Ne Foto: Aleksandar Vulin, i cili ka akuzuar SHBA se i ka dhene urdher Gjykates se Hages te lirojne Sheshelj dhe paralajmerojne rrezimin e pushtetit ne Serbi!/
Serbia po dërgon sinjale kontradiktore, përmes të cilave po shkakton konfuzion në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm politik, se ekzistojnë teori të konspiracionit, të cilat synojnë ta përmbysin pushtetin aktual në Serbi.
Aleksandar Vulin, ministër i punës në Qeverinë e Serbisë ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sipas tij, “kontrollojnë Tribunalin e Hagës”, e kanë liruar nga paraburgimi liderin e radikalëve serb Vojislav Sheshelj dhe se tash “përmes gojës së tij, thonë se do ta rrëzojnë pushtetin serb”.
Ai ka deklaruar se do ta porosisë qeverinë serbe që të mendoj për ndryshimin e kursit të politikës së jashtme.
Deri më tash, askush nga kreu i pushtetit serb nuk është distancuar nga këto deklarata të Vulinit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, i ka karakterizuar deklaratat e Vulinit si teori të pabaza të konspiracionit. Në reagimin e kësaj ambasade, të cilën e ka botuar e përditshmja serbe “Danas”, thuhet se “nuk ka asgjë të vërtetë” në ato që ka thënë Vulin.
“Gjykata penale ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, është krijuar nën kujdesin e Këshillit të Sigurimit dhe proceset që po zhvillohen aty, janë të mbrojtura nga ndikimi politik”, thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-së, të cilën e ka botuar e përditshmja serbe “Danas”. Aty, gjithashtu, thuhet se SHBA-të e mbështesin punën e rëndësishme të gjykatës së Hagës, por nuk ndikojnë në vendimet dhe mendimet e tij”.
“Çdo interpretim tjetër, është i pavërtetë”, thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-ve në Beograd.
Florian Biber, ekspert për Evropën juglindore në Universitetin e Gracit, thotë për Radion Evropa e Lirë se teoria e këtillë e konspiracionit është tipike për politikanin siç është Vulin dhe ajo tingëllon, thuajse ka ardhur nga koka e Vojislav Shesheljit. Sipas tij, ato që ka thënë Vulin, janë ide e çmendura.
Biber shpreh mendimin se kryeministri serb Aleksandër Vuçiq është dashur të distancohej nga deklaratat e Vulinit, por, siç thotë ai, qeveria serbe po luan me sinjale të ndryshme.
“Ai është ministër në qeveri dhe mendoj se do të ishte korrekte që të (Vuçiq) distancohej, por në skenë është loja e kësaj qeverie me sinjale të ndryshme. Ajo po dërgon sinjale se dëshiron të jetë pro-ruse, e përsëri dërgon sinjale se dëshiron të jetë reformatore dhe pro-perëndimore. Në një moment ajo duhet të thotë qartë se çfarë dëshiron të bëj”, ka theksuar Biber.
Ai ka shtuar se qeveria serbe, sidomos, me rastin e kësaj deklarate, duhet të sqaroj se kush qëndron pas saj, Vulini, personalisht apo qeveria serbe.
Ai ka ngritur pikëpyetjen se si qeveria serbe mund të ketë marrëdhënie të mira më SHBA-të në qoftë se një anëtar i saj thotë se SHBA-të po udhëheqin politika përmes të cilave duan ta rrëzojnë pushtetin në Serbi?
“Unë, natyrisht nuk mund ta di se çfarë qëndrimi ka Vuçiq, por është fakt që Vulini është në qeveri dhe se të gjithë e dinë orientimin e tij politik dhe ky është sinjal që Vuçiqi, përveç se dëshiron marrëdhënie të mira me Perëndimin, gjithashtu dëshiron t’i ruaj marrëdhëniet e mira me rrymën pro-ruse konservative”, ka shtuar Biber.
Në anën tjetër, për deklaratat e tij, Vulin nuk ka ofruar asnjë dëshmi.
“Në qoftë Serbia, për gjithë mundin e saj për tu modernizuar, për të ndryshuar, që të jetë më e mirë, më e suksesshme, të jetë e ngjashme me vendet e zhvilluara dhe serioze, e vetmja gjë që marrim janë Rama dhe ofendimet e Shesheljit. Ne marrim promovimin e papenguar të atyre ofendimeve, si dhe kërcënimet se në këtë vend do të rrëzohen pushtetet dhe se do të piketohen si tradhtar të gjithë ata që dëshirojnë të ndryshojnë diçka”.
“Nëse shohim se e gjithë kjo është e ndihmuar nga disa vende, kam thënë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëherë, ndoshta është momenti që të mendojmë mirë për prioritetet tona të politikes së jashtme”, ka theksuar Vulin.
Por, lidhur me deklaratat e Vulinit dhe mosreagimit ndaj tyre nga ana e qeverisë serbe, Dushan Laziq nga Forumi për marrëdhënie ndërkombëtare, thotë se ky është një sistem që i huton qytetarët e Serbisë, por edhe botën.
“Kjo nuk është politikë e mirë për cilindo vend, e as për vendin tonë. Vulin nuk ofron kurrfarë dëshmish për çfarëdo që thotë. Ekziston mundësia që mbase Vuçiq i thotë disa gjëra përmes Vulinit. E ka të vështirë të sqarohem lidhur me këtë, sepse i di një varg deklaratash që nuk i përgjigjen Vuçiqit, por ai për këto nuk reagon. Por, unë nuk e përjashtoj mundësinë që inspirimi vjen nga qeveria, gjegjësisht, nga ana personale e vet Vuçiqit”, tha Laziq.
Ai ka shtuar se shumë shpesh në Serbi bëhen veprime në kundërshtim me interesat shtetërore dhe të qytetarëve, por edhe në kundërshtim me interesat racionale të pushtetit dhe se një gjë e tillë, mbetet e pakuptueshme.(Kortezi:Bekim Bislimi RFL)