri si të heronjve mitikë, ai i piu deri në fund kupat e helmit, që diktatura ia mbushte çdo herë plot, por pa shkelur kurrë mbi veten e vet.Çifti Marko, lindi dy fëmijë. Edhe emrat e tyre i gjetën jo rastësisht: Jamarbër dhe Arianita. Të dy kam pasur rastin t’i shoh fare të rinj, kur vinin me pushime në Vlorë (Skelë) te kushërinjtë e tyre me të njejtin mbiemër. Jamarbëri (shkurt Madu) ishte një djalë as shtatëmbëdhjetë vjeç, që është pak të cilësohet i bukur. Kishte shtatin dhe bukurinë e të atit dhe delikatesën e brishtësinë e të ëmës. Shkruante që atëherë poezi, por që dalloheshin menjëherë nga ato të tjerat, që mbushnin faqet e “Dritës”, të “Yllit”, të “Nëntorit”, “Rinisë”, etj. Antikonformist si i ati, shkruante si njeri i lirë, i frymëzuar nga ideale të larta, nga natyra e bukur shqiptare, nga ndjenjat e pastra, nga dashuria njerëzore. Për ato poezi dhe sjelljet e tij prej “rebeli” e pësoi. Spiunët dhe larot e panumërt të Enver Hoxhës ia prenë hovit djalit të ri, duke e futur ende të parritur në burg. I brumosur me idealet e lirisë nga prindërit e tij, ai nuk bëri dot vjersha për partinë e socializmin, që hetuesit si hienat ia kërkuan ditë e natë. E dënuan atë, dhe u munduan të vrasin së gjalli dhe të pamposhturit Petro dhe Safo Marko. Ka një paralelizëm tragjik midis arrestimit të Petro Markos, nga komunistët në vitin 1947 dhe të birit më 1975. Ja si e përshkruan ai në libër këto dy çaste: “ …Në mes të natës erdhën njerëzit e sigurimit, më ngritën nga shtrati dhe më lidhën. Safoja qante më dënesa dhe thoshte: Pse? Ku do ta çoni?..Dhe nisi tragjedia. Më 15 maj 1947…” Interv. me vetv. f.469” Ndërsa për arrestimin e të birit shkruan: “… Më 7 gusht 1975 në ora 12 të natës djali u arrestua në shtëpi. Njerëzit e sigurimit e kryen detyrën duke qenë shumë të sjellshëm. Pasi i vunë prangat djalit dhe e morën, nuk lanë gjë pa kontrolluar….. Ishim të gjithë jashtëzakonisht të tronditur, por për mua ishte më e rënda. Se e pashë tim bir prapa hekurave njëlloj si veten time…” (f.530) Jamarbëri nuk e përballoi dot burgun e rëndë të diktaturës. I tmerruar nga ato që pa e jetoi në hetuesi e burg, pasi u lirua ai u bë i heshtur dhe dalëngadalë filloi që si shok të kishte vetminë dhe më vonë alkolin. Çfarë kishte ndodhur atje në burg, çfarë i kishin bërë djalit të ri, çfarë kishte pësuar shpirti i poetit të ardhshëm? Jamarbëri kurrë nuk e tha, por nuk është e vështirë për t’u kuptuar. Petro Markua vdiq më 27.12.1991. Kam qenë në varrimin e tij në Dhërmiun e bukur, bashkë me poetin Xhevahir Spahiu dhe qindra të tjerë poetë, shkrimtarë, artistë dhe njerëz të thjeshtë. Kam parë atë ditë lot në sytë e shumë burrave. Shqipërisë po i ikte një nga njerëzit e saj më të mëdhenjë të shekullit të njëzetë. Një Petro Marko, i dytë vështirë se vjen më, megjithëse toka e bregdetit është aq e begatë. Ai la pas një vepër të pavdekshme, librat, njëri më i bukur se tjetri dhe jetëshkrimin e tij të pangjashëm me të asnjë poeti dhe shkrimtari tjetër shqiptar. Petrua, nuk la para, as pasuri, sepse ai nuk dinte të bënte para, as biznes, as tregëti. Ai shkruante dhe kjo ishte detyra e tij, për këtë e kishte dërguar zoti në tokë. Megjithëse diktatura shumë libra ia bëri karton, nuk ia botoi ose ribotoi më, në Kosovë vepra e tij që në gjallje iu botua e plotë. Ai shkruan për këtë fakt: “… Unë isha një shkrimtar i mallkuar në vendin tim, ku me sa munda luftova, punova dhe shkrova si gazetar, si poet, si shkrimtar, si përkthyes… Mahir Kada, më telefonoi e më njoftoi se kishte dalë në treg seria e plote e veprave të mia në Kosovë dhe se duhet të shkoja atje për të marrë shpërblimin që më takonte si shkrimtar, kurse unë në telefon iu përgjigja: Asnjë shpërblim nuk pranoj, por ato që më takojnë do t’i vini në shërbim të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës, me emrin e Asim Vokshit që po ndërtoni…f.538”. E kush nuk ka nevojë në këtë botë për para, aq më shumë kur ato janë si rezultat i punës dhe djersës tënde?! Por ja që i tillë ishte Petro Marko dhe neve, dhe atyre që do të vinë pas nesh nuk na mbetet gjë tjetër, por të mësojmë e të mësojmë pambarimisht nga ky shqiptar i madh. Petro Markua, në këtë kuptim ishte një misionar dhe të tillë në botë lindin shumë rrallë.