Nga Ahmet Xhafo,
ish kryetari i Shoqatës Çamëria në SHBA
Ne kujtim te masakres se Filatit
Më 13 mars u mbushën 79 vjet nga masakra e Filatit e kryer më 1945 nga bandat shoviniste greke kundër popullsisë së pafajshme çame të Filatit me rrethe. Kjo ishte vala e dytë tragjike e genocidit të filluar në qershor të vitit1944 nga trupat fashiste të Napolon Zervës.
Sipas dokumentave te Komitetit Antifashist te Minoritetit Çam të referuara edhe nga historiani Beqir Meta, pas shpartallimit të trupave të Zervës nga ana e ELAS-it në vjeshtë 1944, rreth 3000–5000 refugjatë çamë të shpërngulur në Shqipëri vetëm disa muaj më parë, vendosën të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Çamërinë Veriore pas disa muajsh vuajtjesh në kampet e ngritura me mjete rrethanore në fushën e Mursisë dhe Vrinë, ku dhjetëra refugjatë çamë kishin gjetur vdekjen nga kushtet e vështira higjenike, mungesa e ushqimit, sëmundjet apo moti. Para kthimit në Çamëri ata kishin marrë sigurimë verbale madje edhe nga një mision i rëndësishëm diplomatik perëndimor në Tiranë. Por tek punonin arat e tyre dhe mbarështronin blegtorinë në Filat, ata u bënë sërish viktimë e hiper-nacionalizmit të verbër grek.
Më 5 mars 1945 rreth 100-200 ushtarë grekë zbarkuan nga Korfuzi në Sajadhë. “Pasi rrethuan Filatin, Shqefarin e Spatarin, – shkruan më tej historiani Meta, – nisën vrasjet e banorëve paqësorë, që sapo kishin filluar të punonin tokat e tyre.” Vrasja makabre e 13 marsit 1945 e rreth 70 vetave në Filat dhe dhjetëra të tjerëve në Përroin e Vanarit dhe krimet e tjera rrënqethëse ndaj grave, fëmijëve, pleqëve e plakave të pafajshme e të pambrojtura çame u cilësua si një “masakër e vërtetë” nga vetë zyrtari britanik Palmer në Raportin e tij drejtuar Forin Ofisit (foreign office) për vizitën që ai bëri në terren nga 9 – 14 prill 1945.
Akti i dytë i genocidit ndaj minoritetit çam në Greqi i marsit 1945, i zbatuar në Filat shumë muaj pas largimit të pushtuesve nazistë nga Epiri apo Çamëria ku edhe në këtë rajon ishte vendosur autoriteti qeveritar grek i pas luftës, është një tjetër argument që hedh poshtë edhe një herë akuzat e pathemelta dhe propagandën mashtruese se “çamët u larguan vullnetarisht drejt Shqipërisë për t’i shpëtuar dënimit që meritonin si bashkëpunëtorë të nazizmit.”
Këtë krim rrënqethës nuk mban dot as dheu. Urdhëruesit dhe ekzekutorët e tij ishin leitnant Kristo Kaca, major Ilia Kaca dhe kolonel Zoto. Ata për fat të keq i shpëtuan drejtësisë. Por frymëzuesit e vërtetë ishin qeveria e Plastiras dhe pjesa më e skajshme, raciste, intolerante, antisemite e fondamentaliste e klerit ortodoks, e ushtrisë dhe opinionit publik grek. I takon qeverisë së sotme greke, madje do të ishte detyrim moral dhe juridik i saj, që edhe sot të hapte një hetim, të përcaktonte përgjegjësitë dhe të spastronte ndërgjegjen aq fort të ngarkuar. Masakra e Paramithisë e 27 qershorit 1944, ajo e Filatit në shtator 1944 si dhe e Filatit e marsit 1945 apo ato të trevave të tjera në Çamëri, përbëjnë krime kundër njerëzimit, dhe si të tilla as nuk mund të parashkruhen, dhe as të harrohen. Një nga dëshmitarët e shumtë të kesaj masakre Zaije Tafil Haxhiu nga Filati, tregon se : « Tasho Çifuti e grekër të tjerë nga Filati morën përsipër të përcillnin për në kufirin shqiptar fëmijët, gratë e burrat që kishin mbetur gjallë, por në « Vanar » turmën e pambrojtur e ndalën bandat e armatosura të komanduara nga Kristo Kaco. Ata filluan vrasjet me spata e therjet me thika. Dëgjoheshin vetëm klithmat në agoni të burrave që vdisnin dhe lemeritjet e fëmijëve e të grave që kërkonin pjestarët e familjes.».
U tmerrova, – thotë më tej dëshmitarja, – kur pashë kokën e Haki Banës që rrokullisej në tokë dhe trupin e Dalip Hamzajt nga Versela të bërë copa-copa e të futur në thes. U tmerrova kur pashë tre të rinj të lidhur, të cilëve u kishin prerë veshet, hundën, u kishin nxjerë sytë dhe rrjepur lëkurën».
Në lidhje me masakrën e Vanarit shkruan edhe historiani grek N. Zhangu : “Nga një deshmi e një të E.D.E.S-i raportohet ekzekutimi në vendin e quajtur Vanar të 65 çamëve. Dhjetra të tjerë u hodhën në urën e Naçit. Në Thesproti u shkelën të gjitha ligjet e njerëzimit”. “Këto ishin, – shkruan historiani tjetër grek J. Shara, – përfundimet e politikës pa lavdi të Metaksajt, të politikës imperialiste italiane dhe të politikës së papërmbajtur të E.D.E.S.-it, të cilët vulosën me gjak….dhe me një fat katastrofik për të dyja popullatat, që kishin për epilog çrrënjosjen e shqiptarëve çamë nga dheu i të parëve të tyre nga shtëpite e malli i tyre, ishte shpërthim i hakmarrjes mbi të pafajshmit dhe të pambrojturit….”
Kujtimi i kësaj ngjarjeje të hidhur nuk mund dhe nuk duhet të provokojë ndjenja armiqësore ndaj popullit grek. Në fakt, popullsia çame, qoftë minoriteti çam në Greqi dhe qoftë refugjatët çamë në Shqipëri, nuk kanë ushqyer kurrë ndjenja të urrejtjes ndaj shtetit dhe popullit grek. Përkundrazi, çamët nuk kanë qenë anjëherë të interesuar për dëmtimin e marrëdhënieve greko-shqiptare. Madje, edhe Kongresi i Minoritetit Shqiptar të Greqisë, i mbajtur në shtator të vitit 1945 në Vlorë fill pas ushtrimit të genocidit, nuk pati kurrfarë shfaqje racizmi apo armiqësie ndaj popullit grek apo minoritetit grek në Shqipëri (Reportazh nga Kongresi Çam, gazeta Bashkimi, 26 shtator 1945).
Sot, tek nderojmë kujtimin e viktimave të masakrës së Filatit, nuk mund të mos shprehim shqetësimin për mosgadishmërinë nga ana e qeverisë greke të njohjes dhe zgjidhjes së të drejtave të njeriut të minoritetit çam që jeton përkohësisht në Shqipëri apo në vende të tjera. Shoqata për të Drejtat e Njeriut Çamëria i bën thirrje qeverisë së z. Karamanlis që të tregojë vullnetin dhe guximin e duhur për zgjidhjen dhe trajtimin njerëzor të halleve e problemeve të minoritetit çam të Greqisë, këtyre banorëve të Thesprotisë së lashtë e pasardhës të Pirros së Epirit, që kërkojnë të kthehen në shtëpitë e tyre e të jetojnë në paqe e harmoni me popullin grek, njëlloj si të gjithë shtetasit e tjerë të Greqisë apo të Bashkimit Evropian. Greqisë moderne të z. Micotaqisdo t’i rritej shumë prestigji, autoriteti dhe respekti ndër shtetet dhe kombet e qytetëruara të botës nese do ta trajtonte problemin tonë me mendje të kthjellët, pa pasione dhe pa paragjykime.
Por ka ardhur koha që problemi i të drejtave të njeriut të minoritetit çam të gjejë vëmendjen e duhur dhe të trajtohet edhe në instancat e larta evropiane, si në Strasburg apo në Bruksel. Në Evropën e shekullit XXI nuk mund të pranohet më mungesa e vëmendjes ndaj minoriteti më të harruar dhe më të neglizhuar në kontinent », përfundon rrëfimin e tij Ahmet Xhafo..
Nuk kanë mbetur shumë dëshmitarë të atyre masakrave gjakatare të pas genocidit në fund të Luftës II Botërore që ti shohin sytë e Europës, megjithëse gjtihçka është e shkruar si e zeza mbi të bardhën e historisë së Çamërisë. Për fatin e keq, heshtja e qeverive t ënjëpasnjëshme të shtetit shqiptar për të kërkkua reciprocitetin mbi parimet e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeirut, por edhe shurdhëria e qëllimshme europiane, si dhe mosfunksionimi i strukturave të komunitetit çam përmes atyre që pretendojnë se kanë merita prfaqësuese, bëjnë që Greqia të mos bëjë asnjë hap para, pore dhe bën shantazhe përmes kërkesave për të drejtat e njeriuut të minoritetit grek në Shqipëri. Në këtë rast do t ëëprdorja një shkrehje tipike që përdorej në Çamëri « Ata që na kanë borxhe (grekët), na kërkojnë edhe kaun ».
Dergoi për botim: Hyqmet Zane
Gazetar, studiues i çështjes çame