Në kujtim të poetit të madh Agim Doçi/
Nga Nikollë Loka/
Agim Doçi lindi në Shkodër me 9 maj 1948, në një familje shumë të njohur nga Mirdita, e cila kishte kontribute të rëndësishme kombëtare. Shkollimin deri në gjimnaz e vazhdoi në Shkodër, pastaj ka vazhduar studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike. Ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale, duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë etj. Në fund të viteve ’80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit “Misto Mame”, si kryeinxhinier për energjinë. Pas viteve ’90 iu kushtua poezisë, artit, publicistikës dhe gazetarisë, duke kryer detyra të rëndësishme: drejtor i ATV Media Company në Zvicër (1999-2005); drejtor i Marrëdhënieve Publike, Informacionit dhe Shtypit në Ministrinë e Mbrojtjes (2013 deri kur doli në pension). Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë që nga viti 1974 e në vazhdim.
Agim Doçi u bë një nga emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare, popullore, të përpunuar apo asaj të lehtë. Talenti letrar i Agim Doçit u shfaq madhërishëm që në vitin 1974, kur mori pjesë për herë të pare në Festivalin e Këngës në RTSH dhe që atëherë, për pesëdhjetë vjet rresht nuk iu nda festivaleve të RTSH-së dhe veprimtarive të tjera muzikore kombëtare për të rritur e fëmijë, ku kishte krijuar një profil krejt të veçantë poetik e artistik dhe ishte nderuar me 50 çmime kombëtare. Vetë Agimi në një intervistë është shprehur:” Juritë më mësuan keq, më jepnin çmime gjithmonë, madje ka ndodhur që brenda festivalit këngët e mia kanë marrë çmimin e parë, të dytë dhe të tretë”. Vargjet e poetit Agim Doçi u ngjitën edhe në skenën muzikore më të madhe europiane. Me vargjet e këngës “Imazhi yt” dhe zërin e këngëtares së talentuar Anjeza Shahini, në vitin 2004 Shqipëria arriti të merrte renditjen më të lartë deri tani në Festivalin europian të këngës, duke u vlerësuar me 106 pikë dhe pozicionuar në vendin e 7 nga 24 vende konkurruese. Ndërsa kënga “Më merr në ëndërr”, e kënduar nga Kejsi Tola, me tekstin e Agimit, u rendit në vendin e 17-të në Eurovizionin e vitit 2009. Agim Doçi ishte autori i preferuar i teksteve të disa nga këngëve më të dashura të shqiptarëve: “E duam lumturinë”, kënduar nga Parashqevi Simaku; “Nata”, kënduar nga Aurela Gaçe; “Loçka jeme”, kënduar nga Albërie Hadërgjonaj; “A do të vish”, kënduar nga Luan Zhegu; “Ma ke prish gjumin e natës”, kënduar nga Sabri Fejzullahu dhe Ledina Çelo etj.
Bashkëpunimin më të madh poeti Agim Doçi e ka patur me kompozitorin Edmond Zhulali, Mjeshtër i Madh, me të cilin ka shumë këngë të festivaleve në Shqipëri, si dhe shumicën e këngëve kushtuar Kosovës. Janë mbi 100 këngë për luftën e Kosovës, ndër të cilat “A vritet pafajësia”, kënduar nga Leonora Jakupi; “Ti Shqipëri më jep nder”, kënduar nga Kastriot Tusha dhe Manjola Nallbani; “Marrshi i UCK-së”, kënduar nga Arif Vladi, etj.
Si mjeshtër i vargut, Agim Doçi është autor i vëllimeve me poezi: “Hajde dru me pre”, “Rrëzuar mbi vetminë”, “Rituali i kryqëzimit”.
Si skenarist është autor i disa dokumentarëve televizivë: “Dosje për Nako Spiron”; “Enigma e madhe”; “Luk Kaçaj – vrasja e artistit”, për akademik Dhimitër Shuteriqin; “Më shumë tituj se sa jetë”, për Panajot Panon. Skenarist në kinokomedinë “Fejesa e Blertës”; “Vizion 2000” (1996); krijues i himneve futbollistike për ekipet “17 Nëntori” e “Vllaznia”. Dëshmohet dhe si krijues i himneve “Marshi i Policisë Ushtarake” dhe i tetë dokumentarëve “Shqipëria në NATO” etj. Agimi e ka kryer me shumë përkushtim punën edhe si gazetar profesionist, në shkrime me shumë vlerë, si nga tematika dhe nga mjeshtëria artistike. Agim Doçi ishte polemist i lindur, mjeshtër i gjetjeve të argumenteve bindëse gjatë debatit, qytetar kurajoz që e thoshte fjalën kudo ku i jepej mundësia. Ai e ngriti në art polemikën, madje e theksonte vazhdimisht vlerën e saj, duke cituar një urtësi mirditase se “mallkimi ma i madh asht me të vdek fjala”.
Fjala e Agim Doçit nuk ka vdekje. Ai e ka shënuar emrin në repertorin e zgjedhur të festivaleve muzikore të pesëdhjetë viteve të muzikës shqiptare e përtej saj, në veprat e tij me poezi, skenarët televizivë, në qindra shkrime të botuara në median e shkruar, në debatet e shumtë televizivë dhe bisedat në studio për letërsinë dhe kulturën në përgjithësi, duke u përjetësuar me artin e vet. Por ai nuk ka ngurruar të shfaqë mendime apo kundërshti edhe ndaj mënyrës se si po qeverisej Shqipëria ndër vite. Për vlerat e larta të poezive, shkrimeve e të drejtimit në gazetari, i është dhënë Çmimi i Madh i Mediave nga “Centre of Exellence Defence” të NATO-s. Është dhe fitues i Çmimit të Madh Poetik (2002) në Bellinzona të Zvicrës. Presidenti i Republikës së Shqipërisë i ka akorduar Agim Doçit titullin “Mjeshtër i Madh”(2015). Është vlerësuar me shumë tituj e dekorata nga qeveria e Kosovës, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Organizata e Veteranëve të Luftës në Kosovë etj.