(Obama e Demaçi në peshoren krahasimtare)/
Nga Rexhep KASUMAJ/
1.
“Zoti krijoi luftën që amerikanët të mësonin gjeografinë”, pat thënë njëherë i shquari M. Twain, mendim shpotitës që do t’më kujtohej, ashtu vetishëm, ndërsa bëja një shkrim mbi betejat e Amerikës për Europën e lirë në qindvjetin e fundit, këndvështruar nga Siujdhesa sfidante e Krimesë. Ndonëse Hyu ndërmjetësoi mënyrën, më i pushtetshmi burrë i Rruzullimit, me gjasë, nuk del ta ketë mësuar atë mirë.
Natyrisht, s’i bëjmë apologji aventurës beliciste vetëm për protagonizëm historik, por sërish, sikur nuk shqitet shtysa kryeneçe e një pyetjeje: Përse? Në kërkim të shpjegimit nuk e di pse do t’më fanitej një koinçidencë rastësore, një analogji segmentarisht e pazakontë, mes dy personalitetesh, poashtu, të pazakontë: Adem Demaçit, shqiptar i kulluar dhe Barak Obamës, amerikan i natyralizuar.
Krahasimi, ndërkaq, nuk i referohet formatit, jetëshkrimit a prejardhjes së tyre. Është tjetërgjë që, anise në realitete të pangjashme, shenjëzon paralelen interesante: diadema e lavdisë!
Çmimet, rëndom, jepen aposteriori për kulmet e arrira të laureatit në art, shkencë a politikë, dhe kurrësesi për paragjykime pritmërish, me shpresën e rezervuar se të përzgjedhurit do ti justifikojnë ato, duke kryer veprën sipërane dobiprurëse për njerëzinë e munduar.
2.
Dhe, pra, ndërkohë që Demaçi gëzonte kryehershëm lavdinë, Obama, nga ana e tij, do t’rrekej ta shijonte pjalmin e ardhshëm të saj. Po, njëkohësisht, ata do t’kenë të njëjtën amzë hapërimi: i pari duhej ta shfytyronte portretin e idhullit glamuroz, për ta konfirmuar revidueshëm në trajtë e vlerë tjetër, kurse ky i munxosuri i dytë, duhej ta pasmeritonte famlartin atribut, duke zbaltur hullinë e pararendësve të tij zulmmëdhenj.
Ndaj, për t’ua lehtësuar mundin, do të pajiseshin me ftohmën e gatitur nga mjeshtër të hollë të zejes dinake: njëri në mes të udhës së largët, e tjetri teksa hidhte çapin e parë në formatin e fuqisë eprore të “amerëve”, pa vrujimin e së cilës, jeta në këtë Planet do t’ishte më e padrejtë dhe e trishtuar!
Mëtej, nëse Demaçi do t’stolisej me shndrizën verbuese për një kauzë të milituar gjatë, dhimbshëm gjatë – Obama do të parzmohej njëj vezullimi lëbyrës, paraprakisht, ante rem, me të shkelur pragun legjendar të Shtëpisë së bardhë. Mirëpo, megjithë ndryshimin, komparacioni s’e humb aspak saktësinë. Shtigjet e të dyve, njërit e tjetrit, do të takoheshin prore ndër kumte njëjtësore në milje e kohë të ndryshme. Udhëzimet nuk ishin të shkrojtura, por, si mësimet rendeve të fshehtë ezoterikë, merreshin sugjestivisht e me besë të padhënë. E ato sikur parathoshin pa fjalë, se teksa njëri duhej të mekej në arenën e jashtme, tjetri, për fatin e pamirë të atyre që e kishin glorifikuar ndër vite, do të gozhdohej – edhe brënda edhe jashtë!
Njandej, Obama do të nobelizohej, jo për të bërë, veçse për të kundërten, për tu plogështuar keq: për tu tërhequr, gati, nga të gjithë imenjimet ku Amerika e tij mbronte veten apo principe e liri të nëpërkëmbura në skuta të errta të botës. Ridefinimi i përparësive strategjike nuk është çelësi i duhur i bindshmërisë. Pretendimin e dëshmon, fjala vjen, dhe njëlloj shkrehjeje e ndjeshme për Kosovën, të lënë nën këmbë europianësh që, duke lëmuar Belgradin, synojnë tejndërtimin e organizmit komunitar heterogjen, në dëm të substancës sovranësore të saj. Pastaj a nuk e provojnë këtë, poaq, tërheqja e shurdhër nga instalimi i “Ombrellës” raketore në Lindjen e vjetër, recidivi kubanez, Palestina e braktisur a irlandezët e harruar?.. Si për të parashestuar afrinë, Asambleja e Europës do t’a naltçmonte më herët Demaçin me njohjen Saharov, poashtu, jo për kazamatet serbiane (sepse asnjëherë gjatë moteve të dergjës së tij nuk e çeli njëherë të vetme gojën), pra jo për atë që kishte bërë, por për atë që pritej, ngashnjehej e duhej të mos bënte. Lufta është nxënje e lirisë, pohonte Niçe tek i shpallte gjëmën altruizmit njerëzor, porse çmimi e cythte heshtur që, në rastisi t’vepronte, aherë ta vijonte shtruar, paqësisht dhe, madje, vllezërisht me pushtues, rrugëtimin e lirisë së nacionit të tij t’sfilitur.
Dhe zotërinjët kjenë qetësuar: i kishin vënë medaljonin e gravuar që i hapte enkas (si Obamës së tevonshëm) dosjenë shifrore me sqarimin specialistik: i trajtuar, i parrezikshëm! Pasandej, kur vrulli i ngjarjeve që rimën tokën n’gjak, do ta linte anësh, ai do t’ngutej për tu bërë pjesë e tyre, veçse trivialisht dhe rrëmueshëm. Ende ruhet si një përhitje pikëlluese njoftimi uratar dhënë medias franceze, se si milicia serbiane i pat trokitur në portë, por me dy-tre fjalë ishte marrë vesh (sa e kulturuar paskësh qenë kjo falangë!) dhe ajo kishte vajtur në punë të vet!
Obama, tutje, për ta denjësuar shpërblesën e Oslos (veç recesionit ekonomik që, mbase, mund të jetë dhe fatalitet konjukturash globale), do të përshfaqte proliksitet, indolencë dhe mangësi imagjinate a vendosmërie prijëse në vend e jashtë tij. E kjo, gjithnjë me urdhërin e padiktuar çmimor, do të ndikonte ringjitjen përballëse të “armikut numër një” (si e quante Romny Rusinë e Putinit të hallakatur), për riskicimin e sferave interesore në shkrepje nyjëtimesh ndërkombëtare. Mandej, posi Obama i dyzuar, Demaçi duhej të mos lëvizte, aq më pak fortësisht, po të prehej e tretej në midisnajën e hiçit. A nuk pat rezultuar, njëmend, kështu? Përfillte athua zotnisht e me ritual kalorsiak, emblemat e një konstelacioni politik të posangjizur në fillim të 90-tave, apo abstinenca vinte nga inspirimi nguctar i Strasburgut finok, gjysma e dytë e emrit të të cilit, për simbolikë, ishte burg, një pasqyrim i trishtuar i gjëndjes apokaliptike që jetonte populli tij rreth 100 vjet?! Sidoqë ta shohësh, njandej mpikset ky përfundim dyshimtar: do të deklamonte ai, po në këtë frymë, ose Ballkaninë, si sajesë reintegruese me sllavë, të porositur pa letër e traktat nga rrezja saharovjane ose, e shumta, një rezistencë të kadifenjtë që, si e shpjegonte vetë, do ti ngjante brumit të bukës! E pra, as luftë kryengritëse e as memecëri nënshtrimtare: një asnjanësi amorfe, kronike dhe e pashpresë!..
Pastaj, brënda kësaj logjike, udhëheqësi i fuqisë planetare, Obama përherë i sprapsur, do të hidhte në Kuvendimin fillimtar të Kajros tezën kthestare, se Amerika nuk do të eksportojë më “revolucione demokratike” për të zbardhur “gropat e zeza” të rrokullisë. Për çudi, i zënë nga shndriza e dafinës, edhe Demaçi kishte eksponuar po këtë filozofi, që tani adoptonte pasvajtshëm dytësi i tij i madh. Në mbarim të kapitullit të përgjakshëm të Luftës, si një pasthënje e saj, do të pohonte zhgënjyeshëm për shtypin boshnjak se ne (dmth banorët e “gropës së zezë ballkanëse” që atij i vegonte hijadhë si qelqëtore lulesh), do të kishim gjetur vetë, pa përzierjen brutale të armëve liriprurëse atllantike, formulën e koekzistencës së rinuar. Me serbë e sllavë të tjerë të jugut, natyrisht!
Së mbylluri, për korrektesë të peshores, nuk shmanget dot vlerësimi idhnak se, mes të dyve, si një lavjerrës moral, lëkundet një ngushëllim i pahir: duke i shkuar Obamës, ai sikur diferencon thellë duarlidhjen e tyre. Atdheu i tij, kur ai mori primjen, ishte i lirë dhe, gjithnjë sot, mban epitetin krenar të tokës së premtuar. Ndërsa Demaçin, kur ai do shkëputej nga terri burgëtar, e priste Kosova, një vënd i vogël e i robnuar egërsisht, diku në Juglindjen e harruar dhe zymtore të Europës.
Ja, kështu, krejt origjinalisht e pa seanca të rëndomta depersonalizimi, do ti përpunonte kurora dehëse e Çmimeve largndikuese të madhështisë: Barakun, shtetar cakhuqur e aksidentar dhe Ademin tonë, tribun difuz e pendestar!
3.
Kam dëgjuar e parë shumë burra të nderuar që janë satisfaksuar për veprën, sakrificën apo flijimin e bërë, me çmime prestigjioze, por dhe ato, në një mënyrë, janë fisnikëruar vetë me emrin a krijimin elitar të tyre. Mirëpo për protagonistët e kësaj skice, me gjasë, do të ketë ndodhur e ndryshmja: Saharovi e Nobeli, këta korifenj të pafaj të shpirtit të lirë, do të bëheshin, në fakt, pranga, prangat e rënda të tyre.