Një event për historinë e letërsisë, një hiç për kritikën zyrtare: Pentalogjia poetike e Net IsVeizit.
U ndanë çmime gjatë 2018-ës, u bënë edhe klasifikime. Siç pritej, u nderuan me to sidomos autorë pranë pushtetit, të sjellë në dritë nga botues ngjitur me pushtetin; të lëvduar nga tellallë që mbledhin me gjuhë thërrimet poshtë tavolinës së pushtetit.
Asnjë shkrim me peshë rreth një botimi të rrallë, të plotë, madhështor, epik, që i bën një shërbim të pakrahasueshëm gjuhës së lëvruar shqipe: pentalogjia “Argenit si shpirt yjesh”, “333+333 sonete” , “+ 333 sonete”, “Shpirtgenit si ar yjesh” si edhe “333 sonete” – sjellë për lexuesin nga “Botimet Magus”.
Me keqardhje e kemi pranuar që nuk kemi kritikë të mirëfilltë për letërsinë. Pas largimit nga skena të burizanëve të realsocit, pritej një boshllëk, por jo që të zgjaste kaq shumë. Por boshllëqet në kritikë, ashtu si edhe më gjërë në gjithë letërsinë – janë fatale. Në kritikë ato u mbushën me shkruajtës me porosi; në letërsi lexuesi ka mbetur pa një busullë, në mes të shkurreve të mediokritetit. Mendohej se nga vetë letrarët vërtetë të talentuar do të vinin shkrime të bazuara në cilësinë e veprave, por zhgënjimi qe i plotë: rrallë u gjendën shkrime të tilla. Nëpër media e social të marrin frymën elozhet për njëri-tjetrin, pothuaj gjithmonë nga shgarravitës që nuk kanë lexuar librat që lëvdojnë, mjafton të jenë të miqve, apo dhe, sidomos, të të afërmve.
As kritikët e mirëfilltë nuk janë të zhveshur prej subjektivizmit, por tek ata kriteri bazë – vlera e mirëfilltë – mbetet gur themeli.
Me Net IsVeizin nuk ndodhi as njëri fenomen, as tjetri. Net, ashtu si edhe vepra e tij e rëndësishme, ka qenë dhe mbetet politically incorrect. Nga ky pikëvështrim duket normale ftohtësia, për mos të thënë armiqësia ndaj tij. Për të kanë heshtur scrivanët me pagesë. Ai nuk ka familjarë apo miq që ta lavdërojnë falas.
E mos më thoni që koha i nxjerr vet në pah vlerat. Qëmtojini sa jeni gjallë. E nesermja nuk do të jetë e lexuesit të sotëm. E vetmja gjë e sigurtë është se Net IsVeizi do vazhdojë të përmendet, edhe kur të të lëvduarve me pagesë, atyre prej familjarëve apo prej thërrimexhinjve të politikës t’u jenë konsumuar gurët e varrit.
Botuar në gazetën “Dielli”, Nju Jork, 30.12.2018