Preshevë, 28 nëntor – Në Preshevë për Ditën e Flamurit është mbajtur mbledhje solemne e Kuvendit të Komunës. Njëkohësisht liderë lokalë dhe qytetarë kanë mbajtur një tubim protestues. Në ndërtesën e Kuvendit që nga mëngjesi, krahas flamurit të Serbisë, ka valëvitur flamuri i Shqipërisë është vënë një pankartë e zezë me mbishkrimin “Na e ktheni përmendoren”.
Në mbledhjen e Kuvendit është intonuar himni kombëtar dhe me një minutë heshtje janë nderuar të rënët e UÇPMB-së, njofton B92.
Shkas për protestë është ndalimi i përdorimit ë flamuri kombëtar dhe të simboleve të Shqipërisë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc si dhe me problemet tjera të sapo zgjidhur të shqiptarëve të Luginës ka thënë Ragmi Mustafa, kryetar komunës së Preshevës.
***
Përfaqësues politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës i kanë dërguar letër kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiq dhe zëvendësit të tij Aleksandar Vuçiq, njofton Fonet.Në letër konstatohet se është i pakuptimtë vazhdimi i dialogut të filluar rezultatet e të cilit do të ishin ato të shifrave të mangëta nga regjistrimi i vitit 2011.
“Zgjidhja ligjore që Preshevën e lë pa Gjykatë Themelore dhe pa Gjykatë Kundërvajtje e Bujanocin pa Prokurori Themelore e Gjykatë Kundërvajtje, rrezikon seriozisht interesat e popullatës shqiptare”, theksohet në këtë letër.
“Si përfaqësues politikë të shqiptarëve, nuk mund të pajtohemi me konfiskimin e më shumë se 5000 librave donacion i Kosovës, me zvogëlimin e 30 për qind të buxhetit të Këshillit Kombëtar gjatë vitit 2013 si pasojë e zbatimit të shifrave të mangëta të plota të regjistrimit si dhe zvogëlimin e qëllimshëm të mjeteve transfer për këto komuna nga projektbuxheti i Serbisë për vitin 2014 që vështirësojnë administrimin lokal dhe Këshillin kombëtar”.
Në letër përkujtohet se në marsin e këtij viti është nisur procesi i ri politik që ka pasur për qëllim përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve të komunave Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Liderët politikë dhe institucionalë të Luginës së Preshevës kanë hartuar një dokument shtatë pikësh të quajtur Platformë e masave urgjente për afirmimin të drejtave të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës”.
Qeveria e Serbisë, pas analizës së dokumentit e ka cilësuar të pranueshëm dhe se në bazë të këtij dokumenti duhet nisur dialogun me përfaqësues politikë të shqiptarëve, theksohet në letër dhe shtohet se në takimet e tyre me Ivica Daçiqin e Aleksandër Vuqçiqin “ishte krijuar atmosfera e optimizmit se kjo Qeveri do të fillojë seriozisht të merret e të zgjidhë probleme me të cilët ndeshen shqiptarët dhe në takim ishte arritur pajtimi që për çdo pikë të dokumentit të organizohen takime me përfaqësues të resorëve ministrorë”.
“Në një atmosferë korrekte dhe premtuese ka kaluar takimi me ministren e Shëndetësisë Slavica Gjukiq – Dejanoviq, në të cilin u dëshmuan kërkesat e përfaqësuesve të shqiptarëve nga fusha e shëndetësisë”.
Megjithatë, që në takimin tjetër me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe pas miratimit të Ligjit për selinë dhe rajonet e gjyqeve e të prokurorive, krahas refuzimit të pesë (të gjitha) amendamenteve të deputetit Riza Halimit, rrezikon seriozisht jo vetëm optimizmin e filluar, por edhe procesin e nisur, theksohet në letër.
Zgjidhja e re ligjore për gjyqet nuk është garanci e mjaftueshme që do të mundësojë pjesëmarrje proporcionale të shqiptarëve në institucionet gjyqësore.
Rrjeti i ri gjyqeve aspak nuk e ndryshon mundësinë e qytetarëve të këtyre komunave për qasje më të lehtë në drejtësi. Është e papranueshme kjo zgjidhje juridike si pasojë e zbatimit të shënimeve të paplota të regjistrimit të vitit 2011, sipas të cilit në Preshevë janë regjistruar vetëm 416, në Bujanoc 244 e në Medvegjë 521 shqiptarë, që është në mënyrë të pakrahasueshme më pak se 57.595 shqiptarë në këto komuna sipas regjistrimit të vitit 2001, i tërhiqet vërejtja Daçiqit dhe Vuçiqit në këtë letër.
Po ashtu theksohet se shkelja e afateve të premtuar (korrik 2013) nga takimet e filluara për gjetje të zgjidhjes së pranueshme për Përmendoren në Preshevë dhe për Memorialin e Xhandarmërisë në Lluçan (Bujanoc) “hedh hije dyshimi në qëllimet që problemet të zgjidhen seriozisht “, thuhet në letër, citon FoNet.
Situatën e komplikon edhe më shumë vdekja e pasqaruar e Reshat Bajramit në burgun e Vranjës, ndaj duhet që ky rast tragjik të zbardhet në mënyrën më objektive, përfundon letra e liderëve shqiptarë të Luginës të cilën e kanë nënshkruar Riza Halimi, deputet në Kuvendin e Serbisë (PDD), Ragmi Mustafa, kryetar i komunës së Preshevës dhe kryetar i Partisë Demokratike të Shqiptarëve(PDSH), Nagip Arifi, kryetar i komunës së Bujanocit dhe kryetar i Partisë Demokratike (PD), Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar të shqiptarëve, Jonuz Musliu, Kryetari Kuvendit komunal të Bujanocit dhe i Lëvizjes për Progres demokratik (LPD), Ramiz Latifi, kryetar i Kuvendit komunal të Preshevës, Skender Destani, Rahmi Zulfiu, dhe Shaip Kamberi.