Shënim i redaksisë: Zoti Ekrem Bardha është njëri ndër shqiptarët më të spikatur të diasporës shqiptare në SHBA, e jo vetëm, i cili jetën e tij, ia ka kushtuar çështjes shqiptare në përgjithësi dhe në veçanti ëndrrës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Nga libri i tij me kujtime, mbresa, takime, biseda dhe intervista, i cili është në procesin e redaktimit përfundimtar, “Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, zoti Bardha na besoi intervistën me zotin Hashim Thaçi, presidenti i Republikës së Kosovës.
Duke e falenderuar zotin Bardha për bashkëpunimin e herëpashershëm me gazetën Dita, gjejmë rastin dhe i urojmë Ditëlindjen e tij, e cila është pikërisht sot. Edhe Njëqind!
Bisedë me Presidentin e Kosovës, zotin Hashim Thaçi
Emrin e Zotit Thaçi e kam dëgjuar thuajse në të njëjtën kohë me fillimin e luftës në Kosovë dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte shumë intriguese, e shpesh herë e domosdoshme, të dinim se cilët janë njerëzit që po i prinin luftës në Kosovë, kush ishin ata, çfarë qëndrimesh kishin, cili ishte vizioni i tyre për Kosovën dhe pasluftën, për vetë zhvillimet e mëtejshme.
UÇK-ja po dilte nga ilegaliteti, pra nga e fshehta e saj dhe, disa emra po bëheshin të njohur. A ishin këta ekstremistë apo terroristë, si përpiqej t’i etiketonte një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, karriera e të cilit përfundoi pas këtyre konkludimeve historikisht e praktikisht të gabuara, apo, si na e donte zemra, ishin idealistë dhe atdhetarë?
Në një takim në Departamentin e Shtetit, në fillimin e marsit 1998, ku ishim ftuar sëbashku me disa shqiptarë të njohur, figura eminente të mendimit politik të atjeshëm, zoti Gilbard, zyrtar i lartë i këtij Departamenti, sapo u ulëm, na tha se në Kosovë është shfaqur UÇK-ja , e cila është ekstremiste dhe terroriste. I rashë me grusht tavolinës dhe i fola me zë të lartë, “Turp të kesh. Ajo është Ushtri Çlirimtare, ndaj bëj kujdes”. Pas meje foli Harry Bajraktari dhe të gjithë u zemëruam aq shumë e bëmë aq fjalë me zë të lartë, sa menduam se pas kësaj do të na ndalonin. Në fakt, ndodhi ndryshe. Atë e larguan nga detyra.
Sa më shumë zgjerohej lufta në Kosovë, aq më i pranishëm bëhej emëri i Thaçit, por vetëm në rrethe të ngushta. Në Rambuje ai u vendos në qendrën e vemendjes. Tani për të flisnin të gjithë. Diplomacia botërore ishte ndalur tek emri i tij. Ai po bëhej epiqendra e gjithë asaj që zhvillohej në Kështjellën e Rambujesë dhe jashtë saj.
Isha atyre ditëve në Rambuje, për të ndjekur nga afër zhvillimet. Në një darkë të përbashkët, ku kisha ftuar edhe Ismail Kadarenë dhe diplomatin e njohur amerikan, Kris Hill, ndërsa flisnim për Rambujenë, u fol edhe për Hashim Thaçin dhe këmbënguljen e tij për të marrë sa më shumë nga Konferenca, zemërimet e diplomatëve, por edhe adhurimin; Kadareja tregoi për bisedën e gjatë që kishte bërë me disa nga drejtuesit e UÇK-së dhe letrën që u kishte dërguar. Hashim Thaçi po hynte kështu natyrshëm në politikën shqiptare dhe përtej saj.
Disa kohë më pas, në një takim me zonjën Ollbrajt, ajo do të thonte se Hashim Thaçi ishte një negociator i vështirë, ndoshta më i vështiri që kishte takuar.
Ky djalë i ri, më i riu në Delegacionin shqiptar të Kosovës në Rambuje, po bëhej i njohur dhe enigma rreth tij po zhdukej.
Hashim Thaçi është pa dyshim njëri ndër politikanët më karizmatikë shqiptarë. Ka një jetë të habitshme pas vetes, por edhe shumë domethënëse. Një jetë të çuditshme, që nga prorektor i Universitetit të Prishtinës, pjesë e lëvizjes klandestine, organizator i Luftës së Kosovës dhe drejtor politik i UÇK-së, kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, lideri i opozitës e, më pas, në të gjitha postet drejtuese të shtetit. Sido që të trajtosh figurën e tij, nuk mund ta ndash nga disa prej akteve më themelore të epokës së tashme: nga lufta për liri, në të cilën ai ka rolin e veçantë drejtues, në realizimin e lirisë, në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, dhe, në shpalljen e Pavarësisë. Një jetë plot ngjarje dhe, deri diku mund të duket e pabesueshme. Por, kështu ka ndodhur.
Hashim Thaçi është shtetari me lidhjet më të forta, të qëndrueshme, dinjitoze, dhe pavarësisht se kush ka qeverisur në Uashington, më i besuari në dekadat e fundit. Në një mënyre a një tjetër ai mbetet adresa e parë e politikës amerikane në Kosovë.
E kam takuar më pas në vende të ndryshme dhe pak gjë ka ndryshuar nga ai që ishte në Rambuje. Kemi biseduar në Tiranë apo në Prishtinë, kam pasur nderin të dekorohem disa herë nga ai dhe, tani, një pjesë nga biseda jonë po e përcjell edhe për lexuesit e këtij libri.
Ishte një bisedë e gjatë, për shumë gjëra që qëndronin varur mbi fatin e Kosovës, por, mbi të gjitha për një temë të përbashkët: të ardhmen e Kosovës.
–Zoti President, prej shumë kohësh Kosova ka qenë një ndër vendet më të “përkëdhelura” të Shteteve të Bashkuara, nëse mund ta quajmë kështu. Për herë të parë administrata e lartë e SHBA vendosi të ndërmarrë një akt të panjohur më parë dhe që vështirë se mund të përsëritet: vuri në lëvizje gjithë strukturën politike e ushtarake të NATO-s për të ndëshkuar krimin serb në Kosovë, dhe për të ndryshuar rrjedhën historike të popullit shqiptar në Kosovë.
-Brezat e sotëm dhe të nesërm do i jenë përjetë mirënjohës Shteteve të Bashkuara. Ky është një postulat politik që rrjedh nga zhvillimet historike që kanë ndodhur në më shumë se një shekull. Por që kulmuan në ditët e luftës së Kosovës.
Për të qenë më të drejtpërdrejtë: Kosova kishte Ushtrinë e saj Çlirimtare, që ishte vazhdim i traditës së popullit shqiptar për qendresë, dhe kjo është fillesa e asaj që do të vinte. Por ishte e pamjaftueshme. Ndaj që në fillim ne u përpoqëm të krijojmë rreth vetes mbështetjen e fuqishme, të vazhdueshme të shteteve perëndimore dhe sidomos të SHBA. Shteti i Serbisë kishte makineri të duqishme ushtarake, kishte në krye një diktator që e kishte shfaqur veten në luftrat e mëparshme në këto treva ballkanike, Bosnja dhe Kroacia, sidomos Bosnja, kishin treguar se makineria vrastare serbe ishte e gatshme të derdhte lumenj gjaku edhe në Kosovë.
Kontaktet që u vendosën me diplomatë të rëndësishëm të Sheteve të Bashkuara që në fillimet e Lëvizjes Çlirimtare ishin vendimtare. Ata vendosën vijën e kuqe për pushtetin agresiv serb, por njohën të drejtë luftën dhe qendresën tonë.
–Z.President, a keni qenë në dijeni ju, si gjatë luftës, por edhe më pas, për rolin e diasporës shqiptare në Amerikë për mbështetjen e rezistencës në Kosovë? Për takimet e zhvilluara me struktuat më të larta të Shtetit amerikan, presidentë, senatorë dhe kongresmenë, mbështetjen financiare e politike?
-I nderuar zoti Ekrem, më lejoni të bëj një krahasim, ndoshta jo edhe aq të saktë: Shtetet e Bashkuara kanë ardhur në Kosovë përmes tri formave; përmes zyrtarëve të saj të lartë, që sillnin politikën, vizionin dhe mendimin progresiv e demokratik; përmes batalionit “Atlantiku”, që ishte ndër aktet më sinjifikative të të qenurit pjesë e diasporës dhe jo vetëm e saj në luftën për liri; por, para saj, përmes diasporës shqiptare të atjeshme. Ndoshta, në fillim, nuk kemi qenë në dijeni për të gjitha hollësirat, por, ne e kemi ndjerë këtë rol. Si, në cilën mënyrë?
Në vërenim që diplomacia amerikane dinte përherë e më shumë për ne, por edhe qëndrimet e saj po bëheshin më racionale. Ajo kishte më shumë informacion dhe mbështetej tek figura të shquara të diasporës shqiptare në Amerikë, të cilët, pa droje mund të them se ishin përfaqësuesit e parë politikë të UÇK-së dhe diplomatët e parë dinjitozë të shtetit të Kosovës. Përmes jush janë hapur ato dyer që vështirë të hapeshin aq shpejt dhe aq sigurtë. Diaspora shqiptare në Amerikë ishte e konsoliduar, ajo mund të ishte nga treva të ndryshme shqiptare, por bashkohej në çështjen e Kosovës. Mund të kishin bindje e qëndrime të ndryshme politike, por për Kosovën ishin bashkë. Pa këtë kontribut të pazakontë dhe intensiv të diasporës suaj diplomacia amerikane do të kishte pasur shumë hezitime.
–Z.President, e megjithatë, duke respektuar mendimin tuaj, në Kosovë, por edhe në Shqipëri, pak dihet për këtë kontribut. Mendoni se është bërë sa duhet?
-I nderuar zoti Ekrem, mirënjohja për diasporën shqiptare në perëndim, sidomos në SHBA, është një ndjenjë e brendshme, e skalitur, që ka zënë vend dhe është bërë e natyrshme. Nuk ka shqiptar që nuk e di këtë. Nganjëherë ndodh që për njerëzit më të afërt, pra për vëllezërit tanë, të heshtim më shumë. Kushdo në Kosovë e di dhe është krejt e qartë se, pa angazhimin e diasporës shqiptare në SHBA, pra të figurave të shquara të saj, shumë rrugë do të kishin qenë vështirë të hapura.
Jeni në të drejtën tuaj që Kosova duhet të kishte bërë më shumë, që njohja e këtij aktiviteti të kishte qenë më e gjërë, por ende Kosova është një shtet i ri, me probleme të mëdha, kryesisht për shkak të qëndrimit agresiv e jo produktiv të politikës serbe ndaj Kosovës.
-Zoti President, prej më shumë se dy dekadash ndërlidhja mes SHBA dhe Kosovës ka qenë primare, si të thuash gur themeli i ecurisë së mëtejshme në rrugën e demokratizimit, ndërtimit institucional dhe shtetëror të vendit tuaj. Mendoni se kjo do të jetë vija e kuqe e politikës së Kosovës që nuk mund të preket?
-Patjetër. Kjo është jo vetëm domosdoshmëri historike, por edhe përgjegjësi reale. Askush nuk goxon të mendojë ndryshe.
Ajo që dua të theksoj qysh në fillim është se, çdo herë që kemi qenë së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si Kosovë kemi dalë mirë dhe kemi dalë fitues, qoftë në Rambuje, ku për herë të parë, publikisht Perëndimi ka shpallur devizën e tij pro çështjes së Kosovës, qoftë në procesin e bërjes së pavarësisë, e në të njëjtën kohë të themelimit të ushtrisë. Prandaj çdo këshillë dhe mesazh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të respektohet me përpikërinë më të lartë prej institucioneve të vendit. Por duhet kuptuar edhe diçka, ne jemi ballafaquar si shtet i Kosovës me veprime agresive nga ana e Serbisë, veprime këto që e kanë lënduar shtetin e Kosovës, funksionimin e shtetit, edhe në rrafshin e brendshëm edhe në rrafshin ndërkombëtar. Prandaj, masa e ndërmarrë nga institucionet e Kosovës lidhur me tarifën ndaj produkteve serbe, ka qenë veprim i duhur në kohën e përshtatshme, por në të njëjtën kohë, tani, duhet të mendojmë të shikojmë nga e ardhmja dhe, e ardhmja është respektimi i një opinioni dominues prej skenës politike për jo heqjen e tarifës, por pezullimin e tarifës, ashtu siç është edhe këshilla prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s, spektrit politik kosovar, nga shoqëria civile, në mënyrë që të hapet rruga për vazhdimin e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe në të njëjtën kohë të ruajmë dhe kultivojmë partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Tek e fundit, më të çmueshme janë raportet tona të shkëlqyera dhe ruajtja e këtyre raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sesa ndonjë veprim që e ngulfat Kosovën, e izolon Kosovën apo që në të njëjtën kohë dërgon mesazh se Kosova po luan rolin e destruktivit në procesin e dialogut, prandaj një percepsion i tillë nuk duhet të lejojmë që të krijohet në Uashington, në Bruksel dhe as kudo, dhe, të jeni të bindur se nuk do të krijohet. Cilido njeri i politikës që mendon se mund të ndërtojë karrierën e tij kundër kësaj politike, ai duhet të mendojë për pensionimin e tij.
–Megjithatë në Kosovë ka edhe mendime të tjera, ka qëndrime për mbajtjen e kësaj tarife apo heqjen graduale të saj. A mos mund të lexohen këto si kundërshti ndaj këshillave të administratës amerikane dhe si një fillesë për të qenë tashmë pjesë e një politike ndryshe?
-Në Kosovë nuk mund të ketë politikë ndryshe. Ka shfaqje formale ndryshe, por thelbi mbetet i njëjtë. Sidomos nga forcat politike progresive, të cilat u kanë prirë proceseve të deritanishme dhe këtë e kanë bërë me sukses.
Unë pres maturi, veprime të interesit gjithëpërfshirës, të interesit lokal, por edhe të interesit të investimeve strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s. Nuk mund te kemi sukses të vetmuar në asnjë proces. Është një Amerikë, nuk janë disa. Ne bashkë kemi fituar lirinë dhe pavarësinë dhe SHBA-të ishin të vetmet që na mbështetën për themelimin e ushtrisë, prandaj është e njëjta Amerikë dhe duhet të kemi parasysh se veprime të mëtutjeshme do të jenë të koordinuara mes institucioneve të vendit, megjithëse pushtetet janë të ndara, por duhet të shikojmë më tepër në interesin strategjik sesa në interesin politik ditor.
–Mendoni se do të ketë zhbllokim të negociatave, vazhdim të dialogut dhe ecuri në këtë proces? Mos të harrojmë, jemi më shumë se 20 vite pas luftës dhe shumë gjëra mund të ishin bërë më shpejt.
–Jam optimist në vendime të drejta, në vendime strategjike, jam optimist se Kosova nuk do ta marrë barrën e bllokadës së procesit të negociatave. Ne kemi insistuar që të vazhdojë dialogu, pavarësisht taksës, por tani është një situatë e re politike; opozita e djeshme është tani në qeverisje, dhe mendoj sinqerisht se ka ardhur koha që të marrë përgjegjësitë që i takojnë edhe në këtë rrafsh.Ne nuk guxojmë të mbajmë peng zhvillimet në Kosovë dhe të ardhmen e saj nga ngurrimet apo papërgjegjësitë politike. Por besoj se kjo është një çështje në kalim dhe do të zgjidhet.
– Jo shumë kohë më parë, gjatë një vizite në ShBA, ju keni pasur një takim që në Këshillin e Marrëdhënieve me jashtë, organizata më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara, e cila grupon ekspertët më të mirë të politikës së jashtme amerikane, dhe u shprehët për një korrigjim të lehtë të kufijve. Çfarë nënkuptoni me këtë?
–Unë e kam theksuar edhe më herët, e ritheksoj edhe sot se, unë punoj që në kuadër të përmbylljes së dialogut Kosovë-Serbi të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton zgjidhjen përfundimtare të çështjes së të zhdukurve, të refugjatëve, të edukimit, të shëndetësisë, të trashëgimisë kulturore serbe, artefaktet arkeologjike, që i hap mundësi zhvillimit ekonomik dhe që në fund benefiti për Kosovën të jetë njohja nga Serbia si shtet i pavarur dhe sovran, anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, njohja edhe prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian dhe të hapet mundësia për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian. Dhe natyrisht se, në fund nuk ka njohje mes dy vendeve pa definimin e qartë të kufijve ndërshtetërorë Kosovë-Serbi. Unë e kam theksuar edhe më herët e ritheksoj edhe sot se punoj dhe mendoj se, do ishte shumë e logjikshme përfshirja e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në territorin e Republikës së Kosovës duke mos i cenuar në asnjë rrethanë resurset e shtetit të Kosovës, as Gazivodën, as veriun e Mitrovicës, as Trepçën dhe as hapësirat e tjera.
–Në qoftë se kjo marrëveshje do të nënkuptojë njohje nga Serbia, anëtarësim në OKB, por do të kërkojë si shkëmbim që të negociohen kufiri verior i Kosovës për rajonet me shumicë serbe, a është kjo pjesë e negociatave?
–Unë nuk mund të përgjigjem në diçka që nuk është kërkuar dhe nuk mund të përgjigjem në diçka që mund të shtrojë si çështje Serbia, por mund të konfirmoj se askush nuk ka hedhur në tavolinë hartat. Por ajo që mund të them përsëri është se marrëveshja do të arrihet ndërmjet dy vendeve sovrane me njohje reciproke.
–Mirëpo ka mjaft zëra të ndryshëm, ekspertë, ish zyrtarë, analistë në Shqipëri, në Kosovë, në pjesën perëndimore, të cilët flasin për mundësinë e ndryshimit të kufirit, jo thjesht definim, që është bërë ndërmjet Kosovës e Malit të Zi apo në mes të Kosovës e Maqedonisë. Ju jeni shprehur për korrigjim të lehtë që përpara ka qenë tabu dhe nuk hapej, tashmë ju e keni hapur.
–Unë, në cilindo pozicion politik a qeverisës që kam qenë nuk kam folur kurrë për ndryshimin e kufijve. As për ndarjen e Kosovës. Kjo ka qenë vija ime e kuqe. Korrigjim të kufirit Kosova ka bërë edhe me shtetin e Maqedonisë, unë e kam nënshkruar. Korrigjim të kufirit ka bërë edhe me Malin e Zi, unë e kam nënshkruar. Ka pasur trazira, ka pasur probleme, gaz lotsjellës, ka pasur demonstrime, dërgime të mesazheve jo të mira për shtetin e Kosovës në botë, por në fund të gjithë janë bindur se marrëveshja ka qenë e drejtë dhe e saktë. Në të njëjtën kohë, ne, që kemi një kufi, një territor me Serbinë rreth 410 kilometra, duhet përfundimisht ta definojmë para përmbylljes së marrëveshjes apo si kusht për përmbyllje të marrëveshjes për njohjen reciproke. Nuk ka njohje reciproke pa definimin e vijave kufitare. Tash unë opinionet e ndryshme i respektoj por mund të them se me saktësi dhe qartësi mund të flasin vetëm ata që janë në proces, ndërsa të tjerët janë opinione të lira.
-Zoti President, në jetën tuaj politike ju jeni pritur dhe jeni takuar me figurat më eminente të politikës amerikane, me presidentë, senatorë, sekretarë shteti, kongresmenë. Nga të gjitha takimet, cili prej tyre ka qenë më i vështirë dhe që ka lënë mbresat më të ndjeshme tek ju?
-Me figura të shquara të diplomacisë amerikane kam pasur nderin të takohem edhe gjatë luftës. Disa nga këto takime janë të njohura. Takimet më të vështira kanë qenë me Zonjën Ollbrajt, Sekretare e Shtetit, e cila ishte thellësisht e angazhuar në procesin e Konferencës për Kosovën në Rambuje. Kanë qenë të vështira për nga momenti që mbaheshin, pasi aty do të vendosej shumëçka për të ardhmen e Kosovës; të vështira pasi presioni ishte i fuqishëm që shtohej edhe nga respekti ndaj Zonjës Ollbrajt; të vështira pasi, duhet thënë, kisha ngelur i vetëm në ato çaste, ku edhe njerëz që sot shkruajnë për mos definimin e kufijve më bënin presion për një autonomi të Kosovës nën Serbi. Ka qenë dilema më e madhe e jetës sime, shtuar nga vështirësia e takimeve të njëpasnjëshme, ku më jepej siguria maksimale për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, por ne kërkonim atë që sot kemi arritur.
-Nëse do të përsëriteshin ngjarjet, do të mbanit përsëri të njëjtin qëndrim.
-Patjetër. Edhe kur jemi takuar më vonë me Zonjën Ollbrajt dhe i kemi risjellë në bisedat tona takimet dhe bisedimet e vështira, e kemi ditur se qëndrimi nuk do të ndryshonte.
–Me siguri keni pasur çaste të lumtura nga këto takime e bisedime, pra momente kur e keni ndjerë më shumë se kurdoherë mbështetjen e administratës amerikane?
-Janë shumë të tilla. Dy a tri ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s, nga administrata amerikane na u bë i njohur çasti i fillimit. Ishte vendosja përfundimtare e Kosovës në krahun e shteteve demokratike të cilat, nën prirjen e SHBA, po shfaqnin hapur përkrahjen dhe angazhimin e tyre, tashmë përmes forcës.
–Pas 20 viteve në Kosovën e lirë mendoni se këtë vit do të ketë një marrëveshje për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë? A jeni optimist që marrëveshja do të arrihet këtë vit.
-Jam optimist, por mbi të gjitha jam realist. Bashkëpunimi ynë me administratën e Presidentit Trump, ashtu si edhe me administratat e mëparshme, që është i shkëlqyer, më bën optimist, por edhe të gjykoj në mënyrë realiste.
–A jeni sot më optimist se sa ishit para disa muajsh, apo jeni më pak sot?
–Definitivisht sot jam më optimist se sa kam qenë më herët, shpresoj që nesër të jem edhe më optimist se sot.
*Intervista u dërgua nga zyra e z. Ekrem Bardha.Redaksia e Diellit ia uron me këtë rast Ditën e Lindjes; Shumë Urime për Ditën e Lindjes z. Ekrem Bardha! Happy Birthday !