Presidenti Nishani feston Fiter Bajramin: Të na i pakësojë ky Bajram keqkuptimet, grindjet, sherret, dhe të na i shpeshtojë mirëkuptimet, bashkimet!/
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani kremtuan në Pallatin e Brigadave Fiter Bajramin me një darkë festive ku ishin të pranishëm Kreu i Kuvendit Ilir Meta, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Skënder Bruçaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj, Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas, Nunci Apostolik Imzot Ramiro Moliner Ingles, përfaqësues të lartë të besimeve fetare në Shqipëri, drejtues institucionesh të pavarura kushtetuese, deputetë, klerikë si dhe shumë besimtarë myslimanë.
Në përshëndetjen e Tij, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh: “Është kënaqësi e jashtëzakonshme për mua që festës Suaj, lumturimit Tuaj, devocionit Tuaj, në këtë ditë të shënuar, t’i bashkoj përunjësisht urimin tim: Për shumë vjet gëzuar Bajramin e shenjtë, këtë festë madhështore të myslimanëve të botës, këtë mundësi të mrekullueshme që na afron me njëri-tjetrin dhe me Zotin, që na pakëson vuajtjet dhe dëshpërimet, dhimbjet e plagëve na i bën të durueshme.
Të dashur besimtarë myslimanë! Të bëjmë çmos të na e shtojë ky Bajram ndjeshmërinë ndaj fukarenjve dhe të dëshpëruarve, për t’i bërë ata më pak të varur ekonomikisht dhe më të sigurt e më të fortë shpirtërisht.
Të na i pakësojë ky Bajram keqkuptimet, grindjet, sherret, dhe të na i shpeshtojë mirëkuptimet, bashkimet.
Paçi vetëm gëzime në jetët Tuaja, Familjet Tuaja, punët Tuaja!
Kurrë mos u ndaltë adhurimi Juaj për Zotin, bashkë me të mirat e gjithfarshme dhe obligimet e domosdoshme që rrjedhin nga ky adhurim!
Kurrë mos u shterrtë mes Jush dashuria, mirësia, mëshira, urtësia, për veten, për njëri-tjetrin, për komunitetin, për Kombin, dhe më gjerë për njerëzimin që aq shumë etje ka për Besim, aq shumë uri ka për paqe, aq nevojë të ngutshme ka për begatim të tanishëm dhe shpresë për të ardhmen.
E bekuar qoftë dëshira Juaj për më tepër prehje shpirtërore dhe shoqërore me të gjithë, pavarësisht nga Besimi apo të tjera dallime.
Të vazhdojë të forcohet bindja Juaj se po aq e madhe sa është Mëshira e Zotit është edhe falënderimi ynë, edhe vetëdija jonë për përunjësi të pafundme ndaj Tij në çdo aspekt, në çdo rast dhe në çdo çast.
Kurrë mos u pakësoftë frika ndaj mëkatit. Po të lutemi me gjithë shpirt, Zoti që na i ka dhënë të gjitha liritë dhe na ka lënë të zgjedhim, mëkatet na i fal. Por gjatë rrugës së mundimshme drejt përsosjes duhet të kemi mirë parasysh sa pa besimin tek Zoti, rrëshqitja në mëkat është fare e kollajtë.
Kurrë mos u pakësoftë por vetëm u shtoftë bindja e brendshme e solidaritetit reciprok human të atyre që kanë ndaj atyre që s’kanë, të atyre që u tepron ndaj atyre që u mungon, të atyre që Fati i ndihmon ndaj atyre që Fati i harron.
Ta gëzojmë si e meriton këtë ditë të lumnueshme si mundësi e rrallë për të reflektuar hollësisht dhe thellësisht për principe themelore, ato principe të cilat, të rrëmbyer nga telashet e përditshmërisë, ndodh që edhe i nënvlerësojmë, pse jo dhe i harrojmë, si për shembull për çfarë është e shenjtë e çfarë është banale, çfarë paraqitet si e dobishme por është e dëmshme, çfarë duket e drejtë por është e shtrembër, çfarë duket e mbarë por është e mbrapshtë, çfarë shfaqet si e arsyeshme por është e gabuar, çfarë duket e këshillueshme por është kurth. Të reflektojmë në këtë ditë për arsyet e vështirësive të komunikimit ndërnjerëzor kryesisht ndërpersonal, kollajllëkun e sherrit, mungesën e urtësisë, dhe të mundohemi t’i ndreqim duke pasur parasysh se të dish të pendohesh është më e vështirë, por më e dobishme se të vazhdosh të gabosh, të japësh është e vështirë, por e shenjtë, të marrësh pa e merituar është e kollajtë, por kriminale, të fitosh është më e vështirë se të humbësh, por është e lavdishme, të pajtohesh është më e vështirë se të dhunosh, por është e shenjtë.
Ditët e udhëtimit sakrifikues drejt Zotit, ditët e Ramazanit të finalizuara me ditën e Bajramit, na dhanë mësimin madhështor se po aq i madh sa është tundimi i mëkatit është edhe kujdesi i Zotit për të na mbajtur gjithmonë sa më larg atij tundimi. Ky kujdes i pandalshëm është arsyeja që sakrifica e ditëve të kaluara nuk ishte i fundit Ramazan, dhe ky sotmi nuk është i fundit Bajram, por çfarë po përjetojmë është vetëm një fragment i rrugës së pafundme të përsosjes së mendjes dhe të shpirtit në zbatim të përpiktë të vullnetit të Zotit, pra pa barrën e zakonshme të materialitetit.
Sa më lart, dhe të tjera, janë të një rëndësie të pallogaritshme. Sidomos sot kur qytetërimi dhe vlerat korresponduese janë më tepër se kurrë të rrezikuara, kur njerëz të të njëjtit Besim, që falen e luten njësoj në emër të të njëjtit Zot, zbatojnë të njëjtat rite si ky Bajram, shkaktojnë barbarizma të pashembullta, kasaphana të përgjakshme duke vrarë njerëz të pafajshëm edhe brenda të njëjtit besim e duke u kallin tmerrin gjithë të tjerëve.
Njeriu që sakrifikon për përsosjen shpirtërore, është i pamposhtur. Energjia e njeriut të pamposhtur vjen pikë së pari nga realizimi dhe respektimi i barazpeshës mes të drejtave dhe detyrave, në mënyrë të atillë që ajo barazpeshë të jetë funksionuese dhe produktive. Nëse barazpesha në fjalë çrregullohet, sidomos kur me të drejtat teprohet, vijnë të gjitha rreziqet që shkaktojnë të gjitha të këqijat. Të mos kujdesesh për ekuilibrin mes të drejtave dhe detyrave, do të thotë të keqes t’i hapësh portën. Të keqes porta nuk i duhet haopur. Të keqes porta i mbyllet. T’ia mbyllësh portën së keqes dhe t’ia hapësh të mirës, për së pari e për së fundi, do të thotë ta kesh mendjen të kthjellët dhe shpirtin të pastër, me fjalë tjera, t’i bindesh vullnetit të Zotit, të zbatosh me përpikëri porositë e Tij. Jo nga frika, por me gjithë shpirt. Pas kësaj, vetëm pas plotësimit të këtij kushti, vijnë të gjitha të mirat.
Ju, besimtarë myslimanë, klerikë të nderuar këtë e keni bërë, po e bëni, dhe do ta bëni.
Kjo është arsyeja që Besimi Juaj, përkushtimi Juaj, sakrifica Juaj, meritojnë të gjitha lëvdatat.
Kjo është arsyeja që unë, Presidenti i Republikës, besues i palëkundur i një bote me sa më pak dhunë dhe sa më tepër Liri, sa më tepër Besim dhe sa më pak zhgënjim, duke ju kujtuar edhe një herë se nuk ka gjë më aftë se të tilla festa për ta larguar urrejtjen dhe afruar dashurinë, pakësuar veset dhe shtuar virtytet, harruar mëritë dhe sjellë pajtimet, si President, personalisht dhe institucionalisht, me gjithë shpirt ju falënderoj e ju uroj: Gëzuar Bajramin!” – theksoi në fjalën e Tij Presidenti Nishani.
Në këtë darkë festive, Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi dhe nderoi figura dhe personalitete të shquara të bashkësisë myslimane si dhe të bektashinjve.
Presidenti Nishani dekoroi me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”: Hafiz Shaban Saliajn (pas vdekjes) “Për kontributin e tij të padiskutueshëm e të vyer në rikthimin e lirisë së besimit fetar dhe ripërtëritjen e praktimit të tij,, duke shërbyer si Myftar i Tiranës dhe njëkohësisht si mësues në Medresenë e Tiranës”; zotin Xhemal Balla “Për kontributin e tij të shquar arsimor e kulturor dhënë nëpërmjet botimeve të shumta dhe veprimtarisë së vyer si mësues e drejtor i Medresesë së Tiranës” dhe zonjën Rukije Skifteri “Në shenjë vlerësimi të figurës saj të papërsëritshme në mbajtjen gjallë të besimit në zot tek njerëzit duke shërbyer me përkushtim për më se 70 vjet në Teqenë e Dervish Hatixhesë, si një nënë me zemër të madhe, e cila me guxim dhe përvuajtje u vetësakrifikua, duke ia dalë mbanë ta shndërronte atë vend të shenjtë besimi në një pikë të rëndësishme pelegrinazhi shpirtëror”.
Me Dekoratën “Nderi i Kombit” u vlerësuan: Hafiz Xhemal Mullai (pas vdekjes) “Në shenjë vlerësimi të figurës së tij të shquar atdhetare dhe kontributit të vyer si kryetar i Shoqatës ‘Bashkimi’ në Stamboll, si deputet dhe nënkryetar i Asamblesë Parlamentare të Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetar i Komitetit të Drejtësisë në Parlamentin Shqiptar”; Abaz Hilmi Dede Elezi (pas vdekjes) “Në vlerësim të figurës së prijësit të shquar shpirtëror të brezave bektashianë, deri në fund të jetës së tij, mbrojtësit të kodeve zakonore dhe traditave më të vyera të besimit të Haxhi Bektash Veliut.” dhe Dervish Iljaz Qafoku (pas vdekjes) “Në shenjë vlerësimi dhe nderimi ndaj klerikut të përkushtuar, i cili gjatë gjithë jetës së tij u shqua për atdhetarizëm e kontribut të dhënë për arsimin kombëtar, figurë që i dha krahë dhe lartësoi pelegrinazhin e shenjtë në Malin e Tomorrit”.
Ndërsa me Titullin “Naim Frashëri” u dekorua: Haxhi Zyber Halluli (pas vdekjes) “Në vlerësim të kontributit të çmuar si themelues i strehës së parë vorfnore në vendin tonë dhe të rolit të tij të spikatur si kryetar i parë i Bashkisë së Tiranës, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”.
Presidenti Nishani nderoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Haxhi Vehbi Dibrën (Agollin) (pas vdekjes) “Për kontributin e shquar e të vyer në lëvizjen kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, si firmëtar i Pavarësisë, Kryetar i parë i Parlamentit të Shqipërisë, si Kryetar i Kongresit të Dibrës dhe Kryetar i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë”.