Tirane, 31 dhjetor 2015/
Të dashur bashkëqytetarë,/
Të dashur shqiptarë kudo ndodheni,/
Motra dhe vëllezër,/
Mirëmbrëma të gjithëve!/
Sonte është nata kur shqiptarët mblidhen në familjet e tyre, mblidhen me miqtë dhe të dashurit e zemrës rreth tryezave të gëzimit, shpresave dhe ëndrrave të reja për t’i jetuar së bashku orët, minutat dhe sekondat e ndarjes me vitin e vjetër dhe takimit me vitin e ri.
Sonte është nata e miliona urimeve për një vit më të mirë, më të mbarë, më të begatë, që të gjithë shqiptarët shkëmbejmë me njëri-tjetrin në të katër anët e globit.
Kjo është një natë e madhe e bashkimit dhe solidaritetit tonë njerëzor e shpirtëror, tashmë një traditë e shtrenjtë e krijuar prej vitesh.
Ndaj e ndiej si privilegj të marr pjesë sërish në këtë festë të madhe me urimet e mia më të përzemërta për të gjithë ju bashkëkombasit e mi.
Nata e ndërrimit të viteve është një natë gëzimi veçanërisht për fëmijët.
Janë ata që festojnë me shumë dhe krijojnë atë atmosferë të mrekullueshme pa të cilën kjo mbrëmje nuk do kishte këto ngjyra kaq të larmishme dhe të bukura.
Ndaj dhe urimi i parë u shkon atyre: Gëzuar gjithë fëmijëve të Shqipërisë, t’i kemi me jetë, të bukur, të shëndetshëm, të qeshur, të lumtur, plot dritë si e ardhmja që ëndërrojmë të ndërtojmë!
Dua të veçoj ata bashkatdhetarë që për një arsye apo një tjetër nuk janë pranë familjeve të tyre, nuk festojnë në vatrat e ngrohta familjare.
Kam parasysh të sëmurët në spitale, kam parasysh të gjitha ata që kjo natë i gjen në krye të detyrës: mjekët, infermierët, forcat e rendit dhe punonjës të sektorëve të tjerë duke qenë se vendi ka nevojë çdo çast për rend dhe shërbime.
Gjithashtu, një urim të veçantë në emër të mbarë shqiptarëve për forcat tona ushtarake në Afganistan që mbajnë lart flamurin tonë kombëtar kuq e zi në përpjekjen e madhe botërore për paqe, rend, siguri e përparim.
Gëzuar të gjithëve Vitin e Ri 2016!
Faleminderit për punën dhe sakrificën tuaj!
Urimi im për një vit më të mirë dhe më të gëzueshëm shkon edhe për çdo familje që sot u mungojnë të afërmit e tyre, për jetimët, për të ngujuarit, për të pamundurit për të gjithë ato familje që sot ndodhen në vështirësi ekonomike dhe nuk i kanë mundësitë që do të donin.
Qoftë viti 2016 viti i shpresës dhe lajmeve të mira për ju!
Të dashur bashkëqytetarë,
Motra dhe vëllezër,
Dymijë e pesëmbëdhjeta që po lëmë pas ishte një vit jo i lehtë, që shënoi suksese por edhe vështirësi.
Evropa, dhe jo vetëm u trondit nga aktet terroriste që u rrekën të godasin vlerat sublime që ne gëzojmë sot, të cilave të gjitha kombet e civilizuara e liridashëse iu përgjigjën në solidaritet të plotë.
Ky është momenti për të evokuar edhe një herë me bindje të plotë se së bashku do të mundim çdo të keqe e kërcënim që i kanoset të ardhmes e të mirës sonë të përbashkët.
Por sonte është momenti edhe për të kujtuar dy ngjarje që e bëjnë vitin 2015 një vit historik për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
Kombëtarja shqiptare u kualifikua për herë të parë në historinë e saj në kampionatin evropian që do zhvillohet në qershor të këtij viti në Francë duke gëzuar një komb të tërë. Ne tashmë e kemi arritur synimin tonë, por të ëndërrosh për më shumë nuk është një ëndërr në diell.
Prandaj urimi im për heronjtë tanë, por edhe të gjithë tifozët kuq e zi është për një paraqitje sa më dinjitoze të ngjyrave tona në Francë.
Gjithashtu, dy javë më parë Nënë Tereza u shpall zyrtarisht shenjtore nga Papa Françesku, duke bërë sërish krenar mbarë kombin shqiptar, të cilit kjo grua e rrallë i përkiste, siç e thoshte vetë, nga gjaku dhe origjina.
Midis këtyre ngjarjeve, ku kulmon gëzimi dhe krenaria jonë, ka me dhjetëra dhe qindra të tjera me vlerë kombëtare, ku do veçoja 25 vjetorin e shembjes së komunizmit në Shqipëri, ngjarje e cila përcolli edhe një herë një mesazh të fortë dhe të qartë mbi të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Motra dhe vëllezër,
Fatkeqësisht shumë nga bashkëqytetarët tanë, kryesisht të rinj, u larguan nga atdheu për një jetë më të mirë gjatë këtij viti. Eksodi i ri i shqiptarëve e shënoi vitin 2015 po aq sa ngjarjet që përmendim, duke na shkaktuar dhimbje.
Mendimet dhe urimet e mia shkojnë sonte për të gjithë ata që janë larguar, bashkë me thirrjen e sinqertë për të mos e braktisur vendin, por për t’i dhuruar gjithë talentin dhe shpresën e merituar Shqipërisë që na përket të gjithëve.
Vështirësitë dhe dramat e qytetarëve le të jenë një apel i ri për vendimmarrësit, për drejtuesit e institucioneve dhe për politikanët në veçanti për të bërë atë që presin shqiptarët prej tyre.
Reforma në Drejtësi, lufta ndaj korrupsionit dhe arbitraritetit, një vëmendje më e madhe për realitetet e shtresave në nevojë përbëjnë imperativin e kohës për Shqipërinë dhe përgjegjësinë tonë të drejtpërdrejtë ndaj brezave të ardhshëm, ndaj fëmijëve tanë.
Nuk ka më kohë për retorikë, për konfliktualitete të panevojshme. Vendi ka nevojë për më shumë punë, për më shumë shpresë, për më shumë dialog. Vendi ka nevojë për më shumë pozitivitet.
Urimi im dhe besoj i gjithë shqiptarëve është që Viti 2016 të shënojë një kthesë të fortë e pozitive në gjithë politikë-bërjen në vend në shërbim të vlerave të dinjitetit njerëzor të gjithësecilit, të lirisë, të barazisë para ligjit, të solidaritetit, të shërbimit me devotshmëri të qytetarëve të vendit, halleve të tyre të përditshme.
Të dashur bashkëqytetarë,
Tani numërimi mbrapsht i minutave ka filluar. Të gjithë ju po bëheni gati të tokni gota dhe të shkëmbeni përqafimet e momentit të ndërrimit të viteve.
Më lejoni t’ju uroj nga zemra të gjithëve Gëzuar Vitin e Ri 2016!
Qoftë një vit i mbarë e i begatë për ju, familjen tuaj, të afërmit tuaj e miqtë tuaj, një vit i mbushur me më shumë dashuri, përkushtim dhe solidaritet në familjet tona, në shoqërinë tonë, në Shqipërinë tonë.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët! Gëzuar!