Me rastin e 90 vjetorit te Lindjes, Presidenti Meta dekoroi futbollistin e shquar të Lushnjës dhe Ekipit Kombëtar, Abdurrahman Roza Haxhiu (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: ‘Dëshmor’ i fushës së blertë, i cili u bë shembull frymëzimi për brezat e rinj!
NGA Kevin HAXHIU-
Abdurrahman Roza Haxhiu i njohur si Roza Haxhiu lindi në qytetin e Lushnjës më 16 tetor 1930.Djali i patriotit të shquar Shqiptarë Bajram bej Haxhiu i cili ishte një nga Anëtarët e Komisionit Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe i vëllai i atdhetarit të shquar për çështjen kombëtare Shqiptare në Diasporën e Shqiptarëve të Egjiptit Qerim Haxhiu.Futbolli për Rozën ishte një ëndërr që nisi që fëmijë në fushën e blertë të vëndlindjes.Haxhiu ishte një futbollist dhe trajner i shquar shqiptar në vitet “40-50-60”.Ai luajti si futbollist me “Traktorin” e Lushnjes,“Besën” e Kavajës,Partizanin,Dinamon dhe Kombëtaren Shqiptare.Gjithashtu ishte edhe Trajner i shquar me Traktorin e Lushnjes.Në vitet “1945-1947” Roza u aktivizua me ekipin e të rinjëve të “Traktorit” të Lushnjes ku u dallua si titullar.Dilaver Toptani i cili ishte inspektorë i fizkulturës,mësues,trajner dhe futbollist në Lushnje në vitet “1947-1949” kur pa cilësitë e mëdha të Haxhiu-t do ta dërgonte për specializim si trajner në Tiranë në një kurs që drejtohej nga kuadro sovjetik (rusë).Gjatë kampionatit të vitit “1948-1949” emri i Rozës i kalon kufijtë e Lushnjes.Ai në vitin 1950 shkëlqeu si mesfushor tek “Besa” e Kavajës.Në vitin 1951 Haxhiu do të luante për herë të parë në ekipin e Partizanit.Në vitin 1953 trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit Loro Boriçi e futi Haxhiu-n në formacionin e ekipit që merrte pjesë në Bukuresht në Festivalin Botërorë të Rinisë dhe Studentëve.Në vitin 1955 Roza luante ne ekipin e Dinamos dhe në fund të ndeshjes Dozha e Budapestit-Dinamo futbollisti i shquar hungarez Suza ka thënë për Rozën:-“Ai është një futbollist i kalibrit europian”.Futbollisti i talentuar Roza Haxhiu ka dhënë një kontribut të madh edhe në kombëtaren Shqiptare dhe veçanërisht në fitoret ndaj Çekosllovakisë dhe Polonisë.Në vitin 1957 në finalen e kampionatit të 20-të kombëtar që zhvillohej midis dy ekipeve kryeqytetase (derbi) Partizani-Dinamo Haxhiu bëri golin e tretë.Tifozët e Partizanit e festuan në mënyrë madhështore në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” fitoren e kampionatit gjithashtu ata ngritën në krah futbollistin e talentuar dhe golashënuesin e ndeshjes A.Roza Haxhiu.Ky moment tepër i veçantë është fiksuar edhe në një fotografi.Në Leipzig të Gjermanisë Haxhiu me ekipin e Partizanit në vitin 1958 dha maksimumin e tij në fitimin e medaljeve të argjendta.Viti “1958” për Rozën ishte vit i suksesit të madh por gjithashtu do të ishte dhe tepër i rëndë pasi ai gjatë një ndeshje miqësore që zhvillonte me ekipin e Partizanit në Bullgari gjatë lojës u godit me takë futbolli në kokë.Goditja me takë do ti shkaktonte një sëmundje të pashërushme por Haxhiu nuk u largua nga futbolli por me zemër,dëshirë dhe pasion vazhdoi të ishte në fushën e lojës edhe si trajner edhe si futbollist deri sa ndërroi jetë.Në vitin 1959 luajti përsëri me “Dinamon” e më pas kthehet atje ku e nisi ëndrrën e tij në fushën e blertë të vëndlindjes.Këtë herë Roza do të ishte Trajner dhe Futbollist njëkohësisht në ekipin e Traktorit të Lushnjes.Në vitin 1960 ekipi i futbollit lushnjar “Traktori” i drejtuar nga Trajneri Roza Haxhiu shpallet kampionë në Kampionatin e Kategorisë së Dytë.Emri A.Roza Haxhiu është shënuar me “shkronja të arta” në historinë e futbollit lushnjarë si i pari Trajner që e futi ekipin e qytetit të Lushnjes në Kampionatin e Kategorisë së Parë.Në Maj-Korrik 1963 Haxhiu caktohet për përzgjedhjen dhe përgatitjen e një grup moshe 13-14 vjeçarësh për Spartakiadën Kombëtare që zhvillohej çdo vit në kampin e pionerëve “Qemal Stafa” në Durrës.Në periudhën Shkurt-Mars 1964 ai punoi si mësues i edukimit fizik në shkollën e mesme të qytetit të Lushnjes “18 Tetori”.Goditja me takë futbolli që mori në kokë gjatë lojes i shkaktoi sëmundjen e rëndë e të pashërushme e cila do ta ndante nga jeta më 19 maj 1964 në moshë tepër të re 34 vjeç.Abdurrahman Roza Haxhiu u nda nga jeta ashtu siç ai e meritonte me nderime,respekte dhe vlerësime.Mijëra sportdashës Lushnjarë e nga rrethet e tjera, banda nga Kavaja drejtonte kortezhin.Ashtu me duart e lëshuar Xha Bami (i ati) hedh vështrimin rreth e qark. Mizeri njerzish.Përkulet tek koka e arkivolit:-“Ah mor bir…Nuk e dija se kishe pasur kaq miq e shokë…”.Abdurrahman Roza Haxhiu përveç se një futbollist i talentuar ai ishte dhe tepër simpatik.Ai teksa vizitohej nga doktori Italian dhe infermieret e spitalit në vitin 1947 do të thirrej ”che bella rosa”-“cfarë trëndafili i bukur”.Emri Roza do të përforcohej më tej edhe nga doktori Ihsan Çabej pas vitit 1950, për t’u përhapur më pas jashtë ambieneteve të spitalit dhe mbetur përgjithmonë i skalitur në mëndjen e qindra mijërave sportdashësve e më gjerë.Roza Haxhiu ka vdekur vetëm fizikisht sepse emri dhe karriera futbollistike që ai la pas do të jenë të pavdekshme në historinë e futbollit shqiptarë.Haxhiu u nderua pas vdekjes në vitin 1971 me titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm Pluralist Lushnje me Vendim Nr.124,datë 16 gusht 1991 në pikën 1 të vendimit vendosi që Stadiumit të futbollit të qytetit të Lushnjes të emërohet stadiumi Abdurraman (Roza) Haxhiu.Këshilli i Bashkisë së Qytetit Lushnje me Vendim Nr.30,datë 20 maj 1994 me votim të plotë vendosi që Zoti Abdurrahman Roza Haxhiu ti jepet titulli “Qytetar Nderi”.Në vitin 1999 nga Ministria e Kulturës,Rinisë dhe Sporteve u nderua me titullin “Nderi i Sportit Shqiptarë”.Në vitin 2016 nga FSHF Federata Shqiptare e Futbollit u nderua me titullin “Pllakatë”.Në 30 vjetorin e vdekjes 21 Maj 1994 u përkujtua në qytetin e Lushnjes legjenda e futbollit shqiptarë Abdurrahman Roza Haxhiu.Ceremonitë e organizuara nga Bashkia Lushnje në nderim të futbollistit Haxhiu,nisën me një ndeshje që u zhvillua në stadiumin “A.Roza Haxhiu”.Gjithashtu u zhvillua edhe një aktivitet në sallën e kinoteatrit ku folën miqë e shokë mbi jetën dhe veprimtarinë e futbollistit legjendar Abdurrahman Roza Haxhiu.Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë futbollistë,këngëtarë e aktorë si:Vaçe Zela (këngëtare),Margarita Xhepa (aktore),Ilia Shyti (aktor),Hysni Zela (këngëtare),Kolec Kraja (futbollist),Robert Jashari (futbollist),Ismet Bellova (komentator sportiv),Ali Kastrati (boksier,fizioterapist),etj.Në maj të vitit 2007 është realizuar një dokumentarë për A.Roza Haxhiu i titulluar “Trëndafili i fushës së blertë” në Televizionin Shqiptar “TVSH” me skenar dhe regji nga Engjëll Ndocaj.Në 11 maj 2016 është realizuar emisioni “Panteon” nga moderatore Nisida Tufa,në Televizionin “News 24”,me temë “Abdurrahman Roza Haxhiu,dëshmori i fushës së blertë”.Së fundi,Presidenti i Republikës së Shqipërisë SHTZ.Ilir Meta e vlerësoi futbollistin dhe trajnerin e shquar shqiptarë Abdurrahman Roza Haxhiu (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi në një ceremoni solemne futbollistin e shquar të Lushnjës dhe të Ekipit tonë Kombëtar, Abdurrahman Roza Haxhiu (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.
Kreu i Shtetit nderoi futbollistin lushnjar, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributet e jashtëzakonshme në zhvillimin e futbollit në qytetin e Lushnjës dhe lojën e tij të paharruar si lojtar i Ekipit Kombëtar. Një futbollist me aftësi të shkëlqyera, ‘dëshmor’ i fushës së blertë, një sportist model, i cili u bë shembull frymëzimi për futbollistët e rinj”.
Në fjalën e Tij, drejtuar familjarëve, ish-kolegëve, futbollistëve dhe personaliteteve të sportit, Presidenti Meta u shpreh:
“Është një privilegj dhe kënaqësi e veçantë të vlerësoj me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, Abdurrahman Roza Haxhiun, ose Roza Haxhiun, siç e njohin të gjithë lushnjarët dhe shqiptarët, një nga futbollistët e mëdhenj dhe të paharruar, për kontributin dhe rezultatet e shkëlqyera të arritura në sport.
Aq më tepër është kënaqësi, që ky vlerësim bëhet në këtë vit historik të 100-vjetorit të Kongresit të Lushnjës, ku familja Haxhiu, ka pasur një kontribut të veçantë.
Roza Haxhiu, ka qenë pa diskutim një autoritet i futbollit shqiptar dhe mbetet i tillë, shumë i njohur dhe i vlerësuar në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Është një prej legjendave të historisë së sportit tonë.
Roza Haxhiu, djali i Bajram Haxhiut, një nga anëtarët e Komisionit nismëtar të thirrjes së Kongresit të Lushnjës, që në fëmijërinë e tij, ëndërronte të bëhej yll i fushës së blertë. Talenti i tij u duk që në moshë të re, me ekipin e të rinjve të Lushnjës.
Roza Haxhiu, ishte një futbollist i shquar, i viteve 50-60’, talent i rrallë si dhe golashënues i klasit të parë me ekipin Kombëtar, me Lushnjën, Dinamon, Besën dhe Partizanin.
Roza Haxhiu, jetoi shumë pak, rreth tre dekada e gjysëm, e thuajse gjysmën e viteve të moshës së tij, ja kushtoi tërësisht futbollit, sportit të zemrës dhe pasionit.
Madje mund të themi se, nëse sporti ka martirët e tij, Roza, është një nga ata luftëtarë, që me të vërtetë ra në fushën e blertë të stadiumit, i aksidentuar për vdekje, nga një goditje vdekjeprurëse në kokë e cila i mori edhe jetën, që ai aq bukur dinte ta jetonte.
Roza Haxhiu u dallua si një mesfushor me vizion të gjerë. I papërtuar, i shkathët, teknik, me një diapazion të gjerë për lojën, e mbi të gjitha, me një shpirt tepër të madh.
Roza Haxhiu, luajti edhe për skuadrën kombëtare të Shqipërisë, ku dallohej për teknikën dhe cilësitë e tij, duke u kthyer në një simbol të futbollit Shqiptar.
Për të plotësuar figurën e tij komplekse si futbollist, nuk mund të mos përmend takimet e paharruara të Partizanit në Leipzig të Gjermanisë, në shtator të vitit 1958, ku Roza Haxhiu pati, kontribut të veçantë për fitimin e medaljeve të argjenda.
Goditja në Plovdiv të Bullgarisë, në vitin 1958, ku Roza mori pjesë si titullar në ekipin e Partizanit në një turne miqësor, ku ai pësoi dëmtimin e rëndë, padyshim u shndërrua më pas në një sëmundje të përditshme që i kërcënoi jetën.
Pas shumë përpjekjesh dhe vonesash burokratike, arrin të sigurojë një lejekalimi për t’u operuar në Itali, por ishte tepër vonë. 19 Maji i vitit 1964, rrëmbeu Rozën jo vetëm nga gjiri i familjes dhe njerëzve më të afërt, por edhe i shokëve, i miqve, i të afërmëve, bashkëlojtarëve dhe sportdashësve të shumtë.
Abdurrahman Roza Haxhiu, iku si rrallëkush. Ai u nda nga jeta duke merituar respektin, vlerësimin dhe përjetësinë. Shembulli dhe virtuoziteti i tij, kanë mbetur në kujtesën e sportdashësve tanë dhe është shkruar me gërma të arta në historinë e sportit tonë.
Më lejoni me këtë rast t’ju shpreh respektin dhe mirënjohjen time të sinqertë, familjes së dashur të Rozës së madh, futbollistëve, miqve e kolegëve të tij, që e kujtojnë gjithmonë me respektin që ai meritonte, si futbollist i madh dhe si një njeri i mrekullueshëm.
Mirënjohje dhe respekt për atë ç’ka i keni dhënë sportit lushnjar dhe atij kombëtar, si një legjendë e paharruar, që ishte pikërisht Roza Haxhiu.
Stadiumi i Lushnjës, ‘Roza Haxhiu’, mban sot emrin e tij, në shenjë respekti për kontributin që ka dhënë ky futbollist dhe trajner për futbollin lushnjar por edhe për atë Kombëtar.
Është kënaqësi për mua që të akordoj sot vlerësimin e lartë, ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’, për Roza Haxhiun, këtë legjendë të futbollit dhe të sportit tonë.
I përjetshëm kujtimi i tij!”