Nga Kostaq Xoxa/*
Në 100 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, Enver Memishaj – Lepenica, na dha vepërën e tij të dymbëdhjetë, “Prefektët e Qarkut të Vlorës 1912 – 2012”, një veper e shkruar sipas kritereve shkencore, me konsulentë dhe recencë, autoritete të njohura të historisë.
Një vepër e munguar, për të cilën autori ishte para detyrimit të një pune objektive studimore, të cilën e realizoi me paanësi shkencore, duke i dhënë vlerësimet për secilin nga prefektët e kësaj periudhe, njëqint vjeçare, 1912- 2913, pavarësisht nga ngjyresat politike, të aktivitetit, të përkushtimit të tyre, gjatë regjimeve të ndryshme, nëpër të cilat ka kaluar vendi jonë.
Enver Memishaj, që ai shton mbiemrit të tij edhe vendlindjen Lepenica, është i njohur nga lexuesi ynë si publicist, historian e studjues, si aktivist shoqëror e demokrat, si autor i 12 veprave studimore të vlerësuara nga personalitete të shquara të historisë.
Për këto merita, në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare ai u vlerësua nga Këshilli i Qarkut të Vlorë me titullin e lartë: “Personalitet i shquar i Qarkut të Vlorës”
Me gjithë se Enveri ka pasur një jetë të vështirë, duke provuar punët e rënda, të vështira fizike në kavën e gurit, në malin e Shashicës, mekanik, nëpunës, ekonomist, por librat kurrë nuk i ka pas lëshuar nga duart. Me vullnet të admirueshëm dhe me prirjen për të qenë gjithmonë i pranishëm në jetën intelektuale, ka arritur edhe në shkallët e larta të nëpunësisë shtetërore.
Edhe tani, në pension, nuk shkëputet nga shkrimet dhe nga veprimtaria intelektuale. Merret edhe me përsiatje, që janë produkt i përvojës së tij jetësore të shumëllojshme që kanë një rezonancë në përditshmërinë tonë të tanishme. Në parathënien e librit, ai shkruan për veten e tij me dhimbje: “Nuk ka gjë më tronditëse dhe dhimbje më të madhe në jetën e njeriut, sesa kur nuk të vlerësohet puna dhe, aq më keq, kur rezultatet e punës tënde iu faturohen të tjerëve”. Kjo mjafton për të njohur personalitetin e zotit Enver Memishaj.
* * *
Në vëzhgim të këtij libri interesant për jetën dhe veprën e prefektëve të qarkut të Vlorës, do të përqendrohem e do të kujtoj ata burra të devotshëm në shërbim të ngritjes e përforcimit të shtetit ligjor të cilët u keqtrajtuan nga diktatura komuniste e viteve 1945, gjer në vitin 1990, si Refo Çapari, Osmën Haxhiu, Qazim Kokoshi, Seit Qemali, Niman Ferizi, Sadik Metra, Ismet Kryeziu etj.
Ky është një libër që kullon gjak: nga 12 prefektë që vdiqën në Shqipëri, 2 prej tyre u burgosën, 7 të tjerë u internuan nga komunistët dhe fashistët dhe 3 prefektë vdiqën nëpër burgjet komuniste.
Në tërësi: 6 prefektë u pushkatuan me gjyq dhe pa gjyq, 2 prefektë ranë dëshmorë për lirinë e vendit. Vlera e këtij libri qëndron në atë se autori mëton të hedhë dritë mbi figura thuajse të panjohura, të përgojuara me mllef e shpifje apo disa të mbuluar nga heshtja e qëllimtë.
Plagjiatura qëndron në atë se meritat e tyre iu janë dhënë atyre që nuk e meritojnë. Studiuesi përmend me vlera të qenësishme, përveç atyre që thamë, edhe Ahmet Durmishin, Abedin Nepravishtën, Rauf Ficon, Bajram Fevziun e mjaft të tjerë. Ndërsa përshkruan prefektët e Qarkut autori nuk e ka lënë bosh edhe periudhën 1945 – 1990, sistemit i diktaturës komuniste, ku u suprimua institucioni i prefektit sipas modelit të Beogradit dhe të Moskës. Në këtë periudhë thot autori nëpunësit caktoheshin nga Partia Komuniste dhe, pas vitit 1949, nga Partia e Punës dhe organet e pushtetit s` ishin tjetër veçse leva të partisë në pushtet.
Në radhë të parë dua të veçoj e theksoj figurat e prefektëve që vdiqën në atdheun që i kishin shërbyer me përkushtim, të përndjekur nga diktatura komuniste si: Zenel Prodani i burgosur, Faik Bregu, i internuar nga fashistët, i persekutuar nga komunistët, Rustem Ymeri, i persekutuar, Tafil Buletini, i nipi i heroit legjendar Isa Boletini, i persekutuar nga UDB-ja dhe nga komunistët shqiptarë.
Prefektë të pushkatuar pa gjyq dhe me gjyq: Qazim Koculi u vra në vitin 1943, Zef Kadareja, u pushkatua në vitin 1945, Vizhdan Risilia, u vra në vitin 1947. Nje jetë të trazuar dhe një fund tragjik pati Ismet Kryeziu. Ai kishte lindur në Gjakovë në vitin 1888. Në vitin 1919, ishte deputet në Jugosllavi, ku iu bënë shumë atentate. Erdhi në Shqipëri dhe u zgjodh deputet i Beratit. Vdiq në burgun e komunistëve shqiptarë në vitin 1952.
Jeta e prefektëve, që përshkruan Enver Memishaj paraqet në fakt jetën e trazuar plot ngritje dhe ulje të vendit tonë, jetë e vështirë ku ata burra u munduan dhe u shquan për përkushtimin ndaj detyrës së lartë për të bërë Shqipërinë si gjithë Europa, ku ishin arsimuar dhe edukuar.
Nëpërmjet jetës së Tafil Boletinit, Ismet kryeziut etj., lexuesit mund të bëjë vetë dallimin ndërmjet qëndrimit mirëdashës të regjimit të monarkisë dhe atij komunist, të Enverit Hoxhës, në sjelljen dhe marrëdhëniet me popullin shqiptar të Kosovës.
Gjithashtu në se krahasojmë ata prefektë që kaluan nga burgjet e internimet e okupatorit fashist, në burgjet e internimet e Enver Hoxhës, nuk mund të kenë të krahasuar. Burgjet e komunistëve ishin të tmerrshme, me dënime të rënda me tortura çnjerzore, por ajo që nuk e kap dot mendja njerzore të dënuarit i dënoheshin dhe internoheshin për jetë edhe fëmijët dhe familja, gjë që nuk e bënë as fashsistët as nazistët.
Autorii librit Enver Memishaj-Lepenica, me të drejtë i ka kushtuar më shumë se pesë faqe Abedin Nepravishtës (1 889-1975), i cili e kaloi fëmijërinë në Kuç të Kurveleshit, kreu studimet për jurist në Stamboll. Më 28 nëntor 1912 ngriti flamurin kombëtar në Përmet. Si nënprefekt i Tepelenës, i dokumentoi ambasadorit amerikan Uiliams, masakrat e andartëve në Lekël të Tepelenës. Punoi për përgatitjen e Kongresit të Lushnjës. Nënprefekt i Durrësit, prefekt i Elbasanit (1922) dhe i Shkodrës. Në vitet 1931-’33, Prefekt i Vlorës.
Duke ia vlerësuar punën, transferohet në Tiranë (1935-’37). Në vitin 1938-’39 u zgjodh deputet i Beratit. Fill pas pushtimit italian u internua në Kiançiano, deri në vitin 1941. Në nëntor të vitit 1944, u burgos prej komunistëve të sapo të ardhurve në fuqi dhe vuajti 20 vjet në burgun e Burrelit. Vdiq në internim në një fermë bujqësore të Fierit në vitin 1975. Ja pra cilët ishin patriotët që dënonte dhe pushkatonte Enver Hoxha dhe Hysni Kapua.
* * *
Kjo vepër e shkruar me kritere shkencore, besoj se i tërheq vërejtjen lexuesit edhe për një tematikë që ka të bëjë me vlerësimin e figurës historike të plakut të madhërishëm të Vlorës, Ismail Qemalit. Nga mllefi i komunistëve i shprehur në mënyrë meskine, kundër Ahmet Zogut, sot kanë dalë në arenën publicistike me një mori “historianësh” që kanë bërë hair nga një diktaturë mizore dhe janë frymëzuar nga indoktrinimi pas diktatorit, sa të thonë “po na zvetënohet figura e Ismail Qemalit”! Kjo, ndodhi në kohën kur do të ngrihej në Tiranë, siç e meriton, shtatorja e Ahmet Zogut , në bulevardin që mban të njëjtin emër.
Nëpërmjet përshkrimit të jetës dhe veprës së prefektëve lartësohen sipas rëndësisë edhe personalitetet e shquara Ismail Qemali dhe Ahmet Zogu, që ngriti varrin mnumental të Ismail Qemalit në vitin 1932.
Kështu, portreti i Ahmet Durmishit (1872 – 1937), flet edhe për Ismail Qemalin e madhërishëm të Pavarësisë.
Ndoshta është e tepërt të flitet për përgatitjen kulturore të personaliteteve të prefektëve, të pasqyruara me mjeshtëri nga autori veprës Enver Lepenica. Ata të gjithë kishin kryer studimet e larta në universitetet më të mira të Europës dhe ishin përkushtuar ndaj interesave të atdheut.
Kështu p.sh. Ahmet Durmishi kishte mbaruar studimet e larta për administratë, në Stamboll. Citojmë: “Ahmet Durmishi shoqëroi Ismail Qemalin në Europë, si edhe në takimet me arbëreshët e Napolit dhe të Sicilisë”. Në vitin 1908, kur u kërkuan për t’u burgosur anëtarët e Klubit patriotik “Labëria” në Vlorë, Ahmeti u arratis në Napoli. Më vonë paria e Vlorës e kishte shënuar në listën e komisionit për të përkrahur kandidaturën e Ismail Qemalit për deputet në parlamentin xhonturk.. Në vitin 1912 u emërua prefekt i parë i shtetit të pavarut shqiptar në Vlorë. Ishte titullar i ndarjes së pasurisë së trashëguar nga Perandoria Otomane, me përkujdesjen që të mos kishte qejfmbetje përkundrejt një pune të frymëzuar nga drejtësia.
Në vitin 1913 Durmishi ishte prapë shoqëruesi i Ismail Qemalit, në Kuvendin e Mesaplikut.
“Kur dha dorëheqjen Ismail Qemali më 20 janar 1914, Mufit Libohova mori kompetencat e kryeministrit dhe iu drejtua prefekturave duke theksuar se “të gjithë nëpunësit, siç janë, do
të mbeten në detyrat e tyre, se populli ka nevojë për qetësi e rend…”. Edhe në këtë rast “Ahmeti tregoi qartësinë, atdhedashurinë dhe përkushtimin kombëtar”. Ahmeti e tregoi patriotizmin e tij edhe si pjesëmarrës në Luftën e Vlorës, 1920.
Është ndër ata që e ngjallën kombin nga asgjëja – thotë autori i librit.
Afërsisht pesë faqe i kushtohen edhe Rauf Remzi Ficos (1881-1944), me nëntitullin “Prefekti që u bë elita e diplomacisë shqiptare”. Më 1903 mbaroi shkëlqyeshëm studimet universitare në Stamboll. Zotëronte 8 gjuhë të huaja. Mik i afërt me Bajo Topullin, Sali Butkën etj. Me Bajon, ishte pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit si dhe anëtar në delegacionin për kufijtë jugorë. Në 1 shkurt 1914 ka qenë prefekt i Vlorës. Me nismën e tij, në 1917 u hap streha vorfnore e fëmijëve jetimë në Tiranë.
Në vitin 1924 kërkoi në Kuvendin Kushtetues të mbahej zi për Presidentin Uillson. Në vitin 1926: Oficer i Legjionit të Nderit nga Franca. Në shkurt të atij viti kaloi në shërbimin diplomatik shqiptar. Më 2 prill 1939, në vigjilje të pushtimit, i ngarkuar nga Zogu, takohet me Herman Gëringun dhe me Joakim Ribentropin, për t’i kërkuar ndihmë Gjermanisë për invazionin që përgatitej të bënte Italia ndaj Shqipërisë. Sapo u pushtua Shqipëria nga Italia,
Rauf Fico internohet në Itali. Pak muaj pasi u kthye nga internimi, vdes në Tiranë, më 23 janar 1944. Varrimi i tij ka qenë nga më madhështorët, për nga numri i madh i pjesëmarrësve, të të gjitha shtresave.
Ja pra të gjith prefektët që përshkruhen në këtë libër ishin në lartësinë e përgatitjes kulturore, dhe me dashuri dhe përkushtim ndaj atdheut siç ishin edhe dy prefektët që përshkruam: Ahmet Durmishi dhe Rauf Fico dhe të gjith u persekutuan, burgosën apo pushkatuan nga regjimi barbar i Enver Hoxhës, Hysni Kapos dhe Mehmet Shehut.
* * *
Autoi ka hapur një parantezë në libër me titull: “Si u sollën eshtrat e Ismail Qemalit në Vorë”. Eshtrat e Ismail Qemalit u sollën nga Kanina në qendër të qytetit të Vlorës në vitin 1932 dhe për të, u ngrit një varr munumental. Për kryerjen e kësaj ceremonie, me interesimin e Mbretit, Zogu I, parlamenti, në seancën e 22 nëntorit të vitit 1932 caktoi deputetët që do të përfaqësonin: Petro Poga dhe Zoi Xoxa. Përfaqësues i Mbretit ishte gjenerali Leon Xhilardi dhe përfaqësuesit e qeverisë, Milto Tutulani dhe Hilë Mosi, dhe Eshref Frashëri. Bashkë me personalitete të tjera nga Tirana dhe nga i gjithë vendi.
Hil Mosi tha, në emër të mbretit: “I dashtuni Mbreti ynë: I frymëzuem nga ndjenja e nderimit për hartonjësin e indipendencës sonë, eshtnat e këtij veterani do të prehen në një varr madhështor…”.
Mesazhin telegrafik të Mbretit e lexoi prefekti Nepravishta: “ Me kënaqësi marr pjesë në gëzimin e popullit. Sakrificat për pavarësi janë fakte patriotizmi të paharrueshme. Siguroni popullin se, bashkë me patriotin e madh të kombit tonë, Ismail Qemalin, të gjithë dëshmorët janë gjallë në shpirtin tim”.
Me këtë ndërhyrje në libër Enver Lepenica hedh më shumë dritë mbi vlerat e Ahmet Zogut, për çështjen kombëtare dhe të nëpunsve, prefektëve, që i shërbyen atij.
Stërnipi i Ismail Qemalit, Darling Vlora, tanimë emigrant në Komo, ka bërë një libër të mallëngjyeshëm për familjen e madhe të Plakut të adhuruar të Pavarësisë Kombëtare ku përshkruan se si komunistët shqiptarë kanë marrë nëpër këmbë fëmijët dhe të gjithë të afërmit e atit të kombit tonë Ismail Qemal bej Vlora duke i burgosur, internuar, e persekutuar.
* * *
Këto ishin vetëm disa mendime, për të publikuar një libër historik i cili kishte munguar dhe është një libër që duhet ta lexojë çdo shqiptar për të njohur historinë e tij të lavdishme por plot dhimbje dhe lot.
*Publiçist, redaktor i gazetës “55”, Tiranë.