Esse nga Rafael Floqi
Shqipëria është vendi i kontrasteve. Turistët vijnë shqiptarët me miliona shkojnë me kohë të pacaktuar, disa milionë, ata vijnë ne ikim, sa tani nuk ka as punëtorë të thjesht si kamerierë dhe sanitare. Për vite me radhë, Shqipëria po renditet në listën e vendeve me nivelin më lartë të emigracionit të popullsisë të arsimuar, i njohur si fenomeni “Brain Drain” (emigrimi i trurit) në raport me popullsinë. Ne mburremi se duhet te hyjmë në Evropë, por çuditërisht jo me arritjet e vendit tonë po me metodat tona, me këmbë, me avionë me gomone mbi Lamansh.
Po dhe ti ke ikur më thotë dikush, pse do që ne mos ikim ne”. Ndaj mua po më ikën truri pse po ikën truri. Dhe u vë të drejtë, aq sa dhe i qortoj dhe më kumbon në mëndje thënia në anglisht.” Don’t let your brain, to take a plane” Mos e lër trurin, të zër avionin.
Don’t let your brain, to take a plane
A thua jam hipokrit? Se besoj. Po ti pse ke ikur me thonë, dhe unë s’kam përgjigje, por prapë se prapë gjithnjë mendoj se duhet ta mbajmë trurin në dheun e atdheut. E them se më dhemb, kur lexoj se seksioni i FDI Intellegence në Financial Times llogariti se Shqipëria bashkë me 9 vende afrikane kishin nivelin më të lartë të emigrimit të trurit edhe në vitin 2022. Sipas raportit,
“FDI Intellegence” analizoi të dhënat nga 179 vende në të gjithë botën dhe për vitin 2022, rezultoi se ishulli polinezian i Samoas ishte kombi më i prekur, me nivelin më të lartë të emigrimit të “kapitalit njerëzor dhe ikjes së trurit”. Ai u pasua nga Xhamajka, Palestina, Mikronezia, Somalia, Eriteria, El Salvador, Shqipëria, Haiti dhe Gujana. Siç shihet nga të dhënat,. Shihni se ku bie Shqipëria është i vetmi vend jashtë Afrikës për nivelin më të lartë të emigrimit të trurit duke u renditur e 8-ta në rang global në vitin 2022.
Shqipëria. një vend më afrikan, se vetë afrikanët
Kështu nga krahasimi Shqipëria i del që është një vend më afrikan, se vetë afrikanët po një vend afrikan pa lëkurë të zezë, por nje vend qe kërkon Evropën dhe Amerikën. jo në vendin e vet, por kudo në botë. Në 1990 ne kërkuan të bëhemi si në Evropë, por meqë Evropa s’ vjen tek ne shkojmë te Evropa, si ajo thënia: “Nëse mali nuk shkon te Muhameti, atëherë Muhameti duhet të vijë tek mali” e cila ka qenë rreth e qark prej shekujsh, dhe i atribuohet fillimisht folklorit turk, si dhe është ri-treguar në ‘një esse nga Francis Bacon pothuajse 400 vjet më parë (c1625) – ‘Muhameti thirri Malin që të vinte tek ai. Dhe kur Mali u ndal, ai ishte as pak i turpëruar, por tha; Nëse Mali nuk do të vijë te Muhameti, Muhameti do të shkojë tek mali. Të jetë kështu? Situata e largimit të trurit nga Shqipëria ka qenë më e rëndë para pandemisë Covid-19. Studimi tregon se Shqipëria ishte e katërta në rang global për nivelin e lartë të emigrimit të trurit. D.m.th shqiptarët kanë aq tru sa e eksportojnë. E kuptoni ‘Myshterinj urdhëroni tru, tru shqiptari nga ai i papari.”
Shqiptarët paskan aq tru sa e eksportojnë
Sa tani mbaruan edhe mjekët dhe duan t’i detyrojnë studentët të rrinë në vend. Duam trurin tuaj për pesë vjet pastaj bëni si të dini vet. Ndërkohë Qeveria në Tiranë po bën një diskriminim ndaj studentëve të mjekësisë, pasi këtë haraç që i ka vendosur studentëve të mjekësisë nuk ja ka vendosur studentëve të degëve të tjera. Për momentin qeveria po e shkel kushtetutën”. Por si është situata?
Largimi i trurit, i cili i referohet një numri të madh njerëzish të arsimuar ose profesionistë që lëvizin për të jetuar dhe punuar jashtë vendit, mund të rëndojë shumë në perspektivat e zhvillimit të një vendi. A thua e di qeveria këtë. Hartuesit e raportit vunë në re se emigrimit i trurit ishte tipar i shteteve ishullore përveç Shqipërisë.
Autorët e studimit evidentuan se emigrimi i trurit vjen si kombinim i faktorëve politik, klimatike dhe ekonomike. Përveç shteteve të vogla ishullore në zhvillim, vendet në Afrikës Sub-Sahariane janë gjithashtu të prekura nga largimi i kapitalit njerëzor.
Ndërsa arsyet e emigrimit ndryshojnë ndërmjet individëve dhe vendeve, ikja e trurit ndikohet gjerësisht nga presionet politike, ekonomike dhe mjedisore.
Termi “ikje e trurit” i referohet transferimit ndërkombëtar të burimeve të kapitalit njerëzor dhe zbatohet kryesisht për migrimin e individëve me arsim të lartë nga vendet në zhvillim në vendet e zhvilluara. Termi përgjithësisht përdoret në një kuptim më të ngushtë. Ai lidhet më konkretisht me migrimin e inxhinierëve, mjekëve, shkencëtarëve dhe profesionistëve të tjerë shumë të aftë me formim universitar, drejt vendeve të zhvilluara. Ikja e trurit është një pengesë serioze për zhvillimin e vendeve të varfra. “Truni nuk bie larg hunit, por huni bie larg trunit.”
Askush nuk mohon përparimin tonë në vitet e tranzicionit demokratik shqiptar. Por gjithkush e sheh këtë si mjaft të stërgjatë, të lodhshëm, madje të mundimshëm gjer në rraskapitje, kur, në fakt, pritej të bëhej shumë e shumë më tepër për ta futur Shqipërinë, pa kohëhumbje, në hullinë e një vendi me parametrat evropiane të shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës. Do të ishte mbi të gjitha, respekt e nderim ndaj vullnetit të popullit të shumëvuajtur sovran, kur gjithçka është luajtur mbi kurriz të tij, me harxhet e paguara për hanxhinë e keq, ndonëse i është dhënë vota gjithë besim e mirëbesim.
As më shumë e as më pak, përparimi i ngadaltë me hap breshke, me zvarritje ligaveci, me brekë nëpër këmbë, si gjer më sot, është i patolerueshëm. Pasi mendja e hapur është si dritarja, lejon diellin e diturisë të hyjë në shpirt.
2M- Meritokracia dhe mungesa e mundësive për karrierë
Arsyeja kryesore pas ikjes së trurit në Shqipëri është mungesa e mundësive për karrierë, investimeve dhe pagave më të ulëta në vendet e origjinës. Njerëzit shumë të aftë nuk marrin ekspozimin e duhur ku mund të shfaqin aftësitë e tyre. Meritokracia e tyre term që e futi Fatos Nano u kthye në shkërdhatokraci. Ata nuk kanë mundësinë të rriten më lart. Kjo ndodh sepse, në shumë organizata private dhe qeveritare, menaxherët e ulur në poste më të larta u japin përparësi të afërmve dhe njerëzve të njohur. Shumë herë, ekipi i punësimit nuk përdor procesin e saktë të vlerësimit për të rekrutuar njerëzit e aftë . Për më tepër, rezervimi dhe kuotat e rezervuara në vendet e punës në qeveri janë arsyet kryesore pse të rinjtë humbasin interesin për t’u paraqitur në provime të ndryshme konkurruese apo qeveritare. Shtuar këtu dhe mikun dhe ryshfetin. Fjalën mund të na e kenë lënë turqit, por veprimin e bëjmë vetë. Apo jo? Tregoi kadiut paranë, ndryshe e zgjidh davanë.
Shqiptari nuk ta fal suksesin dhe kur ke pushtuar botën
Ja si shprehet sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho në një intervistë e larguar nga Shqipëria në ‘93 u rikthye pas 11 vitesh në 2004, për të vendosur ne skenë “Elisir d’amour”, por kjo shfaqje iku pa bërë shumë zhurmë. Unë isha e ftuar tek “Elisir d’amour” dhe kam kënduar vetëm natën e tretë, sepse ndoshta dikush mund të kishte frikë se mund t’i zija vendin. Ne shqiptarët jemi pak të çuditshëm në këtë pikë. Kemi ndjenjë të lartë xhelozie me njëri-tjetrin edhe pse flasim të njëjtën gjuhë. Ti mund të kesh arritur diçka, të jesh bërë dikushi edhe jashtë kufijve të vendit tënd, por kur kthehesh këtu e kemi shumë, shumë të vështirë që ta pranojmë zotësinë e tjetrit. E njëjta gjë ndodhi edhe për “Elisir d’amour”, nga nata e parë kalova në natën e tretë, unë doja të këndoja, sapo e kisha kënduar në Itali, pastaj është në mes edhe egoja e artistit. Megjithëse ndodhën gjërat kështu, vendosa ta këndoja. E bëra edhe për tim atë. Kështu shkova në Teatrin e Operas dy orë përpara shfaqjes dhe supozohej që të kishe kostumet, do të visheshe nën petkun e dikujt tjetër. Nuk gjej kostumet, nuk gjej këpucët. Por prapë thashë do ta bëjë këtë për tim atë, do të dalë në skenë. Dhe u rregullova si munda e dola. Nuk mjaftoi kjo, por në skenën gjatë shfaqjes, kjo është një opera komike dhe sipas libretit në skenë mua më vjen një letër me tekstin e një kënge ku tallej një personazh, por mua më erdhi një letër anonime, e bërë me shkrime gazetash, të marra dy rrokje këtu, një fjalë atje, ishin ngjitur me merak si nëpër filma. Lexoj letrën që ishte e gjitha një xhelozi e plotë, ku më kërkohej që të ikja. E lexova dhe nuk po i besoja vetës. Pashë rreth e rrotull, jam në skenë apo ishte ëndërr dhe sinqerisht instikti im i parë pas asaj letre ishte i thjeshtë. Thashë me vete personin që e ka dërguar duhet ta kem në publik, ndaj e mora letrën e bëra copa-copa të vogla dhe e hodha në ajër si dëborë dhe qeshja mesa kisha në kokë. Lëvizja nëpër skenë, këndoja, qeshja. Ju, mund t’ju them se u ndjeva pakëz si jetime në vendin tim. Nuk dua të jem negative, por ne na mungon vlerësimi për njëri-tjetrin. Luftën më të madhe për të njohur punën time dhe mua e kam pasur me vendin tim. Kështu “Elisir d’amour” u shndërrua në “Elisir d’envier” – në elizirin e zilisë.
Një barcaletë e lashtë, mjaft e freskët
Por thua kjo është në vendlindje, jo huqet nuk kanë kufij, eksportohen pa doganë dhe në diasporë. Një biznesmen shqiptar këtu në Michigan më thoshte. Mora pjesë në një bidding për një kontratë për një punë pastrimi në një qytet në Michigan. Sipas kushteve të kontratës unë duhet të isha fitues, Në tryezën përballë si vlerësues ishte dhe një shqiptar. Dhe ai që më bëri të humbas ishte pikërisht ai. Të kthehemi pak nga vetja dhe këtu në Amerikë siç bënte Konica. Apo të tregojmë atë barcaletën e vjetër që nuk e ka humbur kurrë aromën. “Dy shqiptarë në Stamboll shpëtojnë nga mbytja në Dardanele, të birin e Sulltanit . Sulltani kur e mori vesh, i thirri dhe u premtoi se do ti jepte nga një pasuri të madhe. I pari e pranoi. Por kur e pyeti të dytin ai i tha: “Padishah, unë nuk dua gjë për vete por mos i jep atij të parit.”
Ikja e trurit dhe lodhja e me burokracinë
Ikja e trurit ndodh gjithashtu kur një punonjës humbet interesin për punën. Nëse vazhdon të bëjë të njëjtën detyrë për 5 deri në 6 vjet, ai ngopet me punën. Ai dëshiron një rol dhe përgjegjësi të re që e emocionojnë dhe e sfidojnë atë të bëjë punën. Ndryshimi në punë gjithashtu mpreh aftësitë e tyre dhe rrit ndjeshëm të ardhurat e tyre. Kultura e punës dhe mjedisi gjithashtu luajnë një rol të madh në ikjen e trurit. Nëse kultura e punës nuk është fleksibël dhe e besueshme, atëherë njerëzit fillojnë të mendojnë të largohen nga organizata dhe të kalojnë në një tjetër. Shumë herë politika në zyrë, lojërat e fajësimit, puna e tepërt, asnjë vlerësim dhe asnjë shpërblim gjithashtu e detyrojnë një person të kërkojë një mundësi më të mirë ku aftësitë e tij do të vlerësohen.
Natyrisht Gjermania dhe vendet evropianë kërkojnë specialistë pasi mungojnë forca të reja pune, dhe ndoshta ua njohin atyre diplomën. Por përvoja deri më sot edhe këtu në SHBA. Sot në SHBA ka me dhjetëra mjekë dhe të specializuar që punojnë në qendra shëndetësore dhe shtyjnë barelat, unë di specialistë zemre që merret me pastrime dhe njoh inxhinierë ndërtimi që shtyjnë karrocat në Wallmart. Puna është nder. Pasi diplomat shqiptare nuk njihen dhe marrja e licencave profesionale është një sfidë më vete. Ndoshta këtë duhet t’ua themi edhe atyre studentëve të mjekësisë. Por njoh mjekë të talentuar që e pa përsëritur edhe një herë shkollës e mjekësisë për të marrë licencën dhe sot është shkencëtar për kompaninë La Roche.
Vendet me të ardhura të larta, të cilat zakonisht ofrojnë mundësi më të mira ekonomike dhe më shumë stabilitet politik, priren të kenë nivele shumë më të ulëta të largimit të kapitalit njerëzor. Në vitin 2022, Australia kishte rezultatin më të ulët të indeksit prej 0.4, e ndjekur nga Suedia (0.6), Norvegjia (0.6), Kanadaja (0.7) dhe Zvicra (0.8). Katari, një shtet i pasur i naftës, ishte i vetmi emër i Lindjes së Mesme që u shfaq në 10 vendet me rezultatet më të ulëta të treguesve të ikjes së trurit.
Metoda shtëpiake si mos të rrjedhë truri
Talenti në ekonomitë në zhvillim është i pakët, i shtrenjtë dhe i vështirë për t’u mbajtur. Por, për ekuilibrin e fuqive dhe për zhvillimin e botës, është shumë e rëndësishme ndalimi i fenomeneve të ikjes së trurit. Kjo do të ndihmojë një vend të caktuar që të përdorë të gjithë qytetarët vendas të aftë për zhvillim dhe përhapje. Boll u shfajësua Rama se gjithë bota emigron. Ai vetë ka qenë emigrant dhe u kthye. Ndaj duhet ta dijë se për t’i mbajtur këta punëtorë të kualifikuar në vendet e tyre të lindjes, është gjithashtu e rëndësishme t’u sigurohet atyre mundësi të mjaftueshme pune dhe lehtësira jetese. Për këtë qëllim, vendet e zhvilluara duhet të ndihmojnë vendet në zhvillim me paratë dhe burimet e nevojshme. Në mënyrë që çdo njeri në këtë planet të ketë një standard të mirë jetese dhe secili komb të mund të prezantohet si një komb i zhvilluar. Por kjo është aq iluzore sa vetëm kush nuk e ka parë emigracionin mund ta besojë. Ëndrra Amerikane është një term që përdoret shpesh, por edhe keqkuptohet shpesh. Nuk është në të vërtetë për t’u bërë i pasur apo i famshëm. Bëhet fjalë për gjëra shumë më të thjeshta dhe më themelore se kaq. “Ëndrra Amerikane në të cilën unë besoj është ajo që i ofron çdokujt që është i gatshëm të punojë mjaftueshëm, mundësinë për të pasur sukses.”
Ne duhet të ndërtojmë “Ëndrrën shqiptare” të jemi kuq e zi jo vetëm për një ndeshje futbolli. Botëkuptimi i një patrioti të vërtetë është : të ngjallësh kombit tënd – me shijen e mendimit intelektual dhe me ndjenjë të fuqishme dinjiteti kombëtar – me dëshirën e zjarrtë për përparimin e shoqërisë në kuptimin e plotë të fjalës. Ksenofobia, as që ishte pjesë e natyrës së patriotit. Ashpërsia dhe poshtërsia s’kanë si të jenë detyra patriotike. E megjithatë, gjithkush është i lirë të dojë a të urrejë, ose thjesht të jetë moskokëçarës (Konica Albania 1, 1905).
Mendoni e thënë 118 më parë. Ndaj mund t’u them atyre studentëve që protestojnë pa qenë hipokrit. “Ndërtoni kombin me imagjinatën tuaj. Ndërtoni një komb, jo vetëm një karrierë. Pasi koha është shërbëtor i mençurisë.
Një thënie angleze thotë :Build your empire, right where you are”.
Ndërtoni një perandori në vendin ku rri.