Përfundoi Edicioni Jubilar i FNP “Ditët e Naimit”/
Për të njëzetën herë me radhë, poetët nga mbarë bota, si dhe poetë shqiptarë nderuan gjuhën shqipe, Naimin, shqiptarët… Edicioni i XX i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, i cili u mbajt prej 20-24 tetor 2016, ishte një festë, një ngjarje e madhe kulturore. Ky projektshenjues kulturor me karakter ndërkombëtar programin e tij e zhvilloi në kryeqendat e shqiptarëve: në Tetovë dhe në Prishtinë/Prizren. Ate e karakterizoi një program i ngjeshur letrar, artistik dhe kulturor. U mbajtën tri lexime letrare, u zhvillua një konferencë shkencore, u hap një ekspozitë fotografish të Festivalit dhe të Naim Frashërit, si dhe u bënë vizita të ndryshme në monumentet kulturore, historike dhe fetare në qytetin e Tetovës, Prishtinës dhe të Prizrenit.
Në këtë Edicion jubilar morrën pjesë afro 30 poetë me një shtrirje të gjerë gjeografike, si: Kuei-shien Lee (Taivan), Nicole Barriere (Francë), Ricardo Rubio (Argjentinë), Carla Cristopher (SHBA), Gabriela Elisha (Izrael), Dalila Hiaoui (Marok), Alicia Minjarez (Meksikë), Laus Strandby Nielsen (Belgjikë) Giuseppe Napolitano (Itali), Anton Baev (Bullgari), Sadik Bejko (Shqipëri), Kamran Mir Hazar(Hazaristan/Norvegji), Alla Polosina (Rusi), Chen Hsiu Chen (Taivan), Silke Liria Blumbach (Gjermani), Laure Cambau (Francë) Olivera Docevska dhe Dragana Evtimova (Maqedoni), Ragip Sylaj dhe Ndue Ukaj (Kosovë, Puntorie Muça Ziba (Maqedoni), Ilir Levonja (Shqipëri / SHBA), Riza Braholi dhe Odise Kote (Shqipëri) etj.
Në këtë Edicion jubilar morrën pjesë poetë me një shtrirje të gjerë gjeografike, si: Kuei-shien Lee (Taivan), Nicole Barriere (Francë), Ricardo Rubio (Argjentinë), Carla Cristopher (SHBA), Gabriela Elisha (Izrael), Dalila Hiaoui (Marok), Alicia Minjarez (Meksikë), Laus Strandby Nielsen (Belgjikë) Giuseppe Napolitano (Itali), Anton Baev (Bullgari), Sadik Bejko (Shqipëri), Kamran Mir Hazar(Hazaristan/Norvegji), Alla Polosina (Rusi), Chen Hsiu Chen (Taivan), Silke Liria Blumbach (Gjermani), Laure Cambau (Francë) Olivera Docevska dhe Dragana Evtimova (Maqedoni), Ragip Sylaj dhe Ndue Ukaj (Kosovë, Puntorie Muça Ziba (Maqedoni), Ilir Levonja (Shqipëri / SHBA), Riza Braholi dhe Odise Kote (Shqipëri).
Kështu, hapja e ceremonisë festive e Edicionit jubilar, të 20-it me rradhë, të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë përmes një performance mahnitëse fishekzjaresh, para Qendrës së Kulturës “Naim Frashëri”, në Tetovë. Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, laureati taivanez Kuei-shien Lee, dhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, vendosën buqete lulesh para shtatores së poetit tonë kombëtar “Naim Frashëri”, i cili ndodhet në qendër të Tetovës (shtatorja e Naimit është ngritur nga Drejtoria e Festivalit, në 100 vjetorin e vdekjes).
Më pas, në foajenë e Qendrës së Kulturës u hap ekspozita “Pelikani”, me fotografi, botime të shtëpisë botuese të Festivalit, pllakate, programe e ftesa të festivalit, si dhe shkrime të botuara nëpër gazeta dhe revista të ndryshme në gjuhën shqipe dhe ate të huaj. Publikut në këtë hapje iu dhurua antologjia e këtij edicioni dhe botime të tjera të Festivalit.
Hapjen e Edicionit jubilar e bëri, drejtori i Festivalit, z. Shaip Emërllahu, i cili tha se, “Letërsia ndër vite ka njohur modele dhe tipe të ndryshme ndërkomunikimi. Në vazhdimësi këto stereotipe dialogimi, të cilat kanë qenë të shumta dhe të ndryshme, kanë bartur peshën e zhvillimit dhe afirmimit letrar. Një nga ta është edhe modeli i festivaleve, i cili është mjaft i përhapur në botën kulturore. Festivalet ndërkombëtare letrare e kulturore, gjithandej nëpër botë, paraqesin stereotipe të veçanta komunikimesh. Ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një arenë, ku dialogohet nga afër në nivel subjekti letrar dhe kulturor, në nivel prodhimi letrar, gjuhësor, si dhe të atij etnik.
Kualiteti i qytetërimit, i njerëzimit, mvaret nga performanca e ndërtimit të një bashkëbisedimi, pra ‘nga dialogimi shpirtëror dhe frymor’. ‘Shpirti i një populli pasqyrohet në poezinë e tij, më mirë se, në çdo formë tjetër të artit’ – thotë Alen Boske. Kështu, ky dialogim eksperiencash letrare të etnive përmes këtyre takimeve letrare shpërfaq ngecjet dhe ecuritë përkatëse.
Në fjalët tona të hapjes së edicioneve të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë ‘Ditët e Naimit’ (Tetovë), vazhdimisht kemi izoluar dhe afirmuar vlerat e ndërkomunikimeve bashkëkohore letrare e kulturore që kanë reflektuar 19 edicionet e këtij shënjuesi kulturor, i cili çuditërisht flet nga cepi i gjeokulturës sonë. Mbase, kjo është edhe një tregues se, aty ku ndodh ndeshja e diversiteteve, kjo formë komunikimi favorizon shkëputjen nga ‘rrethi vicioz i provincializmit dhe izolimit kulturor,’ rimburson rrjedhjet dhjetravjeçare në këtë drejtim, si dhe paraqet formën e vetëdijes sonë globaliste për të komunikuar, ruajtur dhe afirmuar identitetin kulturor e shoqëror.
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë ‘Ditët e Naimit’, përveç dialogimit nëpërmjet leximeve letrare, debateve letrare ajo komunikon edhe përmes përkthimit të letërsisë së huaj në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Këto përkthime vijnë nëpërmjet publikimeve të veçanta, si dhe përmes botimit të antologjive të poezisë së poetëve pjesëmarrës. Botimet elektronike janë një tjetër menyrë komunikimi e poezisë së poetëve, ashtu siç janë edhe përurimet e botimeve të ndryshme të edicionit të Festivalit.
Nën dritën e një formatimi të ri global këtyre modeleve të interkomunikimit iu nevojitet një rishikim, pra një kod që do t’iu përgjigjet kërkesave që i dikton kjo epokë unifikuese.
Sa ekziston gadishmëria, cila është vetëdija dhe sa arrijmë ta akceptojmë nevojën e modifikimit të këtyre modeleve ndërkomunikuese, kur sa vjen e dëshmohet edhe përmes këtyre festivaleve letrare se, ‘poezia është një mjet interkomunikues dhe interkulturor që mund të shfrytëzohet racionalisht dhe praktikisht edhe në këto kushte moderne, kur flitet për një frymë globale’..”
Më pas, artisti Zeqir Mehmeti i dorëzoi punimet artistike: logon e Festivalit dhe emrin e poetit kombëtar, Naim Frashëri, drejtorit të Festivalit për kontributin e tij 20 vjeçar.
Edicionin e XX të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” e përshëndeti edhe kryetarja e komunës së Tetovës, zonj. Teuta Arifi. Ajo, në fjalën e saj, në mes tjerash theksoi se, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” për 20 vjet ka luajtur një rol të madh në afirmimin e kulturës dhe letërsisë shqipe, në afirmimin e qytetit tonë… kështu, që ajo kërkoi nga institucionet që t’i kushtojnë një vëmendje më të madhe këtij Festivali.