Nga Keze Kozeta Zylo/
Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bajram Begaj u takua me Diasporën Shqiptaro Amerikane në kryeqendren e botës, Manhattan, New York, në 590 Madison Avenue, i njohur gjithashtu si IBM Building, një rrokaqiell në lagjen Midtown, Manhattan të qytetit të Nju Jorkut.
Në mjediset e sallës së konferencave z. Mark Gjonaj Nderi i Kombit dhe Kryetar i Këshillit të Diasporës kishte ftuar përfaqësuesit e 60 Shoqatave Shqiptaro Amerikane në New York për t’u takuar me Presidentin e Republikës së Shqipërisë z. Bajram Begaj.
Në këtë organizim ndihmoi mjaft dhe zonjusha simpatike Mariola Bejkollari sekretare pranë zyrës së z. Mark Gjonaj.
Muaji shtator është shumë i ngjeshur për Diasporën Shqiptaro Amerikane me takime politikanësh të nivelit të lartë shtetëror për shkak të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ku në këtë sesion përveç vendeve anëtare nga e gjithë bota përshendet dhe flet dhe Presidenti i SHBA-ve, z. Joe Biden.
Presidenti i Shqipërisë u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit.
Panelin e ketij takimi e udhëhoqi z. Mark Gjonaj i cili i uroi mirëseardhjen Presidentit Begaj.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z.Bajram Begaj falënderoi gjithë të pranishmit dhe ngriti shume lart rolin e Diasporës në çështjen kombëtare. Ai e çmoi punën e saj dhe tha se Diaspora ka shërbyer gjithmonë me dinjitet dhe atdhedashuri në shumë cështje të rëndësishme kombëtare. Ju ftoj të vini në Shqipëri gjithmonë se vendi ynë është shumë i bukur dhe aty keni rrënjët dhe gjakun tuaj. Une i përgëzoj të gjithë ata vullnetarë që punojnë për Shkollat Shqipe dhe ju mësojnë nxënësve Gjuhën Shqipe, sepse ajo është identiteti ynë, është ashti ynë.
Zoti Begaj foli dhe për votën e Diasporës dhe tha se ajo është e drejta juaj si shqiptarë që të votoni dhe të zgjidhni përfaqësuesit tuaj në Parlament.
Presidenti Begaj prezantoi para të pranishmëve Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Washington z. Ervin Bushati. Zoti Bushati tha se është kënaqësi që unë të prezantohem nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Begaj para Diasporës. Unë do të punoj me mish e shpirt për Kombin tim dhe mezi pres të takohem me Diasporën dhe pëfaqësuesit e saj. Do të punoj fort atje ku dëgjohet zëri im për zgjerimin e njohjeve për Pavarësinë e Kosovës.
Z. Mark Gjonaj i cili e drejtoi me plot kulturë aktivitetin lexoi pyetjet e përfaqësuseve të Diasporës të cilët i kishin dërguar me shkrim drejtuar Presidentit Begaj. Ai iu përgjigj me korrektësi dhe durim të gjitha pyetjeve si psh për problemet që ka Kosova, veçanerisht në Veri të saj, për shqiptarët në Ballkan, trevat shqiptare kudo ku jane si në Mal të Zi, Dibër, Maqedoninë e Veriut, Çamëri, rreth teksteve për shkollat shqipe, problemet e largimit të shqiptarëve nga trojet e veta, rregullimin e rrugëve etj…
Takimi ishte miqësor dhe me premtime për të ardhmen.
21 Shtator, 2023
Manhattan, New York