Reagim ndaj kumtesës së, Komisioni Shtetëror për Shënimin e Kufirit mes Kosovës e Malit të Zi me titull: “Kufiri i Pejës me Malin e Zi në përputhje me planet zhvillimore ”të datës 12 gusht 2016)/
Shkruan: arch. Ylber Vokshi-Ylli/
Së pari ekziston vetëm një Plan Zhvillimor Komunal (PZhK) i Pejës,sipas ligjit për Planifikim Hapësinor të vitit 2003 dhe ati aktual sot,pra nuk kemi të bëjmë me “plane zhvillimore” ashtu si theksohet në titull të kumtesës. Kjo tregon qasje sipërfaqësore ndaj problematikës së demarkacionit,ose mos njohje elementare të fushës së planifikimit hapësinor të një pjese të territorit të shtetit. Nuk do të kisha dëshirë të jetë e vërtetë kjo qasje,aq ma shumë kur vjen nga një ekip profesionistësh të dëshmuar, të cilët si duket i ka verbëruar politika aktuale e Kosovës,duke i “detyruar” të bëjnë kumtesa të tilla, tërësisht jo profesionale duke na servuar një”dokument” tërësisht të pa qëndrueshëm nga aspekti profesional.
Më duhet të shpjegoi ecurinë e përpilimit të këti dokumenti hapësinor për komunën e Pejës të filluar aty ka fundi i vitit 2005, me dëshirë dhe shpresa që Komuna e Pejës të jetë model dhe shembull pozitiv,për ecurinë e përpilimit të dokumenteve hapësinore për komunat tjera në Kosovë. Për përpilimin e PZhK dhe PZhU ekzistonte përkrahja e strukturave të atëhershme komunale si dhe të donatorve të tjerë, që ishte përshëndetur nga ana e MMPH-së. Për këtë qellim u angazhua kompania e njohur ndërkombëtare,nga Roterdami i Holandës, “DHV Consult”. Ishte ky një veprim i qëlluar që ma vonë degradoi tërësisht,kryesisht me fajin tonë.
Nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë (MMPH)),gjegjësisht nga Departamenti i Planifikimit Hapësinorë, ku isha i punësuar,u caktova si udhëheqës i ekipit që do të bënte MONITORIMIN e tërë procesit për përpilimin e këtyre dokumenteve, të rëndësishme për Pejën dhe tërë Kosovën. Është një histori e gjatë me peripeci të shumta se si u punua në atë kohë,e cila u përthekua me një dokument të miratuar kundërligjshëm nga Asambleja Komunale e Pejës. Më pastaj përfundoi me dhënien e pëlqimit nga ana e MMPH-së edhe se kishte vërejtje substanciale dhe mangësi qenësore ligjore. Atë kohë ishte Ardian Gjini Ministër i MMPH, ekspertëve të Ministrisë nuk iu murrën më konsideratë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre konstruktive. Veprimet e tilla i kamë kritikuar publikisht në kohë reale,për atë e kemi situatën hapësinore dhe urbane në Pejë dhe vendbanimet tjera në Kosovë në gjendje kaotike.
Para fillimit të përpilimit të dokumentit në Pejë,kishte shumë dilema se si me iu qasur kësaj problematike, pasi kishte shumë mangësi esenciale që ishin rrjedhojë e luftës dhe krijimit të një shteti të ri, Kosovës si protektorat ndërkombëtar nën administrimin e UNMIK-ut dhe mbrojtjen e NATO-s. Dy ishin sfidat kryesore për komunën e Pejës, përkufizimi i kufijve administrativo – komunal dhe regjistrimi i popullsisë, si dy elemente të cilat nuk ishin të definuar,aq ma shumë kur Peja ishte komunë kufitare si shumë komuna tjera në Kosovë.
Pas konsultimeve të shumta me strukturat e niveli lokal dhe qendror,me njohësit e fushës,njoftimin me praktikat e ngjashme në botë,me teoritë dhe të arriturat në botë në fushën e planifikim hapësinorë si dhe me përkrahjen e domosdoshme të faktorit ndërkombëtar që ishte prezent në atë kohë në Kosovë,e kishim të qartë si të vepronim. U vendos si ti qasemi përpilimit të atyre dokumenteve në Pejë dhe në komunat tjera kufitare duke përdorur të dhënat që i dispononim dhe duke përdorur metodat krahasuese,orientuese dhe progresive që lejohen në Planifikimin Hapësinor Strategjik në tërë botën. Me mundësin e inkorporimit të dhënave apo elementeve në momentin kur të definohen apo ratifikohen. I njëjti princip ma vonë është përdorur edhe gjatë përpilimit të Planit Hapësinor të parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, i punuar nga Instituti i Planifikimit Hapësinor, i cili vepron në kuadër të MMPH-së.
Edhe sot mendoi se është veprua korrekt në atë kohë, pasi pritja për ratifikimin e vijës kufitare do të lente Pejën,dhe komunat tjera kufitare pa dokumente të planifikimit hapësinor, pasi kufijtë e Kosovës ende nuk janë të definuar, pos ati me Maqedoninë.
E tregova këtë histori të shkurtë pasi isha pjesëmarrës aktiv në atë proces, për me iu treguar anëtarëve të komisioni shtetëror sa të pa bazuara janë argumentet e tyre, duke u thirrur në ato harta me të cilat është punuar. Ato iu janë ofruar përpiluesve të dokumentit hapësinor (PZhK) dhe kanë shërbye vetëm për çështje hapësinore, e jo për caktimin e vijës kufitare pasi nuk ishin kompetent apo të autorizuar nga Qeveria e Kosovës. Ato harta kurrsesi nuk munden me qenë përcaktuese apo definuese të kufijve ndërshtetëror në asnjë gjykatë relevante apo arbitrazh ndërkombëtar. Ato duhet të azhurnohen në momentin kur ratifikohet vija kufitare në mes të dy shteteve, Këtë procedurë i kërkon edhe Planifikimi Strategjik Hapësinor, që aplikohet në tërë rruzullin tokësor në shekullin e ri,nuk është mirë të manipuloni me kompetenca të cilat ligjërisht janë mirë të definuar.
Paskam pasur të drejtë që në vitin e kaluar ( dhjetor 2015) me një shkrim kritik të botuar në media shqiptare,kisha analizuar në mënyrë kritike rrjedhat e tërë procesit të demarkacionit me Malin e Zi,arsyet,shkaqet dhe pasojat e mundshme që rrjedhin nga puna jo serioze e faktorit njeri në Kosovë,e ndërlidhur me inate të partive politike në pozitë dhe opozitë. Aty kisha apostrofuar edhe “adutin” e pa qëndrueshëm të Komisionit që thirrej në Dokumentet Hapësinore të Komunës së Pejës.
U vërtetua mungesa e bashkëpunimit e gjithë spektrit të profesionistëve të demarkacionit që u pa se në Kosovë nuk mungojnë, që në këso raste specifike është domosdoshmëri. Në fund të fundit edhe gabimet eventuale të bëra gjatë punës së mundimshme disa vjeçare munden të korrigjohen,ato janë pjesë e punës komplekse e jo me kryeneçësi të mbrohet ajo që nuk mbrohet, si në rastin konkret.
Me këso veprime të pa përgjegjshme vetëm e keni irrituar dhe detyruar faktorin ndërkombëtar të ndërhyjë në një pune e cila ka mundur të zgjidhej me kohë. Ky nuk është rasti i vetëm për të fshehur mos punën dhe mos dijen tonë,duke i stërzgjatur afatet kohore të përcaktuara.
Thirrja e Komisionit Shtetëror vetëm në të dhënat kadastrale, duke anashkaluar faktin se çka është Kufiri Kadastral i Komunës së Pejës dhe Kufiri Shtetëror,i cili shumë herë është shpjeguar nga ekspertët e ndryshëm,tregon cinizëm të pa tolerueshëm. Çështja e caktimit të vijës së demarkacionit është shumë ma komplekse,është dashur të përfshihen të gjitha elementet e duhura, për të pasur rezultate sa ma precize në këtë proces të ndërlikuar .
Dëmet që janë duke iu shkaktuar shtetit të Kosovës me situatën e krijuar janë me pasoja afatgjate. Vendimmarrësit kosovar duhet ta kenë të qartë njëherë e përgjithmonë se për çështje madhore,si është shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi,duhet domosdo të ketë “koncenzus” në mes pozitës dhe opozitës në Parlament, pasi Kosova na takon të gjithë neve e jo vetëm një grupi të caktuar njerëzish.
Prishtinë arch. Ylber Vokshi-Ylli
15.08.2016 . arkitekt i pavarur
ylberv@yahoo.com
Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)