Nga Xhelal Zejneli/
Para ca ditësh është vendosur në Shkup përmendorja e Pjetër Bogdanit, shkrimtarit më të shquar të letërsisë shqiptare të vjetër.
Në pllakën e saj shkruan se ai ka lindur në vitin 1630, ndërsa ka vdekur më 1686. Për vitin e lindjes, përkatësisht të vdekjes të autorit të Çetës së profetëve (Cuneus prophetarum, Padovë, 1685), të rishtypur në Venedik më 1691 dhe 1702, ka shënime të ndryshme. Në Fjalorin enciklopedik shqiptar, Tiranë 1985, botim i Akademisë së Shkencave të RPSSH, për vitin e lindjes dhe të vdekjes së P. Bogdanit, në faqet 106-107 shkruan: “rreth 1625-1689”. Autor i zërit për P. Bogdanin është gjuhëtari, profesori, akademiku Mahir Domi (1915-2000).
Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 2008, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në faqen 271 jepen të njëjtat të dhëna: “rreth 1625-1689”. Siç shihet, zëri i M. Domit, në fjalorin e ri, është mbartur nga fjalori paraprak.
Në Historinë e letërsisë shqiptare, Tiranë 1983, botimi i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, të hartuar nga një grup autorësh, nën drejtimin e Prof. Dhimitër Shuteriqit, në faqen 41 shkruan: “rreth 1625-89”.
Shihet qartë se tri të dhënat e sipërthëna rrjedhin nga i njëjti burim.
Në Leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë të autorit Hasan Hasani, Prishtinë 1994, në faqen 44 shkruan: “rreth 1625-1689”.
Ndërkaq, në Historinë e letërsisë shqiptare të Robert Elsies, Tiranë-Pejë, 1997, për shkrimtarin e fundit dhe dukshëm më origjinalin të letërsisë së hershme shqiptare, në faqen 52 shkruan “Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689)”.
Sipas Elsies, studime më të plota për Bogdanin, deri më sot janë kryer nga studiuesi arbëresh Mateu Shembra (Mateo Sciambra, 1914-1967) në vitin 1965 dhe nga Ibrahim Rugova në vitin 1982.
Elsie thotë se me veprën dhe jetën e Bogdanit janë marrë edhe linguisti gjerman, specialist i gjuhëve ballkanike Gustav Vajgand (G. Weigand, 1860-1930), në vitin 1927; historiani dhe latinisti i lindur në Shkodër Injac Zamputi (1910-1998) në vitin 1954 dhe në vitin 1963; studiuesi Vili Kamsi në vitin 1962; gjuhëtari dhe albanologu Selman Riza (1909-1988) në vitin 1965; Rexhepagiqi në vitn 1966; Zija Xholi në vitin 1986; njëri ndër themeluesit e bibliotekës françeskane në Shkodër – At Jak Marlekaj (1906-2003) në vitin 1989; Dhimitër Shuteriqi në vitin 1989; studiuesja Odete Marke (Odette Marquet) në vitin 1989 dhe 1991; Androkli Kostallari në vitin 1991, Aurel Plasari në vitin 1994; profesori i gjuhës dhe i letërsisë shqipe pranë Universitetit Oriental në Napoli Italo Konstante Fortino në vitin 1995 dhe Prof. Shefik Osmani (1923-) në vitin 1996.
Fakte të reja mbi humanistin e madh, të nxjerra nga arkivi i Propaganda Fides në Romë, Marlekaj na jep në veprën tij “Pjetër Bogdani e Shqipnia e kohës së tij”.
Të dhëna për Bogdanin, të marra nga arkivi i Kongregatës “de Propaganda Fide” si dhe nga arkivat sekretë të Vatikanit, na jep studiuesja Odete Marke në veprën “Pjetër Bogdani – letra dhe dokumente”.
Në librin e vet Historia e letërsisë shqiptare, të përmendur më lartë, në faqen 52, në fusnotë, autori Robert Elsie, thotë:
“Disa autorë pëlqejnë ta datojnë vitin e lindjes 1625, por megjithatë viti 1630 ka më shumë të ngjarë”.
Nga sa më sipër del se ndajfolja “rreth”, e përdorur në katër e veprat e sipërpërmendura, dëshmon se viti i lindjes i Pjetër Bogdanit, nuk dihet saktësisht nga studiuesit e veprës dhe të jetëshkrimit të tij.
Në librin Çeta e profetëve (I) të Pjetër Bogdanit, Rilindja, Prishtinë 1989, botuar me rastin e 300 vjetorit të vdekjes së tij, me transliterimin në gjuhën e sotme shqipe, me përkthimet dhe me parathënien e Dr. Engjëll Sedajt, me redaktimin krahasues të transliterimit në gjuhën e sotme të bërë nga Dr. Ibrahim Rugova, në faqen 12 shkruan:
“P. Bogdani u lind në Gur të Hasit në vitin 1630”.
Kjo fjali përfundon me një fusnotë, sqarimi i së cilës jepet në faqen 530 dhe ka këtë përmbajtje:
“Meqenëse ne sot nuk disponojmë me dokument të pagëzimit përkitazi me ditëlindjen e tij, në disa histori të letërsisë shqiptare, si vit i lindjes është shënuar viti 1625, ashtu siç kishte menduar I. Zamputi. Këtë datë e gjejmë edhe në Historia e popullit shqiptar, I, Prishtinë, 1968, p. 351, kurse te Guiseppe Ferrari Storia della letteratura albanese, vol. I, Bari, 1978) shënohet viti 1624”.
Nga sa më sipër del se për vitin e lindjes të Pjetër Bogdanit ka tre burime. Sipas njërit prej tyre, i marrë nga Injac Zamputi, ai ka lindur më 1625. Sipas një burimi tjetër, ky atdhetar i madh i kombit, ka lindur më 1630, ndërsa sipas një burimi të tretë, ai paska lindur më 1624.
Lindja e tij në vitin 1625, figuron kryesisht në fjalorët enciklopedikë dhe në tekstet shkollore apo universitare në Shqipëri.
Por, sipas disa studiuesve, viti më i saktë i lindjes së tij duhet të jetë viti 1630.
Duke qenë se burime të sakta rreth vitit të lindjes së tij nuk ekzistojnë, prandaj studiuesit, para vitit të lindjes, e përdorin ndajfoljen “rreth”.
Sa i përket vitit të vdekjes, të gjitha burimet përputhen se Pjetër Bogdani ka vdekur në Prishtinë në vitin 1689.
Në përmendoren e kësaj figure vigane të kombit, të vendosur në Shkup para ca ditësh, viti i lindjes së tij mbase nuk mund të kontestohet në mënyrë të argumentuar, mirëpo viti i vdekjes së tij, 1686, është gabim, ngase nuk përputhet me asnjë burim të jetëshkrimit të Pjetër Bogdanit – të njohur deri më tani.
Është mirë që ekspertët e fushës përkatëse – skulptorët të ndërhyjnë në mënyrë profesionale në funksion të shmangies së gabimit në pllakën e përmendores së tij në Shkup.