Frano Kulli/
Një dalldi e madhe e ka pushtuar njerëzinë shqiptare të rrjeteve sociale, sidomos, qyshsekur është përmendur zgjedhja e presidentit të ri të Republikës. Njerëzinë aspirante, sigurisht; ata që e dinë veten të zot si askush tjetër për t’u ulë në atë karrige të rëndë, se njerëzia shqiptare në shumicë, e neveritur deri në fyt me presidentët e krejt shpurën e udhëheqësisë së këtushme, ose “ka therë pelën” e ka ikë nga sytë këmbët, ose rri e vegjeton këtu ushqyer me remitancat që sjellin këta të parët.Zhytur në pezm e mosbesim të thellë, fort.Të ikurit janë ata më të duhurit për këtë vend, janë përgjithsisht ajo fasho moshe nga 20-40, që për cilindo vend janë vitaliteti, janë ata që që mund ta prosperojnë një vend. Aq më tepër Shqipërinë tonë të vogël. Të ikurit i kanë shtyrë me përdhunë të ikin. Ngapak e përditë ka ngjarë kjo. Sigurisht edhe kërkesa e vetë atyre për një jetë më të mirë i josh drejt ikjes. Por për më tepër, shumë më tepër se kaq, duke u venitur atyre shpresën se jeta mund të jetohet normale edhe këtu. E kjo ka ngjarë sistematikisht, sa duket si një vetëdashje e kobshme. Këtë e kanë bërë sistematikisht këta prijësat pra, e sidomos këta të dekadës së fundit. E, megjithatë, ato që janë këtu, të gatshëm si gjithherë, prej këtu në katundin tonë “kjanë hallet e inglizit”, siç do të thoshte Fishta. E ngasin e vrapojnë kush me dalë i pari i katundit. I pari për çfarë ? Për me sundue pra. Se për me qeverisë, për me udhëheqë administrimin e mirë të jetës sonë publike, e cila iu besohet e iu është lënë në dorë atyre, ashtu siç ndodh në vendet e zhvilluara…Këtë se kemi parë deri tash.
Kështu pra , këto ditë, vijnë e shkojnë propozime nëpërmjet komunikimit publik të gjithkujt. Dhe, në turma fjala zë vend menjëherë, zë vend edhe atëherë kur ajo është aspak e njëmendtë ose krejt e rrejshme. Por që e kanë marrë përnjëmend e po shfaqen shumë seriozë ca njerëz të elitës, kjo sjell habi. Gjeneralë e specialistë gjithnduerësh, historiane pasionante e dijetarë gjithësojësh janë dhënë me mish e me shpirt për këtë punën e presidentit…
Kush ka jetuar kohën e largët të fletë rrufeve do ti sillet nëpër mend gara e ethëshme e njerëzisë për t’u paraqitë me shkrim nëpër ato copa letrash varur nëpër mure të vrungnueme kudo, në ndërmarrjet punuese shtetnore, në shkolla, në kooperativa e gjithkund, me mendimin a qortimin e vet. “Cilido mund të shkruajë për punët dhe për njerëzit”- kishte thënë udhëheqësi. Dhe ky quhej zëri i masës, që vetë partia, nën shembullin e revolucionit kulturor kinez të fundviteve ’60 të shekullit të shkuar, e kishte shpërndarë si direktivën e saj. Dhe ky quhej revolucionarizimi i jetës së vendit, që presupozonte demokratizimin e saj ???Ani pse bash këtu e mbas, jeta u militarizua edhe më. E, njerëzia fatkeqe, bile në shumicë, me “trutë e gomarit” që i kishte vënë diktatura e merrte si të njimendtë kërkesën e partisë, për ta lëshuar zërin nëpër ato copa letrash proklamata. Dhe, njeriu i mjerë (e jo një e dy) besonte. Po, po edhe besonte se me të vërtetë zëri i tij, i përzjerë me zërin e masës, do të dëgjohej! Zëri i masës (turmës pra) sigurisht, se individi, njëshi ishte “zero e fyl” siç e kish shkruar Majakovkski, poeti i shquar komunist sovjetik.
Sindromi i besimit të gënjeshtrës së madhe, kishte nisur më herët, kishte nisë atëherë kur turmat entuzjaste , i ndillnin si bagëtitë në tufë për të ndjekur mizanskenat e gjyqeve popullore kundër aristokracisë së vendit, dijetarëve të studiuar në Europë, doktorë e inxhinierë a priftërinjëve mendjendritur, predikatorë të besimit e atdhedashës. Dhe turmat thërrisnin si të marrë: “kriminelët në litar”. Gënjeshtra e madhe ua kishte pushtuar trurin dhe shpirtin turmave. Për njëmijë e një arsye. Për forcën e dhunës, pikësëpari. Por do që disave prej tyre u hyri në qejf kjo punë, e medjé (madje) u dhanë e hynë në një garë që kush të dukej më i devotshëm në sytë e prijësisë. Sikundërse u mpreh e doli në pah edhe deliri i të dukurit, deliri i prijësve, që lidhej me devocionin e përkushtimin ndaj udhëheqësisë. Sindrom që zgjati përgjatë gjithë kohës së rregjimit e që e shformoi dinjitetin e njeriut. E dhimbshme kjo sa s’bëhet, por e pranuar në kushtet e atëherëshme…Sindromi i besimit të gënjeshtrës së madhe ishte kthyer sa në presion (shtypje) aq edhe në pasion…
Por, që reminishencat e pranimit si të vërtetë të gënjeshtrës së madhe të vijojnë edhe sot kur ka më se tridhjetë vjet që rregjimi ka rënë ? E sindromi të shfaqet njësoj si atëherë?! Mirë, udhëheqësia është kjo që është, papërgjegjëshmëria e saj në administrimin e punëve të mbarshtrimit të jetesës së njerëzve ka shkuar larg, shumë larg. Nevoja për koperturën propagandistike të punëve të pabëra e ka bërë atë të na servirë edhe të ashtuquajturin “Këshillimi Kombëtar”, që është motamo zëri i masave të gjysmë shekulli më parë. Por që kjo të besohet edhe ndër njerëz që në shoqëri janë radhitur në gjindjen elitë të këtij vendi ? E papranueshme. Kjo tregon se mekanizmin e rendit të demokracisë, të cilin kemi nisur ta bëjmë tash tridhjetë vjet e kemi mbërthyer me burma kauçuku (plastike)…
Besimi me naivitet në “vijën e masave”, megjith shëmtinë e vet po shfaqet këto ditë kur flitet për zgjedhjen e presidentit të republikës. E kur u pyetën ndonjëherë masat për presidentët ? A s’jemi këtu prej gati tri dekadash, gjasme demokraci, që presidentin, gjithherë e ka nxjerrë nga mënga… kryeministri ? Vetëm njëherë ka dalë nga mënga e një tjetër Njëshi. Njëherë, kur të mëdhenjtë e përtej katundit tonë e lanë nën mëngën e liderit të opozitës. Dhe lideri i atëhershëm i opozitës antikomuniste…skualifikoi Pjeter Arbnorin.