*Mbresa nga Festivali i Tretë i Fëmijëve në New York “Zërat e Rinj 2015” organizuar nga Pranvera Çobo me pjesmarrjen e pesë shteteve në SHBA dhe nga Kanadaja/
* Përse e bojkotuan përfaqësitë e Shqipërisë dhe të Kosovës një veprimtari me karakter Kulturor Kombëtar?
* Juria e Festivalit, me kryetar Valentin Veizin, nderoi me çmim të parë Këngën “Kukulla e Vjetër” me tekst, muzikë dhe orkestrim nga Roland Guli, kënduar nga Rebeka Martini & Xhenisa Zajmi, shoqëruar nga Kori i fëmijëve të Bostonit, MA/
* Me Çmim të Dytë u vlerësua kënga “Brezi me Kapuç të Bardhë” me tekst, muzikë dhe orkestrim nga Ylli Kalaja kënduar nga motrat Enesa & Jona Dednica/
*Çmimin e tretë e fitoi kënga “Zilja e zgjimit” me tekst të Suela Tukaj, muzikë dhe orkestrim Jetmir Mehmeti, kënduar nga Greta Stako dhe kori i Nju Jorkut…
Nga Dalip Greca/
Mbrëmja e së dielës të 31 Majit 2015 do të kujtohet nga shqiptarët e shumtë pjesmarrës në Festivalin”Zërat e Rinj 2015″, si “nata e fëmijëve të talentuar shqiptar” në Amerikë. I organizuar në qendrën e njohur(Lila Wallace Auditorium- Japan Society) pranë Selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Festivali i Fëmijëve në Amerikë”Zërat e Rinj 2015″ ishte ngjarja më e shënuar kulturore e shqiptarëve në Amerikë e mbështetur nga artistë profesionistë në SHBA, por dhe nga vendlindja. 260 vendet e kapacitetit të sallës së teatrit ishin të pamjaftueshëm për shqiptaro-amerikanët që kishin ardhë nga disa shtete të Amerikës si: Nju Jork-u, Pensilvanya, Masachussets, Chikago, madje edhe nga Kanadaja .Artistja e pasionuar, shkodrania Pranvera Çobo, ia arriti sërish që të organizonte një festival me nivel të lartë profesionist.Shkodra, djepi i muzikës, fillesa e Festivaleve për fëmijë ( Festivali i Parë i Fëmijëve është organizuar pikërisht në Shkodër me 10-11 Maj 1963 me inisiativën e Tish Daisë dhe nën përkujdesjen e kompozitorit Prenk Jakova), ndjehet krenare që një artsite shkodrane, Pranvera Çobo, e konsolidon këtë traditë për fëmijë edhe në Amerikë.
I pari Festival i zërave të rinj në SHBA, u organizua më 2013, i dyti vitin e shkuar. Ky i 31 majit 2015, ishte festivali i ngjitjes për nga profesionalizmi, si në konceptim ashtu edhe në interpretim, krahasuar me dy festivalet pararendës. Gjithçka ishte përgatitur me kujdes dhe asgjë nuk stonoi. Prezantuesit e Festivalit, Lorivert Çobo, Joana Avrami dhe Sergei Bylyshi, me një shqipe të pastërt, kanë përcjellë me emocion programin. Festivali “Zëra të Rinj 2015” është hapur me këngën “Manikene Jam” me tekst dhe muzikë Bajram Zeqiraj me orkestrim të Mentor Latifit, kënduar nga Sijeta Hoti.
Gjithësej u interpretuan 20 këngë; tri valle,përfshirë dhe një kërcim modern. Këngët kishin për autorë kompozitor të njohur shqiptar dhe autorë tekstesh- poetë të njohur. Tekstet ishin të zgjedhur dhe i bënin jehonë botës së fëmijëve, lodrave, kukullave, dashurisë për nënën, trimërisë shqiptare, heroizmit gjatë luftës për liri në Kosovë, gjuhës së bukur shqipe, dashurisë për vendlindjen-Atdheun,Kombin, dashurisë dhe mirënjohjes për mësuesit, ëndrrave, dhimbjes së mërgimit etj. Gjeografia e pjesmarrsëve mbulonte të gjitha trevat kombëtare, që nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi,Lugina e Preshevës, Maqedonia dhe Çamëria. të gjitha këngët fituan duartrokitjet e publikut, por më të vlerësuarat ishin “Kukulla e vjetër”, “Brezi me Kapuç”, Zilja e Zgjimit, Nëna ime, Alba dhe kukulla ime, Ora, Parlamenti ynë etj.(Me shume lexoni ne gazeten DIELLI ne Print)
NE FOTO:Fituesit e Cmimit te pare duke festuar ne skene:Rebeka Martini& Xhenisa Zajmi dhe kori i femijeve te Bostonit me drejtusen Justina Martini
Sadik Elshani says
Vertet ishte nje ngjarje artistike mbreselenese per te gjithe, femijet dhe te rriturit. Zonja Cobo dhe bashkepunetoret e saj e meritojne cdo levdate per punen e mire e me plot perkushtim qe kane bere per organizimin e suksesshem te ketij festivali. Eshte mire qe edhe shkollat e shoqatat e diaspores shqiptare ne Amerike te behen pjese e ketij ferstivali me pjesemarrjen e tyre aktive ne organizimin dhe mbarevajtjen e kesaj veprimtarie artistike te klasit te pare. Bashkesia jone shqiptaro – amerikane ka nje potencial te madh njerezor, intelektual e professional – ta shfrytezojme kete pasuri per te miren tone e te kombit tone. T’u sigurojme femijve tane nje jete te lumtur dhe kombit tone nje te ardhme te ndritur.