Shpresojmë që premiera e filmit dokumentar “Vera-mësuese e dy ishujve” do të jepet në një sallë të madhe në Tiranë, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve. Pse jo edhe nga Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe kryetari i opozitës…
Një realizim i bukur nga gazetarët Abdurahim Ashiku dhe Arian Melonashi
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë organizoi të premten 6 shkurt 2015 shfaqjen e premierës së filmit dokumentar “Vera-mësuesja e dy ishujve.
Në premierën e filmit merrnin pjesë mësues të gjuhës shqipe në Greqi, intelektualë, njerëz të artit e të kulturës në mërgim etj.
Ndodhej edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Greqisë z. Dashnor Dervishi, kryetari i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi z. Artemis Duri si dhe drejtues të shoqatave shqiptare në Greqi.
Filmi dokumentar, me skenar të gazetarit Abdurahim Ashiku dhe me fotografi të punonjësit të vjetër të Televizionit Shqiptar Arian Melonashi, midis afro gjashtëdhjetë mësuesve që vullnetarisht prej shumë vitesh u mësojnë fëmijëve të mërgimtarëve të lexojnë, shkruajnë e lexojnë shqip, është ndalur tek mësuesja Vera Shkurti, mërgimtare në ishullin e Tinosit. Vera, tre vite më parë, mblodhi 72 fëmijë të mërgimtarëve shqiptarë në ishullin e Tinosit dhe të ndarë në dy grupe, çdo të shtunë dhe të diele, nisi tu mësojë gjuhën e bukur shqipe. Nismën e saj e përkrahën edhe autoritetet greke të ishullit të cilët i dhanë për këtë qëllim një klasë të shkollës së ciklit të ulët.
Por Vera nuk mjaftohet me kaq. Kalon detin për tu ndalur në ishullin një orë larg Tinosit, në ishullin e Sirosit, në qytetin Ermonopuli, kryeqendër e ishujve të Cikladheve. Ajo edhe atje gjen etjen e mërgimtarëve për tu mësuar fëmijëve të tyre gjuhën shqipe, përkrahjen e drejtuesve të bashkisë dhe të komunitetit shqiptar.
Çdo të enjte, prej atëherë e në vitet në vazhdim, mësuesja Vera Shkurti udhëton më se një orë me traget duke iu gjendur pranë fëmijëve të mërgimtarëve në dashurinë e tyre për të mësuar gjuhën shqipe dhe për ta mbajtur lart identitetin e të qenit shqiptar.
Filmi u ndoq me vëmendje të thellë dhe me lot në sy, shprehje e respektit për këtë Rilindëse të Kohës Sonë, siç i ka quajtur shkrimtari i madh Dritëro Agolli mësuesit mërgimtar në Greqi, të cilët janë të vetmit në hapësirën migratore të shqiptarëve në botë që punojnë pa shpërblim, pa asnjë vëmendje materiale e morale nga shteti mëmë, me dëshirë e me vullnet që në mjedisin bashkëkohor shqiptar përbën një ÇUDI.
Për shkak të kohës, dallgëzimit të madh detar, mësuesja Vera Shkurti nuk mundi t’i marrë nga afër urimet e të pranishmëve në filmin dokumentar për Të, njëkohësisht mesazh i gjallë i armatës së madhe të mësuesve vullnetarë të gjuhës shqipe në Greqi.
Shpresojmë që filmi dokumentar “VERA-MËSUESJA E DY ISHUJVE” të tërheqë vëmendjen e shtetit dhe shoqërisë shqiptare në Tiranë e më gjerë për të vlerësuar punën e jashtëzakonshme të mësuesve në Greqi me të njëjtat të drejta e detyrime si mësuesit shqiptarë në Shqipëri.
Shpresojmë që premiera e filmit dokumentar “Vera-mësuesja e dy ishujve” do të jepet në një sallë të madhe në Tiranë, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve. Pse jo edhe nga Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe kryetari i opozitës…
Autorët pas botimit monografik të librave “Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës” dhe “Shkolla shqipe Selanikut” me më se njëmijë faqe, dhe filmit dokumentar “Vera-mësuesja e dy ishujve” u zotuan se do ta vazhdojnë punën e tyre për pasqyrimin dhe nxjerrjes në pah të punës së mësuesve vullnetarë shqiptarë në Greqi.