Donald Trump: Kosova, partnere e rëndësishme e Amerikës/
-Kosova 10 vjet pavarësi, presidenti Thaçi pranoi një letër urimi nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 13 Shkurt 2018/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë, përmes ambasadorit amerikan në Kosovë ka pranuar një letër urimi nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Letra e plotë:
I nderuar z. President,
Në emër të popullit amerikan, e përgëzoj Kosovën në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë së saj.
Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në forcimin e sovranitetit dhe demokracisë shumetnike. Ndërkohë që duhet bërë edhe më shumë punë, ne përgëzojmë përparimin tuaj.
Ndërsa vendi juaj po hyn në dekadën e dytë të shtetësisë, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën që të ndërtojë themele të forta të parimeve të përbashkëta demokratike, bashkëpunimit rajonal dhe sundimit të së drejtës. Duke vepruar kështu, Kosova do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt integrimit në Komunitetin Perëndimor të Kombeve.
Ne e shikojmë Kosovën si një partnere të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara. Në këtë rast historik i uroj gjithë të mirat qytetarëve të Kosovës.
Sinqerisht,
Donald Trump
***
LETRËN E URIMIT E SOLLI AMBASADORI I SHBA
Letrën e urimit të presidentit Trump e solli në Presidencën e Kosovës, i pritur nga presidenti Thaçi, ambasadori i SHBA në Prishtinë, Greg Delawie.
“Sot pranova një letër urimi nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë. E falënderoj presidentin Trump për urimet e përzemërta dhe përkushtimin e tij për Kosovën. Populli ynë është me shumë me fat që ka një shtet mik kaq të fuqishëm, si SHBA-të”, është shprehur Thaçi.