Dhimitër Gegprifti/
Një tjetër botim me vlerë nga M. Xhydollari (Hudënishti)
Studiuesi dhe botuesi, tashmë i njohur. Muharrem Xhydollari vjen përsëri me një botim dedikuar qytetit tonë të dashur, Pogradecit. Libri i përket fushës së letërsisë dokumentare dhe shpreh interesimin e autorit rreth hapësirave gjeografike të rrethit, pasurive natyrore, burimeve njerëzore e më gjerë.
Autori, nëpërmjet gjuhës lakonike, ndërthur mjeshtërisht elementin dokumentar me atë letrar e historik. Struktura kompozicionale rrok katër nëntema, të cilat duke u shtjelluar përbëjnë një vlerë të shtuar në identitetin dhe promovimin e pasurive të paçmuara të rrethit tonë.
Në kërkim të së vërtetës dhe përcjelljes me rigorozitet të saj, autori udhëton në kohë, duke shfrytëzuar dokumentet arkivore, të cilat nxjerrin në dritë origjinën e emërtimeve të huaja të vendbanimeve tona. Ai shton edhe dëshirën e tij patriotike për t’i zëvendësuar ato me emra të gjuhës shqipe. Pasuritë ujore e tokësore, kulturore e folklorike të Pogradecit, i prezantohen lexuesit nëpërmjet një ekskursioni imagjinar në këto vise. Më shumë se informacioni objektiv që përcillet, të rrëmben patosi atdhedashës, krenaria e autorit për kontributin e sa e sa brezave, për të kultivuar e shfrytëzuar në dobi të komunitetit këto pasuri.
Një hapësirë të kursyer, por me rol lidhës të rëndësishëm mes kapitujve të librit, autori ua kushton mendimeve të klasikëve të njerëzimit, të cilët vazhdojnë edhe sot të frymëzojnë njerëzit me ideale të larta.
Libri fiton më pas natyrë rrëfimtare përmes një Ciceroni dhe një Udhërrëfyesi të cilët shërbejnë si një guidë turistike e Pogradecit. Ata shpalosin vlerat natyrore, florën, faunën, historikun e zonës; flasin për patriotë të mëdhenj e intelektualë të zotë, që e kanë dashur dhe i kanë dedikuar jetën këtij vendi. Autori, me korrektësinë dhe erudicionin e tij, dashurinë e thekshme për vendlindjen e begatë dhe ndjesitë e larta atdhetare, i drejtohet një publiku më të gjerë se ai vendës, me qëllim promovimin e vlerave të gjithanshme të Pogradecit, këtij atraksioni të natyrës.