Ketu gjithçka është e qetë, zë i gjallë nuk dëgjohet, por prapëseprapë unë, gazetari dhe fotografi zviceran, të cilët me shoqëruan për albinfo.ch, ndihemi të ndrydhur nga pesha e dhimbjes që mbretëron para derës së të ndjerit, Gëzimit, 29-vjeçar.
Laurent-i, gazetari zviceran, vështron palët e këpucëve të radhitura para derës në fjalë, dhe nga numri i shumtë i tyre rrëqethemi. Zemra ime nuk zë vend prej rrahjeve që nxitohen nën ushtimën e dhimbjes, këtu dikush ka marrë jetën e dikujt tjetër. Babai i të ndjerit hap derën, ndërsa djali i tij më shikon ngulshëm, buzët e tij i dridhnin tërë shprehjen e fytyrës. Në shenjë përshëndetjeje, shtrëngoj fort dorën e babait sikur për të ngrirë heshtjen e varrës. Për një çast harrova gazetarët pas meje, sytë e babait më kujtuan trishtimin që kam parë shumë herë në sytë e prindërve shqiptarë të të njëjtës moshë, prindër gjithnjë të detyruar të pajtohen me fatin katil. Vëllai i të ndjerit qëndronte pas babait, ai mezi mbante derën e hapur. Haberi i zi kishte kapluar fuqinë e tij, tronditja e bënte të mbajë me zor edhe trupin e tij. Më pas gratë punonin në heshtje, dukej që zëri i pamjes ishte fikur, sikurse nuk duhej prishur gjumin e të ndjerit.
Shpjegoj me shumë vështirësi që ne, albinfo.ch në bashkëpunim më shtypin zviceran deshëm të takojmë familjen për të ndarë dhembjen dhe për ta kuptuar situatën. I tregoj se hapi ynë kishte për qëllim t’u japim mundësi lexuesve shqiptarë dhe zviceranë të vetëdijesohen për këtë fatkeqësi. Pak para se t’i gaditet zëri, babai afrohet: «Të shtunën nisem për Kosovë, shpinë e kam plot. Nuk mund t’ju flas shumë gjatë. Familja ime është e qetë dhe pa probleme. Ne kurrë nuk kemi qenë të njohur nga policia për dhunë apo gjëra të tilla. Po nuk po mjaftuaka për t’i ikur të keqes».
Nuk mjafton…
Para se të tërhiqemi, sërish shtrëngoj me zemër dorën e babait të vjetër, të cilit dukej që edhe shpirti iu kishte tharë.
Laurent-i, gazetari zviceran, largohet me mua. Ndërkohë, duke zbritur në ashensor me thotë: «Çfarë burri, plot dinjitet ishte ky baba, qëndrimi i tij stoik më ka befasuar pa masë. Si është e mundur që gjëra të tilla të prekin njerëz kaq të butë».
Edhe pse fjalët më mungojnë, mendimet nxitohen njëra pas tjetrës dhe vështroj me shumë pikëllim se për një shtresë të popullit shqiptar plumbi vazhdon të jetë armë e komunikimit. Si të mos më shkojë mendja te puna e palodhshme e Anton Çetës dhe akolitëve të tij. Më kujtohen dhomat e stërmbushura me burra të mbledhur për të luftuar dhunën në mes të shqiptarëve në diasporë për hir të popullit dhe familjes.
Nisemi, gazetari, fotografi dhe unë, me plot pyetje në krah dhe zemrën e luhatur. Pas nesh qëndron ndërtesa ku një familje e tërë është dërrmuar në shpirt, nëna, babai, vëllezërit, motra, bashkëshortja dhe tri drita të syve, dy vajza (1 dhe 7 vjeç) dhe një djalë 5 vjeç.
Familja Hasani tregon adresën e varrimit të Gëzim Hasanit
Familja Hasani njofton të gjithë miqtë, shokët dhe dashamiret saj që me rastin e
vdekjes tragjike të djalit, vëllait, babait të tyre,
Gëzim Hasani
varrimi do të bëhet në ora 14:00,
të shtunën me 3 nëntor 2012
në fshtin Godanc të epërm,
Komuna Shtimë.
Vritet kosovari 29 vjeçar në rrethana misterioze
Në një garazh në Chavanes-pres-Renens të kantonit Vaud, në afërsi të Lozanës është gjetur kufoma e një 29 vjeçari të vrarë. Fjala është për një shtetas zviceran me prejardhje kosovare, njofton policia.Në trupin e të vdekurit janë gjetur disa projektile. Policia është njoftuar për rastin të hënën në orën 15.40, thuhet në një komunikatë të Policisë së Kantonit Vaud, e cila e kishte gjetur trupin e të vdekurit të shtrirë në garazh. Në oborr ndodhej vetura e tij, motori i të cilës vazhdonte të ishte i ndezur.Policia është dujke ndjekur disa pista të krimit, ka thënë një zëdhënës i saj për mediet zvicerane. Viktima nuk ka qenë e njohur për policinë deri më tash. Kufoma e tij do t`i nënshtrohet obduksionit.30 policë me dy qen gjurmues kanë vëzhguar të martën terrenin ku është gjetur i vrari por nuk kanë gjetur asnjë indikacion. Policia shpreson se do të ketë të dhëna rreth vrasjes pas shpalljes së kërkimit të dëshmitarëve të rastit.
Kunati, vrasësi i kosovarit në Renens
Pak pas vrasjes, hetuesit e Policisë në Vaud kanë identifikuar të dyshuarin për vrasjen në Renens. Në bazë të hetimeve dhe intervistave me dëshmitarët, hetimet kanë çuar te autori i dyshuar për vrasjen, në një apartament në La Chaux-de-Fonds.
Këto informacione i janë dhënë policisë së Neuchâtel-it, të cilët natën rreth orës 11:30 edhe e kanë arrestuar të dyshuarin dhe katër persona të tjerë.
Një armë që i përkiste të dyshuarit është gjetur në banesën në La Chaux-de-Fonds.
I dyshuari është një kosovar 27-vjeçar, banor i qytetit të Lozanës, i cili është marrë në pyetje nga policia e Vaud-it. Ai ka pranuar se ka kryer vrasjen duke qëlluar tri herë me armë në drejtim të viktimës, i cili ishte kunati i tij. Sipas hetimeve paraprake, mosmarrëveshjet familjare ishin motivet e këtij rasti në Lozanë.(Kortezi Albinfo.coh)