Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani vizitoi të Martën e 24 Shtatorit Shtëpinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës. Ai u prit nga Kryetari i vatranëve dr. Gjon Bucaj me bashkëpunëtorët e tij. Presidenti i Republikës tha se ishte tepër i gëzuar që po takohej me Vatrën historike,që u krijua 7 muaj para shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar dhe u bë avokatja e shqiptarëve në kohët e vështirë të egzistencës së saj. Vatra e dy kolosëve, Fan S Nolit dhe Faik Konicës dhe e të gjithë brezave që kanë bërë historinë e saj në këta 101 vite jetëgjatësi meriton përhirimet e kombit.
Presidentit Nishani ia uroi mirëseardhjen Kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj, i cili tha se Vatra ndjehet e nderuar nga kjo vizitë dhe se i uroi presidentit që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit për në Bashkimin e Europian, duke realizuar aspiratën e brezave.
Presidentin e përshëndetën edhe dy nënkryetarët e Vatrës, Agim Rexhaj e Asllan Bushati dhe sekretarja Nazo Veliu. Më pas, presidenti vizitoi ekspozitën” Vatra-100 vite në shërbim të Kombit”, Librarinë dhe Arkivin e Vatrës, ku editori i Diellit, Dalip Greca, përmes fotografive dhe eksponateve të arkivit, tregoi rrugën 101 vjecare të Vatrës. Pjesmarrësit bënë një fotografi të përbashkët me presidentin dhe zonjën e parë para Shtëpisë së Vatrës.