Nga GIUSEPPE SARCINA
“Corriere della Sera”, 17 gusht 2021 Përktheu: Eugjen Merlika
Për Joe Biden-in gjëja që i djeg më shumë është përqasja me Donald Trump-in. Paralelizmi po qëndron në organet e shtypit amerikan e ndërkombëtar: duke lënë mënjanë ndryshimin e stilit të dy janë të pështjellueshëm e pështjellues. Papërfillës deri në cinizëm. Në Shtëpinë e Bardhë ndruhet se tërheqja katastrofike nga Afganistani mund të fshijë përfytyresën e një Amerike “përsëri në krye të tryezës”, përsëri “fener” i botës.
Janë ndrojtje të themelta, duke parë ato pamje të aeroportit të Kabulit; ata njerëz të rënë si pesha pa vlerë nga një aeroplan në ikje. Është e ligjëshme të pyetet nëse është kjo fytyra e vërtetë e një presidenti që kishte shkaktuar pritje të mëdha. Nëse është kjo Amerika me të cilën duhet të maten gjithë Vendet e tjera, mike apo armike qofshin.
Për rreth një vit e gjysmë Biden-i ka premtuar një kthesë etike e kulturore, më parë se politike, edhe në drejtim të punëve të jashtëme. “Doktrina” e tij mëton t’i përgjigjet “sfidës së shekullit”: jo vetëm SHBA kundër Kinës, por, më në përgjithësi, të vërtetojë se “demokracitë janë në gjëndje të qeverisin pafundësisht më mirë se autokracitë”.
Në dukje është një qasje që huazohet nga formula e Bill Clintonit: “engagement e democratic enlargement”. Clinton-i e paraqiti për të parën herë më 1993, duke folur në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Washingtoni, tha, do të “zotohet” pa rezerva në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht në krizat humanitare. Në të njëjtën kohë do të bënte të mundëshmen për të nxitur ”zgjerimin”, pra shumfishimin e kombeve të drejtuara nga qeveri demokratike.
Në fakt, Clinton-i qe i pari president i mbas-luftës së ftohtë. Mandati i tij i dyfishtë arkivoi “doktrinat”, nga Trumani deri tek Reagani, të shënuara nga nevoja për të “përmbajtur” Bashkimin Sovjetik. Mbas Clinton-it arritën George W. Bush dhe ideologët rish konservatorë me një projekt titanik, prometean: misioni i SHBA ishte “të eksportonte demokracinë” ku t’ishte e mundur, në mënyrë që të farkëtonte planetin mbi bazën e vlerave amerikane.
Barack Obama i tkurri planet, duke derdhur mosbesimin tipik të elitës afroamerikane mbi “parësinë morale” të Shteteve të Bashkuara. Obama shpjegoi vizionin e tij në një intervistë themelore të lëshuar në prill 2016 Jeffrey Goldberg-ut të “Atlantic”. I rrufeshëm: Lindja e Mesme? “Nuk mund të rregullohet”. Aleatët evropianë? “Qelepirxhinj, përgjegjës për shkatërrimin në Libi”. Ukraina? “Do të jetë gjithmonë e ekspozuar kërcënimeve ruse”. Por mbi të gjitha Barack Obama refuzoi hapur rolin e “xhandarit të botës” Tha: “Ka një skenar që na cakton detyrën për të ndërhyrë gjithmonë e për të zgjidhur gjithë krizat. Por un nuk e kam ndjekur e kisha të gjitha të drejtat për të vepruar kështu”.
Të gjithë këta presidentë kanë pësuar dështime e kritika të ashpra. Clinton-i për Somalinë, George W. Bush për Irakun, Obama për Sirinë. Me gjasë Biden-i ka vënë në llogari pasojat mbi Afganistanin. Megjithatë ka një kundërshti të mprehtë dhe alarmuese. Për tetë viite Biden-i qe zëvëndësi i Barackut. Por është e qartë se trashëgimia obamiane nuk mund të mjaftonte për t’i qëndruar goditjes së retorikës mizore trampiane.
Biden-i atëherë ka vendosur të ngrejë nivelin e përplasjes. Me ndihmën e historianit Xhon Meacham ka futur në valle Abraham Lincolnin dhe “betejën për shpirtin e Amerikës”. U paraqit para botës si një udhëheqës alla Franklin Delano Roosevelt: i vendosur, tërheqës, bujar. Por pastaj arriti prova e bëmave. Të vëna në rrjesht i japin një brendi të ndryshme “doktrinës Biden”. Në janar-shkurt presidenti sqaroi se SHBA nuk do të jepnin asnjë dozë vaksine jashtë: “më parë amerikanët”. Në maj administrata nuk arriti të ndalojë mësymjen e Netaniahut në rripin e Gazës e që atëherë nuk ka bërë asgjë për të filluar traktativën; në qershor zëvendësja Kamala Harris përfundoi rrethin diplomatik në Amerikën qëndrore, duke ju drejtuar kështu emigrantëve: “Mos hajdeni sepse ju kthejmë mbrapsht”; në korrik Biden-i premtoi ndihmë për kubanët në kryengritje, por bashkësia e mërgimtarëve e qortoi se kishte bërë fare pak. Së fundi Afganistani.
Epoka e vrulleve clintonianë e ambicieve të Bushit është e largët. Por Biden-i po tërhiqet edhe përtej pragmatizmit të Obamës. Mbi të gjitha po çorodit kulturën liberale të vendit të tij, të themeluar mbi gjithësinë e panegociueshme të vlerave, mbi solidaritetin pa kufinj. Mjafton të lexohen komentet e këtyre ditëve në “New York Times” ose të dëgjohen përimtimet e “Cnn”.
“Corriere della Sera”, 17 gusht 2021 Përktheu: Eugjen Merlika