Presidenti Nishani vlerëson punën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë: Ky Institucion i pavarur funksionon vetëm mbi bazën e Kushtetutës dhe të ligjit/
Tirane- 5 korrik 2013/ Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bujar Nishani duke drejtuar mbledhjen e radhës, vlerësoi maksimalisht punën e deritanishme të këtij Këshilli dhe anëtarëve të tij duke theksuar se: “Ky Institucion kushtetues e i pavarur funksionon vetëm në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit”.
Në mbledhjen e sotme Presidenti Nishani vuri në dukje se ditët e fundit janë bërë akuza dhe sulme të pabazuara nga aktorë të ndryshëm të politikës kundër punës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Presidenti Nishani inkurajoi anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë duke u shprehur se ata nuk e lidhin punën e tyre me mazhorancat politike, me atë të Parlamentit, të qeverisë dhe të asnjë institucioni tjetër të veçantë. Kryetari i Shtetit i nxiti anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të vazhduar punën në respekt të vlerave, në respekt të ekzistencës dhe funksionimit të institucioneve të pavarura të pandikuara dhe të paintimiduara nga asnjë kah, si dhe të përgjegjësisë së madhe që kanë përballë opinionit publik e qytetarëve shqiptarë, përgjegjësi që vjen duke u rritur nga dita në ditë për të vendosur standarde të cilat do të jenë të pakthyeshme në kohët dhe ditët e ardhshme.
“Këshilli i Lartë i Drejtësisë e ka bazuar, e ka organizuar tërë veprimtarinë e tij dhe ka funksionuar vetëm mbi bazën e ligjit, të së drejtës që ky ligj i jep për të përmbushur misionin dhe detyrat e tij kushtetuese dhe ligjore.” – theksoi Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit, duke sjellë si shembull pozitiv procedurën e ndjekur për herë të parë në përzgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Aministrative të Apelit, nënvizoi së Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka sjellë për herë të parë modelin e ri dhe transparent të pikëzimit përsa i përket vlerësimit të gjyqtarëve, duke shtuar se Këshilli ka marrë vendime të rëndësishme pozitive në drejtim të ruajtes së pavarësisë së gjyqësorit, integritetit moral dhe profesional të gjyqtarëve dhe se do të vazhdojë të qëndrojë në këtë lartësi.
Në përfundim të fjalës së tij Presidenti i Republikës u shpreh se është i bindur që anëtarët e Këshillit “do t’i japin një kontribut shumë të madh në radhë të parë ndjeshmërisë së opinionit publik, pritshmërive të opinionit publik dhe mbi të gjitha sistemit gjyqësor, i cili ka nevojë për monitorim të fortë, për reforma të forta, për inkurajime të modelit pozitiv, dhe për penalizime të ashpra të modeleve negative.”