NGA ZYBA HYSEN HYSA/
Ka kohë, që sipas analistëve të mirëfilltë dhe të opinioneve të ndryshme thuhet: “Populli është një hap para politikës…” gjë që edhe unë po këtë mendim kam dhënë duke heshtur, por pas zgjedhjeve të reja dhe ardhjes në pushtet të qeverisë së re, më është krijuar ideja që politika të paktën e ka arritur hapin e popullit.
Që të japësh një mendim të tillë dhe ta publikosh atë, është përgjegjësi, por nëse ish kryeministri qe komunist me tesere partie në xhep e të instaluar diktaturën në tru, kryeministri i ri, Edi Rama është ndër demokratët e parë e pse bir komunisti, por jo komunist, i rritur me frymën e re demokratike, me një shpirt artisti dhe me një kulturë të gjerë trashëguar nga familja, mendoj që ganxhat e diktaturës nuk ia kanë mbërthyer trurin si një komunisti të sprovuar siç ishte Sali Berisha, që për fatin e tij të keq dhe më shumë të popullit, ai nuk mund të ndryshonte si me sustë, por ai as që u përpoq të ndryshonte edhe pas kaq vitesh, se kompleksi i inferioritetit ndaj ndërkombëtarëve të bën gogël në dorën e tyre dhe kështu e pse koha është ajo që laton mendimet, transformon bindjet dhe nxit lindjen e ideve shoqëruar me fuqi të reja shpirtërore për realizimin e tyre, koha për të nuk ecte… e për pasojë eci mbi shina që nuk e dërguan në stacionin tonë…
Politika e viteve që shkoi qe llorë, pra ashtu siç përzihet bora me baltën (kështu i themi ne nga Librazhdi), ku nuk dallojnë më as bora, as balta dhe kjo politikë ka qenë një llorë që përzihej pandalshëm nga ish diktatura dhe ish antishqiptarët ndërkombëtarë.
Nëse do të ecë përpara vendi ynë e nën shembullin tonë, gjithë kombi, duhet që këtë vend ta udhëheqin të rinjtë me moshë dhe mendësi të reja demokratike, gjë që e shikojmë të pasqyruar tek përbërja e qeverisë së re me kryeministër Edi Rama.
“… unë e ndjej se diçka e re, diçka që ka lindur nga toka e jo nga trungu i asaj peme po mbin, na mbetet ne të kujdesemi për të, se përplasja e vazhdueshme me diktaturën e ka forcuar si filiz, pak punë do, por do punë të vazhdueshme, ajo nuk kërkon më vetëmohim, nuk kërkon gjak, por vetëpohim, kërkon paqe…” (Demokraci…! Unë e dija…)
Unë kurrë nuk kam qenë e rreshtuar në asnjë formacion politik, por nëse një politikan, një parti politike, politika në përgjithësi, shqetësohet për hallet e popullit, sinqerisht, jo politikisht, apo për diplomaci, unë e ngre zërin deri në kupë të qiellit, që ta dëgjojnë të gjithë dhe të reflektojmë të gjithë, të mbështesim qeveritë tona për të ecur para drejt zhvillimit dhe ardhmërisë kombëtare, sipas kushteve në të cilën po kalojmë duke mos harruar finalen e bashkimit kombëtar, jo me “platformë” bashkimi dhe në të njëjtën kohë shkatërrimi bën kërdinë, siç ka ndodhur deri më tani.
Nuk mund të pretendojmë, që kjo u arrit me një ndërrim karrigesh, nga PD në PS, kurrsesi! Kjo, mendoj unë u arrit si rezultat i dështimit të politikës 23 vjeçare PD – PS dhe vetë koha e solli si një domosdoshmëri futjen tashmë drejt aplikimit të elementeve demokratike në Shqipëri.
Në një shkrim publikuar disa muaj më parë: “Demokraci…! E dija që nuk do të vije aq shpejt, por është fatkeqësi të mos vish tani.”, ku fillon: “Çdo gjë lind kur vjen çasti, po kështu dhe demokracia, nëse do përpiqemi ta sjellim para kohe janë dy rreziqe; ose do të jetë shumë e brishtë dhe nuk do të rezistojë dhe është e destinuar të vdesë, ose me përkushtim të jashtëzakonshmen, do të mbijetojë, por nuk do të ketë fuqinë e duhur për të ecur e sigurt drejt konsolidimit të saj. Këtu e kam fjalën për ardhjen e demokracisë në një shoqëri që ecën normalisht në rrugën e zhvillimit ta saj, ndërsa për kushtet e zhvillimit të popullit tonë, të kombit tonë, ka një specifikë teje të veçantë, sepse si në asnjë vend tjetër të botës, nën vellon e saj, janë futur diktatura të egra si pjellë e rrezikshme e politikave antikombëtare të armiqve tanë shekullorë.”
Ndaj u entuziazmova nga mënyra e festimit të 101 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, me një qetësi natyrale, ku qeveria vinte grupe – grupe dhe me autoritet qeveritar kreu “ritet” e përhershme, ashtu qetë, pa deklarata e klithma që ta bëjnë sheshin të ulërasë, por na bënë, të paktën mua, që kur e takova Edi Ramën, si gjithë tjerët, më dolën fjalët: “Kur profetët i do vendlindja, ka mbarësi…”, se dihet historikisht, profetët kurrë nuk i ka dashur vendlindja, se ata nuk janë kuptuar me mendimet e tyre, se kanë qenë të avancuara për masat, por në Shqipëri është një specifikë e veçantë tani, se historikisht, njerëzit e mençur, patriotët i kemi dënuar, internuar, burgosur, vrarë e masakruar, jo vetëm ata, por gjithë familjen dhe fisin. Mbase kjo ka bërë që populli të jetë një hap para politikës, se politika diktatoriale i mohoi “profetët” e kombit tonë, apo i përmendte veç si emër, për besueshmëri në popull, por kurrë nuk i vuri në poltronin e duhur.
Në shkrimin e botuar në gazetën “dielli” dhe në shumë faqe interneti e gazeta “Fjalët e Ismail Qemalit ende janë si një zile zgjimi për çdo shqiptar…”, kam shkruar: “Duke e parë historinë nga ky këndvështrim vit pas viti festa e 28 nëntorit nuk do të organizohej me brohoritje, por me heshtje zije dhe me angazhime për të zbardhur të vërtetat e historisë së fshehur të rrjedhjes së ngjarjeve antikombëtare, ngjarje që për fat të keq, sot disave u duken normale…”, mbase kjo mënyrë organizimi u bashkua me mendimet e mia të publikuar tri ditë më parë, ndaj bëri që të ngazëllehem dhe me këtë xixë ngazëllimi u shpreha në këtë mënyrë, dhe hodha në statusin tim të Facebooku – t: “Sot takova Kryeministrin Edi Rama dhe papritur thashë: “Kur profetin e do vendlindja, ka mbarësi…” dhe duke më shtrënguar dorën më tha: “Të shpresojmë!” Një festim madhështor; homazh dhe projekt për të ardhmen, pa fjalime, pa ulërima tek sheshi, pa skenarë… një mrekulli dhe unë përsërit fjalën e Kryeministrit: “Të shpresojmë!”
Dihet, Facebooku është një rrjet social, që të zbërthen dhe kuantet e shpirtit, të cilat nuk ka mundësi t’i shikojë njeri me sy të lirë, aty përmes rubrikës: “Çfarë ke në mendje?” zbërthehet njeriu mendërisht dhe shpirtërisht dhe ky publikim pati shumë pëlqime, por për çudinë time reagime nga njerëz që e mbajnë veten të letrave shqipe, që për fat të keq, janë mësuar që të “kakarisin” pasi t’i ushqejnë për të dhënë shpërblim, pra të gazetarëve që dinë të bëjnë fresk politikave të veçanta, unë përkundrazi, kurrë dhe kurrë nuk kam bërë fresk dhe nuk kam përfituar kurrë nga politika, por si krijuese dhe si patriote unë shkruaj dhe jap mendimin tim të lirë e kushdo të shprehë mendim të lirë, kjo është elementi i parë i demokracisë dhe kjo duhet të vijë në radhë të parë nga krijuesit, gazetarët, intelektualët, gjithë njerëzit që kanë dëshirën e mirë për të bërë diçka për të ndryshuar këtë HUTI të politikës sonë shqiptare llorare.
Politika është si legjenda, ku përveç elementeve fantastikë, fut dhe elemente realë për t’u bërë e besueshme, por politika shqiptare deri më tani ka qenë përrallë, pra veç fantazi dhe populli priti të kapet pas një elementi real, por nuk gjeti dhe u zhgënjye e për pasojë do e ketë të vështirë të besojë dhe atyre pak elementëve realë të legjendës që sapo ka filluar. Duhet të besojmë, por jo për një kohë të gjatë, se Nastradini e gënjeu popullin, kur tha “Po i bie violinës” e në të njëjtën kohë sharronte kyçin e dyqanit, por dhe i përgatiti e tha: “Këngën do e dëgjoni nesër!” Kështu, këto janë melodi që na ngazëllejnë, por kjo s’do të thotë që ne të vallëzojmë në delir deri në dehje e pa ndryshueshmëri mendimesh, ndryshe do të vazhdojmë të lerosemi në llorën e politikës sonë, se populli, shoqëria civile e udhëhequr nga inteligjenca bën të mundur që një qeveri të quhet demokratike.
Sadik Elshani says
Zakonisht i pelqej shkrimet nga zonja Zyba Hysen Hasa,por kete radhe nuk ia ka qelluar fare.Edi Rama dhe ata qe e pasojne, jane Rilindja e enverizmit. Edi Rama ndoshta flet bukur,por ne Kosove thone: “Fjalet si Demushi, punet si kurrkushi”. Thureesi i ketyre radheve Shqiperise i deshiron vetem suksese, pa marre parasysh nga cila qeveri drejtohet. Kuptohet, ajo qeveri duhet te dale nga vota e lire e popullit.
Zyba Hysa says
I nderuar z. Sadik Elshani,
Se pari te falenderoj qe me lexoni dhe qe me komentoni, kjo duhet te ndodhe nga secili qe te shprehim pa frike opinionet tona, se kjo do te ishte nisja drejt demokracise dhe ju jeni nje demokrat bashkekohor. Une jam prej 39 vitesh mesuese dhe ne klasa kam pasur nxenes te mire, sh. te mire, por edhe te zgjuar e pavuillnet per te mesuar, me kete lloj kategorije nxenesish une jam marre vesh duke i levduar prijet e lindura per t’i nxitur vullnetin qe keto prirje t’i vendose ne sherbim te mesimit. Nuk e di se sa me kupton…
Faleminderit mik!
Sadik Elshani says
E nderuar Zonja Hysa,
Ju kuptoj plotesisht dhe ju falenderoj per komunikimin shume njerezor e me plot kulture, ashtu sic i ka hije nje zonje si ju. Pershendetje vellazerore nga Filadelfia e larget.