Nga Mimoza Dajçi
Si në Shqipëri edhe në Kosovë priten të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare. Shpresojmë që në të dy institucionet shtetërore rol të rëndësishëm të marrë edhe përfaqësimi i grave dhe vajzave shqiptare.
Referuar Institutit të Demokracisë në Kosovë mbi fuqizimin e gruas në politikë dhe vendimmarrje Kosova ka arritur që legjislacionin e saj ta ndërtojë bazuar në standardet e barazisë dhe diversitetit, si vlera për të respektuar dhe promovuar të drejtat dhe liritë e njeriut. Megjithatë, përqindja e ulët e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje nuk përkon me përqindjen e grave në shoqëri. Gjykata Kushtetuese ka vendosur që kuotat gjinore prej së paku 30% në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme janë në përputhje me Kushtetutën. Ky vendim erdhi pas shqyrtimit të kërkesës së Avokatit të Popullit, i cili kishte ngritur pretendime për cënim të barazisë gjinore dhe të drejtave zgjedhore.
Ndërkohë qeveria shqiptare ka hedhur idenë e një ligji të ri për barazinë gjinore, ku në organet vendimmarrëse, sektorin privat deri në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësimi i femrës të jetë në kuotën 50%. Por drafti i këtij ligji është akoma i papërfunduar pasi ekspertët e ligjeve dhe përfaqësues të OJQ ndërkombëtare janë akoma duke punuar sipas rekomandimeve të OKB-se. Gjithashtu ky ligji pritet të kërkojnë barazi gjinore edhe në këshillat bashkiakë.
Theksoj me këtë rast se gratë aktiviste në SHBA, kanë kërkuar që përfaqësimi në politikë dhe vendimmarrje i gruas në Shqipëri të arrijë kuotën 50 me 50, gjë që është pasqyruar shpesh herë edhe në mediat shqiptare.
Por kodi i ri zgjedhor, me listat pjesërisht të mbyllura nuk e lehtëson përfaqësimin e grave as në kuotën 30% veçanërisht në qarqet e vogla, aq më tepër kur flitet për barazinë gjinore. Nëse vetë gratë synojnë të arrijnë pozicione të larta partiake politike, duhet të angazhohen edhe në jeten shoqerore e sociale, pasi kështu do të kemi fuqizimin e grave dhe vajzave në të gjitha sferat e jetës. Vetë gratë duhet të mbështesin gratë edhe në proçesin elektoral.
Për të pasur barazi gjinore në jetën politike dhe ekonomike të vendit duhet të fokusohemi edhe tek emancipimi i gruas, por mos të harrojmë se edhe sot, si në Shqipëri edhe në Kosovë nëse gruaja nuk ka mbështetjen e përkrahjen e bashkëshortit, si e vetme në “detyrimet” familjare i mbetet shumë pak kohë ose aspak për angazhimin e saj edhe në jetën politike.
Në një konferencë ndërkombëtare mbajtur për gratë në New Jork, shije të hidhur la mos prezantimi i lëvizjes feministe në Kinë nga një femër, por nga një përfaqësues i diplomacisë kineze në SHBA.
Mes të tjerave ai tha se, gratë e vajzat në Kinë kanë një sferë më të lartë zhvillimi krahasuar me meshkujt, dhe arritjet e tyre janë më të suksesshme se sa burrat. Por mënyra se si paraqiti aspektin femëror në atë takim na çuditi, pasi kur po flitej pikërisht për gratë e të drejtat e tyre, aty mungoi zëri e prania e gruas kineze. Fakte këto që flasin qartë mbi diferencimin e madh gjinor që ndodh në Kinë midis gruas dhe burrit.
Gjithashtu në konferencë u fol edhe për rolin dhe fuqizimin e gruas në botë, pasi gratë luajnë një rol kyç, jo vetëm në familje dhe edukimin e fëmijëve, por janë edhe një zë i fuqishëm për paqen e demokracinë në botë.
Por edhe në Shqipërinë post komuniste, nëse në familjet shqiptare nuk ndalet dhuna ndaj grave, nëse meshkujt nuk ndajnë përgjegjësitë bashkëshortore dhe nuk shkëputen nga tiparet patriarkale, roli i saj si lidere në politikë dhe vendimmarrje do të jetë tepër i vështirë.
Megjithëse Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar arritje të rëndësishme të përfaqësimit të grave në politikë përsëri vazhdojmë të kemi njëanshmëri të barazisë gjinore.